Flet urbanisti italian: Ja si do të jetë Tirana e ardhshme

January 23, 2016 13:10

Flet urbanisti italian: Ja si do të jetë Tirana e ardhshme

Vetëm pak javë më parë Ministria e Zhvillimit Urban shpalli fitues arkitektin e njohur italian Stefano Boeri, për hartimin e planit urbanistik të Tiranës.

Por si do jetë ky plan? Cilat janë idetë që Boeri do të sjellë dhe çfarë pamje do të marrë kryeqytetit i Shqipërisë? Çfarë zgjidhjesh jep ai për një sërë problematikash me të cilat haset Tirana sot, duke nisur që nga rrugët, hapësirat e gjelbërta e deri tek zonat informale.

Për herë të parë, arkitekti Stefano Boeri , rrëfen në një intervistë për TCh disa nga objektivat dhe vizionet e tij për ta shndërruar Tiranën në një kryeqytet të denjë europian, edhe pse sipas tij, Tirana edhe sot është mbresëlënëse.

Çfarë ju ka bërë përshtypje gjatë vizitave tuaja në Tiranë?

 Gjëja e jashtëzakonshme e Tiranës është që është një lloj muzeu i 900-ës. Duke ecur në sheshet dhe rrugët e këtij qytetit, një njeri sheh ndikimin e kulturave të të gjithë planetit. Ka vende ku ka një ndikim të fortë të kulturës evropiane, asaj italiane, vende ku ka ndikim të periudhës sovjetike, vende ku ka dhe ndikime të Azisë, gjatë kohës së marrëdhënieve me Kinën dhe sot, arkitektura bashkëkohore që tregojnë lidhjen e Shqipërisë me botën. Për këtë arsye, unë e gjej shumë interesante këtë dimension ndërkombëtar që sot Tirana ka dhe mendoj se është një vlerë shumë e rëndësishme.

 Ju fituat konkursin për hartimin e planit urbanistik të Tiranës. Si e shikoni Tiranën në të ardhmen dhe çfarë drejtimi duhet të marrë ajo?

 Tirana është kryeqytet dhe sot në përballjet ndërkombëtare të tregjeve, qytetet kanë një rol thelbësor. Tirana ka një rol të rëndësishëm në një sistem gjeopolitik që nuk ka të bëjë vetëm me Mesdheun por edhe me Evropën. Unë mendoj që kjo përballje duhet të luhet nga Tirana, nga grumbulli i aktiviteteve që ajo mund të thithë. Tirana merr pjesë sot në këtë përballje jo si një qytet por si një metropol i madh, që në një farë mënyre arrin deri në Durrës dhe nga ana tjetër përfshin dhe disa male që e rrethojnë. Unë mendoj që e ardhmja e Tiranës, ajo që ne e kemi quajtur “Tirana 2030”, të jetë një projekt që të zhvillohet nga qeveria dhe Bashkia dhe t’i japë këtij qyteti një rol shumë të rëndësishëm në vitet e ardhshme.

 

Edhe pse është ende herët, a mund të na thoni disa detaje nga plani urbanistik?

 

Një plan si ai që ne jemi duke punuar, pikë së pari duhet të bëjë llogaritë me një çështje që është thelbësore: ekuilibri mes qytetit, natyrës dhe agrikulturës, nëse do duam sferën urbane, rurale dhe atë natyrale. Dhe kjo, e them edhe njëherë që është një temë thelbësore, qëndrueshmëria, biodiversiteti dhe burimet ekonomike që mund të rilindin nëpërmjet një ekuilibrimi mes natyrës, agrikulturës dhe qytetit. Ky është aspekti i parë në të cilin kemi nisur të punojmë. Pastaj është aspekti i dytë, po ashtu thelbësor i zhvillimit ekonomik. Cilat janë burimet e krijimit, riprodhimit, të shërbimit, cilat janë burimet e marrëdhënieve ndërkombëtare që Tirana sot mund t’i hedhë në “tryezë”, sepse ne kështu duhet ta luajmë kartën e identitetit të së ardhmes.

Për ju plani do jetë strikt, apo edhe mund të ndryshohet?

 Plani do jetë i përbërë nga 3 pjesë: do të ketë një afresk të përgjithshëm që do të tregojë Tiranën e 2030-ës; do të jetë një letër, një letër në kuptimin e një përmbledhje të principeve dhe të rregullave, shumë të qarta, shumë të forta, jo të shumta në numër dhe shumë të thjeshta, në mënyrë që t’u shërbejë të gjithëve, për të kuptuar si duhet bërë, ku duhet të shkojë dhe si duhet të ndërhyjë. Pjesa e tretë do të jetë një atlas me projekte transformimi që do të evidentojë disa zona ku ne mendojmë se duhet të investohet energjia maksimale për transformimin e qytetit.

Plani juaj për hapësirat publike, hapësirat e gjelbra…

Këtu është dhe çështja e të rimenduarit, që disa nga këto hapësira të cilat janë dhe shtylla kurrizore e Tiranës mbi të gjitha në zonën qendrore, por edhe të mendojmë për t’i zgjeruar ato. Bulevardi qendror mund të bëhet një sistem i hapur që prek të gjithë shërbimet kryesore dhe zgjerohet. Natyrisht, kjo duhet bërë me kujdes të madh, për shkak të lëvizshmërisë dhe trafikut. Pra, do të ketë një ekuilibër mes hapësirave publike, hapësirave të gjelbra dhe hapësirave pedonale dhe çështjes së lëvizshmërisë. Unë besoj se duhet të imagjinojmë se si “share economy” në fushën e transportit, të bëhet pjesë e jetës së përditshme të Tiranës. Për shembull “car sharing” është mënyrë lëvizje sot që janë adoptuar nga shumë qytete evropiane dhe janë bërë pjesë e jetës së tyre. Kjo është ajo që duam të bëjmë edhe për Tiranën.

Meqë përmendet transporti, çfarë do bëni për transportin publik të Tiranës, metro, tram…

 Projekti nuk është vetëm për Tiranën  por për një hapësirë shumë më të gjerë dhe kur flitet për transportin, flitet për një sistem transporti publik që duhet të lidhë dhe disa qendra të vogla të jashtme. Flitet për raportin Tiranë – Durrës dhe se si duhet të rimendohet për transportin mes tyre, transportin mes Tiranës dhe aeroportit. Pra, është një shkallë shumë më e gjerë. Në qytet po vlerësoj të gjitha mundësitë, pra cilat mjete transporti mund të përdoren, në çfarë forme. Është ende herët për të dhënë një përgjigje përfundimtare, por jemi duke u rakorduar edhe për këtë gjë.

Koncepti juaj për zhvillimin e Tiranës është egocentrik apo policentrik?

 Sigurisht policentrik, por pa harruar që Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe ka disa funksione të nivelit shtetëror. Ka një projekt të rëndësishëm për ta spostuar të gjithë pjesën ministrore dhe qeveritare përgjatë aksit të bulevardit, i cili do të zgjatet dhe kjo do të gjenerojë edhe më shumë efektin policentrik. Sot, qytetet që përballen më mirë janë qytetet që nuk janë shumë të shtrira por kanë më shumë qendra në brendësi të tyre.

Një tjetër problem në Tiranë janë zonat informale. Çfarë do ketë të parashikuar plani juaj për këto zona?

 Kjo është një temë shumë delikate, sepse kur ndërhyhet në zona informale, rreziku është gjithmonë ai që mund të përfshihen shërbime apo forma strehimi që kanë vlerë më të madhe e në këtë mënyrë, banorët janë të detyruar të spostohen në zona më periferike. Ajo që ne duam të bëjmë dhe që e kemi bërë edhe në qytete të tjera të Europes dhe jo vetëm, është ajo e ndërhyrjes në mënyrë delikate, graduale që i jep mundësi banorëve të rregullojnë e të sjellin situatat informale në situata të rregullta dhe me një kualitet jete të kushteve higjienike të pranueshme. Do të duhet një ndërhyrje shumë e kujdesshme në këto zona.

Në një plan urbanistik, densiteti i banorëve është një gjë e rëndësishme. Si do jetë kjo gjë në planin tuaj?

 Sfida e madhe e viteve të ardhshme është të mendohen qytete që rrisin dendësinë e popullsisë, edhe për një arsye ekonomike. Një qytet me densitet të vogël është një qytet që ka më shumë kosto, kosto infrastrukture dhe kosto transporti. Pra, ne duhet të llogarisim edhe për Tiranën, si një qytet që rritet, p.sh. me dyfishimin e bulevardit, por rritet duke qëndruar brenda kufijve aktualë, duke rritur densitetin e banorëve në zonat ku sot nuk është një gjë e tillë, sepse ka disa zona të tilla apo zona boshe, apo ka godina që duhen shkatërruar apo rikonstruktuar. Kjo më pas është një tjetër temë e rëndësishme. Qytetet rigjenerohen duke shkatërruar dhe rikonstruktuar. Pra, edhe kjo çështja e rigjenerimit është një çështje thelbësore. Ka një pjesë të trashëgimisë së Tiranës, e ndërtuar kryesisht në pjesën e dytë të shekullit të kaluar që sot duhet të rimendohet. Dhe kjo është një ndërhyrje e rëndësishme. Nuk është gjithmonë e rëndësishme të ndërtosh gjëra jashtë qytetit, por është shumë e rëndësishme në disa raste, të zëvendësosh pjesë të qytetit që sot janë të degraduara ose që konsumojnë shumë energji. Tema e energjisë, pastaj është një tjetër gjë shumë e gjerë.

Po për rrugët, spitalet e shkollat, çfarë keni menduar?

 Natyrisht janë gjëra që duhet të vlerësohen bashkë me politikat shëndetësore që janë dhe politika kombëtare dhe për këtë arsye, kemi nisur punën me një grup shumë të përgatitur që do ketë brenda tij ekspertë të ministrisë, ekspertë të departamenteve të ndryshme të Bashkisë. Tentativa do jetë që në idenë e një Tirane policentrike, të kemi drejtori si shëndetësore ashtu edhe shërbimesh të shpërndara në të gjithë territorin, duke konsideruar gjithnjë që ne nuk e shohim Tiranën si qytet por Tiranën si një hapësirë shumë më të madhe.

  Një problem tjetër që ka Tirana janë ndërtesat, ku në të njëjtën zonë ke godina 10 katëshe dhe godina dy katëshe.

 Natyrisht që nuk mund të ndryshojmë atë që është aktualisht. Do të ishte një çmenduri dhe do të ishte gabim. Do të përpiqemi që për ndërhyrjet e ardhshme të vendosim rregulla shumë të qarta, duke u përpjekur të mbështesim iniciativën e lirë dhe kreativitetin. Unë jam i mendimit që në fund të ndërhyrjeve, gjithmonë duhet të vlerësohet cilësia, por do të vendosim rregulla të cilat do të jenë të pakta por shume të forta.

Duket sikur është shenjë e fatit që Tirana të projektohet nga italianët….

 Unë punoj në Milano me arkitektë shqiptarë që kanë bërë gjëra shumë të rëndësishme bashkë me mua dhe sot jam në Tiranë. Kjo është Evropa e së ardhmes. Mendoj që prania e pjesëve arkitekturore evropiane në Tiranë vite më parë dëshmojnë që Tirana ka qenë pjesë e një bote më të hapur në shekullin e kaluar. Kjo gjë vazhdon edhe sot dhe unë jam shumë i lumtur që të jem pjesë e kësaj historie.

 A mund të ndërtohet dhe këtu në Tiranë “pylli vertikal”?

 Pa dyshim që po. Është një temë edhe për ndalimin e ndotjes dhe ekologjinë, në mënyrë që të ndërthurim një arkitekturë që të jetë e aftë të mirëpres natyrën. Kjo është kudo dhe unë mendoj që mund të jetë dhe në Tiranë.

 

January 23, 2016 13:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim