Francë, gjykata trondit shpresat e Sarkozy për Presidencialet 2017

May 8, 2015 01:31

Francë, gjykata trondit shpresat e Sarkozy për Presidencialet 2017

Magjistratët u kanë dhënë një goditje të rëndë shpresave të ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy, për të garuar për President në vitin 2017, pasi vendosën këtë të enjte se autoritetet e drejtësisë kishin vepruar në mënyrë legjitime në përgjimin e telefonit të tij, si pjesë e një hetimi për akuzat e influencimit të paligjshëm.

Aleatët e Sarkozy kanë qenë besimplotë se gjykata do ta deklaronte përgjimin si të papranueshëm dhe do t’i hapte kështu rrugën atij për të synuar kandidaturën e konservatorëve në Presidencialet e vitit 2017, pa pasur çështje të hapur gjyqësore ndaj tij. Gjithsesi, magjistratët e miratuan masën si pjesë e hetimeve për financimin e fushatës zgjedhore të Sarkozy në zgjedhjet e vitit 2007.

Sarkozy, nga ana e tij, e ka krahasuar përgjimin e vitit të kaluar si një veprim përgjimi masiv të ngjashëm me policinë sekrete gjermane të “Stasi”-t, në periudhën e ish-Gjermanisë Lindore komuniste. Ndaj, kishte mohuar çdo paligjshmëri në fushatën e tij.

Avokatët e tij mbrojtës deklaruan se do të apelonin ndaj këtij vendimi, por kjo gjë nuk do të ndalë rifillimin e hetimeve mbi akuzat e korrupsionit dhe influencimit, bëri të ditur një burim i gjyqësorit.

Lajmi vjen vetëm 3 javë përpara se të nisë punimet një kongres i rëndësishëm i partisë, si dhe dy ditë pasi udhëheqësit e UMP-së vendosën të ndryshonin emrin, në favor të “Republikanët”. Disa mbështetës të partisë thanë se vendimi i magjistratëve mund të jetë i motivuar politikisht.

Ish-presidenti nuk ka reaguar ende ndaj vendimit të gjykatës, por ndihmësit e tij thanë se ai është “i palëkundur dhe i vendosur”. Sarkozy, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 kundrejt socialistit Francois Hollande, është rikthyer në politikë që prej fundvitit të kaluar përmes mposhtjes së shumë rivalëve të partisë së tij, përpara se të forconte kryesimin e UMP-së me fitoret në zgjedhjet lokale të Marsit. Gjithsesi, kërcënimet mbeten aty.

May 8, 2015 01:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*