Flamurtari, talenti i radhës quhet Dejvi Bregu

April 27, 2015 09:59

Flamurtari, talenti i radhës quhet Dejvi Bregu

Pas Odise Roshit një yll i ri po lind në Vlorë. Ai është Dejvi Bregu i cili me paraqitjet e tij fantastike në sfidat e fundit po e bën më pak të dhimbshëm këtë sezon totalisht të dështuar për Flamurtarin.

Ndaj Elbasanit Bregu edhe pse nuk ka mbushur ende 20-vjeçar la edhe njëherë tjetër shenjën e tij duke ndihmuar Flamurtarin të rikthehej te fitorja në kampionat pas plot 8 ndeshjesh, madje suksesin e fundit në Superiore vlonjatët e kishin siguruar në fazën e tretë pikërisht ndaj Elbasanit.

Për Dejvi Bregun ai ndaj verdhebluve ishte goli i tretë në 4 ndeshjet e fundit me fanellën e Flamurtarit, dhe 19-vjeçari vlonjat tashmë mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës basti i fituar i drejtuesve të Flamurtarit në këtë sezon të vështirë.

Largimet e Gilman Likës dhe Gjergji Muzakës në merkaton e janarit por edhe afrimet e lojtarëve si serbi Nikoliç apo edhe Albin Hoxha e Lorik Maxhuni, që nuk kanë dhënë asgjë deri tani për Flamurtarin i paraqitën shansin Dejvi Bregut të aktivizohej si titullar në sfidat e fundit, këtë gjë e shfrytëzoi më së miri mesfushori me tipare sulmuese i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë futbollisti nga i cili do të nisë projekti i ri i drejtuesve të Flamurtarit për rindërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Bregu ka filluar tu kujtojë tifozëve vlonjatë Odise Roshin i cili la një shenjë jo të vogël në qytetin bregdetar përpara se të transferohej në Gjermani te Kolni. Golin e parë me fanellën e Flamurtarit 19-vjeçari e realizoi në sfidën e 4 prillit ndaj Tiranës duke barazuar përkohësisht shifrat e atij takimi në 1-1.

Ai nuk u ndal me kaq dhe një javë më vonë shënoi golin e vetëm të Flamurtarit në humbjen 2-1 ndaj Apolonisë në “Loni Papuçiu”. Edhe ndaj Vllaznisë, Dejvi Bregu bëri një paraqitje fantastike për të ardhur te goli i fundit ndaj Elbasanit.

Në një sezon totalisht të dështuar shpërthimi i 19-vjeçarit është kënaqësia e vetme për tifozët vlonjatë. Flamurtari shpeshherë në ka mësuar se di të prodhojë talente dhe Dejvi Bregu është ai i radhës që e bën ambientin kuqezi të besojë te nisja e cikli të ri.

April 27, 2015 09:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*