FMN-BB: Borxhi publik në Shqipëri nga më të lartët në rajon

Redaksia Online February 15, 2013 21:08

FMN-BB: Borxhi publik në Shqipëri nga më të lartët në rajon

Sot, borxhi publik në nivelin mbi 60 për qind të PBB është nga më të lartët në Evropën Juglindore (EJL) dhe amortizatorët fiskalë kryesisht janë konsumuar”. Në këtë konkluzion kanë arritur ekspertët e FMN dhe Bankës Botërore, gjatë një tryeze të rrumbullakët të organizuar sot në Tiranë.

“Sot, borxhi publik në nivelin mbi 60 për qind të PBB është nga më të lartët në Evropën Juglindore (EJL) dhe amortizatorët fiskalë kryesisht janë konsumuar (megjithëse rritja në borxhin e Shqipërisë gjatë viteve të krizës globale ka qenë më e ulët se në vendet e tjera të EJL). Pasiguria në sektorin e energjisë dhe disa borxhe në punët publike i janë shtuar barrës fiskale meqenëse ato do të kërkonin shpenzime të sektorit publik në të ardhmen. Veç kësaj, borxhi publik i Shqipërisë, një pjesë e madhe e së cilës është i brendshëm, ka një komponent të konsiderueshëm afatshkurtër, që nënkupton riskun e rifinancimit”, thuhet në raport.

Tryeza e rrumbullakët diskutoi gjithashtu nevojën për fillimin e konsolidimit fiskal në afat të shkurtër, në një kohë kur ekonomia operon nën potencialin e vet. Ekspertët e FMN dhe BB vlerësuan se në këtë kontekst, është shumë e nevojshme ndërmarrja e masave të prekshme, të cilat përforcojnë politikën e matur fiskale për t’i dërguar tregjeve një sinjale të besueshme.

“Një objektiv i besueshëm i borxhit dhe konsolidim fiskal i vazhdueshëm, por gradual afatmesëm, do të jepte një sinjal të mirë të angazhimit të qeverisë ndaj qëndrueshmërisë së borxhit, duke përmirësuar në këtë mënyrë besimin, duke ulur kostot e huamarrjes së sektorit publik, dhe duke kompensuar të paktën pjesërisht çdo ndikim negativ afatshkurtër të kërkesave të konsolidimit fiskal”, deklaroi Nadeem Ilahi, Shef i Misionit për Shqipërinë të FMN.

“Ndërkohë që rreziku më i madh i jashtëm për ekonominë shqiptare është dobësia në Eurozonë, kërcënimi më serioz i brendshëm është zhbalancimi në financat publike. Në një kohë që qeveria shqiptare nuk mund të bëjë shumë për të ndihmuar vendet e tjera, mund dhe duhet të bëjë më shumë për të balancuar llogaritë e veta,” vuri në dukje Indermit Gill, Kryeekonomisti për Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore.

Për ministrin Bode stabilizimi dhe ulja graduale e borxhit publik në kohë, mbetet një përparësi kryesore e qeverisë, ndërkohë që mbështetja e ekonomisë nëpërmjet instrumenteve efektivë të politikave makroekonomike është me rëndësi kritike në këtë kohë të vështirë.

Redaksia Online February 15, 2013 21:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*