Emërime me 2/3 apo me 3/5? Ja ku ka ngecur reforma e drejtësisë
Teksa Shqipëria ndodhet në fund të afateve të vendosura nga Komisioni i Venecias për të arritur një marrëveshje për reformën në drejtësi, grupi i ekspertëve nuk kanë gjetur ende dakordësinë për formulën e zgjedhjes së gjyqtarëve.
Ekspertët e Partisë Demokratike nuk janë paraqitur në mbledhjen e sotme.
Propozimi i PD-së parashikon votimin e tyre me shumicë kushtetuese, me 2/3 e anëtarëve të Kuvendit, gjë që kundërshtohet nga maxhoranca, e cila kërkon votim me shumicë të 3/5-t e votave.
3/5 janë 84 vota deputetësh, të cilat mazhoranca i ka.
2/3 janë mbi 93 vota çka do të kërkonte për çdo votim përfshirë kryprokurorin e ri, votat e PD-së.
Njëra prej eksperteve pjesë e grupit hartues, Aurela Anastasi tha se po punohet për gjetjen e një formule të përshtatshme për të cilën mund të diskutohet dhe që mund të jetë funksionale.
“Ne nuk mund të krijojmë një formulë që të bllokojë prapë emërimet”, – tha ajo, çka nënkupton që formula me 2/3 nuk ka mbështetje.
E pyetur që reforma përsëri shkon te politika për çështjen e emërimeve të larta në drejtësi, ajo tha:
“Ne japim thjesht mendime si ekspertë që t’i qëndrojmë konstitucionalisht çështjeve që ngrihen”.
Burime ende të pakonfirmuara bëjnë me dije se në orët e pasdites mund të ketë negociata politike për draftin përfundimtar. / Dita /
Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.
Komento