Frikë nga Perëndimi ka pas Byroja Politike në dhjetorin e vitit 1990 dhe opozita sot

August 30, 2016 20:00

Frikë nga Perëndimi ka pas Byroja Politike në dhjetorin e vitit 1990 dhe opozita sot

Nga Pandeli Majko –

Në këtë Kuvend kanë ndodhur disa ngjarje të rëndësishme. Ndryshimet kushtetuese ishin padyshim një rast nga më të vecantit. Nuk besoj se kanë mbetur shumë për të folur për këtë ngjarje e cila ka kapërcyer kufijtë e diskutimit juridik dhe politik.

Projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Repubikën e Shqipërisë” përfaqëson një nga aktet më të rëndësishme të Reformës së Drejtësisë i cili vjen në zbatim të ndryshimeve kushtetuese të miratuara së fundi.

Ashtu si paketa ligjore e kësaj reforme diskutimi për këtë projektligj ka më shumë se një vit që vazhdon. Ai është bërë pjesë e debateve, të cilat për për arsye të kuptueshme kanë pasur tejkalimet e veta. Këto debate përgjithësisht kanë qenë të lidhura me interesat politike të ditës ku suksesi matet me dështimin e kundërshtarit.

Edhe për këtë arsye diskutimi për Reformën e Drejtësisë ka kapërcyer kufizimet e një debati normal. Ai u bë një debat revizionues për konkluzionet e shtet-formimit në 25 vitet e fundit. Ai ngriti pyetje të rëndësishme ndaj klasës politike të post-komunizmit në raportet e saj me shoqërinë shqiptare dhe pritshmëritë e saj.

Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme lidhur me reformën në drejtësi është fakt publik se drejtësia shqiptare, jo vetëm për faj të saj, është kthyer në një varrezë morale të shoqërisë. Përvec të tjerash ajo ka varrosur mëkatet e politikës dhe garantuar institucionalizimin e korrupsionit në vend.

Projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Repubikën e Shqipërisë” është një nga momentet më të sulmuara të reformës së drejtësisë.

Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që punojnë në sistem ishte themeli i dallimit midis palëve në këtë diskutim. Prekja e “sovranitetit” të vendit u përdor justifikim vecanërisht në rastin e këtij procesi.

Për të kuptuar gjendjen e drejtësisë në vend dhe domosdoshmërinë e pranisë në rivlerësimin e saj të miqve tanë ndërkombëtarë mjafton të citosh një paragraf të komenteve të Komisionit të Venecias.

Në lidhje me masat e marra për procesin e rivlerësimit, Komisioni i Venecias shprehet midis të tjerash se:  “..është i mendimit që këto masa jo vetëm që janë të justifikuara, por janë të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkatërrojë plotësisht sistemin gjyqësor. E gjithë skema është më e qartë dhe jep garanci më të mira për individët që mund të preken nga vlerësimi.”

Në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve vëzhguesit ndërkombëtarë do të mbikëqyrin procesin vendimmarrës. Ata do të asistojnë procesin në të gjitha shkallët dhe nivelet.

Procesi i rivlerësimit gjyqtarëve dhe prokurorëve do të përfshijë kontrollin në në tre drejtime. Do të kontrollohen pasuritë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Do të vlerësohen lidhjet e mundëshme me krimin e organizuar. Do të bëhet një vlerësim i punës së kryer dhe aftësitë e tyre profesionale.

Në këtë proces Komisioni i Rivlerësimit ose Kolegji i Apelimit do të vendosin  detyrimin e subjektit që të rivlerësohet të ndjekë programin e posaçëm për riaftësim pranë Shkollës së Magjistraturës për një vit. Nëse subjekti merr vlerësim negativ, këto organe vendosin deri në largimin e tij nga detyra.

Në këtë proces gjetjet e dhëna nga vëzhguesi ndërkombëtar, do të përbëjnë një provë thelbësore, refuzimi i të cilës i detyron organet e rivlerësimit të japin një vendim me shkrim mbi shkaqet e refuzimit.

Në çdo rast, Komisioni i Rivlerësimit është i detyruar të arsyetojë vendimet e tij lidhur me shkaqet e  dhënies ose jo  të masës disiplinore. Në cdo rast kur subjekti i rivlerësimit ka ushtruar ankim ndaj vendimit të Komisionit të Rivlerësimit për shkarkim nga puna, ai pezullohet nga detyra që do të thotë se ai nuk ka të drejtë të gjykojë çështje, por mund të ketë akses në zyrën e tij përfshirë në adresën elektronike zyrtare me qëllim që të njoftohet mbi ecurinë e procesit të rivlerësimit.

Kjo që sapo lexova përbënte deri para pak kohësh për disa kolegë të së djathtës “dramën” e shkeljes së sovranitetit të Shqipërisë. Ai përbënte ndërhyrjen flagrante të “emërimit” të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ndërkombëtarët. Pyetja është si do “ndërhyjë” një i huaj në sovranitetin e institucioneve shqiptare në “emërimin” e gjykatesëve dhe prokurorëve? Si do ndërhyet praktikisht nga të huajt kur në procesin e rivlerësimit cdo gjykatësi dhe prokurori do ti jepet e drejta të dëgjohet lidhur me përfundimet e konstatuara ndaj tij? Si do ndërhyet kur për këtë do zhvillohen seanca dëgjimore në prani të publikut?

Dëshira për ruajtur influencën në  sistemin e ri të drejtësisë që projekton reforma e drejtësisë nga politika është realiteti i kërkesave të opozitës. Një justifikim për që filloi me akuzën se reforma po bëhet për “kontrollimin” e saj. Një fantazi që filloi si akuzë mbi mazhorancën dhe përfundoi tek akuzimi i Perëndimit. Një hipokrizi që duket si politikë por që thelbin e ka frikë. Frika nga moskontrolli nesër i drejtësisë është kriza reale që shoqëroi gjithë diskutimin e reformës së drejtësisë. Të tjerat janë fjalë.

Të nderuar kolegë

Si rrjedhojë e ndikimit të politikës në drejtësi u krijua me kalimin e kohës edhe e ndikimi i anasjelltë i njerzve të drejtësisë në politikë.

Rezistenca ndaj Reformës së Drejtësisë pati kundërveprimin sindikalist të lidhjeve të drejtësisë me politikën. Kjo rezistencë arriti në kufijtë e vënies në diskutim të procesit të integrimit europian të vendit dhe aktivizoi një energji antiperëndimore të paprecedentë pas viteve 90-të nga një pjesë e politikës.

Miqtë e Shqipërisë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian u detyruan të ndërmernin një aksion të paprecedentë për  nxjerrjen e vendit nga udhëkryqi i krizës së vendimarrjes.

Sado e vështirë që të na duket kjo që po diskutojmë sot nuk ka brenda arsyet “teknike” të një reforme për drejtësinë. Ajo është pohimi ose jo i angazhimit tonë për të drejtuar vendin drejt Perëndimit dhe vlerave europiane.

Akuzimi i Perëndimit vjen nga frika karshi tij. Të kesh frikë nga arsyeja dhe vlerat për të cilat filluam rrugëtimin 25 vjet më parë është dramë. Frika për tu përballur me veten është dramë personale.

Frika nga Perëndimi po na con drejt takimit me fatin e Byrosë Politike në dhjetorin e vitit 1990-ët. Përballë sot nuk kemi publikun por edhe veten.

Sot duket sikur debatojmë për fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të verifikohen. Kjo nuk është arsyeja kryesore e mosmarrëveshjes sonë.

Kjo mosmarrëveshje lidhet me qëllimet e ndryshuara nga ato për të cilat shumë nga ne hymë në politikë. Koha ka bërë të vetën.

Dëshiroj tu ftoj që të ripohojmë veten dhe arsyen pse jemi në këtë sallë.

Ju ftoj ta votojmë Projektiligjin e kthimit të moralitet në sistemin e drejtësisë. Koha e të “paprekëshmëve” mbaroi.

*Fjala e mbajtur sot në Kuvend

August 30, 2016 20:00
Komento

1 Koment

  1. kris 1 August 31, 12:55

    kane pase aq frike nga perendimi sa qe shkonin te pushonin e te kuroheshin si dhe conin femijet ne shkollat e tyre.
    Te dy palet o Majko xhani nuk mund ti prisni fijet dhe litaret qe ju lidhin me birone politike

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim