Franca mes Demokracisë dhe Ekstremit të Djathtë

May 6, 2017 12:27

Franca mes Demokracisë dhe Ekstremit të Djathtë

Për herë të parë, Franca ka çuar drejt raundit të dytë presidencial, dy kandidatura jashtë sistemit tradicional politik. Jashtë së majtës dhe së djathtës, konkurrimi mes të cilave, ka përbërë kolonën e demokracisë moderne. Pas rreth dy shekujve ekzistencë, duket se dobësia e tyre, jo vetëm në Francë, por edhe në Evropë ka ngritur pikëpyetje të mëdha. Pikëpyetje, që kanë shkaktuar reflektim mbi mbylljen e një cikli tradicional dhe hapjen e një faze të re.

Zgjedhjet presidenciale në Francë, po dëshmojnë një tërmet të sistemit politik tradicional, të majtë dhe të djathtë, nën efektin e rrethanave dhe kushteve evropiane dhe neo-liberale. Nga njëra anë, ajo që po vëzhgohet është se kufijtë neoliberalë të së djathtës, por edhe të së majtës janë bashkuar rreth Makrosë, përfaqësues i qendrës, neoliberal, eurofil dhe pro imigracionit.

Në anën tjetër, në skajet ekstreme të së djathtës dhe së majtës, janë konfirmuar lëvizje të forta pro- sovranitetit, mbrojtës të pa-kompromis të klasave popullore nga efektet e globalizimit financiar.

E vetmja gjë që i ndan është qasja ideologjike ndaj imigracionit.

Ekstremi i djathtë, e ka shpallur Armik imigrantin. Fajtor për të gjitha padrejtësitë, që po përjetojnë në kurriz klasat popullore. Në thelb, arsyeja lidhet me një programim të detajuar të Frontit Nacional, për të ngjallur urrejtjen në bashkëjetesën e nevojshme të francezëve të origjinave të ndryshme. Programim, që vë në rrezik dhe minon mundësinë e integrimit të tyre në shoqërinë franceze.

Por, kriza ndaj sistemit tradicional të përfaqësimit politik në Francë, do t’i shfaqte shenjat e saj me tërmetin, që do të shkaktonin zgjedhjet presidenciale të vitit 2002. Kur, teksa Zhan Lë Pen kandidonte përballë të majtit Lionel Zhospen dhe të djathtit Zhak Shirak, ai do të shkualifikonte gjatë raundit të parë, kandidaturën socialiste, duke shkuar drejt raundit të dytë përballë Shirakut.

Dhe këto do të ishin zgjedhjet, që konfirmuan për herë të parë krisjen e skemës klasike dypartiake, me një rezultat që do të trondiste, pasi politika ekstremiste e të dy krahëve kishte arritur një nivel rekord votuesish, afërsisht 30% të votave dhe abstenimi së bashku me votat e shpallura të pavlefshme, kapnin nivelin prej 31%.

Ky do të ishte dhe viti i nisjes së refuzimit ndaj partive klasike, ku një pjesë e mirë e votuesve filluan të pozicionohen jashtë sistemit politik. Por, është pikërisht ky vit që konsiderohet edhe si viti i dobësimit të pushtetit presidencial, pasi gjithnjë e më shumë në sytë e francezëve shefi i shtetit po shfaqej tërësisht i pafuqishëm përballë globalizimit ekonomik dhe gjithnjë e më shumë i vendosur në një kornizë shtrënguese normash, nga Bashkimi Evropian.

Por, kriza në vijim, vetëm do të thellohej.

Zgjedhjet e vitit 2007 konfirmuan Sarkozinë në krye të shtetit. Një kandidaturë, që vlerësohet se ka arritur të dëmtojë në mënyrë të konsiderueshme funksionin presidencial. Kjo për arsye të daljes nga korniza zyrtare e një figure të tillë shtetërore, dhe futja në një kuadrat të rëndomtë banalitetesh, ekzagjerimesh, dhe mbi të gjitha marrëdhënies së tij skizofrenike me paranë.

Dhe jo rastësisht, ai do ta paguante këtë gjatë ri-kandidimit të dytë, teksa për herë të parë nën Republikën e V-të, sfiduesi i presidentit aktual në garë, do ta mundte atë që në raundin e parë. Por, edhe Holond, u konsumua si rrallëherë brenda mandatit të tij të parë, nga një sërë skandalesh. Skandale, që do ta çonin nivelin e popullaritetit të Presidentit francez, në përqindjen më të ulët të njohur ndonjëherë historikisht.

Është kjo marrëdhënie skizofrenike me paranë, që shfaqet rëndom në klasën politike franceze ku, përveç së majtës dhe së djathtas, spikasin edhe figurat e ekstremeve. Lë Pen gëzon pasuri
të trashëguar, përtej abuzimeve tashmë në inkuadrim hetimor! Por, edhe Ai, radikali i majtë(!), rebeli, refuzuesi i elitave politike, i panënshtruari, mbrojtësi i proletariatit dhe i klasave popullore, Mesheloni, gëzon një pasuri prej 1.2 milionë eurosh!

Për filozofin francez Brykner, Franca po ashtu si edhe shumica e vendeve katolike vuajnë, nga një raport, rrënjët e të cilit shtrihen thellë në trashëgiminë fetare të një kishe katolike të joshur nga luksi, nga paraja, shfrenimi në shpenzime, korrupsion dhe trafik influencash. Element, që e dallon ndjeshëm nga protestantizmi, pikërisht nga raporti më i shëndetshëm që ky i fundit ka krijuar me paranë, duke e bërë kësisoj më të ndjeshëm ndaj problemeve të korrupsionit. Çështja Fijon, sipas Bryknerit nuk mund të prodhohej kurrsesi në Skandinavi, jo se korrupsioni nuk ekziston atje, por se nuk kemi një tolerancë të njëjtë të opinioneve publike!

Populizmi

Dhe në këtë klimë, ku besimi ndaj klasës tradicionale politike është shembur, dhe partitë sidomos ato social-demokrate janë dorëzuar në gjetjen e alternativave ndaj globalizimit neoliberal, kemi edhe një reagim në rritje ndaj këtij pozicionimi, rritjen e populizmit.

Dorëzimi politik ka sjellë si pasojë, gjetjen e një shtegu të paqtë për to. Arritjen e konsensusit! Konsensus mes krahëve të kundërt politikë, që në thelb duhet të kenë ndryshime të thella ideologjike dhe programore. Ata tashmë janë përafruar! Drejt qendrës. Përafrimi ka sjellë edhe zhdukjen e këtyre ndryshimeve thelbësore mes tyre. Të majtët dhe të djathtët, mund të ri-gjenden në një platformë të përbashkët qeverisje, edhe pse përplasjet ideologjike janë të thella! Si rrjedhojë edhe qytetari nuk ka më mundësi zgjedhjeje. Demokracia për momentin ka ndryshuar formë. Nga shumë dimensionale, është bërë e njëtrajtshme, pa alternativa thelbësore.

Ky terren, ka bërë që të lindin lëvizje të reja. Dhe dalja e tyre, i ka kapur të papërgatitura partitë tradicionale. Pse ? Sepse, në thelb iu kanë prishur konsensusin !

Një tjetër arsye, e fuqizimit të partive populiste, është edhe fakti se partitë social-demokrate, kanë braktisur ideologjinë e tyre bazë, kanë braktisur interesin dhe vullnetin për të përfaqësuar klasën punëtore. Votuesit e Lë Pen në Francë shtrihen në skajet e kufijve të zonave urbane, dhe i përkasin kategorive më të dobëta dhe më të prekura të shoqërisë, duke përmbledhur qytetarët me arsim të ulët dhe të mesëm. Pra, janë shtresat dhe kategoritë, që duhet t’i përfaqësojnë social-demokratët. Por, ata i kanë braktisur ! Pse ? Sepse janë dorëzuar ! Ky dorëzim pa kushte, i ka bërë të mos kenë as kurajën të ofrojnë të paktën në retorikën e tyre politike, një inkurajim, një skenar për përmirësimin e jetës së tyre.

Pasi kanë humbur, këto shtresa janë tradhtuar nga përfaqësuesit e tyre politikë. Të braktisur, janë hedhur vit pas viti në krahët e Lë Penit. Dhe Lë Pen i ka pritur krahëhapur! Edhe pse e profilizuar me një deficit të madh ndjeshmërie dhe aftësi për futje në lëkurën e tjetrit, ajo ka arritur t’i kuptojë plotësisht dhimbjet e tyre! U ka shpjeguar edhe se, kush ishin përgjegjës për këtë situatë. Imigrantët ! Në këtë terren pjellor, që e furnizonte vazhdimisht e majta me braktisjen e elektoratit të saj, Lë Pen u fuqizua në një kuadrat demokratik, por me mjete aspak të tilla. Ajo ka mbjellë farën e urrejtjes dhe të ksenofobisë. Farën, që gërryen në mënyrë të ngadaltë çdo shoqëri.

Dhe e majta, teksa i ka braktisur këto shtresa, ka vështirësi në pozicionim ndaj tyre. Nuk po di të mirë-pozicionohet. Të paktën, të mos i bëjë akoma edhe më shumë armiqësore ndaj saj. E majta vazhdon t’i godasë ato, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme. I godet moralisht, duke i akuzuar ato indirekt si fashistë, ksenofobë dhe racistë, teksa akuzon përfaqësuesen e tyre politike, Lë Pen, si të tillë. Por, ndoshta është edhe e vetëdijshme! Kjo, pasi janë një sërë studimesh, që konfirmojnë tendencën se, tashmë Partia Socialiste franceze është orientuar drejt një elektorati përfaqësues i shtresës së mesme, si edhe ka një përqendrim konstant ndaj fuqisë gjeneruese, që prodhon imigracioni.

Sondazhet në Francë favorizojnë kandidaturën e Emanuel Makro. Edhe pse nuk dihet ende se, si mund të ndikojë dhunimi i korrespondencës elektronike së Makrosë dhe ekipit të tij dhe publikimi i tyre në internet. Por, ajo që po vërehet jo vetëm në Francë, por edhe në një sërësh vendesh evropiane është një ikje nga profilizimi klasik i konkurrencës politike mes së majtës dhe së djathtës dhe shkuarja drejt një profilizimi ku po përplasen rryma, lëvizje apo edhe aleanca mes dominimit për Sovranitet, nacionalizëm, mbyllje ndaj Evropës, mbrojtje të kategorive më të dobëta të shoqërisë dhe klasave popullore dhe dëshirës për dominim Liberal, që synon hapjen ndaj botës, ndaj kapitalit, mallrave, njerëzve dhe nxitjes së bashkëpunimit të thelluar në nivel evropian. Ndoshta do të duhet ende kohë, për të konfirmuar mbylljen e një cikli tradicional politik dhe hapjen e një faze të re.

Im.Ta.

DITA

May 6, 2017 12:27