Frika nga dështimi po shkatërron breza të tërë fëmijësh, prindër lërini të gabojnë

October 12, 2017 13:27

Frika nga dështimi po shkatërron breza të tërë fëmijësh, prindër lërini të gabojnë

Jessica Lahey, është një opinioniste e rregullt në New York Times, mësuese dhe shkrimtare.  Ajo u bë nënë dhe mësuese në të njëjtin vit. Ajo lindi dy djem dhe u mësoi anglishten qindra fëmijëve të fillores. Kur fëmija i saj i parë filloi të shkonte në shkollë, dy botët paralele të nënës dhe mësueses filluan të përplaseshin. Pakëz shqetësim në fillim, më pas dyshim.

Në librin “Lërini të gabojnë” Lahey jep disa këshilla shumë serioze.

“Motoja është që mos i shtrëngoni – thotë ajo. Por kjo nuk do të thotë se mësuesit dhe prindërit nuk kanë një rol në mësimin e fëmijëve dhe nxënësve. Kjo thjesht do të thotë se ne duhet të braktisim sistemin që kemi ndjekur deri më tani dhe të bëhemi më krijues”.

Duke filluar nga studimet e psikologut Eduard Deci, Jessica Lahey ka revolucionarizuar mënyrën e saj të sjelljes me fëmijët, si me fëmijët e saj, ashtu edhe të të tjerëve. Stimujt për refleksion nuk mungojnë. “Lloji i arsimit që prindërit u përcjellin fëmijëve sot  me tmerrin e mosarritjes së suksesit dhe me super protektivitetin, ka dëmtuar aftësinë, pavarësinë dhe potencialin akademik të një “brezi të tërë”, shkruan ajo

Mjaft më me arsimimin konkurrues, sepse për shkak të furisë së konkurrimit, kemi mbërritur në një delir të vërtetë të ankthit dhe paranojës. Le të ndalemi një çast dhe le të marrim frymë mirë. Studimet tregojnë se ky qëndrim i prindërve nën presion është jashtëzakonisht ngjitës.

Sa herë që rendim për t’i ndihmuar fëmijët, ose për t’i shpëtuar nga situata të vështira, dërgojmë një mesazh shumë të qartë, i konsiderojmë të paaftë dhe të padenjë për besimin tonë. Le t’i lëmë të gabojnë.

Dështimi që të rinjtë regjistrojnë kur ne e lirojmë shtrëngimin tonë, dhe i lëmë që të bëjnë gabimet e tyre, nuk është vetëm pjesë integrale e të mësuarit, por është pikërisht përvoja që u mëson atyre të zgjidhin problemet me qëndrueshmëri, efektivitet dhe kreativitet.

Mjaft me lavdërime të shfrenuara. Jini të ndershëm me fëmijët tuaj. Lavdërojini ata për aftësinë e ringritjes dhe për përpjekjet që bëjnë për t’u ngritur sërish në këmbë pas dështimeve.

Për të favorizuar autonominë dhe në të njëjtën kohë marrëdhënien me fëmijët tuaj, duhet t’i bëni të kuptojnë se jeni të bindur që do të bëhen persona të aftë për t’u përmirësuar.

Një nga gjërat më të rëndësishme që prindërit mund të bëjnë për fëmijët është t’i bëjnë ata të ndiejnë se nuk janë vetëm, se janë pjesë e një konteksti më të gjerë dhe se ne jemi atje për t’i mbështetur, teksa ata kërkojnë vendin e tyre në botë.

Studimet kanë treguar se edukimi më i keq i prindërve është ai që ua “heq” dashurinë në rast të dështimit, për t’ua “dhënë” vetëm nëse performanca e tyre është e mirë. Ky stil arsimor godet fëmijët atje ku janë më të prekshëm, tek nevoja për siguri dhe frika nga braktisja.

Prindërit duhet që të mos ndërhyjnë dhe të lejojnë fëmijët të grinden me njëri-tjetrin, sepse këto konflikte i lejojnë fëmijët të mësojnë të përballojnë një kulturë gjithnjë e me më shumë ngacmime. Nëse i lëmë të zemërohen, ata zemërojnë fëmijët e tjerë, pastaj ulen e pajtohen, mësojnë të jenë miq të mirë, të mbrojnë veten e tyre dhe t’u thonë jo sjelljeve që u shkaktojnë siklet.

Mbështetni marrëdhënien nxënës-mësues edhe kur është e vështirë. Do të ketë mësues që do t’ju pëlqejnë, të tjerë me të cilët nuk doni të flisni, të tjerë që kërkojnë, të tjerë që nuk do kuptojnë ose nuk kanë aspak pritshmëri të qarta. Dhe kjo është e mirë. Është mirë, sepse këta mësues do të mësojnë fëmijën tënd për t’u përballur me shumë njerëz të vështirë që do të ndeshin në jetë.

 

October 12, 2017 13:27
Komento

1 Koment

  1. Arsimi e edukimi October 20, 11:50

    Me përqejti arikulli.Duhet në kete mënyre te këshillohen prindërit por edhe mësuesit per edukimin lirë te femijeve.Respekt per gazeten dita dhe stafin drejtues.Pershendetje nhs Tetova.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*