Formulari A1 dhe A1Z, Kalendari i plotësimit për të gjitha qytetet

Pranvera Kola March 7, 2015 09:30

Formulari A1 dhe A1Z, Kalendari i plotësimit për të gjitha qytetet

Ditën e martë (10 mars), nis zyrtarisht procesi i aplikimit online me anë të formularit A1. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka zbardhur gjatë ditës së djeshme kalendarin e datave të plotësimit të dy formularëve për maturantët e rinj dhe të vjetër. Sikundër është bërë e ditur edhe më parë, të parët në garën e regjistrimit janë maturantët e 2015, e konkretisht të kryeqytetit.

Referuar afateve të përcaktuara nga ekspertët e maturës, për katër ditë me radhë maturantët e shkollave të mesme të Tiranës duhet të aplikojnë në portalin online http://www.e-albania.al, duke përzgjedhur se cilat do të jenë dy lëndët që do japin si provime me zgjedhje. Regjistrimi online do të jetë i aksesueshëm përgjatë gjithë kohës, çka do të thotë se nuk ka pengesa në orare për kryerjen e kësaj procedure. Gjatë kësaj periudhe maturantët e rretheve nuk mund të aplikojnë në sistemin e regjistrimit. Për këtë kategori afatet e plotësimit të formularit do të nisin më datën 14 mars, me maturantët e Kavajës, Durrësit, Krujës dhe të Kamzës.

Një ditë më pas procesi i plotësimit të formularit do të vijojë me maturantët e Elbasanit, Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Gramshit. Në tabelën bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuara datat konkrete të plotësimit të formularit për maturantët e të gjitha qyteteve. Burimet zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve bëjnë me dije se për të shmangur mbingarkesën e sistemit, është vendosur regjistrimi i kandidatëve  në datat e përcaktuara sipas qyteteve. Maturantët e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit janë të fundit që do të mbyllin plotësimin e formularit A1, përkatësisht në mesnatën e datës 24 mars.

Sipas udhëzimit, maturanti ka të drejtë që të përzgjedhë dy lëndë nga lista e provimeve me zgjedhje, pavarësisht faktit nëse i ka zhvilluar ato në programin mësimor të shkollës që ka ndjekur. Lidhur me kriteret e përzgjedhjes së këtyre lëndëve, konfirmohet se shuma e krediteve të 2 lëndëve nuk duhet të jetë më e vogël se sa 8 kredite. Maturantët që ndjekin shkollën e mesme të profilit artistik, duhet të përzgjedhin njërën lëndë nga profili i shkollës së tyre, dhe tjetrën nga grupi i lëndëve të përcaktuara për të gjitha shkollat e tjera të mesme. Sa i takon lëndëve të thelluara dhe atyre bërthamë, udhëzimi vendos kushtin që: “Maturanti kur zgjedh një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht si provim të dytë, të njëjtën lëndë, por të nivelit bërthamë. Në këtë rast përjashtim bëjnë lëndët e gjuhës shqipe dhe letërsisë, matematikës dhe gjuhës së huaj.

Regjistrimi i maturantëve të vjetër

Me mbylljen e procesit të aplikimeve për maturantët e 2015, çelen aplikimet për kandidatët që studimet e shkollës së mesme i kanë mbaruar në vitet e shkuara. Plotësimi i formularit edhe për këtë kategori duhet të ndjekë rrjedhën e afateve të përcaktuara për secilin qytet. Një javë është koha e lënë në dispozicion të maturantëve të vjetër për të hyrë sërish në garën e pranimeve për shkollat e larta. Gara quhet e vlefshme vetëm në rastet kur këta maturantë regjistrohen me anë të formularit A1Z. Sipas udhëzimeve të përcaktuara, të drejtën e plotësimit të formularit A1Z e kanë të gjithë ata kandidatët që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi në maturat e mëparshme, kandidatët që janë shpallur fitues në një program studimi në maturat e shkuara, por nuk janë regjistruar ose janë ç’regjistruar gjatë vitit të parë akademik. Në rastet kur studenti vazhdon studimet në vitin e dytë e më tej, për të plotësuar Formularin A1Z duhet të marrë miratim në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Ky formular mund të plotësohet edhe nga kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe aplikojnë për herë të parë në Maturën Shtetërore, si dhe nga kandidatët që kanë aplikuar më parë dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara.

Kujdes !

Plotësimi i të dy formularëve quhet i vlefshëm vetëm në rast kur janë përmbushur kriteret për dhënien e provimeve me zgjedhje, si dhe kur të dhënat personale të maturantit hidhen të sakta. Autoritetet e arsimit sqarojnë se duhet bërë kujdes me ruajtjen e kodit identifikues që do të marrin me email ose në numrin e telefonit, gjatë procesit të regjistrimit, pasi ky kod do t’i shoqërojë ata në të gjitha procedurat e mëtejshme për vijimin e garës drejt universitetit. Një tjetër rekomandim i dhënë është edhe vëmendshmëria në rishikimin e detajuar të koeficienteve që janë përcaktuar për llojin e shkollës dhe ato të lëndëve me zgjedhje. Tabelat zyrtare të koeficenitëve pritet të bëhen publike brenda tre ditëve të ardhshme.

 

Maturantët e vjetër, kriteret për provimet me zgjedhje

Kandidati që mbart nga maturat e viteve 2006-2014 dy lëndë me zgjedhje, nuk do të japë më provime me zgjedhje, por thjeshtë regjistron në formular të dhënat në lidhje me notat e marra në testimet që ka kryer në maturat e shkuara.

Kandidati që mbart nga maturat e viteve 2006-2014 një lëndë me zgjedhje, duhet të zgjedhë për të dhënë provim vetëm një lëndë me zgjedhje, në përputhje me kushtet e përcaktuara në udhëzimin zyrtar të maturës, specifikuar për këtë kategori.

Kandidati që nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje nga maturat para vitit 2015, duhet të zgjedhë për të dhënë provim, dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje. Lëndët e zgjedhura duhet të plotësojnë kushtin, jo më pak se 8 kredite. Në këtë kategori bëjnë pjesë maturantët që në maturat e shkuara mund të kenë rezultuar mbetës në provimet me zgjedhje, ose që nuk i kanë dhënë fare.

 

Kriteret për plotësimin e formularit A1 nga maturantët e 2015-s  

Shuma e krediteve të dy lëndëve që zgjidhen, duhet të jetë jo më e vogël se 8.

Kur zgjidhet një lëndë bërthamë, nuk mund të zgjidhet e njëjta lëndë e thelluar (përjashtuar lëndët e

detyruara).

Maturanti ka të drejtë të zgjedhë gjuhën e huaj të cilën parapëlqen nëse e ka zhvilluar ose jo në

shkollë, në nivelin gjuhësor B2. Rezultatet e këtij provimi pasqyrohen në certifikatën e maturës, por nuk kanë ndikim tek formula tradicionale e llogaritjes së pikëve për të fituar universitetin.

Maturantët e shkollave artistike mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e grupit II: “Vetëm për shkollat artistike”.

Teoria profesionale është e zbërthyer në profile sipas indeksit të shkollave. Maturantët e shkollave profesionale duhet të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët me zgjedhje në grupin III “Vetëm për shkollat profesionale”, lëndën tjetër duhet ta zgjedhin nga grupi i parë i përcaktuar “Për të gjitha shkollat”

Pranvera Kola March 7, 2015 09:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*