Formula për të fituar studimet në 10 degët e Shkencave të Natyrës

February 14, 2020 12:38

Formula për të fituar studimet në 10 degët e Shkencave të Natyrës

 

Mesatarja e shkollës së mesme, si dhe ajo e lëndëve preferenciale janë dy kriteret bazë që do të zbatohen për përzgjedhjen e fituesve të rinj që do të ndjekin programet e studimit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës përgjatë vitit akademik 2020-2021. Lidhur me pranimet e reja, maturantët mund të garojnë përgjatë 2020-s për këto dhjetë programe studimi: Biologji, Bioteknologji, Kimi, Kimi Industriale dhe Mjedisore, Kimi dhe Teknologji Ushqimore, Matematikë, Fizikë, Informatikë, Inxhinieri Matematike dhe Informatike, si dhe Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. Ndërkohë që lëndët e përcaktuara si prioritet për këto degë janë: Matematika, Fizika, Kimia, Biologjia, dhe Tik. Gjatë ditëve në vijim pritet të zbardhen edhe kuotat e mundshme të pranimeve të reja për secilin program studimi.

Ndikimi i mesatares së gjimnazit dhe lëndëve prioritet

Ndikimi që do të ketë mesatarja e gjimnazit, si dhe ajo e lëndëve prioritet në përzgjedhjen e fituesve ndryshon në varësi të programit në të cilin kandidati do të konkurrojë. Referuar kritereve të zbardhura, saktësohet se për degët, biologji dhe bioteknologji, mesatarja e gjimnazit do të ketë ndikimin më të madh në shpalljen e fituesve. Për këto dy degë, nga mesatarja e shkollës së mesme maturantët do të sigurojnë 70 për qind të rezultatit final, ndërsa 30 për qindëshi i mbetur do të sigurohet nga vlerësimi i mesatares së lëndëve të Biologjisë dhe Kimisë të zhvilluara në vitin e fundit të shkollës së mesme si pjesë e kurrikulës me zgjedhje. Ndërsa në tetë programet e tjera të studimit, ndikimi i mesatares së shkollës së mesme dhe lëndëve prioritet (pesha e të cilave ndryshon sipas degës së zgjedhur) do të vlerësohet në të njëjtën masë në shpalljen e fituesve të rinj që do të dalin nga gara e pranimeve të 2020-s, përkatësisht 50 me 50 për qind. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë vlerësimin e secilit kriter për të gjitha degët e studimit të këtij fakulteti.

Koeficientet e shkollave dhe llogaritja e mesatares

Sa i takon llogaritjes së mesatares së gjimnazit, ekspertët e arsimit të lartë sqarojnë se: “Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë). Për programet e studimit Informatikë dhe Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, bëhet e ditur se profilet e këtyre shkollave Gjimnaz, Harry Fultz Elektronikë, Peter Mahringer Teknologji Informacioni, Inxhinieri Informatike Softëaresh (Gmeiner), Peter Mahringer Teknologji Informacioni, Elektronikë në Teknologjinë e Automatizimit vlerësohen me koeficientin 1. Ndërsa të gjitha profilet e shkollave të mesme të tjera do të kenë koeficient 0.8.

Dhënia e provimeve të maturës 2020

Maturantët kanë nisur tashmë me përgatitjet finale për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje që do të zhvillojnë përgjatë muajit qershor. Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve të Maturës Shtetërore, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Për plotësimin e testeve maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara (Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) për të gjithë maturantët/kandidatët janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Ndërsa programet orientuese të lëndëve zgjedhje do jenë të njëjta për të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje. Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar se testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë.

Penalitetet

Institucionet arsimore vendore që janë përgjegjëse për arsimin parauniversitar do të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor, të cilat përgjatë muajit maj duhet që t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik “matura online”, sipas udhëzimeve përkatëse. Më pas drejtoritë e shkollave duhet të informojnë mbetësit që të mos paraqiten në ditët e përcaktuara për zhvillimin e provimeve. Gjithashtu, është vendosur edhe për grafikun e konsultimeve që mësuesit e secilës lëndë duhet të zhvillojuni me nxënësit e tyre. Maturanti/kandidati përjashtohet nga provimi kur: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit.

Pikët që duhen për  kaluar provimet

Për provimet e 2020-s është përcaktuar edhe pragu i pikëve minimale që maturantët duhet të sigurojnë për të qenë kalues në provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje. Prag i cili krahasuar me një vit më parë ka pësuar rritje. Në këto kushte, për të qenë kalues, si në provimet e detyruara, ashtu edhe në atë me zgjedhje, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara, duhet të marrë detyrimisht 25 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi. Maturantët/kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2020 mund t’i rijapin provimet në sesionin e dytë që do të zhvillohet në muajin shtator Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të maturës sërish do të bëhet përmes teknologjisë digjitale. “Kandidatët nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme kanë marre rezultate jo më të ulëta se sa 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë, në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundi”, detajohet në rregulloren e provimeve.

 

February 14, 2020 12:38
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*