Frroku shpallet i pafajshëm për vrasje, por do bëjë 7 vjet e gjysmë burg

April 21, 2017 12:52

Frroku shpallet i pafajshëm për vrasje, por do bëjë 7 vjet e gjysmë burg

Mark Frroku shpallet i pafajshëm për vrasjen e Aleksandër Kurtit.

Ndërkohë që është dënuar me 7.5 vjet burg për pastrim parash.

“Unë e ndiej vetën të pafajshëm. Jam mbajtur padrejtësisht në burg për dy vjet. Dua vetëm të shkoj te familja ime. Kam besim te ju dhe drejtësia”. Këto ishin fjalët e fundit të ish-deputetit Mark Frroku, i akuzuar për “vrasje” në vitin 1999 në Belgjikë dhe tri vepra të tjera penale, para se trupi gjykues i gjykimit të tij të tërhiqej dje në dhomën e këshillimit për vendimin përfundimtar.

Gjykata e Tiranës zhvilloi dje seancën e parafundit, në ngarkim të Frrokut dhe sot shpalli vendimin final ndaj tij. Në seancën e radhës treshja gjykuese u njoh me konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes.

Përmes një materiali voluminoz, avokatët Vladimir Meçi dhe Tonin Prendi kërkuan pafajësinë e klientit të tyre, duke pretenduar se ai nuk ka konsumuar asnjë nga veprat penale për të cilat akuzohet Frroku.

Në përfundim të avokatëve, ish-deputeti përsëriti me gojën e tij në seancë edhe një herë faktin se nuk ka kryer asnjë vepër penale. “Kam dy vjet që mbahem në burg për vrasjen e një personi të cilin nuk e kam parë ndonjëherë me sy. Madje, as një foto të tij nuk kam parë”, tha Frroku.

Në lidhje me akuzën e “pastrimit të parave”, i pandehuri këmbënguli se e gjithë pasuria e tij ishte produkt i punës së ndershme. “Nuk kam asnjë centezë pasuri të paligjshme. Të gjitha pronat dhe pasuritë e mia dhe familjes janë bërë me punë dhe djersë. Kam punuar nga 16 orë në ditë. Prindërit e mi, që janë të moshuar sot, vijojnë të punojnë nga 10 orë në ditë. Unë kam qenë me armë të pabarabarta në gjykim. Prokuroria paraqiti si provë një aktekspertim kontabël i përgatitur nga një eksperte e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa unë nuk u lejova të marr një eksperte të pavarur. Unë bashkë me ortakun tim i kam paguar shtetit mbi 15 miliardë lekë të vjetër taksa, nga të cilat gjysma kanë qenë të miat. Nëse i kam paguar 8 miliardë shtetit, nuk i paskam bërë 2 për vete?!”, tha Frroku.

Në lidhje me akuzën e “mosdeklarimit të pasurisë”, i pandehuri tha se “i kam plotësuar për herë të parë formularët e IKDKP-së, dhe ndaj mund të kem bërë ndonjë gabim”. Duke kundërshtuar edhe akuzën e katërt ndaj tij, atë të “ndërtimit të paligjshëm”, Frroku tha se ai ka ndërtuar vetëm një gjysmë tende, për të mos iu dëmtuar materialet e ndërtimit te ishhoteli në pronësi të tij te Rruga e Durrësit. “Po sot, -iu drejtua ai gjyqtarëve, -keni kaluar ndonjëherë tek ajo rrugë? E keni parë se çfarë është bërë?”.

April 21, 2017 12:52
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*