FMN: Energjia, sfida që kërkon taksa shtesë

Edlira Shehu March 3, 2015 06:51

FMN: Energjia, sfida që kërkon taksa shtesë

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) po monitorojnë këto ditë në Tiranën zyrtare ecurinë e reformave, sidomos në sistemin e taksimit. Paralelisht me këtë proces që ka nisur prej një jave, ky institucion ndërkombëtar financiar i cili ka akorduar dhe kredi me interesa të buta për rimëkëmbjen e ekonomisë tonë, ka rishikuar marrëveshjen e dytë dhe të tretë me qeverinë shqiptare. Në këtë dokument të bërë zyrtar nga FMN shihen mundësitë e rritjes së taksave sërish në vitet në vijim.

Edhe pse deklarata është e kujdesshme, mes rreshtash i është kushtuar një vëmendje e veçantë reformës në sistemin energjetik, reformë e cituar si një mangësi prej tyre këtu e dy vjet më parë. Edhe pse sipas dokumentit të këtij institucioni, ka një progres në këtë drejtim, shkruhet se autoritetet kanë rënë dakord me drejtuesit e FMN-së në garantimin e arritjeve të objektivave fiskal dhe nëse kjo nuk arrihet do të thotë kompensim me masa fiskale shtesë.

“Autoritetet kanë nisur reformën ambicioze në sektorin e energjisë për të ulur barrën fiskale, por sfida do të vazhdojë për 4-5 vjet”, citohet në raport. Deri kur kjo periudhë të përfundojë, pra sektori të mund të financojë veten, e ku parashikohet të ndodhë në vitin 2019, do të financohet çdo vit nga buxheti sipas një plani të paracaktuar.

“Disa standarde strukturore nuk janë përmbushur; dhe këto pritët të përfundojnë brenda gjysmës së parë të vitit 2015”, thuhet në raport. Duke i mëshuar në mënyrë të përsëritur, sektorit të energjisë citohet se “rreziqet burojnë nga kompleksiteti i reformave të energjisë”. Për këtë është sugjeruar që ekspertët e programit të jenë prezent në vendin tonë, jo dy herë siç ishte e parashikuar në nisje të marrëveshjes së re me FMN-në, por tre herë në vit.

Rritja e tarifave të energjisë në fillim të këtij viti duket se ishte vetëm hapi i parë për barazimin e kostove me çmimet finale që paguajnë konsumatorët. Nuk përjashtohet mundësia që rritja e tarifave të vijojë dhe në vitet e tjera, por që gjithsesi lihet e hapur mundësia e investimit në këtë sektor strategjik. Sipas FMN-së barazimi i menjëhershëm i kostove do të kërkonte rritje të fortë të çmimit.

“Ndaj autoritetet planifikojnë që ta bëjnë këtë në disa hapa, me rritjen e parë që hyri në fuqi në fillim të 2015-ës, ku çmimin e energjisë për familjarët u njehsua në 9.5 lekë, ndërsa tarifat e biznesit u rritën nga 10 deri në 39 për qind në varësi të kategorive të tyre”, citon dokumenti. Por duket se kjo tendencë do të vazhdojë edhe gjatë viteve në vijim. Sipas FMN-së rritja e tarifave përtej 2015 do të shoqërohet me rritjen e transfertave për të mbrojtur familjet e varfra, një skemë e cila u përdor edhe për këtë vit.

Edlira Shehu March 3, 2015 06:51
Komento

1 Koment

  1. Endri March 3, 13:29

    Mban ky popull mban. Me shume taksa dhe rritje cmimesh se ne punojme qe te pasurojme politikanet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*