Francezë në Tomorricë, një shekull më parë

Mark Brunga February 16, 2015 16:08

Francezë në Tomorricë, një shekull më parë

Lufta e Parë Botërore ka qenë një nga luftërat më shkatërruese të njerëzimit, me pasoja të rënda edhe për Shqipërinë. Po si kudo, edhe në mes të ushtarëve të ardhur me shërbim luftarak, mes gjithë atyre betejave vdekjeprurëse që janë zhvilluar, nuk ka munguar humanizmi. Nëse ushtritë kundërshtare përplaseshin në beteja gjakderdhëse mes njëra-tjetrës, nuk janë të pakta edhe rastet e humanizmit me popullsinë civile shqiptare, të shfaqura nga ushtarakët e huaj. Kujtimet e mjaft ushtarakëve ndërkohë tregojnë se u vinte keq për nivelin e varfërisë së tyre dhe të prapambetjes kulturore që kishin trashëguar, si dhe sjellin kujtime për kurimet që u kanë bërë atyre, shumë prej të cilave nuk as nuk i imagjinonin dot, për shkak se nuk e kishin kapërcyer kurrë kufirin e fshatit dhe nuk kishin asnjë njohuri mbi mjekësinë moderne që kishin vendet e zhvilluara europiane. Si shkak për nismën e këtij shkrimi ka shërbyer një punim artistik i skulptorit të mirënjohur durrsak Idriz Balani, i cili në studion e tij po punon një vepër monumentale për trupat franceze në Luftën e Parë në Korçë. Kur i shkova në studion e tij, pashë se aty ndodhej edhe një libër i Luan Ramës, “Bonjour D’Albanie (Shkrime nën hijen e bombave) me autografin e autorit. Duke shfletuar librin historik, kushtuar ushtarëve francezë që ranë në tokën shqiptare, të bazuar kryesisht në informacionin interesant të marrë nga letrat e ushtarëve francezë të dërguara në familjet e tyre nga fronti i luftës, të shfaqen tablo të paimagjinueshme për kohën e sotme, por që janë tmerrësisht të vërteta dhe të rënda. Përveç subjekteve mbresëlënëse që sillte libri i Luan Ramës, mes fletëve të të cilit veçova të sjell në vëmendje kapitullin “Lamtumira e shqiptares së plagosur”, përshkrimi nuk lejon të të ikin lehtë nga kujtesa, të vrarët dhe viktimat civile, të cilat shpeshherë ishin edhe gra…

mjeke ushtrake ne operacionShqetësimi i ushtarakëve për viktimën civile

Historia prekëse vjen nga ditari i hollësishëm i sanitarit ushtarak Jean – Louis Beaufils. Episodi i përket datave 8 deri më 10 shtator të vitit 1918. Duke udhëtuar me stërmundim në zonat e panjohura operacionale të Tomorricës, afër një banese ai ftohet për të hyrë brenda dhe në një dhome të errët që mezi ndriçohej nga një fener, dallon një grua të shtrirë. E zbehtë dhe me sytë që i shkëlqenin nga zjarrmia e etheve, francezi dallon dorën e saj të lidhur me zhele të pista. Ai konstaton një plagë të tmerrshme plumbi që i kishte shkërmoqur dorën e cila i kullonte gjak dhe qelb. Pasi ia pastron dhe ia lidh përsëri me kujdes, ai konstaton se ajo duhej prerë dhe nuk kishte asnjë lloj kurimi tjetër. Po dhe kjo, nëse do të premtonte koha në raport me përparimin e sëmundjes gangrenizuese në kyçin e dërmuar nga plumbi. Sanitari ushtarak francez i prekur nga fati i keq që kishte goditur këtë grua të gjorë, i premton se do të përpiqej që ta ndihmonte. Ai shkruan: “I dhashë kurajo dhe e lashë të kuptonte se do të lajmëroja doktorin-shef që ta transportonin në ambulancën e të plagosurve tanë. Sytë e saj mirënjohës më thonin se ndjehej e kënaqur që më së fundi po ndihmohej”. Po mjeku ndesh edhe në një surprizë tjetër të pakëndshme. Pas debateve mes burrit të viktimës së plagosur dhe një pjesëtareje të familjes, burri lejon që t’i tregohet plaga që ka viktima në kofshë. Gruaja vetë nuk do të kishte guxuar që t’i tregonte plagën në atë vend që konsiderohej si tepër intim. Mjeku i huaj e kupton këtë. Ai përshkruan se si plaga në këmbë dukej pak si më e lehtë, por ishte e gangrenizuar. Ai shkruan në ditar: “Pasi e dezinfektova dhe i lidha plagën, e pyeta atë grua që duroi gjithë kurajo se si ishte plagosur. Ishte plagosur nga një plumb francez të ushtarëve që ndiqnin armikun, aty pranë burimit ku ajo po mbushte ujë. Plumbi i kishte depërtuar kyçin e dorës dhe i kishte hyrë pastaj në kofshë…”. Beaufils tregon se si u nis me zemër të dhimbsur nga mjerimi i tyre. Kur mbërrita, shkruan ai: “Telefonova menjëherë, duke kërkuar që për hir të humanizmit, atë grua ta transportonin, madje që këtë natë”. Episodi i fundit i përket 10 shtatorit 1918. Datë kur urdhri për të shkuar dhe për të marrë gruan e plagosur i shkoi repartit që në mëngjes. Mjeku e përshkruan dramatikisht momentin kur arritën në fshat dhe i shoqi nuk donte që t’i lejonte ta merrnin, nisur nga zakoni patriarkal mesjetar: “Nisemi menjëherë. Sapo pa vigun, burri i saj doli përpara të na pengonte. Nuk donte që ta merrnim nga fshati. Dilte përpara si për ta mbrojtur atë. E shkreta grua, i fliste dhe i lutej që ta linte të shpëtonte. Ai na shihte me sy lutës. S’mund të hezitonte më. Me shumë kujdes, gruan e vendosëm në vig. I bëra shenjë burrit të saj që të na ndiqte…Kur majori e pa dhe ndjeu erën e plagës, menjëherë bëri një shkresë për ta evakuuar. E vendosëm në një vig tjetër dhe mbi mushkë, pas 5-6 orësh ajo do të mbërrinte në ambulancën ushtarake. Në çdo shkundje tregohej martire e vërtetë. Pastaj i dhashë një “eliksir”, një ilaç qetësues. Më tha lamtumirë, duke afruar dorën time tek buzët e saj. Me vigun mbi shpinë ne u kthyem pastaj në llogoret tona me mendime të trishta”.

Operimi i të plagosurës

Më 13 shtator ushtaraku francez shkruan në ditarin e vet se sapo kishte mësuar se në ambulancën ushtarake, shqiptares së plagosur i ishte prerë këmba dhe kofsha. “E mjera grua. A do të mbijetojë. Burri dhe djali i saj e kishin ndjekur nga pas. Tani do ta çojnë në spitalin e Korçës…”. Ndërsa më datën 14 përsëritet e njëjta situatë po në përmasa më të mëdha. Komandanti i batalionit e nis në fshat me 2 ushtarë për të ndihmuar një tjetër grua të pamundur, ndërkohë që fshati ka marrë urdhër që të evakuohet. Gjatë kësaj periudhe ata ndihmojnë fshatin për t’ua lehtësuar dhimbjen. Gratë në kapërcimin e përrenjve, fëmijët në kalimet e rrezikshme duke i marrë në krahë. Gjatë kësaj tabloje eksodi të fshatit ai tregon se ka takuar edhe vajzën që kishte qenë në shtëpi pranë të plagosurës. Mjeku ka marrë informacion për përmirësimin e të sëmurës dhe e informon atë: “Në sytë e saj pikasa një pyetje të dhimbshme. Iu afrova për t’i bërë të njohur se mikja e saj ishte mjekuar mirë nga doktorë të vërtetë. Mund ta shikonte shumë shpejt në spitalin e Korçës. Ajo më falënderoi me një buzëqeshje të dhimbur, duke çuar dorën e sajë të djathtë në kokë dhe në zemër”. Kështu shkruan në kujtimet e veta sanitari i ushtrisë franceze dhe çdo koment i mëtejshëm mbase është i tepërt…

Mark Brunga February 16, 2015 16:08
Komento

2 Komente

  1. Pëllumb zaimi February 16, 21:32

    Mali i Ostrovicës i cili ka disa kalime nga Tomorrica për në Korçë ka dy maja mali kryesore,- Saraqinën dhe Çukën e Frëngut. Çuka e Frëngut e ka marë emrin në atë periudhë për të cilën flet autori Mark Brunga. Aty “ngriu nga dimri i ashpër” një batalion francez. Kështu tregonin gjyshrit tanë, me fshat e shtëpi pak më poshtë rrëzës së Çukës së Frëngut! Midis Saraqinës dhe Çukës së Frëngut është “Kroi Mbret”(rreth 2200 m.lartësi mbi n.d). Emrin e mori po nga Francezët për shkak se aty merej ujë për gruan e sëmurë të të parit shtetar francez të asaj kohe! Po pive aty ujë, nuk largohesh dot më,- pasi të jesh larguar 50 metra të mer etja përsëri! Nga Kroi Mbret buron “lumi i gurrës”, i cili përfund fshatit Backë, pranë Staraveckës bashkohet me trungun kryesor të Osumit! Nderime autorit për historinë prekëse që tregon! Tung!

    Reply to this comment
    • Pëllumb zaimi February 16, 21:36

      @@@ Mali i Ostrovicës i cili ka disa kalime nga Tomorrica për në Korçë ka dy maja mali kryesore,- Saraqinën dhe Çukën e Frëngut. Çuka e Frëngut e ka marë emrin në atë periudhë për të cilën flet autori Mark Brunga. Aty “ngriu nga dimri i ashpër” një batalion francez. Kështu tregonin gjyshrit tanë, me fshat e shtëpi pak më poshtë rrëzës së Çukës së Frëngut! Midis Saraqinës dhe Çukës së Frëngut është “Kroi Mbret”(rreth 2200 m.lartësi mbi n.d). Emrin e mori po nga Francezët për shkak se aty merej ujë për gruan e sëmurë të të parit shtetar francez të asaj kohe! Po pive aty ujë, nuk largohesh dot më,- pasi të jesh larguar 50 metra të mer etja përsëri! Nga Kroi Mbret buron “lumi i gurrës”, i cili përfund fshatit Backë, pranë Staraveckës bashkohet me trungun kryesor të Osumit! Nderime autorit për historinë prekëse që tregon! Tung!

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*