FORUM: Intelektuali dhe roli publik i tij

May 11, 2017 20:12

FORUM: Intelektuali dhe roli publik i tij

 

Nga Xhevdet Shehu

Cilët janë, ku janë dhe ç’bëjnë sot intelektualët shqiptarë? Këto janë pyetje që shpesh i bëjmë mes nesh, sidomos në kohë të vështira trazirash politike dhe zhvillimesh shoqërore, në të cilat kërkohet udhëheqje morale dhe një vizion intelektual progresist. Koha që jetojmë është e tillë, madje e tillë ka qenë gjatë gjithë këtij një çerek shekulli të fundit, kur Shqipëria, pasi doli nga një periudhë e gjatë e sundimit komunist, ende nuk ka mundur të bëhet ai vend që dëshironim: një vend si e gjithë Europa.

Mungesa e intelektualëve, ose mungesa e angazhimit të tyre publik në çështjet më të mëdha të kombit e të shoqërisë shqiptare, mund të ketë qenë e vazhdon jetë një ndër arsyet që shpjegon pse politika shqiptare nuk është zhvilluar ende si një politikë demokratike, pse vendin e arsyes e të kritikës racionale e kanë uzurpuar tregu, interesi i zhveshur material dhe qeverisja e korruptuar, pse universitetet dhe institucionet tona kërkimore, që duhej të ishin qendrat më të rëndësishme të jetës intelektuale, kanë mbetur thuajse tërësisht jashtë, ose larg zhvillimeve shoqërore në këto 25 vite të tranzicionit demokratik.

Kjo është një temë e gjerë dhe shumë e rëndësishme, të cilën gazeta DITA e diskuton sot me katër intelektualë të shquar. Në rend alfabetik ata janë: Prof. Ksenofon Krisafi, Prof. Fatos Tarifa, Prof. Pëllumb Xhufi dhe Dr. Moikom Zeqo. Katër individë shumë të ndryshëm, edhe pothuajse të të njëjtit brez, por që ngjasojnë mes tyre në shumë drejtime.

Ata janë, çdonjëri në fushën e vet, ndër më të mirët. Pas humbjes së Prof. Arben Putos, Krisafi mbetet njohësi dhe eksperti më i shquar shqiptar në fushën e së drejtës ndërkombëtare. Tarifa, studiuesi i pasionuar i jetës shoqërore dhe sociologu i parë e më i shquar i vendit, është, gjithashtu, një ndër ekspertët më të mirë të politikës së jashtme e të marrëdhënieve ndërkombëtare. Xhufi është, sot për sot, historiani më i talentuar që kemi, i cili, me studimet e tij origjinale, vijon traditën e të madhit Aleks Buda. Zeqo, me diapazonin e gjerë të njohurive e të krijimtarisë së tij enciklopedike, nuk ka të dytë që të matet me të në letërsi e në kulturologji. Të katërt janë autorë veprash me vlerë në kulturën dhe në shkencën shqiptare.

Krisafi, Tarifa dhe Xhufi, përveç përvojës dhe arritjeve të tyre të spikatura në fushën akademike, janë shquar edhe në fushën e diplomacisë, duke i shërbyer vendit si ambasadorë në disa kryeqytete të rëndësishëm dhe në organizata ndërkombëtare, ndërsa Zeqo ka qenë e mbetet një përfaqësues dinjitoz i diplomacisë publike e kulturore shqiptare.

Për shkak të vlerave intelektuale që përfaqësojnë dhe të arritjeve të spikatura në fushat e tyre respektive, nuk është e rastësishme që këta katër intelektualë të shquar janë, gjithashtu, anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe nismëtarë të revistës Humanus. Sidoqoftë, e përbashkëta kryesore që kanë këta individë, të cilët i lidh mes tyre edhe një miqësi e ngushtë, është se ata nuk janë thjesht intelektualë kabineti (dhe aq më pak shërbëtorë servilë të pushtetit, si një pjesë e madhe e “intelektualëve” të sotëm shqiptarë), por intelektualë publikë të angazhuar, të preokupuar thellësisht për fatet e vendit e të shoqërisë shqiptare, figura morale motivuese për qytetarët shqiptarë, vizionarë për të ardhmen e vendit, kritikë ndaj zhvillimeve e dukurive politike e shoqërore që nuk i shërbejnë progresit, zëra aktivë në forume publike dhe në mediat kryesore. Në të gjitha këto cilësi, ata janë ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të kësaj gazete dhe DITA ka nderin të botojë sot, në faqet e saj, mendimet e secilit prej tyre për rolin publik të intelektualëve në shoqërinë shqiptare.

 

****

Na duhen intelektualë si Rexhep Qosja!

Nga Prof. Pëllumb Xhufi

 

Për t’u përfshirë në këtë temë vazhdimisht e gjerësisht të debatuar, do të duhej ta vendosnim në shtratin e duhur termin “intelektual”. Si shumë të tjerë edhe unë mendoj, se nuk është domosdoshmërisht i tillë një individ që ka kryer studimet e larta, që ka fituar një profilizim në një fushë të caktuar të dijes, makar edhe duke u shquar e duke bërë diferencën në të. Nuk është, sigurisht, një intelektual personazhi i romanit të Max Frisch, “Homo Faber” (Njeriu mekanik), për të cilin bota fillonte e mbaronte tek suksesi e mirëqenia e tij personale, ndonëse këto ngriheshin mbi fatkeqësinë e shoqërisë e të vetë familjes së tij. Por ishin intelektualë të shquar M. Curie e A. Einstein, shpikës së teorive të atomit, të cilët jo vetëm u angazhuan kundër përdorimit të shpikjeve të tyre për qëllime ushtarake, por edhe u dalluan në betejat kundër kërcënimit të fashizmit në Evropën e midis dy luftërave.

Nuk mund të konsiderohen intelektualë, sipas meje, ata shkencëtarë që punojnë për krijimin e armëve të reja të shkatërrimit në masë, apo ata qindra mijëra operatorë të bursave e të sistemit bankar, në tërësi, të cilët me spekulimet e tyre financiare kanë kontribuar shumë në krizën aktuale të sistemit ekonomik botëror, pra në fatkeqësinë e miliona njerëzve. Një individ i ditur e i aftë në profesionin e tij, por i privuar nga humanizmi, nga ndërgjegjja shoqërore e nga angazhimi në shoqëri, nuk mund të konsiderohet një intelektual.

Thënia e Aristotelit “anthropos politikon zoon” (njeriu është një qenie që jeton në shoqëri) vlen më së shumti e në radhë të parë për intelektualin, i cili zotëron dijen e mjetet për të njohur e për të kuptuar shoqërinë, si dhe për të ndërhyrë e për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin e saj. Pra, për të merituar epitetin “intelektual”, përveçse shkencëtar, studiues apo artist i shquar duhet të jesh human e humanist. Një fizikan që merret vetëm me elektronet, një paleontolog që merret vetëm me skeletet e vjetra, një  biolog që merret vetëm me amebat e një këngëtar a instrumentist që njeh vetëm notat e pentagramit, nuk mund të quhet intelektual. Nga ana tjetër, çdo intelektual, për të qenë i tillë duhet të kalojë “provën e zjarrit”, dhe prova e zjarrit për një intelektual është pozicionimi i tij në marrëdhënie me pushtetin. Për të ardhur në realitetin tonë, në këta 100 vjet të shtetit shqiptar, ne kemi njohur shqiptarë të shumtë, të ditur e të shquar, që i kanë ndërtuar marrëdhëniet me pushtetin si ato midis një protégé-u dhe mecenatit të tij, të cilit i thurrin himne e lavde për të përfituar prej tij tituj e privilegje. Komprometimi i individëve të tillë arrin deri sa të heshtin për gjynahe e deri krime të hapura të pushtetit.

Nëse qëndrime të tilla mund të kuptohen, deri në një farë mase, në kushtet e diktaturës, ato janë të pafalshme në kushtet e sotme të demokracisë. A mund e a duhet të heshtë sot një intelektual i vërtetë kur pushteti e njerëzit e tij mundohen t’i japin “fytyrën” e vet gjithçkaje: dijes, kulturës, arsimit, gjuhës, historisë, ligjit, administratës, institucioneve e deri peizazhit njerëzor? A duhet të heshtë ai kur ndodhin krime shtetërore, siç janë ato të deformimit të sistemit, të shitjes së interesave kombëtare, të vjedhjes së votës e të plaçkitjes së pasurisë publike? Aq më keq, a mund të mendohet, që një intelektual të bëhet avokat i pushtetit, kur ky ngre dorën kundër popullit të vet? E pra, kështu ndodhi ditën e masakrës shtetërore të 21 Janarit, kur pati pedagogë, shkrimtarë e artistë me shpirt prej skllavi, që nuk u skuqën të mbrojnë qeverinë dhe aktin e saj kriminal kundër qytetarëve të vet. Kjo ngjarje e fundit, tregon se përveç dijes e shpirtit humanist, një intelektual duhet të jetë i pajisur edhe me kurajën për të mos heshtur e për të thënë të vërtetën, duke u nisur gjithnjë nga interesi kombëtar dhe nga e mira publike. Në mjedisin e trembur, e gjithashtu të politizuar e të korruptuar të arsimit, shkencës e kulturës shqiptare, për fat të keq janë të paktë intelektualët e vërtetë që guxojnë e që denoncojnë të keqen.

Më vijnë sakaq në mendje emra miqsh, shokësh e kolegësh, të cilët po i përmbledh në emrin e Akademik Rexhep Qoses, intelektualit par excellence, i cili me një vijueshmëri të admirueshme rrezaton dije sipërore, humanizëm të thellë, patriotizëm të flaktë,  integritet e kurajë të rrallë intelektuale.

 

****

Do mbetemi në udhëkryq, nëse intelektualët heshtin

Nga Prof. Fatos Tarifa

Kuptimi në të cilin përdoret sot termi “intelektual” e ka origjinën në një peticion që nënshkruan, në vitin 1898, më shumë se njëmijë shkrimtarë, artistë dhe profesorë francezë (ndër të cilët bënin pjesë figura të tilla, si Émile Zola, Anatole France, Marcel Proust, Claude Monet, Émile Durkheim, Léon Blum etj.), për të protestuar kundër arrestimit të Alfred Dreyfus-it. Nënshkrimi i atij peticioni pasoi një letër të Émile Zola-së, drejtuar Presidentit francez, titulluar “J’Accuse” (Akuzoj). Peticioni në fjalë u botua nën okelion “Manifest i Intelektualëve”. “Çështja Dreyfus” e popullarizoi termin “intelektual”, duke e asociuar atë me ndërhyrjen në jetën publike në emër të parimeve të rëndësishme. Vetë letra e Zola-së mund të konsiderohet si akti i parë individual dhe prototipi i një angazhimi intelektual për të vërtetën dhe drejtësinë, ndërkohë që nënshkrimi i atij peticioni shënon rastin e parë të një mobilizimi masiv të akademikëve, shkrimtarëve dhe artistëve, si një forcë me ndikim në opinionin publik. Që nga ajo kohë, peticionet janë bërë shprehje të deklarimeve kolektive të solidaritetit intelektual.

Në një rrafsh teorik, koncepti mbi intelektualin publik, si një arketip, është formuluar nga Max Weber, përmes idesë së tij mbi kombinimin e dy vokacioneve – atë të studiuesit dhe të njeriut aktiv në politikë – në një të vetëm, pra të intelektualit që s’është as vetëm një akademik, as vetëm një aktivist politik, por të dyja këto së bashku. Noam Chomsky të vjen vetvetiu në mendje. Jo më kot, në vitin 2005, The Guardian e vlerësoi Chomsky-n si intelektualin publik më të shquar në kohën tonë. Një listë intelektualësh publikë të shquar do të përfshinte emra të tillë, si: Theodor Adorno, Jürgen Habermas, Jean-Paul Sartre, Umberto Eco, Pierre Bourdieu, Edward Said, Richard Dawkins, Vaclav Havel, Toni Morrison, Naomi Klein etj.

Është me interes të vëmë në dukje, në këtë opinion të shkurtër, diagnozën që i bënte Adorno, në veprën e tij Opiumi i intelektualëve (1955), intelektualit publik, misionin e të cilit ai e shihte si “kritikë në sferën publike”. Intelektuali publik, sipas Adornos, nuk bën kompromis me ndërgjegjen dhe mendimin e tij. Roli aktiv i një intelektuali publik është që të angazhohet në analizat sociale e kulturore të shoqërisë së vet. Vetë Adorno e bëri këtë përmes botimit të shumë artikujve dhe eseve në gazetat e kohës, përmes bisedave në radio, si dhe përmes ndërhyrjeve të herëpasherëshme në sferën publike në Gjermaninë e kohës së tij. Jürgen Habermas, nga ana e vet, thekson se funksioni i intelektualit publik është që “të përdorë argumente bindëse në mbrojtje të të drejtave të shkelura dhe të vërtetave të shtypura, në favor të reformave të vonuara dhe të progresit shoqëror”. Sipas tij, intelektuali publik e gjen vendin e vet në sferën publike; në këtë sferë, ai e lë pas rolin e tij profesional. Po njëlloj, Pierre Bourdieu mendon se intelektuali publik duhet të gjejë një balancë mes rolit të tij në shkencë ose art, dhe rolit të tij në politikë dhe kjo bëhet e mundur në kuadër të refleksivitetit. Qëllimi është, sipas tij, që intelektualët t’i përdorin aftësitë e tyre për të kuptuar e shpjeguar realitetin shoqëror dhe për t’i sjellë dijet dhe analizat e tyre në domenin publik, duke ndihmuar në zgjidhen e çështjeve publike.

Intelektualët publikë nuk janë vëzhgues të shkëputur nga realiteti dhe as të shkëputur nga njëri-tjetri; ata janë aktorë socialë të integruar në shoqëri dhe në shërbim të saj. Tipar kryesor i tyre është besimi në mundësinë që, përmes arsyes kritike, permes ideve dhe angazhimit shoqëror, të sjellin ndryshime pozitive në jetën e shoqërisë. Nëse intelektualët nuk angazhohen në problemet e shoqërisë, ata, siç vinte në dukje tri dekada më parë Russell Jacoby, në librin e tij të njohur Intelektualët e fundit (1987), mund të jenë “intelektualë high-tech, konsulentë, profesorë ose ekspertë por, gjithashtu, edhe shpirtra anonimë, që nuk e pasurojne jeten publike”.

Në Shqipëri, intelektualët publikë nuk janë një dukuri e panjohur. Disa nga rilindasit tanë më të shquar dhe, po kështu, Noli, Gurakuqi e Migjeni, mund të quhen, në kuptimin e plotë të fjalës, intelektualë publikë për kohën e tyre. Madje, ata janë shembuj inspirues edhe për intelektualët shqiptarë të sotëm. Rexhep Qosja, në Kosovë, është, gjithashtu, një intelektual publik i spikatur. Moikom Zeqo e Pëllumb Xhufi po ashtu. Kadare, gjithashtu, mund të kish qenë e të jetë një intelektual i tillë. Unë, ashtu si publiku i gjerë shqiptar, kam pritur e pres që ai të prononcohet hapur për shumë çështje dhe sfida të mëdha me të cilat ndeshet politika dhe shoqëria e sotme shqiptare. Jetojmë në një udhëkryq, në një kohë të rrezikshme për rajonin dhe botën, dhe rrezikojmë të mbetemi në këtë udhëkryq, nëse mendjet më të mençura e më të respektuara, intelektualët më të njohur të këtij vendi, rrinë indiferentë, heshtin, ose më keq, konformohen e pajtohen me të keqen për interesa që s’janë interesa publike, as interesa kombëtare. E sotmja është një kohë kur zërat kritikë më të artikuluar duhet të bëhen pjesë e domenit publik për një ndryshim pozitiv që, më në fund, do e nxirrte këtë vend nga burgu i së shkuarës.


 ****

Intelektualët e mirëfilltë dhe demagogët mashtrues të ekraneve

Nga Prof. Ksenofon Krisafi

 

Shqipëria ose më saktë bota shqiptare ka nxjerrë jo pak intelektualë të spikatur që janë shquar në të gjitha fushat e jetës, në politikë, ekonomi, kulturë, shkencë, art etj. Duke qenë vlera më e vyer dhe krenaria e saj, ata ndjekin me entuziazëm arritjet, duke u përpjekur të bëhen pjesë ose promotorë të tyre, siç përjetojnë keqardhje për zhvillimet problematike, dhimbje për varfërinë dhe mjerimin dhe revoltë ndaj abuzimeve dhe vjedhjeve të pasurisë kombëtare nga një grusht njerëzish. Përgjithësisht intelektualët, janë të shpërfillur nga politika, sepse ajo zakonisht kërkon njerëz të bindur e të nënshtruar. Ajo nuk i blen dot, siç bën rëndom me disa sharlatanë e mercenarë, të vetëquajtur analistë, që afishohen nëpër ekrane televizionesh si pretendues ekskluzivë të mendimit intelektual për çdo çështje e situatë. Intelektualët e mirëfilltë nuk mposhten, nuk e pranojnë rolin e shërbëtorit ndaj demagogëve dhe mashtruesve të çdo lloji, sepse ata janë në anën e interesave të vendit. Duke pranuar të bëjnë një jetë të zakonshme, me paga modeste edhe pse punojnë shumë dhe pa u lodhur, ata udhëhiqen nga dashuria për njerëzit, nga përkushtimi dhe përgjegjshmëria për fatet e vendit. Një grup prej tyre, siç dihet tashmë, kanë krijuar Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, si bashkim intelektualësh, shkencëtarësh, akademikësh, artistësh të shquar nga Shqipëria, Kosova, trojet shqiptare dhe nga vende të tjera të botës, për të shërbyer si forum për studime e rekomandime në të mirë të zgjidhjeve racionale të problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria e sotme shqiptare. Me këtë preokupim, edhe pse një shoqatë vullnetare, me kontributet modeste të anëtarëve, ka organizuar disa forume shkencore në Tiranë dhe në qytete të tjerë dhe është shprehur për çështje të tilla si realitetet dhe sfidat e shoqërisë së sotme shqiptare, politika e jashtme e Shqipërisë, energjia elektrike si problem dhe faktor strategjik, domosdoshmëria e reformës në drejtësi, arsim, shkencë, shëndetësi, Kosova si shteti më i ri europian, Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare e shumë të tjera. Intelektualët e Akademisë i janë drejtuar zyrtarisht, publikisht organeve shtetërore në Shqipëri e jashtë saj. Do të përmend një prej tyre, letrën e hapur për ish ministrin e jashtëm të Greqisë, Samaras, në të cilën reagohej ndaj një grupi ish ambasadorësh grekë, që qortonin qeverinë e tyre për qëndrime të buta ndaj Shqipërisë. Anëtarët e akademisë, ku për koincidencë bënin pjesë edhe katër ish ambasadorë, afirmonin me vendosmëri se popujt e dy vendeve janë fqinjë që historikisht kanë mbështetur njëri tjetrin dhe që duan të jetojnë në miqësi e fqinjësi.

Me keqardhje mund të them se problemet e shtruara, mënyra e trajtimit dhe propozimet që janë bërë kanë tërhequr vetëm interesin e mediave dhe të opinionit të gjerë, posaçërisht atij shkencor dhe fare pak të organeve drejtuese të vendit.

Intelektualët e këtij vendi në jo pak raste kanë ngritur zërin fuqishëm në mbrojtje të interesave madhore kombëtare. Shkrimtari i madh, intelektuali dhe patrioti i flaktë Ismail Kadare, në marsin e vitit 1999, iu drejtohej anëtarëve të delegacionit Kosovar në bisedimet e Rambujesë, luftëtarëve të UÇK-së dhe intelektualëve të shquar, Rexhep Qoses me shokë, që ta nënshkruanin marrëveshjen me palën serbe dhe të mos dëgjonin “rrahgjoksat e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb.” Ai iu thoshte se “askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj…”. Pikërisht ato ditë, politikani Sali Berisha, iu kërkonte që të mos e nënshkruanin. Akuzonte ShBA dhe vendet e Bashkimit Europian e të NATO-s, si sabotatorë të të ardhmes së popullit të Kosovës dhe i kërcënonte që të mos e nënshkruanin, duke ju thënë “Ju bëj thirrje të mos firmosni, mbasi duke firmosur nxini faqen tuaj dhe faqen e Shqipërisë e të pavarësisë së Kosovës, shkatërroni kombin”. Historia i dha të drejtë intelektualit Ismail Kadare. Të njëjtën gjë ka bërë ai edhe me intelektualin e shquar dhe patriotin e madh Rexhep Qosja, të cilin e quante fosile e botës së vjetër me mendime të mykura. Arsyeja kishte të bënte vetëm me faktin se profesori i madh Qosja e kishte demaskuar dhe akuzuar Berishën “për fyerjet, shpifjet, denoncimet, kërcënimet, konceptet vrastare pushtetore, gjuhën shtypëse, poshtëruese, kërcënuese dhe frikësuese të rrugaçërisë, që fyen rëndë kulturën politike shqiptare”. Ai e kishte demaskuar atë “si njeriun, i cili vret protestuesit duke i shpallur banditë, kriminelë, narkomanë, kurse protestën e tyre e quante puç…” etj. ..,

Intelektualë të lidhur ngushtë me interesat e vendit ishin edhe ata që guxuan të denonconin publikisht krimin e rëndë që ishte kryer nga disa politikanë antishqiptarë, me nënshkrimin e një marrëveshjeje për cedimin e 354.4 km katror det Greqisë. Ata, me urtësi dhe etikë qytetare shembullore, i kërkonin autoriteteve shtetërore që ta rishikonin për të mbrojtur territorin e vendit, ndërsa Berisha dhe shpura e tij, me një gjuhë plot ndot, i damkoste si tradhëtarë të interesave të vendit dhe i blasfemonte si sharlatanë dhe injorantë. Gjykata Kushtetuese iu dha të drejtë intelektualëve, marrëveshja u hodh poshtë dhe balta iu kthye në fytyrë Berishës dhe klanit të tij.

Për fat të keq janë shumë rastet kur politikanë të tillë të pashpirt, që nuk e duan këtë vend, sa herë që janë kapur “me presh në duar” kanë sulmuar dhe akuzuar intelektualët atdhetarë. Historia dëshmon se vizioni, shqetësimi i sinqertë, talenti, aftësitë, puna e palodhur dhe përkushtimi i tyre për fatet dhe të ardhmen e vendit, i vendos ata në panteonin e përjetësisë, kurse emrin e kësaj race politikanësh të pavlerë e fshin menjëherë, në mos i ka damkosur si tradhtarë antishqiptarë.

***

Misioni i intelektualit: hulumtues dhe mjeshtër i së vërtetës

Nga Dr. Moikom Zeqo

 

Roli i intelektualit në shoqëri? Ç’përfaqëson intelektuali? Pyetje të thekshme, të befta, të vetëkuptueshme.

Por përgjigjet shpesh nuk e zbulojnë thelbin. Funksionon mekanizmi i referencave dhe citimeve të pafundme. Mëtohet klasifikimi dhe kuptueshmëria e fjalës intelektual, simbolika e funksionit etj. Të gjitha këto mund të kenë një karakter formal, gati të pashmangshëm.

Mund të flitet shumë për intelektualin, shpesh si një qenie e përzgjedhur, madje si mrekulli krijuese, jo shumë larg nocionit të Providencës, apo të mistifikimit të një domosdoshmërie historike. Formualt verbale në këtë rast nuk janë shumë të fuqishme, komentojnë por nuk zbulojnë substancën. Në përgjithësi arsimimi i njerëzve krijon iluzionin masiv të lindjes së një elite intelektualësh, me atë rregull që krimbi në krisalidë shndërrohet patjetër në flutur, por ja që nuk është kështu. Të shkolluarit, madje dhe statistika e Profesoriatit shqiptar, në morinë e pafundme dhe virtuale të universiteteve publike dhe private në Shqipëri nuk e shpjegon dot dallimin midis intelektualit dhe pseudointelektualit, midis intelektualit të vërtetë, të pavarur dhe të ashtuquajturit intelektual klientelist, dukuri kjo e frikshme në Shqipëri. Edhe teza e formalizuar dhe publicitare e Sartrit për “angazhimin” e intelektualit në Shqipëri nuk është shumë mbushamendëse.

Në librin e George Steiner “After Babel” nyjëtohet ekzistenca e intelektualit si një hulumtues i paepur dhe mjeshtër i së vërtetës shkencore.

Kjo e vërtetë është universale dhe u përket të gjithë popujve dhe njerëzve në sensin e mëvetësisë së saj dhe vizionit. Në epokën e madhe të mediave elektronike, të shtypit të printuar, të gazetarisë shumëdimensionale, është krijuar gjithsesi dhe një konfuzion të përcaktimit dhe të dallimit të intelektualit dhe opinionistit ose përcjellësit instrumental të ngjarjeve të politikës.

Aq më tepër kur sekti i politikanëve, përgjithësisht intelektualë mediokër, guxojnë të artikulojnë ide politike, apo dhe të ushtrojnë stile ligjërimi, që e kanë mistifikuar së tepërmi propagandën, domethënë gënjeshtrat publike të standardizuara.

Aq më tepër që dhe mediat nuk janë më të lira dhe të pavarura, dhe të ashtuquajtura disiplina të komunikimit janë përcjellëse të servilizmit politik dhe të ideve bazë zotëruese të përpunuara në inkubatorë të disa sistemeve të mbyllura të zotëruesve të pushtetit të parasë, të pushtetit, por dhe të opinioneve.

Në këtë situatë tejet të rëndë, të kamuflimit dhe të një agresioni të galvanizuar të gënjeshtrës publike, kërkimi i së vërtetës është një çështje substanciale sa shkencore aq dhe shoqërore dhe humanitare. Jam skeptik të shprehem në mënyrë pozitiviste se intelektualët në Shqipëri janë në një nivel kaq të lartë arsyetimi dhe kthjelltësie. Përkundrazi.

Shihni skotën e të ashtuquajturve opinionistë, të cilët për 26 vjet ndërthurin thashethemnaja dhe marrëzira , të pashembullta ,për politikën dhe shoqërinë. Është e vështirë të gjesh një fjalë të mençur dhe dëlirësuese midis kësaj katrahure.

Nga intelektualët e mëdhenj shqiptarë janë pak shëmbëlltyra që do t’i konsideroja të denja për t’i përmendur.

Do të përmendja Migjenin dhe  intelektualin më të ditur të shekullit XX ,Fan Noli.

Intelektualët e tjerë për arsye të ndryshme nuk i kanë rezistuar klientelizmit politik, qoftë klientelizmit komunist, qoftë klientelizmit antikomunist.

Përgjithësisht intelektuali ka një mision historik. Ai nuk është thjesht zejtar i përsosur i fjalëve. Ai kërkon të vërtetën e pashmangshme.

 Vetëm e vërteta na bën të lirë. Vetëm e vërteta na çon përpara. Vetëm e vërteta na ngre më lartë. Kjo e vërtetë nuk lidhet vetëm me Shqipërinë. Por dhe me tërë botën.

Në 27 Prill 1994 kam botuar esenë time “Parlamenti ndërkombëtar i intelektualëve”.

Sapo kisha lexuar një apel të shkrimtarëve të shquar të botës nxitur dhe nga shkrimet e shkrimtari ttë madh spanjoll Joan Gojtisolo, autori i “Letra nga Sarajeva. Gojtisolo hodhi idenë e një parlamenti të intelektualëve përparimtarë të botës. Morice Blanckot, sëbashku me Roland Bartin, Mishel Leirisin dhe Robert Antelmonin përgatitën dhe botuan në Revew Internacionale një projekt sintetik dhe programor, që kërkonte nga intelektualët që bashkërisht e pa mbrojtje e stërhollime të merrnin mbi vete përgjegjësinë për atë që ndodh rreth tyre njësoj sikur ndodh brenda tyre.

100 shkrimtarët më të shquar të Europës dhe të Amerikës, midis tyre Zhak Derrida, Pablo Fuentes, Pierr Burdie, Eduart Glissani, Toni Morisoni, Breyten Breytenbah, Umberto Eco dhe sidomos Salman Ruzhdie e krijuan këtë parlament për të reaguar ndaj krimeve të përbindshme të luftës ,që ndodhën në Sarajevë, ndaj gjenocidit dhe padrejtësive në botë.

Pra këta shkrimtarë janë universalizuar në rolin e tyre duke sulmuar me të drejtë tabunë e monopolit të politikës ndërkombëtare për të ringjallur të vetmen doktrinë të pavdekshme në shekullin, humanzimin. E përmend këtë fakt për të treguar se ç’mund të bëjnë njerëzit e letrave kur kuptojnë botën dhe vetveten.

Për sa i përket Shqipërisë, realiteti duket më i ndërlikuar dhe herë-herë fatal. Statusi i njeriut të kulturës së njeriut nga politika është gati zero, ndonjëherë edhe nën zero. Personalitetet e mëdha të kulturës, të dijes, nuk përfillen fare nga klasa mediokre e politikanëve shqiptarë. Nuk luajnë asnjë rol në vendimmarrjet politike që kanë të bëjnë me fatin e qytetarëve shqiptarë dhe të perspektivës së kombit tonë.

Është e vërtetë që intelektualët shqiptarë duke pësuar dhe privacione, madhe dhe marxhinalizime ndaj tyre, përsëri kanë guxuar të thonë të vërtetën, ta shprehin pathyeshmërinë e tyre ndaj lirisë së mendimit. Por jemi ende larg ndikimit të fjalës iluminuese dhe shpresëdhënëse të këtyre intelektualëve në shoqërinë shqiptare, ku ende nuk ka lindur dhe nuk është realizuar me dinjitet dhe e pavarur edhe shoqëria civile. Është një betejë mendore.

 Fitoret e vërteta të një populli janë fitoret mendore.

Në këtë pikë shqiptarët janë ende të prapambetur, por nuk duhet të jemi fatalist në vonesat historike.

Konceptualisht ne mund t’i kapërcejmë këto vonesa. Por ende mungon nderimi për kulturën, për Shqipërinë kulturore.

 

May 11, 2017 20:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*