Formula si do zgjidhen fituesit e rinj në Universitetin Politeknik

March 10, 2018 09:30

Formula si do zgjidhen fituesit e rinj në Universitetin Politeknik

Pranvera Kola

Ndryshe nga institucionet e tjera të arsimit të lartë publik, mesatarja e gjimnazit do ketë peshën maksimale në përzgjedhjen e fituesve të rinj që do të vijojnë studimet e larta në degët e shtatë fakulteteve të Universitetit Politeknik të Tiranës, përgjatë vitit të ri akademik 2018-2019.

Senati Akademik i këtij Universiteti ka miratuar dy kriteret bazë që do të zbatohen për pranimet e reja të 2018-s. Për të hyrë në garë, maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara duhet që të kenë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6.

Maturantët që kanë mesatare më të ulët se nota 6 nuk do mund të jenë pjesë e garës për të fituar studimet e larta në një nga 23 programet studimore që ofron Universiteti Politeknik për garën e këtij viti.

Në lidhje me shpalljen e fituesve, Senati Akademik ka vendosur që: “Përzgjedhja e kandidatëve fitues do të bëhet duke ju referuar në masën 70 për qind notës mesatare të shkollës së mesme, sipas kriterit të notës mesatare të përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave për vitin akademik 2018-2019, dhe në masën 30 për qind mesatareve aritmetike të tre lëndëve të përcaktuara si preferenciale për degët e këtij universiteti.

Lëndët që ju sigurojnë më shumë pikë për të fituar studimet në Universitetin Politeknik janë: matematika, fizika dhe Kimia. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe formulën konkrete me të gjithë treguesit se si do të bëhet shpallja e fituesve.

Rezultati i vlerësimit të dalë nga zbatimi i dy kritereve të përmendura më lart do të ponderohet me koeficientin e shkollës së mesme të përcaktuar për çdo program studimi sipas specifikave të tyre.

Provimet e detyruara dhe me zgjedhje

Aktualisht maturantët kanë nisur me fazën parapërgatitore për provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2018.

Për maturën e këtij viti, maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme do të japin 5 provime, prej të cilave tre do të jenë lëndë të detyruara, përkatësisht: “Gjuhë shqipe dhe letërsi”, “Matematikë” dhe “Gjuhë e huaj”, si dhe dy provime me zgjedhje sipas listës zyrtare të miratuar nga MASR. Ndërsa maturantët e shkollave të mesme profesionale do të japin si provime të detyruara lëndët “Gjuhë shqipe dhe letërsi”, “Matematikë”, “Gjuhë e huaj” dhe “Teori profesionale e integruar” sipas drejtimit, apo profilit që maturanti ka ndjekur në shkollë, si dhe provimet e lëndëve me zgjedhje.

Për 2018-n, maturantët e gjimnazeve të përgjithshme kanë në dispozicion 24 lëndë, nga të cilat duhet të përzgjedhin dy prej tyre për t’i dhënë si provime me zgjedhje. Lloji i shkollës së mesme që maturanti ka ndjekur, do të kushtëzojë edhe detajimin e lëndëve që do të jepen si provime me zgjedhje.

Sipas kushteve të përcaktuara, maturanti duhet të zgjedhë dy lëndë për t’i dhënë si provime me zgjedhje pavarësisht faktit nëse i ka zhvilluar në shkollën e tij ose jo, gjatë ndjekjes së procesit mësimor. “Shuma e krediteve që duhet të kenë dy lëndët në total nuk duhet të jetë më e vogël se sa 8 kredite”, është kriteri që duhet të plotësojnë gjatë listimit të dy lëndëve që do japin si provime me zgjedhje maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme.

Nga lista e lëndëve me zgjedhje, maturanti i shkollave artistike dhe koreografike, ka të drejtë që të zgjedhë lëndën e parë që do të japë si provim me zgjedhje vetëm nga grupi i lëndëve që janë të përcaktuara për profilin e shkollës së tij. Ndërsa lënda e dytë duhet të zgjidhet nga lista e përcaktuar për të gjitha shkollat e tjera të mesme në vend, por duke plotësuar kushtin për numrin e krediteve.

Ndërsa maturanti i shkollave të mesme profesionale zgjedh vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje të miratuara për të gjitha shkollat e mesme (me vlerë krediti 2-10 kredite), pavarësisht nëse e ka zhvilluar ose jo, apo i janë ofruar ose jo nga shkolla e tyre në planin mësimor.

Kur maturanti zgjedh një lëndë të thelluar si provim me zgjedhje, nuk mund të zgjedhë të japë si provim të dytë me zgjedhje të njëjtë lëndë por të nivelit bërthamë. Përjashtim në këtë rast bëjnë lënda e gjuhës shqipe, matematika dhe gjuhës e huaj. Ky rregull vlen edhe për gjimnazistët e shkollave artistike dhe të përgjithshme.

Plotësimi online i dy formularëve

Në nisje të javës së ardhshme pritet të bëhen publikë edhe Formulari A1 dhe A1Z. Në rregulloren e miratuar pak më herët nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe rinisë përcaktohet se maturanti bën aplikimin online, fillimisht në Portalin Qeveritar “e-albania” në periudhën 15-30 mars 2018, dhe më pas në portalin “Matura Shtetërore 2018”, në periudhën 26 mars-10 prill 2018, sipas një plani kalendar të përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit për secilën drejtori arsimore në vend. Plotësimi i formularit A1 nga maturantët e këtij viti shkollor bëhet në shkollat ku ata kryejnë arsimin e mesëm. Ndërsa plotësimi i formularit A1Z nga maturantët e viteve të mëparshme do të bëhet në shkollat ku kandidatët kanë kryer studimet e mesme.

Për të bërë plotësimin e këtij formulari, këta kandidatë duhet që të paraqesin një kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë dhe vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme me fotografi, certifikatë të maturës me notat gjitha viteve të lëshuar nga drejtori i shkollës sipas regjistrit të amzës, apo dokumentin të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.

Për shkollat profesionale dhe shkollat e mesme të orientuara, në rastet kur kandidati ka fituar Dëftesën e Pjekurisë, si provime të detyruara njihen: Letërsia dhe matematika, nëse janë dhënë dhe janë fituar, si dhe një ose dy nga provimet në mungesë të letërsisë dhe të matematikës, sipas planit mësimor të shkollës së tyre.

Më Pas, drejtoria arsimore përcakton provimet, rezultatet e të cilave do të mbarten në sistem në vend të letërsisë dhe matematikës. Kandidatët nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme kanë marre rezultate jo më të ulëta se sa 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë, në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati I vitit të fundit.

Formula për shpalljen e fituesve është:

Formula është: [0.7*Mes(VKM) + 0.3(0.5*Mes(Matematike) + 0.4*Mes(Fizike) + 0.1*Mes (Kimi))] * Koeficientin e shkollës * 1000.

Ku:

Mes VKM është nota mesatare e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin akademik 2018-2019, sipas Ligjit Nr. 80/2015, datë 22.07.2015.

Mes Matematike: Është nota mesatare e thjeshtë e matematikës në të gjitha vitet e shkollës së mesme, në kurrikulën bërthamë dhe në kurrikulën e thelluar, përfshirë këtu edhe rezultatin e marrë nga kandidati në Maturën Shtetërore 2018 në provimet e detyruara dhe në  provimet me zgjedhje.

Mes Fizike: Është nota mesatare e thjeshtë e fizikës në të gjitha vitet e shkollës së mesme, në kurrikulën bërthamë dhe në kurrikulën e thelluar, përfshirë këtu edhe rezultatin e marrë nga kandidati në Maturën Shtetërore 2018 në provimet me zgjedhje.

Mes Kimi: Është nota mesatare e thjeshtë e kimisë dhe e lëndës “Shkencë” në të gjitha vitet e shkollës së mesme, në kurrikulën bërthamë dhe në kurrikulën e thelluar, përfshirë këtu edhe rezultatin e marrë nga kandidati në Maturën Shtetërore 2018 në provimet me zgjedhje.

Koef. Shkollës: Është koeficienti i shkollës së mesme, për vitin akademik 2018-2019, sipas tabelave të miratuara nga secili prej fakulteteve të Universitetit Politeknik.

Degët për të cilat do të garojnë maturantët e 2018-ës

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike

  • Inxhinieri Mekanike.
  • Inxhinieri Materiale.
  • Inxhinieri Tekstili dhe Modë.
  • Inxhinieri Ekonomike.

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike

  • Inxhinieri Elektrike-Profili Automatizim i Industrisë.
  • Inxhinieri Elektrike-Profili Energjetikë.
  • Inxhinieri Mekatronike.

Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit

  • Inxhinieri Elektronike.
  • Inxhinieri Telekomunikacioni.
  • Inxhinieri Informatike.

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit

  • Inxhinieri Ndërtimi.
  • Inxhinieri Hidroteknikë.
  • Inxhinieri Mjedisi.
  • Inxhinieri Gjeodezi.

Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës

  • Program i integruar studimi, “Master i Shkencave në Arkitekturë-Profili “Arkitekt”.
  • Program i Integruar studimi, Master i Shkencave në Arkitekturë-Profili “Urbanist”.
  • Studime 3-vjeçare në Arkitekturë Interieri dhe Dizajn.

Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave

  • Inxhinieri Gjeoinformatikë.
  • Inxhinieri Gjeoburime.
  • Inxhinieri Gjeomjedisi.
  • Shkenca Toke.

Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike:

  • Inxhinieri Matematike.
  • Inxhinieri Fizike.

DITA

March 10, 2018 09:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*