FOTO: Në apartamentin ku u shua Faik Konica

December 15, 2017 15:40

FOTO: Në apartamentin ku u shua Faik Konica

 

75 vjet më parë: Dita kur u shua Faik Konica

Nga Ilir Ikonomi

Meqenëse 15 dhjetori shënon 75-vjetorin e vdekjes së Faik Konicës, po ju paraqes disa foto që i bëra apartamentit në Uashington DC ku ai ndërroi jetë në vitin 1942 si dhe certifikatën e vdekjes të nënshkruar nga mjeku i tij Robert Oden.

Në vitin 1942 Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe Departamenti i Shtetit nuk e njihte më Konicën si përfaqësues diplomatik të vendit të tij.

Jeta e Faik Konicës në Uashington ishte modeste. Paguante qiranë e apartamentit, rreth 80 dollarë në muaj, pastaj stenografen dhe sekretaren Charlotte Graham, e cila punonte për të prej 12 vitesh, si dhe shërbyesit, Hattie Williams me burrin e saj.

Kohët e fundit kishte marrë para borxh nga disa miq, diçka më pak se njëmijë dollarë. Jetonte si një aristokrat i rënë nga vakti, sepse, ndërsa merrte hua për të shtyrë pagesën e qirasë, në garderobën e tij kishte ndonja dhjetë kostume shik, një numër palltosh, plot kapele e këpucë si dhe një koleksion të bukur veshjesh zyrtare.

Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi hemorragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në banjë dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash. Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij.

I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden. Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë.

Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Fliste përçart, “there is no answer”, thoshte në anglisht, “përgjigja nuk po vjen”. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë. Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar. Ishte data 15 dhjetor 1942. Dr. Oden i tha se do të vinte sapo të mbaronte një operacion.

U vendos që trupi të dërgohej në shtëpinë e funeraleve Hysong aty pranë. Gjërat kishin ndodhur shpejt dhe Charlotte ishte e hutuar. Dr. Oden pyeti për familjen e të ndjerit, nëse sekretarja e dinte se ku ndodheshin njerëzit e tij. Pyeti për gjendjen financiare të Faikut, pasi duhej një garanci për shërbimin funeral. Charlotte i tha se Faiku kishte 15 dollarë e 54 cent në apartament, por priste një pagesë prej 2,100 dollarësh, që ministri i Oborrit, Martini, kishte nisur me kabllogram nga Londra. Oden tha se do të bëhej vetë garant.

Sekretarja i telefonoi Departamentit të Shtetit dhe kërkoi të fliste me dikë që merrej me punët e Shqipërisë. Zëri i dridhej. I thanë se dikush do ta merrte pak më vonë. Pasdite, në telefon u paraqit Wesley Jones, zyrtar i sektorit të çështjeve evropiane, të cilit Charlotte i tregoi me hollësi se ç’kishte ndodhur. Folën për arkivat e legatës shqiptare dhe ajo i tregoi se ato, bashkë me vulat, i ishin dorëzuar me kohë ambasadës italiane. Në apartament, i tha, nuk ka asnjë objekt zyrtar të qeverisë shqiptare dhe të gjitha dokumentet e sendet e tjera janë pronë e tij personale.

Çertifikatën e vdekjes së Faikut me logon District of Columbia e firmosi Dr. Oden. Pasi shënoi vendlindjen e të ndjerit, Konitza, Albania, shkroi datën e lindjes, 15 prill 1876 dhe të vdekjes, 15 dhjetor 1942.

Disa nga gazetat e mëdha të Amerikës i kushtuan vdekjes së Faik Konicës nga një kolonë modeste. Meqenëse ai kishte tre vjet e ca që ishte shkëputur nga qarqet diplomatike, harresa kishte bërë punën e saj prandaj një pjesë e mirë e fakteve rreth të ndjerit ishin të pasakta. Një gazetë lokale e ngatërronte me të vëllanë, Mehmetin. Në New York Times ai përmendej më tepër si dramaturg dhe pastaj flitej për atë historinë e tij të çuditëshme me Ann Corion. Megjithatë, disa nga të vërtetat e njohura thuheshin. Washington Post-i përmendte, për shembull, “aftësinë e tij të shkëlqyer të të shprehurit” dhe “sensin e mrekullueshëm të humorit”.

Askush në shtypin amerikan nuk e kujtoi Faikun më bukur se sa kritiku i Sekretarit Hull, Drew Pearson në rubrikën The Washington Merry-go-Round:

“Një diplomat i vjetër dhe i vetmuar vdiq thuajse pa u vënë re në Uashington. Ai ishte përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të vegjël të Evropës, ndër të parët që u gllabëruan nga Boshti. Për 20 vjet, Faik Bej Konica bëri miq për vendin e tij të panjohur. Por papritur, në prill 1939, bota e tij diplomatike pushoi së ekzistuari kur Musolini, i cili po e ndiqte me lakmi pushtimin e Austrisë nga Hitleri, mendoi se tani ishte radha e Italisë dhe futi trupat në Shqipërinë e pambrojtur. Por ai qe i vetmi në Uashingtonin zyrtar që dukej i shqetësuar. Departamenti i Shtetit i zotit Cordell Hull nuk bëri asnjë lëvizje apo protestë. Konicës madje nuk iu dha as kortezia që të mbahej në listën diplomatike zyrtare, gjest që iu akordua vendeve të tjera të pushtuara. Në atë kohë, Departamenti i Shtetit ishte duke e përkëdhelur Musolinin dhe Shqipëria nuk kishte rëndësi. Ministri Konica e la hotelin Mayflower dhe u vendos në një apartament të vogël ku mbajti zi për shuarjen e vendit të tij. Atje, ai vdiq fare qetësisht.”

(Nga libri: Faik Konica, jeta në Uashington, botim i dytë, UET Press 2017)

December 15, 2017 15:40
Komento

8 Komente

  1. Lili December 15, 17:43

    Ketu kuptohet sa shume i dhemb amerikes per shqiperine edhe si e la nen komunizm

    Reply to this comment
  2. L.H December 15, 17:57

    A KA NGELUR NDONJE IDJOT PALE TE MENÇUR NUK KANE NGELUR ME TE THOTE SE NGA KONICA QE E KANE BERE SI ‘PERENI’ NE SHTETIN E SERNB SALISE—Sa libra ka lexuar qe ka per autor Konicen e si i kane titujt!!??

    Reply to this comment
  3. Guri Naimit D. December 15, 19:45

    Lukush punon e mendon per atdheun e;
    perjetesohet,si Dipllomati Faik Konica.

    I perjetshem emri dhe vepra e Faik Konices qe,pas te madhit F,S. Noli, ishte nder te paktit lene emer, ne dipllomavine shqiptare pas shpallies se pavarsise qe i dha perjetesi.
    Edhe pse kaluar 75 vite ndare nga jeta,bemat atdhetare te tij kujtohen.
    Lum kush punon per adheun e perjetesohet
    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  4. demo December 15, 20:48

    I munde Faik bej,i munde,i munde proletaret,..Mijra,miliona rreckamane,si mikrobet.
    Cpaten?C`paten me ty?Se te ishte per fashist,Faik beu protestoi ne nje fjalim ne Radion shteterore Amerikane,kunder pushtimit fashist te Mussolinit.Nuk dihet ku qe ne ate kohe fyelltari i minjve enver hoxha.Ca e kane pare me varganin e qiraxhijve te Zogut,ne makine me Mexhiden,qe arratisej nga Shqiperia,ca e kane pare neper kafenete e Korces ne 7 prill 1939.Asnje aktor kinematografie,asnje komeleon i Madagaskarit,nuk ka aftesi mutacioni,si proletaret.Enver Hoxha nga familjet me te rendomta te Gjirokastres,kamuflohej si borgjez nen patronazhin e kunatit te tij pasanik,Bahri Omari.U bente shoqeri bejlereve te rrethit te tij shoqeror,,Mu ne dyqanin e beut,me mallin e beut,luante kontrabanden.Ne dyqanin e “borgjezit” para dite vinin oficeret italjane,qe i pallonin Sanon,i benin xhiron e lokalit me Fernet Branka dhe konjak Cinzano.
    Po c`pati kurvi Gjylos me Faik beun?Nuk e mbaj mend per cfare e ka akuzuar!Ta kete akuzuar per fashist,per nazist?Per nazist nuk e besoj.Faik Konica vdiq ne 42.
    Per Zogist,po.Konica ishte ambasador i Zogut ne Washington,enver hoxha ishte sekretar i konsullates se Zogut ne Belgjike.Poooor, kurvnilluku i kyrvit nuk quhet.
    Konica mbante ne zyre portretin e Zogut,enveri mbante ne zyre portretin e Marxit.Te pakten keshtu e ka shkruar ne librat me kujtime.Erdhen me gjeten portretin e Marxit ne zyre dhe me pushuan nga puna.Dicka ka rrjedhur nga ca para qe i vodhi te bijes se konsullit.I shkuan karabinieret italiane ne dyqan per kontrabande.:-Ndoshet ketu enver hoxha?Po,-tha kurvi,prit sa ta therras,dhe doli nga dera e pasme.
    Strehimet i ka patur gjithmone me dy dyer,si strofa skiles.edhe dyqanin,edhe bazen ilegale te Bahri Omarir,edhe shtepine ne Bllok,edhe zyren ne Komitetin Qendror te PPsh.me tunele qe te nxirrnin ne Dajt-thone.Der ne Dajt nuk e besoj,por edhe sikur ne hale te Lanes,boll eshte per miun e qelbur te haleve enver hoxha.
    Ky Dashi me kembore i fisnikerise shqiptare,dere bejleresh den baba den,nga Konica e Molloseve te Epirit me saraje te lashta,me oxhak te larte.Kur Ali Tepelena ishte nje hajdut rrugesh,bejleret e Konitces mbreteronin ne Mollosi.Kete e bene gabim bejleret e Konitces.I dhane per grua nje calamane merhumit Veli Myftari,qe u be Hanko qe polli Ali Veliun antishqiptarin.Kopilat jane te rrezikshem.Tre kopila kane marre ne qafe Shqiperine.Ali Tepelena,qe Hanko e kishte me Caush Hormoven.Enver Hoxha,qe Gjylo e kishte me bymbashin turk te Gjirokastres,qe quhej edhe ai Halil,prandaj enverin ne Gjirokaster e therrisnin:enveri i dy Halileve dhe i fundit kopili i Sheqeres Sali Berisha qe Sheqerja e zuri me mikun e Rames,partizanin malazes Vuk Karaxhic.

    Reply to this comment
  5. Plaku Xhuxhumaku December 15, 22:22

    Shof aty ne sfond nje portret te Mbretit Zog. Konica shqiptar i vertete.

    Reply to this comment
  6. Arberia December 15, 22:56

    Faik Bej Konica ishte mjeshter i madh i fjales shqipe; por fjalet e bukura i leshonte per ate qe paguante me shume!
    Vdiq si nje kone e hajdutit, kriminelit dhe tradhtarit te atdheut dhe popullit shqiptar, Ahmet Zogu. Sado i talentuar ne levrimin e penes, Konica nuk e meritonte t\ varrosej prane “Tre Martireve te popullit Shqiptar: Abdyl, Naim dhe Sami Frasheri.

    Reply to this comment
  7. Hyske December 15, 23:30

    “Në atë kohë, Departamenti i Shtetit ishte duke e përkëdhelur Musolinin dhe Shqipëria nuk kishte rëndësi.” Genjeshter! thua ketu o kalemxhi shqiptar qe ha buken e Amerikes, dhe vazhdon me fjale pa pike sensi, psh., “Ministri Konica e la hotelin Mayflower dhe u vendos në një apartament të vogël ku mbajti zi për shuarjen e vendit të tij. Atje, ai vdiq fare qetësisht.” i paturbulluar nga zia? Hajde kalemxhi a dallkauk qe e mbyt veten me nje pike uje duke bere tregeti me tituj librash te cilrt permbajne fjale por jo esence….mjere historia ne duart e kujt ka rene per tu shkruar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*