PO TANI?! Botues, kolumnistë, juristë komentojnë post-Brexit

June 25, 2016 13:27

PO TANI?! Botues, kolumnistë, juristë komentojnë post-Brexit

Para se agimi i datës 24 qershor 2016 të gdhinte mbi kontinent, një ngjarje e ka shokuar atë, edhe pse nuk ishte edhe aq surprizë. Shumica e votuesve britanike vendosën largimin e vendit nga Bashkimi Europian. Çfarë ndodh tani me Britaninë, BE-së dhe botën? Revista Politico ka pyetur autorë, analistë politikë dhe ekspertë.

 

Rreziqet e virusit ngjitës

Mark Leonard, bashkëthemelues dhe drejtor i Këshillit Europian për Marrëdheniet me Jashtë

 

Njerëzit kanë folur. Por vota e të enjtes është vetëm fillimi i një divorci të gjatë dhe të paqartë. Tani, në vend që të riforcojnë iniciativat integruese të baballarëve themelues, liderët e BE-së duhet të punojnë fort për të mbajtur bashkë pjesën tjetër të Unionit. Aksionet e mëdha integruese mes shteteve themeluese, mund të ndezin një reaksion të kundërt nga vendet që kanë prani të partive euroskeptike, të cilat, ashtu si në Poloni, merakosen se BE-ja mund të zhbalancohet drejt pozicioneve proteksioniste, integracioniste franko-gjermane.

BE duhet të punojë për të mbajtur gjallë lidhjet me Britaninë – të paktën në ato elemente ku përfitojnë të gjitha palët. Qeveria dhe Banka e Anglisë duhet të qetësojë tregjet për të balancuar impaktin e parë ekonomik. Por gjithashtu duhet të shmangin ndonjë lëvizje të njëanshme, që do destabilizonte edhe më keq BE-në dhe vendet anëtare. Pasi pasardhësi i Kameronit të marrë frenat në vjeshtë, qeveria britanike duhet të gjejë një model ekzistues partneriteti, në vend që të tentojë modelimin e një marrëdhënieje tërësisht të re me BE-në.

 

 

Vendim historik dhe… i rrezikshëm

Josef Joffe, botues i gjermanes Die Zeit dhe anëtar në Institutin Hoover, Universiteti Stanford

 

Lamtumirë Britani e Madhe, përshëndetje Angli e Vogël! Tani Skocia mund të votojë për largimin nga Mbretëria e Bashkuar, dhe po ashtu Irlanda e Veriut. Kombi që udhëhoqi fatet e Europës për 400 vjet do të shndërrohet në një Austri të stilit ishullor, një mbetje e dikur të fuqishmes Perandori e Habsburgëve. Britania e vogël është një vend me fshatra të qetë dhe zakone të çuditshme, si birra e ngrohtë – por vendi nuk do të jetë më ai i dikurshmi.

Imagjinoni sikur në vitin 1939 të kishim një Britani të Vogël. Hitleri do ta kishte shtypur si plesht, atë pastaj Europën.

Që kur gjermanët votuan për Hitlerin, nuk ka ndodhur më që një elektorat demokratik të shkaktojë kaq shumë dëme në historinë e vet të lavdishme dhe perspektivën e vet. Në fakt, sot situata është edhe më keq. Gjermanët nuk e dinin çfarë “po blinin”, por tani e ardhmja – një humbje vdekjeprurëse ekonomike dhe e fuqisë politike – e vështron Britaninë drejt e në fytyrë. Dhe ajo gjithsesi zgjodhi vetëndëshkimin.

Historia nuk do të jetë zemërgjerë me 52% që iu trembën madhështisë. As me burokratët e korridoreve të Brukselit dhe qeveritë qorre, që reagojnë ndaj pakënaqësisë më të vogël popullore duke grabitur edhe një copë tjetër sovranitetesh kombëtare. Brexit ulëret: Shkuat shumë larg o të pangopur; as mos t’ju shkojë në mendje integrimi këtej e tutje.

Europa duhet ta mbajë të lidhur varkën britanike. Nëse nuk e bën, BE do të tkurret në një zonë të parëndësishme të Euroazisë. A ka gjasa të davaritet ky makth? Të dashur britanikë, ju lutem votoni edhe një herë: Për të mirën tuaj, dhe të Europës.

 

 

Ndarja mes qeverisësve dhe të qeverisurve, e bën Britaninë të paqeverisshme!

Mary Ann Sieghart, kolumniste politike për The Times, The Economist dhe The Independent

 

Devid Kameron vuri bastin më të madh të jetës së tij politike dhe humbi. Tani Mbretëria e Bashkuar duhet të merret me pasojat afatgjata të tentativës së tij për të mbajtur të bashkuar partinë, teksa u premtoi britanikëve një referendum për anëtarësinë në BE.

Në politikën e brendshme, kjo nënkupton ringjalljen e të djathtës brenda partisë konservatore, dhe një tentativë puçi të brendshëm ndaj liderit të majtë Xheremi Korbin, që fajësohet pse kaq shumë votues laburistë votuan pro Largimit. Mund të ketë edhe zgjedhje të reja të përgjithshme nën një kryeministër të ri konservator, më pak se dy vjet nga zgjedhjet e fundit. Mund po ashtu të shohim një prishje të Mbretërisë së Bashkuar, nëse Skocia mban një referendum tjetër dhe voton të qëndrojë në BE si komb i pavarur.

Pasojat sociale ndërkaq, me gjasë do të jenë të paktën po kaq serioze. Britania e ka mburrur veten si një komb tolerant dhe i hapur, që di të bashkëpunojë me popullata gjithnjë e më të larmishme. Por kjo foto “selfie” tani është shkërmoqur. Motivi pse shumë njerëz votuan për largimin, është mosbesimi ndaj të huajve dhe dëshira për pakësimin e emigrantëve. Këta votues duan që Britania t’i kthejë kurrizin botës, të ngrejë një korracë ndaj globalizmit dhe të zbythet nga bashkëpunimi ndërkombëtar. Kjo është një anatemë për shumicën e politikanëve të çdo partie. Me kaq shumë hendek mes elektoratit dhe njerëzve që ata kanë zgjedhur për t’i qeverisur, ky vend është shumë vështirë i qeverisshëm.

 

 

Elitat politike e humbën Europën

Ivan Krastev, drejtues i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje, Bullgari

 

Për rëndësinë historike që ka, vendimi britanik për largimin nga Bashkimi Europian mund të krahasohet vetëm me ribashkimin e Gjermanisë pas Luftës së Ftohtë. Por Brexit është ribashkimi gjerman në të kundërtën. Një epokë e historisë evropiane që nisi në 1945-n, përfundoi dje. Mbetet të shohim sesa e Bashkuar do të mbetet Mbretëria e Bashkuar, dhe sa e Madhe do të jetë Britania e Madhe pasi del më vete.

Një gjë është e qartë: Elitat nuk e kanë më kontrollin. Njerëzit nuk i mallëngjeu as fakti që 9 nga 10 ekonomistë sugjeruan që Britania të qëndronte, dhe as lajmi se 9 nga 10 personazhe të famshëm ishin tifozë të qëndrimit.

Impakti psikologjik i vendimit britanik ka një domethënie të pamasë. Ai ka potencialin të provokojë një grisje të Bashkimit Europian. Ajo çka mund të presim në planin afatshkurtër është kaos, zhurmë dhe një valë referendumesh anembanë BE-së. Paniku që polli vota britanike do ta riforcojë procesin ndërkohë të filluar, të ri-nacionalizmit të politikës evropiane. Kjo që po ndodh është një revolucion i ri: Shumicat kombëtare do revoltohen ndaj mega-qyteteve dominuese dhe vlerave që ato përfaqësojnë.

 

 

Ksenofobia është një biletë fituese politike

Daniel Trilling, botues i revistës New Humanist, autor i një libri të fundit mbi emigracionin në Mbretërinë e Bashkuar

 

Mes të tjerash, vota britanike përfaqëson pikën më të lartë të një fushate të gjatë e të zhurmshme të së djathtës, për të fituar pikë me debatin e racave dhe emigracionit. Qeveria e laburistëve të rinj për ca kohë këndoi këngën e multikulturalizmit, por në 15 vitet që pasuan, ky konsensus avulloi. Mediat e shtuan panikun mbi azilkërkuesit e rremë dhe “korrektesën politike”. Analistët bënë pretendime të ekzagjeruara mbi zonat e segreguara dhe “jashtë ligjit” nëpër qytetet britanike. Aktiviteti nga e djathta e konservatorëve – së pari nga fashistët e Partisë Nacionaliste Britanike, pastaj nga UKIP – e përshkallëzuan retorikën.

Këto parti tërhoqën segmente të votuesve punëtorë, në zona ku dikur laburistët ishin të fortë. Për reagim, qeveri të majta e të djathta tentuan të adoptonin pjesë të këtij mesazhi në kërkim të votës, duke marrë masa në rritje për kufizimin e emigracionit.

Gjithë sa thamë, erdhi e u mblodh në fushatën e fundit. Një pjesë e fushatës ishte për rrogat dhe lëvizjen e lirë në BE në epokë shtrëngimi ekonomik; por një rrymë e fortë ksenofobie e përshkoi atë; nga sloganet e egra se 74 milionë turq janë në prag të anëtarësimit në BE, deri tek parullat raciste të UKIP mbi krizën e refugjatëve.

Ne pamë rritjen e dozave të helmit të urrejtjes në debatin politik, në një gradë që tillë që shpresonim se i përkiste të shkuarës. Vjet, klandestinët e mbytur në Mesdhe tabloidi më popullor në vend i përshkruante si buburrecë; kandidati fitues i bashkisë së Londrës u etiketua si simpatizant i terroristëve për shkak të besimit fetar; dhe një deputete u vra ditën për diell. Vrasësi bërtiti në gjykatë: Vdekje Tradhtarëve, liri për Britaninë”.

Si gjetiu tjetër në Europë e SHBA, populistët u ofruan votuesve të pakënaqur iluzionin e pavarësisë. Nëse, siç duken bathët, Brexiti nuk do ringjallë dot shërbimet publike, rrogat etj, pakënaqësia do rritet edhe më. Dhe skenën politike do ta zënë demagogët që do bërtasin teori konspiracioni.

Kë do fajësojnë ata nesër? Ksenofobia nuk e shpjegon dot plotësisht atë që ndodhi, por as nuk duhet injoruar. E majta duhet të vijë me një alternativë, dhe sa më shpejt.

 

 

Qeveritë kombëtare do t’i kthehen Brukselit

Charles Grant, drejtor në Qendrën për Reforma Europiane

 

Brexit e përmbys narrativën e BE-së, nga integrimi dhe dizintegrimi. Elitat centriste që drejtojnë shumicën e vendeve anëtare tani kaluan në mbrojtje. Ato e dinë se nuk është vetëm Britania ku populistët anti-BE po fitojnë terren, dhe ata do t’i shmangin politikat që do çonin ujë në mullirin e tyre.

Ata që duan një EUropë më të integruar, e humbna argumentin e tyre. Përgjithësisht, Komisioni Europian reagon ndaj krizave si ajo e eurozonës apo e refugjatëve, duke u bërë presion vendeve të pranojë zgjidhjet “evropiane” që përfshijnë dhënien më shumë pushtet për institucionet e BE-së.

Por presidenti Donald Tusk merr një linjë tjetër. Javët e fundit ai shpesh ka paralajmëruar se qytetarët e BE-së nuk e kuptojnë më arsyen e një integrimit të mëtejshëm. Ai citoi një koment nga ish ministri i Jashtëm francez Huber Vedrin: “Shikoni qeveritë dhe partitë që bërtasin gjithandej dhe kërkojnë: Më shumë Europë! Nëse doni që njerëzit ta braktisin pasivisht Europën, vazhdoni kështu!”

Linja Tusk do mbizotërojë. As qeveria franceze e as ajo gjermane, nuk janë entuziaste për një Traktat të ri të BE-së dhe hapa drejt federalizmit. Është e vërtetë se në një pikë të caktuar, liderët e BE-së mund t’i japin fuqi specifike institucioneve të BE-së për probleme të caktuara. Por qeveritë kombëtare nuk do lejojnë që axhendën e tyre ta bëjë Brukseli.

 

 

Një Europë e dobësuar drejt ndarjeve të vjetra

Carl Bildt, ish-kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Suedisë

 

Sot, ne jemi përqëndruar në trazirën ditore që shkaktoi vota britanike. Por gradualisht do fillojmë të ndjejmë pasojat afatgjatë. Ajo që pamë e që ishim dëshmitarë, ishte ngjarja më me pasoja në Europë që nga rënia e Murit të Berlinit. Për më shumë se gjysmë shekulli, magnetizmi i integrimit udhëoqi politikën evropiane, duke i mundësuar BE-së të tejkalojë ndarjet e vjetra dhe të stabilizojë demokracinë në zonat më të brishta të kontinentit.

Sot, e gjitha kjo po vihet në dyshim. Me efektin joshës të BE-së seriozisht të dëmtuar, rreziku që Europa t’i rikthehet debateve të vjetra historike të përçarjeve, nuk duhet anashkaluar. Ajo që sot na duhet më fort se kurrë,  janë burrat e vërtetë të shtetit.

 

 

Trazimi i BE-së

Ana Palacio, juriste ndërkombëtare dhe ish-ministre e Jashtme e Spanjës

 

Ka një një rregull të lashtë në avokati: Kurrë mos bëj një pyetje nëse nuk je i qartë për përgjigjen. Tre vite më parë, në një bixhoz personal politik për të forcuar mandatin e dytë si kryeministër, Devid Kameron bëri pikërisht këtë. Dhe shpërblimi: Fitoi 13 muaj më shumë në Dauning Strit, të konsumuara tërësisht nga debati përçarës i referendumit.

Kameron shpalli dorëheqjen, por dëmi dhe efektet anësore janë të frikshme. Europa dhe BE tani lundrojnë në ujëra të panjohura. Negociatat e ndarjes që do vijnë, do jenë sakatuese. Me zgjedhjet franceze e gjermane që afrojnë, dëshira e përbashkët në Bruksel, për ta bërë Britaninë një shembull për të mos u ndjekur, nënkupton që marrëveshja e divorcit nuk do jetë e lehtë. Si rezultat, pritet një hije e zezë rregullash ndaluese për Britaninë. Cili biznes do investonte në Britani, pa e ditur se cilat rregulla do vijnë në fuqi gjatë dhe pas daljes?

Ky është një moment kur Europa po kërkon shpirtin e humbur. Referendumi britanik ishte një debat mes logjikës dhe pasionit, dhe pasioni korri fitore. Që BE-ja ta ndalë këtë proces, i nevojitet dëshpërimisht një narrativë e artikuluar dhe arsyetuar qartë, që nuk u drejtohet vetëm kokave, por edhe zemrave të njerëzve.

 

Përktheu dhe editoi: A.Koçiko – DITA

June 25, 2016 13:27
Komento

3 Komente

  1. nuk ka tym pa zjarr June 25, 18:49

    Nukbka brexit. Eshte e stisurvper te filluar reformat nevpensionet, te drejtat e punes, pagat dhe asistencat sociale.
    Populli anglez tani do humbivshumicen e te drejtave. Filloi greqia, italia, spanja, franca, anglia, belgjika, gjermania.
    Komplote kunder klases punetore

    Reply to this comment
  2. gjergji June 26, 08:50

    Po mbreteresha c’thote? Apo vetem celsat e kashtes ka?

    Reply to this comment
  3. Christopher Boffoli March 26, 01:08

    The photograph at the top of this article is my copyrighted work which you have published here without permission, license or attribution, in violation of international law. Remove my photograph immediately and strop stealing the work of visual artists or you will be reported to your ISP and to your advertisers as thieves. It is disgusting that you think you can steal the work of others and not only use it without asking but to generate advertising revenue with it.

    Fotografia në krye të këtij artikulli është vepra ime e autorit që ju keni publikuar këtu pa leje, licencë ose atributim, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Hiqe fotografinë time menjëherë dhe mbylli vjedhjen e veprës së artistëve vizualë ose do të raportohet te ISP-ja juaj dhe reklamuesit tuaj si hajdutë. Është e neveritshme që mendoni se mund të vjedhni punën e të tjerëve dhe jo vetëm ta përdorni pa kërkuar, por për të gjeneruar të ardhura nga reklamat me të.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*