Frika që ruan partitë….

August 5, 2019 13:29

Frika që ruan partitë….

Nga Bedri Islami

Lëvizja Socialiste për Integrim, partiçkat e vogla të mbledhura rreth koalicionit opozitar, kanë trokitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të filluar fushatën e 13 tetorit, që lidhet me një dekret të zotit Meta dhe pushtetin vendor.

I heshtur deri tani dhe duke u dyzuar në qëndrimin që do të mbajë, shefi i opozitës, Basha, ende nuk e di nga duhet të shkojë, drejt aleatëve të tij, me të cilët është përbetuar dhjetëra e qindra herë se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën si shef të qeverisë, apo duke u thirrur në sloganin budalla të 85 përqindëshit, do të gjejë alibinë e tij për të kërkuar, edhe ai, zgjedhjet e 13 tetorit.

Diçka se një muaj më parë u zhvilluan një palë zgjedhje vendore, për të cilat opozita kishte premtuar se do të vinte kokën në shkallaret e qendrave të votimit dhe se zgjedhje nuk do të kishte.

Për të cilat, presidenti i vendit kishte paralajmëruar se do të ndodhte një kataklizmë përmbysëse në çdo cep dhe se vendi do të ishte përballë një viti 1997 të dytë, edhe më të harbuar dhe më të paharruar.

Për të cilat, e gjithë opozita, mesatarisht dy herë në muaj, mblidhte militantët e metingashët e saj dhe, duke u përplasur me policinë, me molotovë, shashka, britma, shkopinj dhe gurë, përbetoheshin se zgjedhje nuk do të ketë.

I gjithë aksioni opozitar, që nga dita kur, befas, Bashës, iu mbush mendja të dilte nga parlamenti dhe të digjte mandatet, e deri më sot, ka pasur një lejtmotiv, një thirrje, një britmë, një synim, “Rama ik”, se “ zgjedhje me Edi Ramën si shef të qeverisë nuk do të ketë”, se “ duan njëkohësisht zgjedhje vendore e parlamentare”, të cilave, papritmas, si nga një jerm, zoti Meta u shtoi edhe ato presidenciale në një republikë parlamentare.

Po tani?

Çfarë ndryshoi në politikën e Edi Ramës që opozita u zbut kaq befas dhe që , pa mëdyshje, kërkojnë zgjedhje të reja vendore.

U bë ai më i arsyeshëm, më racional, dëgjoi ai këshillën e presidentit për të mos e shuar partinë rivale, atë demokratike; u bë sistemi i ngritur nga Rama më i hapur, ikën oligarkët, nuk ka më para të zeza, drogë, korrupsion? Nuk po pastrohen më paratë e krimit në kullat vigane?Janë të bindur se nuk do të ketë shitblerje, thirrje “ tërmet, tërmet”, huliganizëm dhe “ të fortë në makina”?

Nëse opozita tani na “ mbush” mendjen se po zbaton dekretin e presidentit për zgjedhjet e 13 tetorit, është herët të harrohet se një dekret të tillë kishte edhe për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat, e njëjta opozitë i bojkotoi, i anatemoi dhe, papritmas, të cilat i anuloi shefi i presidencës 20 ditë para zhvillimit të tyre, akt i pandodhur më parë dhe vështirë se do të mund të ndodhë.

Luftëtarët e përmbysjes së Edi Ramës janë tani kërkuesit e rreptë të zhvillimit të zgjedhjeve në 13 tetor. Ata që përmbysën çka gjetën para vetes, befas, u bënë mbrojtësit e flaktë të një dekreti presidencial, të njëjtë me atë të cilin nuk e përfillën dhe e injoruan.,

Në pak muaj, opozita bëri kaq shumë përbetime politike dhe premtoi kaq shumë përmbysje, sa që, në vend të hiqte vetullat e pushtetit të Edi Ramës, nuk bëri gjë tjetër, veçse hoqi pjesë nga sytë e saj. Verbëria politike e Bashës, pas të cilit shkuan në solidaritet budalla, edhe partitë e partizat e tjera, i dha Edi Ramës atë që nuk kishte menduar as në ditën e tij më optimiste ose në rastin më të keq. I dha pushtet të pakufizuar, në të gjithë piramidën shtetërore dhe, vërtet kjo mund ta fundosë një ditë nga mbipesha e pushtetit, por kjo nuk do të ndodhë tani. Dita e fundosjes është e largët, ndoshta edhe më e largët se opozita më optimiste dhe, pa dyshim, shumë më larg nga përbetimet e Bashës. Ajo që e bën pushtetin e pakufizuar pa një mbaresë të shpejtë, është pikërisht kjo opozitë e verbër, e drejtuar verbërisht nga një mediokër politik, që mendon se pushteti dhurohet, ndahet, si i ndanë atij pjesën e tortës së pushtetit në vitin 2005, apo shpërblehet, si ndodhi në marrëveshjen e majit të vitit 2017, kur , në njërën orë mori milionat e pallatit vjehrrak, dhe, nën tjetrën, pjesë të pushtetit që mendoi se do e kishte edhe pas zgjedhjeve.

Ende askush nuk e di pse Basha doli nga parlamenti, ashtu si askush nuk e di sot përse kërkon sot, fillimisht përmes aleatëve e më pas edhe drejtpërdrejtë, të jetë në zgjedhjet e pambajtura të 13 tetorit, të cilat , edhe ai vetë, e di fare mirë se nuk do të ndodhin.

Por, tri gjëra janë të mundura.

Përmes 13 tetorit ai synon shansin e fundit të ketë një marrëveshje të fshehtë , tjetër, me Ramën, për rindarje të pushtetit ose për një fillesë të re, e cila mund të rigjenerojë paksa nga pushteti i humbur i tij brenda të vetëve. Basha e ndjen se njerëzit e tij, edhe me besnikët, janë tani të zemëruar me të dhe të gatshëm ta marrin para atë me gjithë njerëzit e tij. Pra, të ndodhë ajo që kërkonte Genci Ruli pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, për flakjen jashtë selisë së PD-së, atë, bashkë me kunatin e bashkëshorten e tij, eminencat gri të humbjes së atij viti, por njëkohësisht edhe të fituarit financiarë të saj.

Lënia e PD-së në katër rrugë, duke synuar t’i japë zemër me të njëjtin arsyetim, se shpejt Ramën do e largojmë nga pushteti, është tashmë një alibi e dalë boje, e cila nuk do të mund të zgjasë shumë. Ata që nuk e duan në krye të PD-së janë të shumtë dhe do të shtohen. Një marrëveshje me Ramën mund të duket si fundi i tij, por ai e sheh edhe si fillim i mundshëm për ndarjen e pushtetit.

I vetmi që e do Bashën kështu si është ndodhet jo larg selisë së tij, disa dhjetëra metra larg, në selinë kryeministrore.

Së dyti, opozita e mësoi pak vonë, por në fund e mësoi se, në politikë nuk mund të futesh as me mendtë e analistëve që duan të shohin gjakun të rrjedhë, ndërsa vetë sodisin nga kati i dhjetë, dhe, aq më tepër, me mendtë e disa politikanëve që rastësisht janë në politikë dhe që nuk duhet të ishin asnjë ditë aty.

Opozita mësoi se ende, jashtë vullnetit të tyre, ndërkombëtarët mund të ndalojnë me një fishkëllimë protestat e dhunshme, mund ta kthejnë ditën e 30 qershorit në një normalitet, duke mbajtur shënim mosbindjen si shenjë arrogance dhe destabiliteti. Mësoi se përmbi thirrjet e tyre, mjafton vetëm një gjysmë deklarate e Departamentit të Shtetit dhe zgjedhjet njihen, kryetarët e rinj të bashkive shkojnë në zyrat e tyre, edhe ku kanë menduar se nuk do të ishin kurrë, pushteti, qoftë edhe për një kohë përqendrohet në një dorë të vetme. Dhe ata, duan apo nuk duan, duhet ta njohin atë dorë dhe të presin prej saj.

S treti, opozita ndjen frikën e braktisjes. Dhe, duhet saktësuar, se frika është ajo që e ruan opozitën. Nëse nuk do të kishte frikë, ajo do të kishte përmbysur gjithçka. Do të kishte sulmuar dhe protestuar me dhunën e zakonshme.

Mbi të gjitha ajo ndjen se braktisja po fillon nga të vetët. Klientelizmi i njohur politik fillon e asfiksohet. Duke qenë më së shumti parti klienteliste, sidomos LSI dhe partiçkat pa anëtarë, ato janë të tensionuara se çfarë mund të ndodhë me ato që dje, për një vend pune, iu përbetoheshin për besnikëri, ashtu si nesër mund të përbetohen dhe po përbetohen për shefin e ri.

Asgjë nuk ka ndryshuar nga 30 qershori. Të njëjtët janë në lojë, po ajo trupë politike që bën sikur zihet me shpresë se do të vijë radha e tyre për të rrjepur edhe një herë pasurinë e popullit, po ata njerëz që përgjërohen për demokraci dhe në fakt janë antidemokratët më të njohur të vendit; po ato oligarkë të lidhur me pushtetin dhe mediat ende janë të ndara si një muaj më parë; “ të fortët “ nuk janë prekur dhe askush nuk është dënuar.

E vetmja gjë që është rritur gjendet tek frika e opozitës , e cila, për një çast budallallëku politik të një njeriu të vetëm, e bëri opozitën vetmitare, larg çdo lloj pushteti dhe të kapërdijë çka hodhi me vrer për disa rresht.

 

August 5, 2019 13:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*