Foto/ Dikur edhe sot, si ka ndryshuar pema e Krishtlindjeve në Shqipëri

December 25, 2017 13:06

Foto/ Dikur edhe sot, si ka ndryshuar pema e Krishtlindjeve në Shqipëri

Dhjetori është muaji i festave. Muaji ku sfidohet i ftohti, dëbora, vështirësia e lëvizjes. Vëmendja është përqendruar drejt zbukurimeve, përgatitjeve, ushqimeve të shijshme. Sot është e lehtë të kesh gjithçka, mjafton të paguash për to. Por, dikur në komunizëm ishte e vështirë. Shiritat shumëngjyrëshe, xixat, yjet, nuk i gjeje në asnjë treg në të gjithë Shqipërinë.

Pas 1967 nuk festoheshin më Krishtlindjet. Festa më e rëndësishme ishte 31 dhjetori, nata e ndërrimit të viteve. Pema e Krishtlindjeve nuk quhej më e tillë, pasi u zëvendësua me pemën e Vitit të Ri.

Po çfarë ka ndryshuar nga ajo kohë deri në 2017? Eh, sa shumë gjëra. Dikur gjërat bëheshin vetë, në shtëpi. Fëmijët, të drejtuar nga më të rriturit, kontribuonin për të zbukuruar shtëpinë. Të duhej vetëm letër me ngjyra, gërshërë, ngjitës, vizore, laps dhe shumë fantazi.

Pema ishte punë më vete. Për ata që ishin në fshat, ishte më e lehtë, pasi e prisje në pyll nëse ishe afër tij. Ndërsa për ata në qytet ishte më e vështirë dhe i merrnin në fidanishte, në një madhësi të konsiderueshme, në varësi të hapësirës së shtëpisë.

Pastaj, arti i zbukurimit qëndronte te letra. Shiritat e saj nuk duhet të ishin shumë të hollë, por as edhe të trashë. Mundësisht të gjithë të barabartë, në mënyrë që shiriti të dilte pothuajse njëlloj dhe me ngjyra të kombinuara. Pastaj mbështillej rreth pemës dhe në çdo degë vendosej pambuk, për të dhënë ndjesinë e borës.

Ndërsa sot, pema e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri s’ka asnjë lidhje me atë pemë. Sot janë dritat, topat, dhuratat. S’ka nevojë për pambuk, pasi pemën e gjen me borë, pa borë dhe në çfarëdo lloj ngjyre ta duash. Sot mund të shkosh ta blesh në treg, ta mbash në garazh apo në ndonjë qoshe dhe ta nxjerrësh gjithmonë që vijnë festat. Prandaj këto festa janë pothuajse njëlloj.

Me siguri, nostalgjikët janë ata që e vuajnë më shumë këtë gjë. Ata që gjenden mes dy kohëve. Mes lumturisë së dikurshme dhe shkëlqimit të sotshëm./dritare.net

 

December 25, 2017 13:06
Komento

1 Koment

  1. Besniku December 25, 20:25

    Kur zbukuronim pemen e vitit te ri, perveç zbukurimeve te blera, qe ne pemen e fotos mungojne, gjeja me e bukur ishte berja e tyre vete, me imagjinaten dhe deshiren e nje femije per te bere gjera te bukura, me ” fletore pune-dore”.
    Ishte dhe nje sfide, nje gare per ta zbukuruar pemen me mire se shoket apo fqinjet.
    Vertet as mund te krahasohen me ndriçimin apo zbukurimet e sotme.
    Por nje peme e zbukuruar vete, edhe kaq e thjeshte,ka vlera sh me te medha se nje peme e shendritshme, e cila harrohet shpejt nga femijet, qe kerkojne zbukurime akoma me te shtrenjta, se te parat I kane thyer dhe harruar .
    Kurse ato te bera vete ne femijeri te kujtohen tere jeten.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*