Fronti radikal i Evropës Jugore

January 29, 2015 12:39

Fronti radikal i Evropës Jugore

Fitorja e së majtës radikale në Greqi, konfirmoi qartazi rezistencën popullore ndaj politikave të masave shtrënguese ekonomike. Kjo rezistencë, e cila për herë të parë u votua gjerësisht nga elektorati grek, ekspozohet në nivele të ndryshme në vendet, që tashmë janë të prekura nga karakteri i masave shtrënguese. Por, në ç’forma po shërbejnë këto politika për fuqizimin e ekstremeve të majta dhe të djathta dhe a ka shkaktuar kriza ekonomike dhe një krizë demokratike?

Rritja e ekstremeve 

Fuqizimi i partive ekstremiste të djathta dhe të majta ka një shpërndarje interesante në BE. Teksa në Francë, Belgjikë, Holandë dhe vendet skandinave, vërehet një rritje e rëndësishme e ekstremit të djathtë ndër vite, vendet e jugut (Spanjë, Portugali, Greqi) janë zhvilluar nën karakteristika të tjera. Kryesisht radikalët e majtë kanë gjetur një terren më të fuqishëm për të zgjeruar elektoratin. Disa nga arsyet që i atribuohen kësaj ndarje, lidhen me karakteristikat e veçanta historike, si qëndrime të gjata nën regjime autoritare, qasje e vonuar ndaj demokracisë liberale, si edhe anëtarësim i vonshëm në Bashkimin Europian.

Zgjedhjet e fundit evropiane dhe fushatat elektorale konstatuan gjithashtu një tendencë të re, në lidhje me partitë e kahut ekstrem.

Nëse retorika dhe propaganda partiake e ekstremit të djathtë ka qenë më shumë e përqendruar në politikat anti-Europë, anti-imigracion dhe anti-Islam, kësaj here nën kontekstin e një krize ekonomike të zgjatur, kemi të bëjmë me një zhvendosje të ndjeshme të axhendave të tyre, drejt kundërshtimit të politikave shtrënguese ekonomike të imponuara nga BE, në të gjithë Europën.

E njëjta përqasje strategjike, u konstatua edhe tek partitë e ekstremit të majtë, kryesisht në vendet e jugut të Europës. Përtej Syriza-s, në Spanjë, e majta radikale “Podemos” vetëm me 4 muaj jetë ekzistence politike, arriti të thithë 8% të votave të elektoratit, duke marrë 5 eurodeputetë. Pra, strategjitë në përthithje të elektoratit tashmë të pakënaqur me politikat shtrënguese ekonomike, po funksiononte. Politika, që sigurisht lidheshin dhe identifikoheshin drejtpërsëdrejti me Bashkimin Europian.

Bashkëpunimi

Por, ndonëse të identifikuara me imazhin e BE-së, aplikimi i këtyre politikave shtrënguese është bërë në një sinkron të plotë me klasën politike qeverisëse tradicionale, si majtas apo djathtas. Pra, që prej fillimit të krizës financiare në vitin 2008 e në vijim, kemi të bëjmë me një përfshirje të gjithë sistemit, në qëndrimin e ashpër ndaj klasës punëtore dhe asaj të mesme. Në të gjithë Europën, partitë tradicionale (social/demokrate) në qeveri apo në opozitë, kanë punuar së bashku që pikërisht klasat më të dobëta të paguanin për krizën, në përfitim të sistemit: pushime masive nga puna, shkurtime drastike të rrogave, pensioneve, përkeqësime të mëdha në sektorin e shërbimeve sociale, etj.

Pjesë e këtij bashkëpunimi të “detyruar” shpeshherë janë edhe Sindikatat apo Unionet e Sindikatave. Të zhvendosura nga roli i tyre tradicional, ato shfaqen në bashkëpunim me sistemin, duke ndikuar në uljen e ritmit të kundërshtimeve ndaj masave përkeqësuese ekonomike, si dhe ndaj vetë BE-së, pavarësisht përpjekjeve të fuqishme të punëtorëve, për të kundërshtuar këto masa.

Pra, kjo masë e madhe qytetarësh u gjet e braktisur, pikërisht nga garantët e mbrojtjes së të drejtave të tyre, sistemi politik dhe nga vetë sindikatat. Si rezultat, qeverisjet aktuale në këto vende po identifikoheshin me imazhin e BE-së. I vetmi opsion, që po shfaqej përballë kësaj mase qytetarësh të revoltuar ishin politikat ekstreme, që i garantonin kësaj mase pakënaqësie sociale, rikthimin e të drejtave ligjore tashmë të mohuara.

Radikalët e “Podemos”

Panorama në Spanjë është akoma më e hidhur. Që prej vitit 2010, Spanja po përballet me një kuadër masash shtrënguese ekonomike, të imponuar nga Trojka. Masa, që kanë detyruar qytetarët spanjollë të organizohen në protesta të vazhdueshme për të ushtruar presionin qytetar ndaj këtyre politikave.

Por, kriza ekonomike ka përkeqësuar ndjeshëm, jo vetëm të drejtat sociale të masave, por ka ndikuar edhe në përkeqësimin demokratik dhe të drejtave të njeriut.

Raporti i fundit (prill 2014) i Amnesty International (AI), është i trishtë teksa konstatohet se, nën një kuadër legjislativ të modifikuar kohët e fundit, qeveria spanjolle po dhunon haptazi të drejtat dhe liritë e njeriut. Nën këto ndryshime ligjore, aplikohen gjerësisht penalizime juridike nëpërmjet gjobave të larta, tashmë rutinë (300-1.500 euro), përndjekje penale,  kërcënime dhe dhunë policore (dhunë fizike ndaj meshkujve dhe ngacmime seksuale ndaj femrave) për të kufizuar të drejtën e protestës.

Pra, teksa panorama ekonomike dhe sociale përkeqësohet, në vend të një dialogu dhe dëgjimi të kërkesave të qytetarëve, autoritetet qeveritare spanjolle po bëjnë gjithçka të ndalojnë me dhunë protestat popullore. AI vë alarmin mbi rrëshqitjen e të drejtave të njeriut në Spanjë, tërësisht jashtë kornizës ligjore të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

Nën këtë klimë, lind dhe fuqizohet edhe lëvizja radikale e majtë “Podemos” (Ne mundemi). Në vetëm 4 muaj ekzistencë politike, Podemos, arriti të marrë një mbështetje popullore të konsiderueshme, duke fituar 8% të votave dhe duke u shndërruar në partinë e tretë politike në vend, gjatë zgjedhjeve evropiane të majit 2014.

Programi politik i saj synon, dhënien fund të logjikës neoliberale dhe masave shtrënguese ekonomike si edhe diktaturës së borxhit, shpërndarje të barabartë të pasurisë dhe punës, demokratizimin radikal të gjithë instancave të jetës publike, ruajtjen e të drejtave sociale dhe të shërbimeve publike si edhe dhënien fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Sipas Podemos, politikat që po krijon Trojka, favorizojnë veçse rritjen e ksenofobisë dhe të fashizmit. Lideri i saj karizmatik, profesori i shkencave politike Pablo Iglesias, duket se ka tronditur sistemin politik tradicional të Spanjës, të dominuar ndër vite nga rrotullimi i pushtetit mes dy partive kryesore, asaj konservatore dhe socialiste.

Zgjedhjet legjislative, që pritet të zhvillohen në këtë fundvit në Spanjë, e rendisin Podemos, ndër favoritët kryesorë për marrjen e pushtetit, apo drejtimin në një koalicion të mundshëm qeverisës. Nëse pas fitores së Syriza-s, do të triumfojë edhe Podemos në Spanjë, ky do të jetë një sinjal i fortë për bërthamën e Eurozonës dhe do të theksojë më shumë ndarjen, që tashmë ekziston mes grupimit në shtete pro dhe kundër aplikimit të masave shtrënguese ekonomike, me një fokus më shumë drejt politikave të rritjes dhe investimeve. Teksa konfirmohet ndikimi i krizës ekonomike në përkeqësimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, fitorja e mundshme e Podemos, mund t’i japë fund edhe një vlerësimi utopist, se në Europën e bashkuar demokratike, ekstremet politike e kanë të pamundur gjenerimin dhe shndërrimin në faktorë qeverisës./im.ta/

 

 

January 29, 2015 12:39