Flet keq për kombëtaren e futbollit, dorëhiqet pas presionit popullor

June 23, 2016 21:42

Flet keq për kombëtaren e futbollit, dorëhiqet pas presionit popullor

 

Duke i dhënë fund stuhisë që shkaktoi në opinionin publik me komentin e tij kritik ndaj Kombëtares së Shqipërisë në futboll, hidrauliku 39 vjeçar Rubin Neti u dorëzua përballë presionit popullor dhe deklaroi të mërkurën se do të jepte dorëheqje të parevokueshme nga qytetaria shqiptare, mësojnë Gojët e Liga.

Muajin e kaluar, një video në Youtube ku Neti dëgjohej të thoshte gjatë një ditëlindjeje se “ky ekip duhet të mbledhë mendtë e kokës” arriti rekordin e klikimeve, e bashkë me të dhe një rrebesh kritikash në mediat më të mëdha të vendit. Shumë shpejt, protestuesit filluan të rrethonin shtëpinë e hidraulikut blasfemues dhe t’i kërkonin atij dorëheqjen.

Kësisoj presioni erdhi duke u rritur, derisa ish nxënësi mesatar i gjimnazit “Bamkë Qylollari” u detyrua të thërrasë një konferencë për shtyp të mërkurën e kaluar.

Qelbesira qe foli keq per çunat

Qelbesira qe foli keq per çunat

“Para së gjithash, do t’u kërkoja falje të thellë të gjithë atyre që mund të kem fyer me komentet e mia”, tha Rubin Neti, i rrethuar nga bashkëshortja dhe dy fëmijët që e kanë mbështetur atë në gjithë këtë histori. “Edhe pse unë e dua shumë Shqipërinë, besoj se gjëja më e mirë që mund të bëj tani për familjen dhe kombin, është të jap dorëheqjen nga qytetaria shqiptare. Pas trazirave që shkaktuan komentet e mia, shpresoj shumë që atdheu im të rivazhdojë rrugën e tij si vendi më i mirë në gjiiiithë botën”. Hidrauliku shtoi: “Shpresoj gjithashtu që një ditë, Lorik Cana të më falë për llafet e pamenduara”.

Siç mund ta kujtojë shumëkush, fillimisht Neti deklaroi se fraza e tij ishte nxjerrë jashtë kontekstit. Por me rritjen e zemërimit popullor, duket se e kuptoi që justifikimet nuk pinin më ujë për hidraulikun. Një sondazh i kryer pak përpara dorëheqjes së tij, zbuloi se 93% e të anketuarve e cilësuan sjelljen e Netit si “të ndyrë” dhe “totalisht të padenjë”, ndërsa 87% ishin të mendimit se ai duhet të jepte dorëheqjen.

“Edhe pse besoj se Rubin Neti shqetësohet për këtë vend dhe vlerat e tij sportive, fakti është që për një njeri në pozicionin e tij, këto deklarata ishin të papranueshme”, tha analisti politik Pim Çeka, “duke dorëzuar pasaportën dhe hequr dorë nga nënshtetësia, z.Neti bëri gjënë e duhur”.  “Ç’ja hodhi qerratai”, mërmëriti me vete Çeka.

Një punë serioze investigative e medias, nxorri në dritë edhe komente të mëparshme negative që Neti ka bërë për Shqipërinë. Gazeta “Pejzazhi” botoi së fundi një histori të mbajtur të fshehtë, kur Neti paskësh deklaruar “Na grinë nga lekët, ç’dreq kampionati i trukuar është ky”. Edhe më inkriminues ishte një pohim i vjetër i hidraulikut para 5 vitesh, kur sipas gazetës “Napo”, mes një grupi shokësh ai kishte thënë se “kjo federatë po shkon për lesh”.

Gjithsesi, megjithë ekzilin e tij vullnetar në Suedi, analistët spekullojnë se është shumë herët për ta quajtur të mbyllur historinë mes Rubin Netit dhe Shqipërisë.

“Më besoni, do dëgjojmë prapë lajme nga ai zotëri”, pohoi sociologu Derman Sevapi, “nuk do çuditesha sikur ai të kërkojë serish nënshtetësinë shqiptare në të ardhmen. Organet tona duhet të jenë vigjilente, le të kalbet andej nga Skandinavia”.

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike

June 23, 2016 21:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*