Frika nga arrestimet/ PD tërhiqet nga propozimi për heqjen e imuniteteve

November 21, 2017 10:06

Frika nga arrestimet/ PD tërhiqet nga propozimi për heqjen e imuniteteve

Partia Demokratike është tërhequr në heshtje nga propozimi i saj, për heqjen e imunitetit kushtetues të deputetëve të Parlamentit Shqiptar. Frika e disa eksponentëve të partisë më të madhe në opozitë se, mund të shndërrohen në subjekte të mundshme të veprimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme, gjatë muajve në vijim, duket se ka bërë që drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike ta rishikojnë propozimin për heqjen e imunitetit të deputetit ndaj arrestimit dhe kontrollit të banesës në kushte të barabarta me qytetarët e tjerë të Republikës së Shqipërisë.

Pas paralajmërimit të shumicës parlamentare për të hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë për Krimet e Rënda, për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me argumentin e mungesës së provave të mjaftueshme, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar të datës 23 tetor, propozoi hartimin e një amendamenti kushtetues për të zhveshur nga imuniteti çdo deputet. Gjatë kësaj mbledhjeje, Basha kërkoi edhe një ngritjen e një grupi pune, me ekspertë ligjorë të opozitës, për hartimin e amendamentit, me të cilin do të sfidonte shumicën në Kuvend.

Teksa kanë kaluar 28 ditë nga kërkesa e Bashës, burime pranë Partisë Demokratike, bënë me dije për Shqiptarja.com se asnjë grup pune nuk po merret me një amendament të tillë, duke konfirmuar edhe tërheqjen nga propozimi. Që gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, u raportua se katër deputetë kundërshtuan propozimin, me argumentin se, heqja e imunitetit mund të përdorej nga kundërshtari politik për të arrestuar përfaqësues të opozitës.

Deputetët e mohuan pozicionimin kundra, por gjatë këtyre katër javëve, ekspertët ligjorë të PD dhe figurat me risk të lartë nga një arrestim i mundshëm, duket se e kanë bindur kryetarin e PD që, të paktën përkohësisht, të tërhiqet nga propozimi për heqjen e imunitetit. Tërheqja reflektohet edhe në retorikën politike të opozitës, e cila nuk e artikulon më publikisht çështjen e imunitetit.

Frika e opozitës nuk qëndron tek drejtësia aktuale, por tek veprimi i mundshëm i Byrosë së Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme. Pavarësisht fuqisë dhe pavarësisë së organeve të reja antikorrupsion, imuniteti kushtetues do të shërbente si një digë përballë çdo dallge kundër deputetëve të të gjithë krahëve.

Gjatë hartimit të projektit me ndryshime kushtetuese dhe ligjit të SPAK, në kuadër të reformës në drejtësi, pati një përpjekje për të përjashtuar ish-kryeministrat dhe ish-ministrat nga objekti i veprimit të organeve të reja antikorrupsion.

Pas presionit në rritje mediatik dhe publik, hartuesit e ndryshuan projektin menjëherë draftin, duke përfshirë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave Speciale hetimin dhe dënimin e të gjithë ish-funksionarëve të lartë shtetërorë, pa asnjë kufizim kohor. Politika e Tiranës tha se propozimi i ishte bërë nga ndërkombëtarët, por këta të fundit theksuan se propozimi ishte shkruar nga përfaqësuesit e politikës shqiptare.

Grupi i punës me ekspertë ligjorë të Partisë Demokratike po punon për hartimin e disa amendamenteve dhe projektligjeve, por jo për çështjen e imunitetit. Një grup pune i kryesuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj po punon për hartimin e një projektligji, për kriminalizimin e ekspozimit të simboleve të regjimit komunist.

Gjithashtu, një grup pune po harton disa propozime për forcimin dhe thellimin e ligjit të dekriminalizimit, përmes miratimit të një Kodi Etik për sjelljen, veprimtarinë, ndalimet dhe konfliktin e interesit për deputetët.

PD kërkon përjashtimin nga parlamenti të deputetëve që kanë lidhje me krimin, që kanë lidhje familjare me krimin, deputetët që janë financuar nga paratë e errëta të krimit, deputetët që kanë përfituar fonde publike, ligjvënësit që kanë përfituar kocensione drejtpërdrejt apo nëpërmjet fëmijëve./Shqiptarja.com

November 21, 2017 10:06
Komento

1 Koment

  1. i juaji Edi Rama. November 21, 13:15

    Shume e drejte, PD qe terhiqet nga heqja e imuniteteve ka frike arrestimet.
    Po PS mor aman qe mbrojti me vote Tahirin me ate imunitetin qesharak nuk paska frike arrestimet?
    Behuni mor njerez normale se mbetet militante me koke te bytha e Rames.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*