Flokët s’më janë zbardhur nga mosha

June 22, 2015 15:32

Flokët s’më janë zbardhur nga mosha

Arben Duka

 

Flokët s’më janë zbardhur nga halli,
i moshës-i vargut-i këngës,
flokët më janë zbardhur nga malli,
nga malli për dorën e nënës!

U bëra baba me fëmijë,
asgjë s’ndryshoi paskëtaj,
se kokën prapë e mbaja,
në gjirin e dhembshur të saj!

Nëna-ballin dhe tëmthat,
me butësi m’i fërkonte,
dhe flokun tim pis të zi,
pafundësisht ledhatonte!

Unë ndjeja si bëheshin një,
të dy tik-taket e zemrës,
dhe floku më bëhej i gjallë,
nga prekja e dorës së nënës!

Unë isha burrë me fëmijë,
njëzet e ca vite më parë,
dhe vetëm në gjirin e nënës,
për hallet e mija kam qarë!

Kam qarë me lot të hidhur,
e prehje kam gjetur mes gjirit,
me nënën kam qenë kaq i lidhur,
si syri me dritën e syrit!

Një të dytë kërkoni më kot,
se s’kini kurrë për ta hasur,
nuk gjen dot Nënë në Botë,
të dojë si ajo na ka dashur!

E kthjellët dhe natën që iku,
sa nisi e qau me zë:
“Mirë unë po iki e zeza,
po juve ku do t’u lë?!

Këto fjalë s’më shqiten nga mëndja,
dot s’i harroj dhe të dua,
merakun tonë kishte nëna,
dhe natën që ylli ju shua!

Nuk foli më Madhështorja,
i mbylli vetë sytë e gjelbër,
e pikëlluar që djemtë,
i la në botën e egër!

Kjo ishte arsye e vetme,
që iku atë natë e mërzitur,
se në vizionet e saj,
na shihte akoma të mitur!

Tani, nuk do besoni,
se nuk e njihnit ju Leno Dukën,
këtë javë-tha djema do vdes,
dhe që atë çast preu bukën!

Kjo ishte vërtet befasi,
se s’kish asgjë në të dukur,
kish dritë jete në sy,
qe si kondizmë e bukur!

Dhe fiks pas një jave ka ndodhur,
e bëri ashtu si e tha,
pesë vëllezër të fortë e të lodhur,
mbetëm atë natë pa mama!

Një ditë e vetme s’kalon,
që unë mos mendoj për mamanë,
Ajo në Sharrë pushon,
ndaj rri dhe unë në Tiranë!

Flokët s’më janë zbardhur nga mosha,
do ishte shkaku më kot,
po nga malli për dorën e nënës,
që nuk m’i përkëdheli më dot!

Flokët, si unë janë të gjallë,
s’e di atë mall si e mbajnë,
po unë i kam parë dhe jo rrallë,
për dorën e nënës si qajnë!

Nëna në tokë është si Zoti,
e vetmja ku fëmija nuk druhet,
poetë-mos u lodhni së koti,
se shpirti i nënës s’përshkruhet!

Njëqind vjeçare do ishte,
Mamaja ime në Maj,
dhe pse jam gjysh-si në kohë miturishte,
kokën do mbaja në prehrin e saj!

Dora e saj përmbi flokë,
në ledhatim nuk do epej,
e në kokën time-o shokë,
as dhe një thinjë s’do të mbetej!

June 22, 2015 15:32
Komento

18 Komente

  1. shqipja June 22, 15:44

    rofsh o Arben Duka se te pakten na jep kurajo por kjo gazete e nderuar nuk e di pse i mbush faqet me kim kardashian kaq poshte jemi te lexojme bemat e kkkkkkkku……… te amerikes.
    turp turp

    Reply to this comment
    • Kadri Kadiu June 23, 05:42

      Bukur o Beni, bukur. Nëna Leno ty të la baba me fëmijë, tani je bërë gjysh por sa të kesh jetën do e kujtosh.
      Mua o Beno, nënë Edibeja më ka lënë kërthi, vetëm 5 vjeç. Tani edhe unë jam bërë gjysh por me nënën time flas si fëmijë. Para ca ditësh pashë ëndër sikur kisha vdekur. Kur shkova në atë Botë, e para që më priti ishte nëna ime. Më kishte lënë fëmijë por sa më pa, më njojti menjëherë, më rrëmbeu në kraharor, më përqafoi me mall, më puthte e më puthte e nuk më lëshonte nga krahët e saj.
      Të nesërmen, me lotë në sy, bëra një shkrim të titulluar “Kur vdiqa unë’, botuar ne “Devolli. Net”.

      Reply to this comment
  2. antishqup June 22, 19:01

    Mire, o Beni, ti e ke aty ne Tirane dhe aty rri, aty e percollet, Po per ne emigrantet, nuk mendove pak sa shume na ka marre malli per nenat qe na lane duke qene kaq shume larg dhe iken nga kjo bote pa na pare dhe pa i pare? Shkruaj nje varg edhe per ne qe ta kemi te pakten si nje gur varri te nenes qe sa here e therrasim kur na dhemb shpirti, nuk e kemi mundesine qe te veme dhe ti themi dy fjale: Nene, me mori malli, nene, djali s’po me degjon, vajza s’po me degjon si te degjoja une ty!

    …, e me gjithe ate, shume, shume te faleminderit Beni, sepse tek nena e kenges tende pame te plota edhe nenat tona, Urime!

    Reply to this comment
  3. GAMORI June 22, 19:03

    shume te faleminderit i nderuari ARBEN , na bere per te qare e per reflektuar

    Reply to this comment
  4. N.VJOSA June 22, 20:12

    Poezi lirike e mrekullueshme!
    Secili gjen ne te vetvehten, dashuria e Nenes eshte nga me te madherishmet,…
    Bukur e thuaj:
    Nena ne toke eshte si Zoti,
    E vetmja ku femija nuk druhet,
    Poetë, mos u lodhni se koti,
    Se shpirti i Nënës s’ pershkruhet!…

    Reply to this comment
  5. Lika June 22, 20:14

    Respekt poet , per vargjet e nenave!

    Reply to this comment
  6. Lleshi June 22, 20:50

    Falemindeirt Beni per castet qe na dhuron ! Ka nevoje njeriu per shpirt njeriu !

    Reply to this comment
  7. gjermani i fundit June 22, 20:52

    rrofshi dhe e kujtofshi Arben.

    Reply to this comment
  8. fraza June 22, 21:01

    Nderime për Leno Duken!
    Nderim edhe për poetin!
    Që me penë e fjalë të arta,
    Na sjell në zemër tërmetin…

    Faleminderit DITA!

    Reply to this comment
  9. Vasili June 22, 21:59

    I madherishem,si nena vet je dhe ti Arben Duka.
    Nje tersellem te vertete ndjenjash ke shperndare tek secili nga ne,ku ndjenja e fajit per ate qe fal gjithcka,te ben qe te mos dish ku te futesh.

    Reply to this comment
  10. diana June 22, 22:29

    Faleminderit per vargjet e mrekullueshme,respekt dhe mirnjohje per te gjitha nenat.O nene dhe pse nuk jeton,sa her ndjehem keq apo lumturohem te therras………..Sepse dashuria e nenes eshte PASHTERSHME.

    Reply to this comment
  11. "BALASHI" June 22, 23:01

    Nderime Arben per kete lirike. Te gjithve na dhem nena. Te pervuajturat e pafund e zemerbardhat si rubin… Tek poema qe te ka kushtuar Hysniu, Hysni Milloshi yne del brilante nene Lenua. Te rroni e ta kujtoni…
    Mora Arben! Vertet ç’ ishte ai Hysni Milloshi? A per mua ishte i paperseritshem> Ai ishte nje Memo Meto, nje Esenin, nje Berns, nje majakovsk, Pushkin a Migjen. Nje homazh zemre dhe per te…

    Reply to this comment
  12. Patriote June 23, 02:20

    Te lumte shpirti dhe zemra o Arben Duka ! Vargjet per nenen te bejne te ndjesh mall, dhimbje , detyrim , pergjegjesi dhe pendese per ate qe s’u dhame ! Ato na dhane pa kursim dashuri , dhimbsuri , ngrohtesi dhe ate qe e kemi me te shtrenjte jeten tone !
    Tani qe si kemi ne kete jete , ne momente dhimbje i kerkojme , i therrasim , na duket sikur na
    ” shikojne , na ruajne dhe na gjenden prane pa i pare” ! Cdo cast ne jete i kemi ne Zemer , ne Shpirt e ne Mendje !
    Edhe pse jemi prinder vete , dashuria dhe malli per nenen eshte HYJNORE!
    Respekt , Dashuri Dhe Mirenjohje per te gjitha NENAT !!!!!

    Reply to this comment
  13. protesilahu June 23, 06:44

    Rrofsh dhe e kujtofsh te emblen nene,me bere te lotoj dhe skam fjale per te thene !

    Reply to this comment
  14. METEH June 23, 07:50

    Z.Arbe,te pergezoj per poezin te thurur per Nënën tende,por aty eshte edhe nena ime..e te gjitheve,qe shume..shume nuk i kan me ato,ose i kan larg, se jane ne mergim,qe kur i lan pas nuk u hodhen dot nje dore dhe’…dhe rrall u hidhim nje tuf lule nga kushtet ne te cilat ndodhemi.I paharruar kujtimi i nenes tende,i nenave te tona..i te gjitheve… qe nuk i kemi midis nesh..!

    Reply to this comment
  15. kol Kulumria June 23, 09:21

    Te lumt dora e mendja Arben Duka.

    Reply to this comment
  16. Vëzhguesi F June 23, 13:22

    Arben! Ti gjithmone shkruan bukur, por kjo poezi, ne pamje te pare e personalizuar, eshte nje perle e vertete qe prek çdo zemer te gjalle. Kushdo qe e lexon, eshte e pamundur qe te mos i shfaqet para syve nena e tij e dashur, fizikisht e ndare (per ata qe nuk e kane me ne kete jete por dhe per ata qe e kane larg), por me shpirt e kane prane. Jemi gati bashkemoshatar dhe megjithate jo vetem ne gjithe poezine por ne çdo varg te saj shoh ngjashmerine me te ndjeren nenen time. Nena! Asgje nuk mund ta zevendesoje ne jete ate.

    Reply to this comment
  17. intelektuali June 23, 14:56

    Nderim per nene Lenon,Respekt per djalin e saj Arben Duken.Me kete poezi besoj ke mallengyer shume bura e gra shume vajza e djem gjithkend.Nenat tona te vuajtura por mjaft te dashura na kane qendruar prane ne çdo shqetesim ,na kane ledhatuar me fjalen e tyre ,na kane dhene kuraje.Jane brilante keto vargje.Kam qene ne shkolle te mesme dhe per here te pare me ka mbetur ne kujtese nje poezi e juaja Arben per nje vajze gjirokastrite me gersheta qe e pershkruanit mjaft bukur.Jam ndjere mjaft krenare ne ate kohe pasi vete isha me gersheta .Ju Falenderojme per keto vargje mjaft te bukura.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*