Vullnet Skëndaj
Për gjuhën e bukur shqipe janë shkruar shumë shkrime, studime, analiza nga gjuhëtarë, mendimtarë, dijetarë, shkrimtarë e poetë te shquar, brenda e jashtë vendit. Ajo për bukurinë, ëmbëlsinë dhe qartësinë e te folurit te veçantë, ka arritur qe të bëjë për vete njerëz të shquar në fushën e gjuhësisë dhe të kulturës botërore. Historia e ekzistencës së popullit tonë, që nga kohët më të hershme e deri në ato më bashkëkohore, ka ecur paralel edhe me ekzistencën dhe trashëgiminë fanatike që i është bërë gjuhës shqipe, nga njeri brez në tjetrin. Shqiptarët autoktonë, kudo ku kanë qenë, e ku kanë jetuar, kurrë nuk e patën ndarë ruajtjen me përkushtim te veçantë të kësaj gjuhe te mrekullueshme. Kur flasin shqiptarët, gjuhën e tyre amtare edhe bilbilat ndërpresin ligjërimin e tyre. Jo me kot, një nga poetët e mëdhenj të kombit tonë, Gjergj Fishta, shkruan:
Porsi kanga e zogut t’ verës,
qi vallzon n’ blerim te prillit ,
porsi i ambli flladi i erës ,
qi lmon gjit’ e drandofillit ,
porsi valë e bregut t’ detit,
porsi gjama e rrfes’ zhgjetare ,
porsi ushtima e nji termetit,
njashtu a ‘ gjuha e jonë shqiptare…
Kurse poeti tjetër kombëtar i veriut, Ndre Mjeda shkruan në vjershën “Gjuha shqype”:
Përmbi za qe lshon bylbyli,
gjuha shqipe m ‘ shungullon,
Permbi er’ që ep zymbyli,
pa da zemrën ma ngushllon…”
Naimi i madh do të shtonte vargje të spikatura te vjersha ” Korça”:
Gjuha shqipe sa e mirë ,
Sa e ëmbël , sa e dlirë….”
E kështu mund të rendisim e të citojmë me dhjetëra e qindra krijime nga më të bukurit kushtuar gjuhës, zonjë e perëndeshë, gjuhës sē mrekullueshme shqipe. Ata nuk kanë për të reshtur kurrë së dedikuari një prej gjuhëve më të vjetra e më dinjitoze europiane e më gjerë. Kam botuar e postuar disa shkrime, kushtuar shqetësimit për çështjen e gjuhës shqipe , sidomos periudhës se fundit post komuniste të Shqipërisë. Kam shkruar dhe nuk do të resht së shkruari sa të jem gjallë, sepse çështja e gjuhës sonë kombëtare është çështje jetë a vdekje. Është çështje e ekzistencës ose mos ekzistencës së një kombi. Unë kam shkruar e do të shkruaj , jo nga pozitat e një gjuhëtari , të një dijetari , të një specialisti te mirëfilltë të gjuhësisë.
Kam shkruar e do të shkruaj nga pozitat e një ish- mësuesi , të një qytetari e të një atdhetari që më dhimbset e më pikon zemra gjak kur sheh se si sot po shkapërderdhet, po leckoset , po bëhet zhul, gjuha e bukur shqipe, duke u zhytur ne batakun e gjuhëve të tjera te huaja. Të ashtuquajturit shqiptarë modernë , të veshur me smokinge po e zëvendësojnë këtë gjuhë “të bukur te perëndisë” me zhargonin e fjalëve e gjuhëve të tjera të huaja. Është e turpshme, e pafalshme çfarë po i bëjmë ne gjuhës sonë amtare. Shumë gjuhëtarë, filologë, akademikë, profesorë me emër e me tituj , po e baltosin, po zhysin në llum duke dalë edhe me parulla si “jo purizmit te gjuhës shqipe!” Është për të vënë duart në kokë se çfarë po i bëjmë ne gjuhës së të parëve tanë. Ata sakrifikuan gjithçka që t’na i linin trashëgim, ne me lehtësinë me të madhe po e mbysim, po e asfiksojmë, po e mbushim me fjalë e shprehje të panevojshme të huaja. Dhe shteti, ministria përkatëse, Akademia e Shkencave, mjetet e informimit masiv, janë bërë pjesë e kësaj maskarade që luhet sot haptas , ditën me diell, me degradimin e gjuhës amtare.
Ka gati tridhjetë e ca vite, me fillimin e demokracisë, me hapjen e portave dhe me dyndjet e njerëzve jashtë vendit, që shqiptarët kanë ikur nga sytë këmbët, duke marrë arratinë në vendet afër nesh, si Greqia , Italia , Franca , Gjermania , por edhe më larg , si në Angli, vendet Skandinave, Amerikë e deri ne Australi. Kuptohet këto dalje e lëvizje masive të qindra e mijëra njerëzve nuk janë bërë për qejf, për turizëm . Ato janë bërë e bëhen nga halli, nga pamundësia për të përballuar jetesën, nga pamundësia për të gjetur vende pune , nga pagat e ulëta që kanë ofruar dhe ofrojnë ende bizneset tona . Normal, kanë shkuar ku kanë mundur e ku kanë pasur hapësira për të gjetur punë e mundësi jetese. Atje ku janë ngujuar kanë marrë edhe familjet e fëmijët e tyre. Një pjesë kanë gjetur punë edhe për bashkëshortet dhe fëmijët e rritur. Një pjesë kanë qenë të detyruar që t’i dërgojnë fëmijët nëpër shkollat e vendeve ku jetojnë e punojnë.
Ç’ka ndodhur sidomos me fëmijët që kanë lindur në këto vende të huaja? Normalisht dhe drejtësisht gjuhën shqipe këtyre fëmijëve duhet t’ua mësonin nënat (ndaj edhe quhet gjuha amtare) . Nënat janë ato që i rrisin fëmijët jo vetëm me ninullat, me dashurinë e mirësinë por u mësojnë, bashkë me gjirin edhe fjalët e para të gjuhës shqipe. Një pjesë e kanë kryer këtë detyrë , si një përkushtim i domosdoshëm moral e patriotik . Një pjesë nuk ua kanë mësuar gjuhën shqipe duke u justifikuar se nuk kanë pasur kohë e mundësi. Por a është justifikim ky? A mundet të veprohet në këtë mënyrë të papërgjegjshme dhe me mendjelehtësi primitive? Unë mendoj se jo! Nuk është arsye të mos u mësosh fëmijëve, me nënë e babë shqiptarë, gjuhën amtare. Cilado qofshin kushtet, hallet vështirësitë dhe pamundësitë, nëna dhe të dy prindërit duhet ta gjejnë kohën e mundësinë që t’ u mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën shqipe. Çdo familje, kudo ku ndodhet e kudo ku jeton, nuk e pengon asnjë gjë, që në mjediset e familjes, të shtëpisë, të flasin gjuhën e tyre… Si ata, si fëmijët e kanë vendin dhe mundësinë ku duhet ta përdorin gjuhën e vendit ku jetojnë. Fëmijët e përdorin atë në shkollë e në mjediset publike. Prindërit komunikojnë në punë dhe në kontaktet e tjera zyrtare e ne bashkësi. Po të flasim me shifrat e publikuara, deri me tani, del se gati 700 000 shqiptarë jetojnë e punojnë në Greqi, mbi 350 000 banojnë ne Itali, 150 000 në Gjermani , po kaq në Angli, 100 000 në Francë, 80 000 në Amerikë, pa përfshirë ata që banojnë në vendet e tjera të Europës e të botës. Del që, gati 1 500 000 shqiptarë jetojnë e punojnë jashtë vendit. Mirë që kjo hemorragji njerëzore është e pandalshme për shkak se jetojmë në një shoqëri të hapur, por edhe të politikave të gabuar që bëjnë qeveritë tona, duke ardhur e ikur e duke mbushur xhepat e tyre.
Çfarë politikash dhe strategjish afatmesme e afatgjata duhet te ndërmerren për të ndaluar këto ikje masive që po boshatisin vendin tone? Deri më tani ka vetëm propagandë dhe llafollogji boshe. Mendoj se janë dy prej rrugëve ku duhet mëshuar fort në ruajtjen e gjuhës shqipe , sidomos në pjesën e popullsisë sê emigruar: Njëra ka të bëjë me marrëveshje dypalëshe me shtetet qe kanë komunitete të mëdha shqiptarësh për hapjen dhe legalizimin e shkollave shqipe, kryesisht te ciklit të ulët. Këtu të jetë 90% e e programit shqip, dhe tek cikli i lartë 9 vjeçar, me sistem 50 me 50 %. Këto të bëhen me marrëveshje, me afate kohore, me njehsime kurikulare, me sigurimin e teksteve shqip nga Ministria jonë e Arsimit, me sigurimin e kontingjenteve të mësuesve të domosdoshëm, me mjete mësimore didaktike, të mjediseve shkollore e deri në sigurimin e fondeve të duhura për mbulimin e shpenzimeve. Rruga e dytë: duhet të jetë ajo e mbajtjeve të kontakteve të vazhdueshme nga shteti dhe ministria përkatëse me komunitetet e emigrantëve shqiptarë, kudo ku janë. Në këto kontakte, duhet të bëhet sensibilizimi i tyre i vazhdueshëm dhe i pandërprerë, me kontakte fizike, me biseda, me fletë propagandistike për t’i ndërgjegjësuar se mësimin e gjuhës shqipe duhet ta kenë detyrim moral dhe atdhetar. Një punê të madhe e të veçantë duhet ta bëjnë edhe mediat e shkruara dhe ato audiovizive. Të ketë sa me shumë programe, emisione, tema të veçanta , sensibilizuese, të destinuara për të rritur shkallen e përgjegjshmërisë dhe vlerësimin e gjuhës amtare. Deri tani shteti shqiptar është mjaftuar me disa shpërndarje abetaresh në disa vende me shumicë shqiptarësh. Deri tani nuk ka asnjë marrëveshje ndërshtetërore me vendet qê kanë shumicë emigrantësh për shkollimin e fëmijëve të tyre.
Më shumë për ilustrim: Bisedoja një ditë me një ish- mësuesen time. Sapo ishte kthyer nga një vendi huaj. Ka djemtë, me familjet e tyre ,që jetojnë e banojnë atje .
E pyeta:
– Si ia kalove në …?
– Mirë!- më tha , – u kënaqa por edhe u mërzita.
– Po pse u mërzite ? -e pyeta unë.
– Djali im, ka dy djem, njërin 17 dhe tjetrin 13. Vinin nga shkolla: – hello!- më thoshnin mua .
Uleshin përballë meje . Më shikonin. I shikoja e rrinim pa folur.
Te dy prindërit shqiptarë . Shqip nuk u kishin mësuar asnjë fjalë. Duhet të prisja djalin me nusen, kur vinin ne darkë që të shkëmbeja ndonjë fjalë shqip! Po sa ka me qindra e mijëra familje qe i kanë fëmijët pa mësuar asnjë fjalë shqip?
Para disa vitesh isha me pushime në Radhimë të Vlorës, me familjen time. Pranë meje, në një çadër ishte një italian i martuar me një shqiptare. Diku, buzê detit, një vajzë e vogël, 5 vjeçe, po luante me top. E ëma, një zonjë shqiptare, që kishte jetuar ne Itali, e divorcuar, një e dy i fliste vajzës duke e këshilluar në italisht. Duke lozur, i bie topi pranë italianit . Ky e mori topin , ia zgjati vajzës dhe ndërkohë, e pyeti në gjuhën e vet: – Si te quajnë? – Anxhela ! – i thotë ajo. – Çfarë je ti Anxhela , italiane apo shqiptare? – Shqiptare! – i thotë vajza duke u mburrur. – Bukur ! – i thotë italiani, – më fol disa fjalë shqip – Nuk di shqip ! – i thotë vajza – Çfarë shqiptareje je ti ? -ia kthen italiani , jo pa ironi., – Emrin e ke italian, shqip nuk di asnjë fjalë! Edhe majmunët flasin gjuhën e tyre! E shikova italianin me inat, por çfarë t’i thosha ? Kishte plotësisht të drejtë.
Kjo është situata e gjuhës shqipe,në shumë raste, me emigrantët tanë. Unë, si një shqiptar i edukuar me ndjenjën e atdhedashurisë, do t’u isha shume mirënjohës të gjitha atyre nënave e motrave, grave shqiptare që, me gjithë hallet e vështirësitë e mëdha që kanë përjetuar e përjetojnë në kurbet, nuk duhet të rreshtin se përpjekuri për t’u mësuar gjuhën e bukur shqipe fëmijëve të tyre, kudo ku jetojnë e punojnë . NDERIM DHE MIRËNJOHJE PËR JU NËNA DHE MOTRA QE RUAJTËT E RUANI ME FANATIZËM GJUHËN E BUKUR QE NA I KANË LËNË TRASHËGIM TE PARËT TANË ! Kurse për ata që nuk e kanë venë e as e vënë ujin në zjarr, por me indiferentizmin më primitiv, i kanë lënë fëmijët e tyre injorantë e në padije për t’ua mësuar e për t’ua lënë trashëgim brezave qe vijnë, gjuhën e mëmës do t’ju drejtohem me këto vargje të Fishtës:
“Pra mallkue nja’i bir Shqyptari,
qi ktë gjuhë te Perëndis
trashigim, që na la i pari,
trashigim s’ia len fmis”,
dhe atij iu thaftë po , goja,
që përbuzë ktë gjuhë hyjnore,
qi n’ gjuhë t’ huaj kur s’ ashtë nevoja ,
flet e t’ veten e len pas dore……”
Një nga shtyllat bazë që të jetë një komb jetëgjatë e me taban, krahas atdheut, flamurit, traditave dhe kulturës, është ekzistenca e gjuhës amtare. Ne shqiptarët jemi shquar për fanatizmin ,të cilin e kemi treguar ndër shekuj për ruajtjen e traditave, kulturës, por sidomos, në ruajtjen e gjuhës shqipe. Kujtoj këtu traditën e shkëlqyer te arbëreshëve të Italisë. Ka mbi 500 vite që ata ruajnë e përcjellin me fanatizëm gjuhën e të parëve të tyre . Do të thosha që është një nga rastet unikale sot në botë . Te tillë kemi arvanitasit në Greqi , në Krime, Odesë, Afganistan, Turqi, Amerikë e shumë vende të te tjera te botës. Për gjuhën e bukur shqipe kanë dhënë jetën shumë patriotë e atdhetarë të shquar.
Kujtoj këtu martirin e gjuhës shqipe, Papa Kristo Negovanin. Para se ta vrisnin andartët grekë ai la një amanet: “Vritmëni, po gjakun ma ruani, se do t’u duhet nipërve dhe stërnipërve tuaj të shkruajnë gjuhën e bukur shqipe!” Ka fjalë me lapidare se këto të këtij dëshmori te shenjtë? Faik Konica ka thënë: ” Rilindja e gjuhës sonë është rilindja e jetës kombëtare. “Është e vërtetë se kam shkruar disa shkrime për gjuhën shqipe.. Pse e kam bërë dhe do ta bëja përsëri e kam shpjeguar pak me sipër. Nuk pres as tê marr kurora as dekorata as tituj . Këto ua kam lënë akademikëve , gjuhëtarëve , specialistëve të mirëfilltë . Unë do të vazhdoj të shkruaj ,si qytetar i këtij vendi e i këtij populli, të cilët ,sa të kem jetë ,nuk ia shpërblej dot . Vetëm për një gjë nuk më vjen mirë . Kur këta titullarë me emër e grada shkencore e quajnë tabu te drejtën për të shkruat e trajtuar tema te tilla me karakter kaq të rëndësishëm e madhor per fatet e ekzistencës se njekombi si ky i ynë ,nga persona qe , sipas tyre, nuk mundet t’i trajtojnë tema te tilla qe duhet te jene monopoli i tyre. Pse i bllokojnë portalet e quajtura e te emërtuara ” gjuhësor”e nuk lejojnë botimin e shkrimeve te tilla, me rëndësi kombëtare duke u katandisur në mënyrë qesharake si Cerberi që ruante ferrin? Unë nuk shkruaj për ata . Unë shkruaj për njerëzit e thjeshtë , per qindra e mijëra shqiptarë , brenda e jashtë vendit për të marrë nga ky shkrim atë që na përket të gjithëve si shqiptarë : TA RUAJMÈ SI DRITÈN E SYVE , SI GJÈNÈ MÈ TÈ SHENJTÈ , GJUHÈN E TÈ PARÈVE TANÈ ! KY ËSHTÈ AMANETI YNÈ EDHE PÈR BREZAT QE PO VIJNE! Do ta mbyllja këtë shkrim me një pjesē poezie nga Ndre Mjeda :
” Geg’ e tosk”malci jallia, jan ”
nji komb m’u da s’ duron,
fund e maj nji a Shqypnia,
e nji gjuh’ t ‘ gjithë na bashkon!