Fotot e viktimave dhe kronologjia e krimeve

February 4, 2016 10:01

Fotot e viktimave dhe kronologjia e krimeve

Ende nuk ka një version zyrtar se pse ndodhi vrasja e trefishtë mbrëmjen e shkuar në Elbasan. Nga krimi humbën jetën shtetasit Ardit Sinakolli, 27-vjeç, Agron Çapja 50-vjeç dhe Eno Bedalli 37-vjeç teksa ishin në lokal në Elbasan.

Masakra ndodhi kur katër autorë të veshur me uniforma policie qëlluan me breshëri automatiku drejt lokalit njëkatësh, i cili ndodhet në krah të rrugës nacionale Elbasan-Librazhd, pranë vendit të quajtur “Ura e Bakallit”.

viktimat

Versioni i hasmërisë

Në dhjetor të vitit 2005, biznesmeni Sokol Çapja vritet në një lokal pranë Universitetit të Elbasanit. Në atë kohë në mesin e të akuzuarve ishte edhe Gentian Beqiri, i njohur edhe si Ardian Meta, i cili u vra në gusht 2012.

Asokohe u dyshua se autorët e vrasjes së Çapjas ishin 3 persona të armatosur dhe me maska. Sokol Çapja vdiq gjatë operacionit. Autorë të atentatit ishin shtetasit Dritan Sheme, Armando Hasani dhe Ardian Meta.

Por pas kësaj vrasjeje, oficeri i policisë rrugore, Fadil Mema, u plagos me armë në këmbë nga një atentat të ngritur nga dy persona. Atentati ndodhi në afërsi të shtëpisë së tij.

Asokohe familja Çapja kishte akuzuar Memën si organizator të atentatit, pas një konflikti që kishte pasur oficeri me Sokol Çapjen. Pas kësaj plagosje, policia ndaloi një nga nipat e Sokol Çapjes dhe një tjetër person. Por prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës.

Kohë më pas në dyqanin autoshkollë të Fadil Memës vritet kunati i tij, Ardian Ibrahimi. Për këtë ngjarje policia nuk mundi të identifikojë dhe të kapë autorët e saj.

Fadil Mema, u largua nga detyra dhe Shqipëria. Në mars të vitit 2015, ai u qëllua për vdekje ndërsa po kthehej nga puna, në Torino të Italisë, duke shpërndarë gazetat.

Fadil Mema ka qenë kandidat për deputet i Partisë Social Demokrate në Elbasan, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.

Po kjo histori nuk përfundon këtu. Katër vjet më parë, u vra Gentian Beqiri së bashku me të atin Nezir Beqiri.

Gentian Beqiri ishte një nga të akuzuarit si autor i vrasjes së Sokol Çapjes. Prokuroria në atë kohë akuzoi për vrasjen e dyfishtë Florenc Çapjen, megjithëse deri në fund të procesit nuk arriti të provojë implikimin e tij, shkruan Panorama.

Florenc Çapja është njëri prej të plagosurve në masakrën e djeshme në Elbasan.

 

February 4, 2016 10:01