Fondi i Komuniteteve, rikonstruktohet pallati i vjetër në Njësinë 7

March 11, 2019 14:48

Fondi i Komuniteteve, rikonstruktohet pallati i vjetër në Njësinë 7

Banorët e një pallati në Njësinë 7 u bënë bashkë dhe aplikuan pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar nga Fondi i Komuniteteve. Rezultati është rikonstruksioni i pallatit të tyre, i cili më parë ndodhej në një gjendje të keqe dhe me lagështirë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi transformimin e pallatit falë bashkëpunimit mes banorëve dhe zgjedhjes së administratorit.

“Ky është një nga tre mijë pallatet që ka administratorë, por nuk mjafton vetëm ta kesh të parin e fshatit, duhet edhe të komandojë. Ndaj, më vjen mirë që Natasha, si e para e këtij komuniteti, arriti të mblidhte fondin e banorëve, pastaj ky fond u barazua nga bashkia dhe të dyja bashkë realizuan në kohë rekord këtë investim: një pallat me termoizolim, i cili ka dalë në dritë. Dikur ishte një pallat skiç, prodhim i viteve ‘90, tani një pallat model, i riparuar, me pompë, me kamera dhe gjithë shërbimet e tjera”, shtoi ai.

Ndërkaq, kryebashkiaku Veliaj njoftoi se festimet e Ditës së Verës do të zhvillohen të dielën, në 17 Mars, pasi në datën 14 Mars parashikohet mot i ftohtë dhe me shi, i papërshtatshëm për mbi 50 aktivitetet e përgatitura për këtë ditë feste. Qytetarët janë shprehur pro zhvillimit të festimeve në datën 17 Mars edhe nga sondazhi i zhvilluar në rrjetet sociale nga Bashkia e Tiranës, ku morën pjesë më shumë se 10 mijë persona.

“Falë 10 mijë votave të qytetarëve kemi vendosur që Ditën e Verës ta festojmë në ditë me diell dhe jo me shi. Në fund të ditës, festojmë jo për qejf të kalendarit, por për qejf të njerëzve. Meqë shumica e njerëzve duan që të mos lagen dhe fëmijët ta gëzojnë Ditën e Verës për t’u argëtuar në Tiranë, ku do të ketë rreth 50 aktivitete, me mbi 80% të votave qytetarët vendosën se duan ta festojnë të dielën, sidomos edhe ata që janë në punë private dhe ndoshta të enjten nuk kanë mundësi”, tha Veliaj.

Ai shtoi se kështu, qytetarët e Tiranës dhe në mënyrë të veçantë fëmijët, kanë mundësinë që të festojnë dhe t’i gëzohen të gjitha aktiviteteve që ka organizuar Bashkia e Tiranës për këtë ditë. Veliaj ftoi të gjithë banorët e Tiranës që t’i bashkohen festimeve të dielën. “Prej çështjes së shiut Tirana fiton një festë shumë të madhe. Ndaj, në datë 17, siç jemi, si lagje, do të shihemi të gjithë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në dhjetëra aktivitete te Liqeni i Tiranës, për të kaluar një ditë të paharrueshme dhe për ta filluar mbarë këtë stinë të re për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë”, u shpreh Veliaj.

Përfaqësuesja e komunitetit të banorëve vlerësoi nismën e suksesshme të Bashkisë së Tiranës, e cila u vjen në ndihmë qytetarëve për rikonstruksionin e pallateve me “Fondin e Komuniteteve” për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës. “Në emër të të gjithë banorëve, ju falenderoj për ndihmën që na dhatë për të riparuar pallatin tonë. Jemi shumë të kënaqur si nga bashkia, edhe nga banorët. Mbi të gjitha kemi bërë termoizolimin e tarracës, kemi hequr depozitat dhe i kemi sistemuar në një vend, kemi ujë 24 orë, kemi vendosur edhe pompat, ndaj jemi shumë të kënaqur”, tha ajo.

Bashkia e Tiranës mbështeti me 50% të investimit banorët e këtij pallati. Pas kësja, ndërtesa u vesh me sistem kapot, çka mundëson uljen e kostos së energjisë për banorët. Këtë vit, vetëm në 3 muajt e parë, janë kryer 15 aplikime të reja për Fondin e Komunitetit.

l.h/ dita

March 11, 2019 14:48
Komento

3 Komente

  1. Labi March 11, 18:50

    Po ne qe kemi vila kush na financon me 50% per riparim.apo me taksat tona riparon pallatet dhe mburet se po investor 50%bashkia.

    Reply to this comment
    • Alo Ushnja... March 11, 19:24

      Ti paske vile o labush dhe pretendon 50% ta jape Bashkia. I ke marre ilacet e depresionit apo??? Ose sic thone shkodranet” “A je i marre a t’vret kepuca”

      Reply to this comment
  2. Dodona mbi Tomorr March 11, 19:01

    Kur pallatet e viteve “90 qenkan te vjeter po ata te viteve “60 si duhet te quhen e C’duhet bere me ta?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*