Fred Abrahams: Revoltat e 1997 nisën me poshtërimin e Tritan Shehut në Lushnje

December 6, 2015 19:59

Fred Abrahams: Revoltat e 1997 nisën me poshtërimin e Tritan Shehut në Lushnje

Në librin e tij “Shqipëria e re”, publicisti amerikan Fred Abrahams, i cili ka kaluar një pjesë të jetës së tj në Tiranë si veprimtarë i të drejtave të Njeriut, përshkruan Shqipërinë e psotokomunzimit dhe dështimet e saj. Promovimi i librit do të bëhet në Tiranë më 8 Dhjetor në orën 18 në Hotel Rogner. Po shkëpusim sot kapitullin “Revolta”, që tregon si nisën trazirat e vitit 1997 në Shqipëri. (Fotot ilustruese ne kete artikull jane te fotoreporterit Hektor Pustina)

 

Revolta

Për banorët e qytetit të pluhurosur dhe gjysmë të rrënuar të Lushnjes, në Shqipërinë e mesme, bosi i piramidave dhe ish-oficeri i ushtrisë, Rrapush Xhaferri, ishte shenjtor. I njohur si “gjenerali”, ai rindërtoi stadiumin dhe solli lojtarë të klasit botëror në ekipin e futbollit të qytetit. Dhe ç’ishte më e rëndësishme, ai ndihmonte për të mbijetuar mijëra banorë të Lushnjes. Skema e tij piramidale, “Xhaferri”, të cilën ai e quante “fondacion bamirësie”, siguronte të ardhura në banesat prej betoni të plasaritur në qytet.

Qeveria shqiptare kishte një pikëpamje tjetër: “gjenerali” ishte një simpatizues i të majtës”, që kishte lidhje me Partinë Socialiste. “Fondacioni bamirës” i tij, bashkë me një skemë tjetër, “Popullin”, ishin thjesht piramida pa investime në tregti, prandaj ishin më të lehta për t’u mbyllur. Më 23 janar 1997, policia arrestoi Xhaferrin dhe më shumë se njëqind persona të lidhur me dy skemat.

Lushnja shpërtheu. Një turmë e zemëruar që thërriste “Poshtë Saliu” çau kordonët e policisë dhe i vuri zjarrin bashkisë. Protestuesit rrethuan komisariatin e policisë, duke kërkuar lirimin e Xhaferrit. “Më thoni se çfarë mund të bëj”, i tha turmës shefi i policisë, kujtuan dëshmitarët. “Lironi të arrestuarit e tjerë nga Lushnja”, bërtiti turma. Disa policë flakën kapelet dhe u bashkuan me turmën.

* * *

Protesta ne Lushnje

Ministri i jashtëm i Shqipërisë,  zëvendëskryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, iu përgjigj telefonit të zyrës së tij të nesërmen në mëngjes në 9.30. Në linjë ishte Agim Shehu, zëvendësministri i pushtetshëm i punëve të brendshme.

“Situata në Lushnje është e rrezikshme, kujtoi fjalët e bashkëbiseduesit Shehu. “Njerëzit janë gati të sulmojnë policinë. Policia do të hapë zjarr dhe do të shkaktojë shumë viktima”.

Agim Shehu tha se demonstruesit donin të takonin një përfaqësues të qeverisë dhe dikush duhej të shkonte atje me helikopter, me njerëzit nga Lushnja të arrestuar para pak kohe, për të qetësuar turmën. Policia do të siguronte mbrojtje ndërsa delegacioni do të ulej në stadium për të shmangur vëmendjen nga komisariati i policisë. Tritan Shehu tha se do të mendohej.

Pas pesë minutash mori në telefon Berisha. “Ti je i vetmi që ke për të shkuar”, i tha ai Shehut, duke theksuar nevojën për të shmangur dhunën. “Unë isha nervoz, por gjithashtu doja edhe të shmangia gjakderdhjen”, kujtoi Shehu. Ky ishte një vendim për të cilin ai do të pendohej hidhur.

Dy helikopterë u ngritën në fluturim, njëri me Shehun, truprojen e tij dhe ministrin e drejtësisë, tjetri me një grup të të arrestuarve nga Lushnja. Pilotët e shkarkuan ngarkesën e tyre në stadium, sipas planit, dhe u bënë gati të niseshin. Ndërsa pluhuri vërtitej me shtëllunga poshtë helikave të tyre, u mblodhën turmat e Lushnjes. Njerëzit tundnin në ajër presh – e vetmja perime nëpër dyqane gjatë viteve të fundit të komunizmit – si simbol të varfërisë së tyre. Të arrestuarit e Lushnjes ngritën këmishat e tyre për të treguar shenjat e fshikullimeve dhe vrajat që kishin marrë gjatë kohës së arrestimit. Ndërkohë që i vetmi mjet ikjeje u zhduk përmbi vendet e spektatorëve në stadium, turma u grumbullua mizëri rreth Shehut, si peshkaqenët në mish të gjallë.

Shehu u mundua të qetësonte turmën, por një levë hekuri e goditi në kokë. Burra të zemëruar e rrahën atë me grushta dhe bimë preshi. Atë natë, fjala mori dhenë nga Lushnja në Tiranë se demonstruesit i kishin rrasur Shehut presh në gojë. Duke fluturuar si era nga kafeneja në kafene, historia u shndërrua në presh të futur nga prapa. Meqenëse mitet shqiptare janë më të forta se faktet, Shehu jeton ende sot e kësaj dite me këtë turp.

Oficerë të SHIK-ut në turmë dhe përkrahës të PD-së nga një fshat aty pranë e tërhoqën Shehun brenda stadiumit në një dhomë zhveshjeje. Nja tridhjetë a dyzet veta u dyndën brenda, prapa një dere të mbyllur me çelës, ndërsa turma tërbohej përjashta.

“Nëqoftëse nuk vjen Xhaferri këtu, Shehu është i vdekur”, ulërinin njerëzit. Burrat që mbronin Shehun kishin armë, por askush nuk po gjente ndonjë mënyrë për t’u larguar. Shehut i rridhte gjak nga koka duke i njollosur shpinën e këmishës.

Pas dy orësh, nga Tirana u dërgua një helikopter tjetër me dymbëdhjetë policë. Ndërkohë që ata po uleshin në stadium, turma u rrëmbeu armët dhe i rrahu, thanë dëshmitarët. Tre nga policët u futën në dhomën e zhveshjes. Të tjerët u lutën për mëshirë. Ata thanë se i kishte dërguar me zor komandanti i tyre.

Me rënien e errësirës turma u shpërnda. Një doktor erdhi në dhomën e zhveshjes dhe i qepi plagën Shehut. Atëhere, në stadium ikën dritat. Ato ose i fiku policia për të mbuluar arratisjen, ose ikën nga ndërprerja e energjisë, siç ndodhte pothuajse çdo natë.

Një grup burrash në formacion të ngjeshur e çuan me ngut Shehun e larë në gjak drejt fushës e më tej në pjesën e prapme të stadiumit.

Pasi u kthye në Tiranë, Shehu e minimizoi ngjarjen. “Unë ndesha në zemërimin e një pjese të popullsisë, gjë që u zgjidh në mënyrë paqësore midis nesh”, tha Shehu në lajmet televizive në darkë[i]. Por pavarësisht se sa u mundua ta minimizonte ai ose qeveria, rrahja me presh u bë një moment vendimtar në reagimin e qeverisë. Ajo tregoi se shteti ishte i paaftë të përballohej me turmat.

“Mospërdorimi i policisë që nga fillimi krijoi idenë tek rebelët se shteti ishte i dobët dhe mund të pëmbysej”, më tha vite më vonë Bujar Rama, zëvendëskryetar i SHIK-ut në atë kohë. “Zëvendëskryeministri u zu në kurth dhe përgjigja e policisë nuk ishte të reagonte, por të tërhiqej”.

Në atë kohë, Mero Baze, ishte dakord me këtë. “Shteti nuk i kuptoi përmasat e zemërimit”, më tha ai. “Kur Shehun e rrëmbyen, ata duhej ta kishin shpëtuar, për të treguar fuqi”.

Pavarësisht se e rrahën dhe e bllokuan brenda një stadiumi, as Shehu nuk arriti ta kuptonte plotësisht thellësinë e zemërimit të njerëzve. “Ne nuk e kuptonim realitetin”, më tha ai në 2002. “Më e mira do të kishte qenë të deklaronim zgjedhje të reja në janar, por askush nuk na e rekomandoi këtë”.

Njëlloj siç nuk kishin qenë të aftë Ramiz Alia dhe Partia e Punës të kuptonin thellësinë e zemërimit në 1991, edhe Berisha dhe Partia Demokratike ishin të verbër para tërbimit të 1997-s. Arroganca e pushtetit i kishte shkëputur ata nga realiteti.

Dhuna u përhap me shpejtësi në pjesë të tjera të jugut. Turmat në Berat dhe në Fier sulmuan ndërtesat qeveritare, duke djegur bashkitë dhe zyrat e Partisë Demokratike. Më 26 janar, demonstruesit në Vlorë u ngjitën lart në ndërtesën e bashkisë dhe shkulën flamurin nga ballkoni. Vlora – qytet me karakter të pavarur – qendër e grupeve kontrabandiste të Shqipërisë, u shndërrua shpejt në zemrën fizike dhe shpirtërore të revoltës.

Socialistët u distancuan nga dhuna, duke e quajtur atë një shpërthim spontan kundër qeverisë. Në të njëjtën kohë, ata bënë një miting në Tiranë duke ia hedhur fajin qeverisë për humbjet financiare të njerëzve. Mijëra përkrahës të opozitës dhe investues të mashtruar marshuan drejt Sheshit Skënderbej, ku topat me ujë shpërndanë turmën. Parlamenti e autorizoi Berishën të dislokonte ushtrinë për mbrojtjen e ndërtesave qeveritare dhe spastrimin e rrugëve. Kjo nuk ishte gjendje e jashtëzakonshme, theksoi qeveria, por një hap i nevojshëm për të ruajtur rendin. Kryeministri Meksi lajmëroi se qeveria do të fillonte të paguante më 5 shkurt paratë që kishte konfiskuar.

Lajmërimi i Meksit nuk pati ndonjë efekt. Anembanë jugut, turmat plaçkitën gjykatat dhe bashkitë ndërkohë që policia përdori shkopinjtë e gomës për shpërndarjen e turmave. Berisha i quajti protestuesit e dhunshëm anëtarë të “policisë kriminale të regjimit komunist, disa individë nga fondacionet mashtruese dhe disa keqbërës të paguar”[ii].

Në Tiranë, policia e rregullt dhe policia e fshehtë u munduan të zbatonin masa të ashpra. Mbrëmjen e 22 janarit, piktori dhe kritiku i zëshëm i Berishës, Edi Rama, po ecte afër apartamentit të tij kur disa horra me xhupa të zinj e gjuajtën në fytyrë dhe kokë me grushtore bronzi. Pas pesë ditësh, një zyrtar të Partisë Socialiste që quhej Ndre Legisi e rrahën me pistoletë në një rrugë të Tiranës.

<a “=”” alt=”LU” width=”633″ height=”506″>Investuesit e piramidave e pritën me padurim datën 5 shkurt, kur qeveria tha se do t’u kthente fondet. Për zhgënjimin e tyre, ndodhi e kundërta. Në vend të kthimit të parave, një nga firmat më të mëdha, “Gjallica”, deklaroi falimentimin. Qeveria mund të kishte qenë në gjendje t’i kufizonte problemet me “Xhaferrin” dhe “Popullin” në qytetet e vogla ku ishin të bazuara këto skema, por “Gjallica” kishte sipërmarrje dhe prona në të gjithë Shqipërinë.

Në Vlorë, njëmijë veta marshuan nga Sheshi i Flamurit në qendër të qytetit drejt portit me politikanët e Tiranës Skënder Gjinushi, nga Partia Socialdemokrate, ministri i fundit i arsimit i periudhës së komunizmit, dhe Neritan Ceka nga Aleanca Demokratike. Më 7 shkurt demonstruesit u përleshën me policinë. Tri ditë më vonë, në Vlorë u planifikua një demonstratë për në orën 10.00, por policia bllokoi sheshin kryesor. Përgjatë bulevardit kishte një kanal të hapur, ku bashkia po shtronte kabëll telefonik, i cili u dha protestuesve municion. “Drejt Tiranës”, thirrën ata, duke gjuajtur me gurë dhe duke mposhtur policinë.

Gjatë përleshjes, policia hapi zjarr dhe vrau një djalë të ri me emrin Artur Rustemi, që kishte humbur më shumë se 5.000 dollarë në skema. Ditën tjetër, tridhjetëmijë veta e shoqëruan arkivolin përgjatë bulevardit dhe dikush i vuri zjarrin zyrës së Partisë Demokratike në qytet. Vlora ka një mendësi kokëfortë dhe krenare, dhe qeveria ia kishte dalë mbanë me sukses të zgjonte tërbimin e saj.

Në Tiranë, socialistët dhe partitë e tjera të opozitës formuan një aleancë anti-Berishë të quajtur “Forumi për Demokraci”. Qeveria ia mohoi grupit lejen për të protestuar në Sheshin Skënderbej më 12 shkurt, por udhëheqësit prapëseprapë dolën në marshim. Forcat speciale bllokuan rrugët dhe u ndërprenë kalimin drejtuesve ndërsa ecnin drejt sheshit. Policia i futi ata në një furgon dhe i rrahu me grushtore bronzi dhe shkopinj gome. Kryeministri Meksi kërcënoi për më shumë forcë. “Partia Demokratike ka organizuar përgjigje me forcat tona, jo vetëm me policinë”, u raportua se kishte paralajmëruar ai[iii].

Pas dy ditësh, në shtypin britanik doli një artikull që tronditi Tiranën. Nën titullin “Regjimi gangster që financojmë ne”, gazeta “The Independent” pretendoi se kishte parë prova nga burime të zbulimit për bashkëpunim të ministrave të PD-së me krimin e organizuar. Qeveria e Berishës kishte “bërë kontrabandë droge, kishte trafikuar armë, kishte shkelur sanksione dhe kishte pastruar para”, thoshte artikulli. “Megjithatë, ajo gëzon mbështetjen e demokracive perëndimore, duke përfshirë Britaninë”[iv].

* * *

20 shkurti është një datë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, dhe qytetarët e Vlorës ishin fort të vetëdijshëm për këtë. Shtatë vjet më parë, në Tiranë, turmat kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës në Sheshin Skënderbej, duke shënuar fundin simbolik të diktaturës. Për të përkujtuar ngjarjen në 1997, demonstruesit e Vlorës ngritën më 17 shkurt tre gishta në ajër – gishtin pëlqyer dhe dy të mëdhenjtë pas tij – si shenjë që Berishës i kishin mbetur tre ditë. Përshëndetja me tre gishta, evolucion i shenjës me dy gishta të fitores për liri dhe demokraci të Partisë Demokratike, u përhap me shpejtësi në Shqipëri si simbol i zemërimit antiqeveritar.

Për shqiptarët etnikë në Kosovë që shikonin revoltën në televizion, tre gishtat ishin një shok trullosës dhe ofendues. Kosovarët e njihnin atë shenjë si përshëndetjen nacionaliste serbe që ua bënte me policia me agresivitet mu në fytyrë ditë për ditë. “Kjo është Shqipëria apo Angola?”, pyeti një mik në Kosovë, i shtangur teksa ne shihnim protestuesit e Vlorës në televizion. “Nuk e dinë ata ç’do të thotë kjo?”.

Kur kaluan tre ditët, pesëdhjeteshtatë studentë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë hynë në një auditor në shkollë dhe shpallën grevë urie, njëlloj siç kishin bërë studentët e Tiranës para shtatë vjetësh. Kërkesa e kryesore ishte më pak idealiste se e parardhësve të tyre, por pasqyronte qëllimin kryesor të protestës: na ktheni paratë tona! Zyrtarët e qeverisë e deklaruan grevën të paligjshme dhe studentët morën një qëndrim më politik: qeveria duhet të japë dorëheqjen! Duke qenë e shkëputur nga realiteti në Tiranë, Partia Demokratike mbajti një miting në Qytetin Studenti po atë ditë, për të përkujtuar rënien e Enver Hoxhës.

Solidariteti me studentët u përhap në Vlorë dhe në jug. Më 22 shkurt rreth dyzet studentë të Universitetit të Gjirokastrës mbushën një klasë të katit të dytë me dysheqe dhe nisën grevën e tyre të urisë. Pas katër ditësh, katër autobusa nga Shkodra mbërritën në Vlorë për të mbështetur grevën. Megjithëse bastioni i Berishës ishte veriu, njerëzit kishin humbur para edhe atje.

<a “=”” alt=”vlore2″ width=”634″ height=”420″>Banorët e Vlorës i pranuan autobusët e Shkodrës, por i konsideronin njerëzit e panjohur në qytet si spiunë të Berishës – agjentë të ligj të SHIK-ut të gatshëm për të shtypur revoltën e tyre. Njerëzit e Berishës shkatërrojnë dyqane, ngacmojnë gratë, dhe nxisin dhunën, thoshin njerëzit. Ata ia hidhnin fajin për çdo problem, nga furnizimi i çrregullt me energji elektrike e deri te ushqimet e prishura, atyre që i quanin “spiunët çeçenë”, domethënë përkrahësit e Partisë Demokratike nga veriu malor. Disa madje besonin se Berisha po stërviste luftëtarë nga Kosova për t’i dislokuar në jug.

Më 28 shkurt, protestuesit u mblodhën në Universitetin e Vlorës, duke besuar se agjentët e SHIK-ut po mundoheshin të shpërndanin grevën e studentëve. Agjentët e SHIK-ut kishin gjuajtur me thikë një student, thanë disa njerëz. Një furgon i bardhë kishte rrëmbyer një student, u përgjigjën disa të tjerë. Të pasigurtë se çfarë kishte ndodhur, por të vendosur për t’ia hedhur fajin policisë së fshehtë, një hordhi njerëzish të zemëruar u nis për tek komanda e SHIK-ut në periferi të qytetit, duke kërkuar paratë e tyre dhe duke sharë Berishën. Ajo që ndodhi mandej është çështje e një debati të ndezur me akuza të ndërsjellta për sulme të paprovokuara dhe vdekje makabre. Vetëm rezultati i dhunshëm është i qartë: tre protestues dhe dy agjentë të SHIK-ut të vrarë.

Sipas banorëve të Vlorës të pranishëm atë natë, kur turma arriti te komanda dykatëshe e SHIK-ut, agjentët që ishin brenda hapën zjarr, duke vrarë tre protestues. Vetëm atëhere e sulmuan protestuesit bazën detare aty pranë, duke rrëmbyer municion dhe armë e duke u kthyer me pistoleta, mitralozë dhe granatëhedhës, me të cilët hapën zjarr kundër objektit të SHIK-ut[v].

Sipas agjentëve të SHIK-ut brenda ndërtesës në atë kohë, dhe oficerëve në Tiranë, turma e Vlorës nisi një sulm të bashkërenduar dhe agjentët që ishin brenda hapën zjarr për vetëmbrojtje. Turma e armatosur arriti rreth orës 21.00, thanë ata, ndërsa brenda, dymbëdhjetë agjentë të SHIK-ut po jepnin raport për situatën dhe po bëheshin gati për të fjetur. “Papritur dëgjuam shpërthime përpara hyrjes së ndërtesës”, i tregoi shtypit një ish-agjent. “Pa asnjë paralajmërim, plumbat shpërthyen përmes dritareve dhe dyerve”[vi]. Komandanti i njësisë, Besnik Hidri, mori në telefon komandën qendrore ndërsa filloi sulmi. “Ata po na sulmojnë, dërgoni përforcime”, bërtiti ai, sipas një ish-agjenti të SHIK-ut në Tiranë që atë natë po punonte me ndërlidhjen. “Gjithçka është në rregull, do të vijë helikopteri”, u përgjigj Tirana. Helikopteri nuk erdhi kurrë.

“Shteti kishte vdekur. E vetmja pjesë e shtetit që funksiononte ende ishte siguria e shtetit”, tha Bujar Rama, zëvendësdrejtor i SHIK-ut në atë kohë. “Në kushte të tilla, ishte e pamundur t’i mbroje dhe t’i siguroje ata”.

Turma hodhi shishe molotov dhe qëlloi me mitraloz dhe grantatëhedhës kundër agjentëve në ndërtesë. Secili prej tyre kishte vetëm dy karikatore, më tregoi ish-oficeri i ndërlidhjes. Tre nga agjentët ngecën në katin e parë, meqenëse rrugën për t’u ngjitur lart e kishte bllokuar zjarri. Në një moment, komandant Hidri shkoi në dritare për t’i hedhur një sy turmës dhe e qëlluan në fyt. Ai vdiq të nesërmen.

Pas një situate ballafaqimi që nuk ndryshoi për dy orë, demonstruesit sollën një kamion riportabël dhe e përdorën si kryedash për derën kryesore, kujtuan si ish-agjentët e SHIK-ut ashtu dhe banorët. Agjentët e katit të dytë u hodhën nga një dritare në pjesën e prapme. Disa u strehuan në shtëpitë e vlonjatëve. Të tjerë ikën në fshatra të aftërt, dhe përfundimisht mbërritën në Tiranë[vii]. Tre agjentë u kapën, njëri prej të cilëve vdiq.

Me SHIK-un e Vlorës nën kontrollin e protestuesve, garnizonet ushtarake të zonës vazhduan të binin. Rekrutët shqiptarë ishin të paguar keq, të pamotivuar dhe simpatitë i kishin kryesisht për turmat e tërbuara që sulmuan me furi portat e reparteve të tyre. Banorët e Vlorës plaçkitën me lehtësi mitralozë, municione, granata, granatëhedhësa dhe raketa antitank. Që nga ajo ditë, mbi Vlorën me diell ra errësira. Burra të armatosur ngritën postblloqe për të mbajtur larg “çeçenët” e Berishës. Askush nuk e dinte se cilët ishin këta njerëz – rrugaçë të rëndomtë apo anëtarë të ndonjë grupi politik.

Duke parashikuar më të keqen, ish-ylli argjentinas i futbollit, Mario Kempes, që punonte në Lushnje si trajner, u largua nga Shqipëria së bashku me dy prej lojtarëve të tij brazilianë. “Ishte e vështirë”, i tha Kempesi një gazetari. “Ne ishim në formë të mirë dhe në gjysmëfinalet e kupës së Shqipërisë”

[i] “Albanian Foreign Minister Holds Intervieë ëith TV,” Agjencia Telegrafike Shqiptare, 25 janar 1997.

[ii] Komunikatë për shtyp e Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, 30 jana 1997.

[iii] “Albanian Police Block Protests, Surround Opposition Leaders”, CNN, 12 shkurt 1997.

[iv] “The Gangster Regime Ëe Fund”, nga Andreë Gumbel, Independent, 14 shkurt 1997.

[v] Shih “Dëshmia ime për vrasjet e SHIK­ut”, Albania, 2 mars 2004, dhe “Më 28 shkurt 1997, SHIK­u i Berishës vrau Fatmir Tozajn, Shkëlqim Bogdanin, Artur Zoton dhe plagosi rëndë Agim Hazizin”, Zëri i Popullit, 29 shkurt 2004.

[vi] “Ish­shikasi: Ju tregoj për tmerrin e 28 shkurtit”, Shekulli, 29 shkurt 2004.

[vii] Zilja, Gëzim, 1997: Vrasës dhe Shpëtimtarë (Tiranë: Pelioni, 2001), f. 112–16.

[viii] “Those Ëorld Cup Heroes”, nga Mattheë O’Donnell, Observer, 3 shkurt 2002. / JAVANEWS

December 6, 2015 19:59
Komento

9 Komente

  1. LOVE P A R I S December 6, 20:51

    ti bej ndonje pyetje vetes dhe une 😛

    1] Piktori ,bojagjiu ,kryerrilindasi , EDveri e ka kuptuar acarimin qe sjell buka e gojes ?
    zhgenjimin ,e ka idene se cfare mund te bej nje njeri qe e ke mashturar ne menyren me te keqe te mundeshme ??? po nje turme cfare mund te bej ??
    2] presh a ka ne kete kohe dhe te hapim nje konkurs kush eshte kantidati me i mire
    i rrrrrrrrrrilindur ?? tani se besoj se e kane shume problem ,keta hengren dhe ngjalat 😛

    Reply to this comment
  2. maks December 6, 21:02

    sa per lushnjen ky amerikani genjen populli i lushnjes nuk e rrahu dritan shehun por i futi ne goje nje cop presh dhe fatkeqesisht ai djali qe ja dha preshin pas ca kohesh u vra dhe per ate djalin ne lushnje flitesh qe e vran njerezit e pd se

    Reply to this comment
  3. Andi December 6, 21:27

    Ja dhe nje liber idiot qe tregon qartazi sa pak e kuptojne te huajt vendin tone. Por s’kane faj keta, fajin e kemi vet qe s’di njeri te artikuloj te vertetat ashtu sic jane plus jemi shume te zene duke bere sherr me njeri-tjetrin dhe vjen ndonje buzequmesht e bene para mbi kurrizin tone.

    Reply to this comment
  4. fllad December 6, 22:09

    Sa presh i duhen shqiptareve qe te fillojne te dalin nga gropa erret ku kane rene!!

    Reply to this comment
  5. Darius December 6, 23:27

    Lushnja eshte i vetmi qytet ne shqiperi qe nuk ka asnje “lushnjar” autokton, qytet ku rrethohej nga 23 kampe perqendrimi dhe do gjesh cdo lloj qytetar me prejardhje qe nga Cami,…..e deri te Kosovari i Kosoves.
    Jo vetem ne 97 po dhe ne 1990, zjarri filloi Tirane, shkoder, lushnja i vuri flaken….

    Mgjth,1997 u organizua nga vet KUBEJA e Shqiptareve, as lushnjaret e as Saliu, po parate qe ju vodhen serisht shqiptareve nga KUBEJA E DJESHME DHE E SOTME, dhe mbi 1.4 miliarde USD me Shemsie Kadrine u nisen dhe u siguruan ne Turqi.
    1997 ju beri gropen shqiptareve sepse KUBEJA e ndjeu rrezikun qe kur POPULLSIA ESHTE NE RRITJE E SIPER EKONOMIKE KERKON PUSHTET POLITIK!!!!
    Ne ate kohe shqiperia ja kaloi Zvicres ku sipas sherbimeve sekrete italiane dhe ne gazeta shkruhej…..Albania come Svizzera, hyjne 50 milione Usd dhe Dalin 600 milione Usd, kuptohet qe ishte nje lavatrice parash por la dhe therime per popullsine.
    Gjithkujt i kujtohet fare mire qe ne ate kohe ne pergjithesi familja me e varfer kishte mbi 5.000 – 7.000 usd gjendje CASH ,dhe pas LUFTE kur humben gjithcka , filluan serisht te mendonin per buken e gojes dhe jo per Politike.
    Dhe sot KUBEJA qe komandon gjithe plerat e Politikes si Nanon, Meten, Saliun, Ramen ndjek te njejten strategji,25 vjet vetem per buken e gojes duhet te mendojne Kokepalaret!!!!!!!!
    25 vjet papunesi, korrupsion, vjedhje pronash, vrasje kush ngre koke, tru shpelarje, degjenerim, perdhunim Masiv….
    Zhdukje nga qarkullimi te atyre pak intelektualeve, dhe mbushja me militante, injorante, kafshe dythundrake, te tredhur qe ne lindje dhe prejardhje fisnorekafsherore.
    Me keto u mbushen Tv, Gazetat, Partite qe sot dalin shajne njeri tjetrin ne parlament bejne sikur ofendojne dhe punijne per popullin.
    Dhe per Shqiptaret vazhdon tru shpelarja ne tv, gazeta, webe etj, sepse KUBEJA nuk e leshon pushtetin 70 vjecar.

    Reply to this comment
  6. * December 6, 23:33

    Edi duhet ti kthej maloket te gjithe andej nga kane ardhur
    sepse shpellaret jane elementi me destabilizues i shqiperise ,
    ti largoj me deshire ose me forc ,me polici tu q. robt
    perndryshe nuk behet Shqiperia

    Ka ardhur koha qe te patsrohen qytetet shqiptare
    nga plehrat e derdhura ne qytete ne kohen e putanes islamike sali berriShit

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*