Franga zvicerane, euro dhe ndikimi mbi ekonominë tonë

Edlira Shehu January 22, 2015 15:20

Franga zvicerane, euro dhe ndikimi mbi ekonominë tonë

Ditët e fundit bursa ndërkombëtare është tronditur nga veprimi i Bankës Qendrore të Zvicrës (SNB) për të hequr kufirin fiks të këmbimit të frangës me euron. Kjo solli në mënyrë të papritur një lëvizje të çakorduar të tregut, pasi franga në mënyrë të menjëhershme u rrit 30 për qind ndaj euros. Si erdhi ky vendim? Çfarë ndikimi sjell në politikën ekonomike? Po ulja e çmimit të naftës dhe në mënyrë të natyrshme rritja e vlerës së dollarit, sjell një krizë tjetër në tregun global? Çfarë ndikimi do të sjellë kjo për vendin tonë, kur ne jemi të hapur ndaj tregut evropian? Të gjitha këto pyetje janë ngritur në mënyrë të vazhdueshme këto ditë dhe shumë analiza flasin për një rrezik të ri për vendet e zonës Euro, pasi nuk përjashtohet mundësia e zhvlerësimit të kësaj monedhe.

Çfarë ka ndodhur realisht?

Banka Qendrore Europiane deri në fund të muajit fillon aplikimin e asaj që quhet Quantitative Easing (Lehtësim Sasior), të cilin do ta shpjegojmë pak më poshtë. Vendimi pritet të merret sot nga Këshilli i kësaj banke. Kjo pritet të sjellë një zhvlerësim të euros. Për rrjedhojë investitorët që kanë shumë gjendje euro, do të tentojnë që këto ditë në tregjet financiare të ndryshojnë pozicion, duke shitur euro që janë akoma më lart nga çfarë mund të jenë pas dy javësh, duke blerë valuta të tjera të qëndrueshme që janë dollari, franga, stërlina etj.

Duket se SNB ka krijuar një gjendje paniku në krahasim me bankat e tjera qendrore duke menduar që pjesa më e madhe e këtyre parave të drejtohet drejt frangës zvicerane, duke i qëndruar logjikës së një vendi evropian me ekonomi të stabilizuar. Në këto kushte rritja e kërkesës do të rrisë vlerën e frangës, duke e bërë më të fortë karshi euros. Në këtë mënyrë SNB do ti duhej të ndërhynte në treg duke blerë gjithë sasinë e eurove që presupozohej që do të hynte në tregun zviceran, me qëllim pakësimin e monedhës evropiane në treg, me qëllim ruajtjen e çmimit të frangës sipas kursit të shënjestruar (1 euro = 1.20 Franga).

Për ta bërë këtë duhej të sa më shumë duke harxhuar të gjitha rezervat valutore në euro. Duke e parë si rrezik, Banka Qendrore Zvicerane ka hequ dore nga kursi i shënjestruar duke e lënë frangën të kalojë në regjimin “free float”, pra kursi i këmbimit përcaktohet lirshëm nga kërkesë –oferta. Në këtë mënyrë SNB nuk i duhet të ndërhyjë në treg që të blejë me detyrim e të shpenzoje rezervat valutore, me qëllim ruajtjen e kursit të këmbimit të shënjestruar. Pra i kanë paraprirë një vendimi për të mos mbajtur kostot e mundshme mbi vete, por t’ua shpërndajnë të gjithë operatorëve të tjerë.

A janë frikësuar më shume se c’duhet…. A do të vijë gjithë ai fluks eurosh drejt investimit ne frange apo jo??? Ky është debati që po bëhet sot …A ka qenë i nxituar vendimi i SNB apo jo … A u krijoi kosto investitorëve kjo lëvizje e papritur? Kjo është ende për tu diskutuar. … Por një gjë është e sigurtë, besimi i investitorëve tek SNB ka rënë. Ky është opinioni i të gjithë specialistëve të ekonomisë.

Çfarë është “Quantitative Easing”?

“Quantitative Easing” është një instrument i Politikes Monetare që përdoret shumë sidomos në 10 vjeçarin e fundit, me qëllim nxitjen e ekonomisë kundër rrezikut të deflacionit. Është një instrument indirekt i politikes monetare i cili rrit ofertën monetare duke shtuar paranë e re në qarkullim. E thënë me fjalë të thjeshta është printim i parasë së re dhe injektim i saj në ekonomi. Është një proces pak më i ndryshëm se printimi direkt dhe ndërhyrja e bankave qendrore në ekonomi, duke injektuar paratë në tregje (instrument direkt), sepse kjo mënyrë injektohet indirekt në ekonomi, duke u dhënë borxh subjekteve në ekonomi (shtete, banka të mëdha në prag falimenti apo institucione të tjera), duke u blerë obligacione dhe duke i nxjerrë nga situata e vështirë.

Kjo praktikë është e kundërta e Programeve të Ashpërsimit (Austerity) të cilat bëjnë që shtetet të kenë një regjim të ashpër fiskal, të rrisin taksat dhe reduktojnë shpenzimet buxhetore, duke i marrë frymën ekonomisë. Europa përdori “austerity”, duke mos printuar para të re, por thjesht duke qarkulluar paranë që kishte në rezerva, dhe duke u bëre presion vendeve (Greqi, Portugali, Spanje dhe Irlande) të aplikonin Austerity Programes.

Kjo solli një bllokim të ekonomisë europiane dhe një zgjatje të krizes, e tani vendet e Eurozonës ndodhen në prag deflacioni. Ndërsa SHBA printoi para të reja dhe i injektoi në ekonomi, duke u blerë obligacionet bankave dhe kompanive të sigurimit që po falimentonin. Kjo rezultoi e suksesshme, sepse ekonomia qarkulloi para dhe biznesi filloi ta marre veten. Ndërkohë paratë e dhëna janë borxhe (pra jo para e hedhur në treg që nuk kthehet më). Pikërisht këtë veprim pritet të bëjë sot Banka Qendrore Europiane pasi i përdori të gjithë instrumentet klasike (konvencionalë) të politikës monetare siç ishin ulja e normes së interesit Euribor apo aplikimi i normave të interesit negative për depozitat e bankave.

Një lëvizje e tillë e BQE-së, pritet që të rrisë sasinë e eurove në qarkullim dhe të zhvlerësoje Euron, krahasuar me monedhat e tjera. Kjo lëvizje e pritshme sipas ekspertëve bankarë ka nxitur veprimin e fundit të SNB për të hequr kursin fiks ndaj euros dhe duke shkaktuar kaos në bursë.

Si ndikon kjo në ekonominë shqiptare?

Kur flasim për politika ekonomike, lëvizje të rëndësishme në bursë në këmbimin e valutave të rritjes apo uljes së saj, menjëherë hedhim sytë nga vendi ynë. Edhe pse mund të thuhet që në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk ndikohemi, pasi nuk jemi një vend që operojmë në bursë, ndikimi është i pashmangshëm edhe pse mund të vijë më vonë tek ne. Nëse flasim në rastin konkret, për një zhvlerësim të mundshëm të euros ka avantazhe dhe disavantazhe.

Duke qenë se ne eksportojmë në vendet evropiane kërkesa e jashtme do të rritet duke i dhënë dhe një vlerë monedhës vendase. Por nga ana tjetër rrezikohen dërgesat e emigrantëve, pasi rënia e mundshme e euros do ju ulë dhe mundësinë e investimit të kursimeve të tyre në vendin tonë. Nga ana tjetër është vlerësimi i vazhdueshëm i dollarit, duke u forcuar jo vetëm ndaj euros, por dhe ndaj monedhës shqiptare, e ku sipas specialistëve parashikohet që kjo situatë të vijojë për një periudhë një apo dy vjeçare. Megjithatë ekspertët bankarë mendojnë se është ende herët për të folur për panik, pasi në terma të shkurtër do të jemi të avantazhuar nga kjo situatë.

 

Franga zvicerane, kursi në Shqipëri arrin në 140 lekë për një frangë

Ndryshimi i politikës me kursin e këmbimit nga Banka Qendrore Zvicerane solli mbiçmimin e menjëhershëm të frangës kundrejt euros dhe për pasojë valutave të tjera. Franga zvicerane është forcuar ndjeshëm ndaj lekut shqiptar gjatë javës së fundit dhe dje u këmbye me 139.99 lekë, praktikisht 140 lekë për një frangë, aq sa është dhe kursi i euros me lekun(140.2). Publikimi i Bankës së Shqipërisë në mesditën e djeshme tregon se franga ka fituar dje 1.58 lekë në këmbim, duke qenë prej ditësh valuta që mbiçmohet më së shumti ndaj lekut shqiptar. Të njëjtën tendencë mbiçmimi ka shfaqur edhe dollari amerikan që dje këmbehej me 121.17 lekë ndërsa euro ka njohur një rënie të papërfillshme (0.05 lekë) duke u këmbyer me 140.2 lekë. Franga zvicerane u forcua menjëherë pas vendimit nga 1.2 franga për euro në 1.02. Kundrejt lekut shqiptar, franga zvicerane u mbiçmua brenda ditës (16 janar) me 18 lekë (rreth 15 %) duke arritur nga 117 në 136 lekë.

 

Franga zvicerane kërcen 30% pasi banka qendrore heq kufirin me euron

Franga zvicerane u rrit me gati 30% në vlerë kundrejt euros të enjten e kaluar, pasi banka Qendrore Zvicerane (SNB) braktisi normën kufi të këmbimit të fiksuar prej tre vitesh në 1.2 franga për euro. Në minutat kaotike pak pas njoftimit të bankës qendrore, franga u rrit me shpejtësi, në raportet e këmbimi prej 0.8052 franga për euro, për t’i lëshuar këto fitime pak më vonë, në 1.0350 franga. Monedha gjithashtu fitoi 25% kundrejt dollarit duke u tregtuar me 0.8900 franga për dollar. Perspektiva e printimit të parave nga Banka Qendrore Europiane (ECB), duke filluar nga java tjetër i është shtuar presionit, ku aktorët e tregut kishin parë që ditët e fundit SNV po blinte euro vazhdimisht me 1.2009 franga për euro ditët e fundit.

 

Monedha zvicerane, në Shqipëri rrezikohen 3.5 milionë franga kredi

Në fund të nëntorit 2014 stoku i kredisë në monedhë të huaj (kryesisht franga zvicerane) në sistemin bankar shqiptar ishte vetëm 380 milionë lekë, apo rreth 3.5 milionë franga zvicerane, 90% e të cilës i përket individëve. Nga fundi i vitit 2007, pikërisht kur bankat e tjera në rajon ndaluan dhënien e kredive në frangën zvicerane (zhvlerësimi i shpejtë monedhave të tyre e bëri mjaft të rrezikshme huadhënien në këtë monedhë), bankat në Shqipëri filluan për herë të parë të jepnin hua në këtë monedhë, kryesisht për pasuri të paluajtshme. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i huasë në monedha të tjera përveç lekut, euros e dollarit (pjesa më e madhe ishte në monedhën zvicerane) filloi të rritej gjatë kësaj periudhe, duke arritur nivelin më mars të vitit 2008, në 1.5 miliardë lekë. Kredia po jepej si për bizneset, ashtu dhe për individët për blerjen e pasurive të paluajtshme. Sidomos për individët rritja e huasë ishte e menjëhershme. Banka e Shqipërisë ndërhyri menjëherë në atë kohë, për të frenuar që ky fenomen të merrte përmasa masive, ashtu si po ndodhet në disa vende në rajon. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë patën direkt takime me drejtuesit e bankave dhe biseduan me ta, duke i pyetur nëse ishin të përgatitur të ndërmerrnin këtë veprim dhe i paralajmëroi se ata nuk do të arrinin ta menaxhonin situatën. Pas kësaj, kredidhënia në këto monedha u frenua. Në fund të nëntorit 2014 stoku i kredisë në monedhë të huaj (kryesisht franga zvicerane) në sistemin bankar shqiptar ishte vetëm 380 milionë lekë, apo rreth 3.5 milionë franga zvicerane, 90% e të cilës i përket individëve, teksa bizneset pothuajse e kanë shlyer huanë në monedha të tjera. Kjo është një shumë e papërfillshme në raport me totalin e huadhënies në sistem (vetëm 0.05% e totalit), ku peshën kryesore e zë euro me 52%, leku me 40%, dollari me rreth 8%.

Edlira Shehu January 22, 2015 15:20
Komento

3 Komente

  1. Edi January 22, 17:53

    O sa mire dikur per 1000 euro u deshte te jepja 1700 sfr,tani 1 me 1 dihej qe euro dhe bashke me te edhe BE nuk do funksionoje.

    Reply to this comment
  2. nardone January 22, 18:12

    do te shtoja se bankat e Zvicres moren javen e kaluar nje tjeter vendim per uljen e interesave nga minus 0.25 ne 0,75 qe do te thote nese ke 100000 fr ne banke javen qe shkoi ju humbisni rreth 750 fr nga depozitimi.

    Reply to this comment
  3. realisti January 25, 10:12

    Ore po paska qene e thjeshte fare dalja nga kriza ekonomike! Menjefjale tani gjermanet e gjykuan si te gabuar eksperimentin me greket(austerity) Po per per kaq pak gje i paskan torturuar greket,? I paskan torturuar te shkretet vetem per nje makineri qe printon leter ku shkruhet, 10 EURO,20 EURO, 50 apo 500 EURO. More sa thjeshte paska qene!!!!! Apo mos ndoshta ka dicka qe nuk shkon ne sistemin kapitalist? Me sa duket ajo “dora e padukshme” e Adam Smith-it qe premtonte lumturi dhe begati per te gjithe na ka braktisur fare. Ose me sakte po punon vetem per disa pak njerez ne bote. S’po na ndahen keto krizat ekonomike. Ore une kam degjuar per nje (Cifut) gjerman nje far Marks, Maks, i thone. Ai jepte ca shpjegime te tjera per keto krizat ekonomike te kapitalizmit. Meqe ra fjala, tek krizat ekonomike dhe masat shtrenguese qe duhet te heqe njeriu i thjeshte ne sherbim tejpasurimit te te pasurve. Per greket, per greket e kisha fjalen se ne shqipot as na ve kush ne hesap.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*