Folklori dhe folkloristët e Tërbaçit

August 12, 2017 14:10

Folklori dhe folkloristët e Tërbaçit

Bexhet Rrapo*

   Si gjithë treva e Labërisë dhe Tërbaçi në të gjitha kohërat ka pasur krijimtarë, rapsodë e këngëtarë që kanë pasqyruar  çdo ngjarje të jetës. Në kohërat që janë bërë këto këngë nuk ka patur edhe shkollë. Natyra ku kanë jetuar, në truall me male të ashpra, siç i ka bërë trima  e punëtorë i ka bërë dhe të zgjuar për të përjetësuar jetën e tyre. Ndikimi i këtyre kushteve ku kanë jetuar tërbeçët duket dhe në vallet e këngët  me përmbajtje  emocionale shpesh epike, me lëvizje të gjalla e të vrullshme të cilat karakterizoheshin nga shpërthime të brendshme,  të forta  e të ndjeshme, karakteristikë kjo sidomos te vallja e burrave.

     Origjinaliteti i polifonisë labe e asaj tërbaçiote është një dëshmi e hershmërisë  së ekzistencës së saj historike por dhe kultivimit popullor në perfeksion. Sot në të kënduarit përdoren format dy, tre dhe katër zërshe, kur në kohërat më të hershme kanë qenë dy dhe tre zërshe. Nga forma e të kënduarit dy zërshe  ndoshta e ka bazën dhe thënia  se kur dy labër bëhen bashkë do këndojnë. Këtë mund ta ketë diktuar dhe jeta e tyre nëpër male me blegtori, të vetmuar. Kënga mund të ketë qenë  dhe një formë komunikimi me vetveten. Këtë na i përforcon më shumë edhe profesor Eqerem Çabej  që thotë se kënga labe është një këngë që i ka fillesat nga barinjtë. Por ndërkohë ajo dëshmon aspekte të jetës shoqërore, pasi ajo këndohej në mjedise dasmash në lindje e ceremoni të tjera festive. Të mësuarit e kësaj kënge bëhej duke u transmetuar brez pas brezi. Kështu më të moshuarit, ata që këndonin dhe me mirë, në ambiente familjare  u mësonin më të rinjve si  të këndonin. Në disa vëllazëri apo fise kjo është praktikuar dhe më shumë, si Hodaj , Hoxhaj, Xhakaj, Skëndaj , Gjondedaj, Kiçaj e Abazaj. Këtë e tregon fakti se nga gjiri i këtyre kanë dalë dhe më shumë këngëtar.

    Këto këngë e rapsodi përbëjnë gurrën popullore të Tërbaçit. Këtu është skalitur heroika  e këtij vendi me luftërat, dijetarët e gjithë figurat e shquara. Folklori nëpërmjet këtyre këngëve ka mundësuar dhe vërtetimin e historikut të shumë ngjarjeve. Një rol të tillë kanë patur  këngët e periudhave më të hershme por dhe ato të mëvonshme. Kështu mund të përmendim krijimtarinë për Lulo Abaz Memetin, Miro Tërbaçen, Dulo Kokën, Birbilejt  e të mëvonshmit  Halim Xhelon, Hysni Kapon e dëshmorët e luftës nacionalçlirimtare. Po ashtu për ngjarje të rëndësishme, përpjekje me pushtues  etj. Ja si i këndon populli një ngjarjeje  edhe të largëta si ajo e vitit 1820.

 Gjëmon koburja në gropë/  Se ç`u mblodhë tërbaçiot/ Dulo Kokë  e Dino Drëri / sokëllin sa tundej vendi. Po cilët kanë qenë disa nga rapsodët  e krijuesit më të spikatur e të identifikuar në vite. Arshi Xhelili  me 14 këngë, Xhebro Gjika  10, Sinan Mullau 5, Kujtim Mici  25, Amdi Hodo 5 , Muk Haxhiu , Hyso Salati etj.

Mbas viteve 1945 me vendosjen e pushtetit popullor, siç do zhvilloheshin arsimi e shumë degë të tjera do të zhvillohej dhe kultura  e folklori. Kjo do të reflektohej dhe në Tërbaç. Kontribut të madh në këtë fushë do të japin mësuesit që e kishin dhe pasion të tyre, Kujtim Skëndaj, Rexhep Abazi, Mejdi Skëndaj, Vendim Lushaj e Hadixhe Hodaj. Sipas kujtimeve të Mujo Gjondedës  një nga pjesëtaret e parë të grupeve folklorike, fillesat e përgatitjes për grupet do të jenë  nga fundi i vitit 1960. Shtysë për këtë ishte mospjesëmarrja e Tërbaçit me grup kënge në festën e Drashovicës  15.9. 1960, kur nga fshatra të tjerë kishte. Të mbështetur në dëshirën, vullnetin, por edhe trashëgiminë e të parëve si këngëtarë e valltarë të mirë  që nuk ishin të pakët si: Caush Hyseni , Lilo Tahiri, Çelo Matani, Dervish Berdo, Qazim Skëndo, Rystem Boro, Sherif Lusho, Sejdi Gjika, Prënjo  Xhaka, etj. Filloi puna. Në sajë të angazhimit  të organizatorëve do të plotësohet grupi me 12 valltarët e parë ku pesëshja kryesore ishte: Mujo Gjondeda, Rexhep Abazi, Mejdi Skëndaj, Kujtim Skëndaj, Izet Skendaj, si dhe Ago Beqiri, Qazim e Abaz Abazi, Rrapush Memeti, Asllan Nika, Qazim Çelo e Xhevit Gjini. Mbas plotësimit të uniformave të përgatitura falas nga rrobaqepësja Shero Lushaj, grupi quhej i gatshëm. Filluan dhëniet e koncerteve në Tërbaç por edhe në krahinë e në zona të tjera të Vlorës. Koncerti i parë i përmasave të mëdha do të jepej në festën e Drashovicës  më 15.9.1965, atje ku lindi dhe iniciativa për formimin e grupit. Por nuk do mjaftohej vetëm me grupin e valleve të burrave, do të vazhdohej me grupe të tjera. Kështu rreth viteve 1968-1969 do të krijohet grupi i këngës për burrat  dhe ai i valles për gratë me pjesëmarrëse në vallen e grave mësuesja Hadixhe Hodaj, Fari Skëndaj, Lumturi Lushaj etj. Në vitet 1970-1971 do të plotësohet dhe me këngëtare gra grupi burrave  që u quajt ndryshe grupi miks. Në këtë grup marrëse do të jenë gratë si Dashuri  Hodaj, Natasha Rrapoj e Afërdita  Demo, kurse kthyes Rexhep Abazi, dhe hedhës Mejdi Skëndaj. Disa nga këngët që janë kënduar janë : “C`i gjetë zakonet që pamë“, “Dëshmorët e fshatit tonë“, “Le tja thotë labi në jugë“, “Ju bijë të Tërbaçit plakë“ etj., autor të këtyre këngëve ishin Xhebro Gjika, Kujtim Mici e Amdi Hodo. Mbas sukseseve me këto grupe  në vitet 1971 -1972 do të krijohet grupi vetëm me gra. Në grupin e parë kanë qenë: Dashuri Memeti, Natasha Rrapo, Lumturi Abazi, Fatbardha Kapo, Velide Shiroke, Fatbardha Lushaj, Mjaftore Sinaj, Afërdita Demo e Xhixho Hodo. Më vone u vazhdua me Bukuroshe Abazaj, Shpresa Kapo, Nazo Dautaj, Ferzilete Barjami etj. Ky grup ka kënduar shumë këngë duke marrë pjesë në festival  në rang rrethi e në bazë krahine . Nga një festival i organizuar si krahinë në Brataj do të fitonte çmimin e parë me këngën “Le tja thotë labi në jugë “më 1971 me marrëse Natasha Rrapoj.

Mbas  tetë vjet punë  me përkushtim, përgatitje, krijimtari e dhënie koncertesh do të vijë dhe rezultati më i madh. Në vitin 1973 Tërbaçi do të marrë pjesë në festivalin kombëtar të Gjirokastrës me dy grupe. Një do ishte vallja e burrave  e traditës dhe një këngë burrash po e traditës. Vallja e burrave  do ishte “O more diell e mojë hënë“me udhëheqës e marrës Mujo Gjondeda. Kurse grupi këngës përfaqësohej me këngën “Lindi luanëja luan“ marrës Sinan  Hoxha . Në të dyja këto grupe kthyes dhe hedhës  do të ishin Rexhep Abazi e Mejdi Sëndaj. Gjatë konkurrimit si vallja dhe kënga u lauruan me çmim të parë. Vlerësimi i të dy këtyre  grupeve qe një arritje e madhe për këta burra e djem të Tërbacit që ngritën në nivele të larta këngën  labe tërbaçiote, duke e njohur kombëtarisht. Mbas këtij suksesi në festivalin e 1973, grupi Tërbaçit do ftohet në shumë aktivitete e koncerte shtetërore jubilare . Një nga këta ka qenë pjesëmarrja në koncertin shtetëror në kuadër të 3o vjetorit të qeverisë së pare demokratike, tetor 1974, ne Berat. Kënga e vallja e Tërbacit u pëlqye shumë nga pjesëmarrësit, pati vlerësim nga këngëtarë e artistë të shquar si Vaçe ZELA  e cila u ngjit posaçërisht në skenë për të përshëndetur këtë  sukses e në mënyrë të veçantë  kërcimin akrobatik e të zhdërvjellët të valltarit Izet Skëndaj si përmbyllës i valles. Disa nga pjesëtarët  si  valltar po  dhe të grupit këngës kanë qenë: Mujo Gjondeda, Kujtim Skëndaj, Rexhep Abazi, Sinan Hoxha, Shyqyri Miftari, Mejdi Skëndaj, Sulejmën Barjami, Vendim Lushaj, Rrapush Memeti, Pajtim Skëndaj, Lavdosh Hoxhaj, Rexhep Kica etj.

Gurra popullore tërbaçiote nuk do ndalonte, ajo do ketë vazhdimësi, në saj të  vullnetit  që kishin djemtë e vajzat e talentuar me zëra melodioz. Por Tërbaçi ka patur fatin që të ketë në gjirin e tij një krijimtar të këngës labe si Kujtim Mici. Në sajë të kontributit të këtij folkloristi, Tërbaçi do të jetë pjesëmarrës  e fitues në disa festivale  e aktivitete  kombëtare. Viti 1978 do të jetë viti i një perle tjetër tërbaçiote të këngës labe, atë me tekst “Tërbeçët Haraçe s`dhanë“ dedikuar legjendares Miro TËRBAÇIA e kënduar nga Sinan Hoxha, kthyes Nebi Xhaka dhe hedhës Bilbil Xhaka. Kjo këngë do merrte çmimin e parë  në festival. Teksti i saj e ka burimin në një ngjarje të vërtetë historike  të vitit 176o  krijuar nga rapsodi popull  dhe e përpunuar dhe përshtatur nga poeti Kujtim MICI. Kjo këngë tërhoqi vëmendjen dhe të institucioneve ndërkombëtare kulturale pjesëmarrës në festival. Ata kërkuan bërjen e një filmi  për motivet e saj. Nën kujdesin e Ministrisë së  Kulturës, kjo u realizua nga punonjësi i tyre Benjamin Kruta në Tërbaç për grupin e tij dhe duke shtuar edhe trion labe te dukatit. Ky film nga një institucion Suedez u paraqit ne festivalin ndërkombëtar të Dizhonit  të Francës  ku fitoi çmimin e lartë GJERDANIN E ARTË. Në vitin 1980 ky gjerdan do të dorëzohej në TËRBAC me ceremoni nga Ministria e Kulturës dhe një përfaqësues  Suedez. Pra disku me këngën e këtyre këngëtarëve fluturoi, kaloi male e dete për konkurrim në kryeqytetin e kulturës europiane  Francë, duke rrëmbyer çmimin ndërkombëtar. Këta po që janë shqiponja të tërbaçit e të gjithë Labërisë.

  Për këtë sukses janë vlerësuar dhe këngëtarët kryesor. Sinan Hoxha do të vlerësohej me urdhërin Naim Frashëri, kurse Syrja Hodo e  Nebi Xhaka do të cilësoheshin si zërat më të  mirë marrës e kthyes në gjithë Labërinë. Viti 1978 do të jetë viti me më shumë prurje, kështu grupi do dali me këngën “Bujkesh më shkele meranë“ një këngë kjo me vlera të mëdha për nga teksti por edhe në formën e të kënduarit, ajo nuk këndohet nga kushdo. Marrës  i kësaj kënge  Syrja Hodo e Ferzilete Barjami, kthyes Nebi Xhaka e hedhes Sinan Hoxha. Po në vitin 1978 në Gjirokastër do të marrë pjesë një grup nga Gjimnazi “Laze Nuro”  Brataj.

      Këngëtaret kryesore ishin bija të Tërbaçit të përgatitura në fidanishten e Kujtim Micit qysh nga viti 1976, por dhe kënga ishte e krijuar po nga Kujtim Mici e cila titullohej “Çu bë shami kuqe“. Këngëtarët ishin marrëse Nazo Dautaj që kishte një zë kumbues e brilant, kthyes po me një zë të arrirë ishte Shpresa Kapo dhe hedhëse Shaze Hoxhaj. Në këtë vit do të krijohet dhe grupi valles me pionier të cilët do të ftohen për një koncert jubilar në Vlorë ku do dali foto me ta, biri i lavdishëm i tërbaçi Hysni Kapo, më 8 qershor.

  Viti 1979 do jete një vit tronditës për Tërbaçin dhe gjithë Shqipërinë. Në 23 shtator ndahet nga jeta biri i lavdishëm Hysni KAPO. Tërbaçi e përjetoi shumë  humbjen  e birit të tyre. Këtë dhimbje poeti Kujtim Mici  do ta përjetësonte me një këngë elegji “Mali Çikës kokën uli`. Marrës të kësaj kënge do të jenë Nazo Dautaj dhe Syrja Hodo, kthyes Nebi Xhaka dhe hedhes Sinan Hoxha. Kjo këngë  është cilësuar nga elegjitë më të arrira në folklorin e Labërisë e Kurveleshit. Duke qenë se i dedikohet Hysni KAPOS, grupi do të ftohet për ta kënduar në koncerte shtetërore jubilare si më 24 tetor në BERAT dhe  më 26 .11.1979 në 35 vjetorin e çlirimit në Tiranë. Kënga solli shumë emocione te shikuesit si për përmbajtjen  por dhe për përsosmërinë e të kënduarit.

Rrugëtimi i grupeve folklorike Tërbaçiote do vazhdojë. Në vitin 1983 ata do të marrin  pjesë në festivalin e Gjirokastrës  me një këngë për 75 vjetorin e Enver Hoxhës, e cila u laurua dhe me çmim të parë. Këngëtar kryesor do të jene Syrja Hodo, Nebi Xhaka, Sinan Hoxha e  Bilbil  Xhaka. Grupi pati pakënaqësi se kënga nuk u transmetua në lajme si këngët e tjera.

Mbas  një periudhe të gjatë mosangazhimi, në vitin 2000, ata do të riorganizohen dhe do të marrin pjesë në festivalin e Gjirokastrës me këngën e Sinan Mullaut me pak shtesa edhe nga Pelivan Barjami me tekst “2 Meter vëndë do zëmë“, një këngë që flet për unitetin e dashurinë me njëri-tjetrin. Pjesëmarrësit në këtë grup  ishin pothuajse  ata të 1983,  si Syrjat Hodo, Nebi Xhaka  e Bilbil Xhaka, me disa prurje të reja si Luan Çane, Shkëlqim e Sadik Hodo e Sokol Gjondeda. Në vitin 2002 po ky grup  do të japë një koncert në Tiranë  në përvjetorin  e lindjes së Hysni KAPOS, organizuar nga shoqata e Tërbaçit.

       Unë këtu trajtova disa nga arritjet e aktivitetet me përmasa kombëtare të grupeve folklorike të Tërbaçit, në pamundësi për të trajtuar gjithë aktivitetin mbasi ai ka qenë shumë i gjerë  dhe me kontributin e shumë vajzave e djemve tërbaçjote. Këto grupe e kanë bërë më të njohur Tërbaçin për vlerat e tij folklorike dhe historike. Aktiviteti më i madh i këtyre grupeve ka qenë nga vitet 1965 -2002. Mbas kësaj kemi një ulje të organizimit e zhvillimit të aktiviteteve. Kjo e diktuar edhe nga ndryshimi sistemit në vitet 1992 i cili i organizonte e i mbulonte shpenzimet që nevojiteshin. Kurse ai i vendosur mbas viteve 1992 bazohet mbi iniciativat dhe financimet private. Duhet theksuar se në këtë periudhë kemi dhe tërheqjen e krijuesit të grupit Kujtim Mici për arsyet e tij familjare e shëndetësore, gjithashtu dhe disa këngëtarë të vjetër u tërhoqën pak para kohe. Me gjithë mungesën e  një organizimi të mirëfilltë, talentet dhe zërat nuk do mungojnë. Do kemi  grupim me lidhje shoqërore  të iniciuar nga këngëtarë të vjetër  siç është ai i organizuar nga Syrjat Hodo por pa arritur kompaktësimin e pjesëmarrjen në aktivitete. Brenda këtij mini –grupi ka talente e zëra shumë të mirë.

Ata duan vetëm një mbështetje e organizim  nga profesionistë. Ju  urojmë t’i kalojnë vështirësitë dhe të organizohen, t’i shohim në koncerte për bashkëfshatarët dhe më gjerë, në vazhdim të traditës.

   Kohët e fundit ka filluar një riorganizim i disa vajzave ish-pjesëtare të fidanishtes Kujtim Micit  e disa pjesëmarrëse në festivalin e Gjirokastrës, e cila është përgëzuese. Ato sot megjithëse janë  nëna e gjyshe, janë bashkuar prapë  si atëherë. Do të thoni se kanë vështirësi; patjetër që kanë por me vullnet e kurajo po e përballojnë, kanë dhënë edhe koncerte, kanë bërë dhe një CD me këngë tërbaçiote. Emrin e grupit e kanë pagëzuar “10 Miro Tërbaçet`, një emër shumë i madh. Kam besim se do ta meritojnë duke konkurruar si paraardhëset e tyre. Me këtë rast ju urojmë suksese: Bafties, Shpresës, Nazos, Havasë, Lavdies, Liljanës, Lirisë e Antonetës. Le të jetë ky organizim shembull dhe për grupe të tjera. Pra le të vazhdojë ëndrra e paraardhësve të tyre lavdiplotë. Për këtë shkrim me vlera historike jam mbështetur te kujtimet e informacionet e atyre që kanë qenë pjesëtarë në këto grupe folklorike si: Mujo Gjondeda, Sinan Hoxha, Shyqo Miftari, Bilbil Xhaka  si dhe disa  nga interneti i Barjam Xhakës dhe Shpresa Kapos  kjo dhe ish-pjesëtare grupeve. Ftojmë cilindo që ka të dhëna e informacione për folklorin e grupet folklorike tona të bëhet pjesë. I falenderoj të gjithë ata që u  angazhuan  në dobi dhe  të historikut të fshatit.

*Kryetar i Shoq. A.K.Tërbaci

August 12, 2017 14:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*