FOTOT / Si duket sheshi “Skëndërbej” 5 ditë para hapjes

June 5, 2017 17:55

FOTOT / Si duket sheshi “Skëndërbej” 5 ditë para hapjes

E shtuna e ardhshme do jetë një ditë feste në Tiranë. Bashkia e Tiranës përmes një ceremonie të veçantë do të bëjë hapjen e sheshit “Skënderbej”, i cili do të jetë tërësisht në dispozicion vetëm të këmbësorëve. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ftuar sot qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj ceremonie për tiu gëzuar të gjithë sëbashku një prej projekteve më të rëndësishme që simbolizon tashmë gjithë trevat shqiptare.

 “Nga data 10, ditën e shtunë, në 19.30 i kthehet qytetit, hapësira më e madhe për këmbësorë, për fëmijët që duan të luajnë me biçikletë, me patina, për gjyshërit, gjyshet. Çdo njeri është i ftuar në hapjen e sheshit Skënderbej se është sheshi i të gjithë shqiptarëve, nuk është vetëm i qendrës së Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi që zhvilloi me banorët e Njësisë 11. Ai bëri të ditur se ashtu si sheshi “Skënderbej” sot është një mozaik i gurëve nga të gjithë trevat shqiptare edhe hapja e tij do të jetë e tillë që të përfaqësojë të gjitha krahinat shqiptare. “Do të kemi shumë shqiptarë që do të vijnë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia dhe besoj që do të kemi mundësi që më në fund t’i kthejmë dinjitetin qendrës së qytetit”, bëri të ditur Veliaj.

 Ceremonia është menduar të jetë në formën e një feste të vërtetë ku nuk do të mungojnë simbolikat kombëtare dhe ato të trevave të ndryshme shqiptare, ku sheshi “Skëndërbej” do kthehet në skenë të gjithë folkun shqiptar. Sheshi “Skënderbej” krijon hapësira ndërveprimi midis qytetarëve dhe mjedisit publik dhe simbolikisht ai është kthyer në një shesh qendror të të gjithë shqiptarëve.

Elementët kryesor të këtij sheshi janë gjelbërimi, gurët natyral, uji që do të përdoret për shatërvanët dhe vaditjen për pjesët e gjelbëruara dhe ndriçimi i godinave rreth e qark sheshit dhe të vet sheshit. Sheshi është shtruar gurë natyralë në formën e pllakave të gurit me trashësi 10-12 cm dhe që janë marrë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit etj. E gjithë sipërfaqja e shtruar me këto gurë arin në rreth 41 mijë m2 sipërfaqe sheshe dhe trotuare.

 Një element shumë i rëndësishëm i këtij sheshi është edhe gjelbërimi. Ky projekt ka sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Sipërfaqet e gjelbërta do të mbillen me rreth 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh. Një risi tjetër për vendin tonë e këtij sheshi është këndvështrimi ekologjik i tij duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Për të bërë të mundur këtë poshtë sheshit janë ndërtuar rreth 2100 m3 rezervuare për ujin. Ajo që vjen si risi në krahasim me projektin që zbatoi bashkia e mëparshme është se tashmë sheshi nuk është konceptuar më si një rotondo për makinat por si një qendër e vërtetë e qytetit dhe jo vetëm.

 E gjithë zona rreth Muzeut Kombëtar ka disa minisheshe dhe parqe të vegjël që krijojë mjaftueshëm hapësirë për intimitet dhe për aktivitete publike më të vogla, por sigurisht dhe pjesa qendrore për të siguruar ato hapësira më të mëdha që do të shërbejnë qoftë për tubime politike apo artistike, apo festa kombëtare. Nga një raport 85% hapësirë e ngurtë me 15 % hapësirë e gjelbër projekti i ri e kalon sheshin në një raport 50% me 50%. Pra është rritur me 35% hapësira e gjelbër në shesh. Tjetër risi është padyshim fakti që sheshi nuk është më i lejueshëm për makinat por përfshi edhe zonat përreth do kthehen në pedonale. Një element tjetër i shtuar sheshit është edhe parkimi i parë publik nëntokësor. Ai ka një kapacitet prej 358 makinash dhe përveç parkimit do të ofrojë edhe mundësi për karikimi për makinat që funksionojnë me energji, kjo si një mënyrë për të stimuluar makinat ekologjike.

 

June 5, 2017 17:55
Komento

2 Komente

  1. Arber Iliri June 6, 01:04

    Uau, impresionuese, ta gezoni sheshin “Skernderbej ” shqiptare te te gjitha trojeve.Pune e shkelqyer.Urime

    Reply to this comment
  2. Niknejm June 6, 16:33

    Cili eshte kodi i veshjes, çizme apo speedos?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*