Fryma pagane e “Ditës së Verës”

March 14, 2019 13:46

Fryma pagane e “Ditës së Verës”

Nga Pëllumb Gorica

Ritet e lashta pagane janë përcjellë, sa në antologjinë gojore popullore, aq edhe në plastikën e lëvizëshmërisë së jetës, si një dëshmi e kulturës sonë të lashtë. “Dita e Verës” është një prej riteve festive. Në zhvillimin e saj, ajo përshkohet nga tipari i gëzimit njerëzor, që pasqyron kalimin e dimrit, i cili mbyllte njerëzit brenda mureve të shtëpisë dhe përtëritjen e natyrës në pranverë. Ajo hyjnëzon këtë stinë, dhe sipas traditës së mbetur, të ruajtur e përcjellë në trevat shqiptare, veçanërisht në atë të Elbasanit, festohet më 14 mars. Është rizgjim në punë e lëvizje të jetës, shëndet e mirësi në familje, shoqëri, miqësi…etj.

Origjina e “Ditës së Verës”

Si një festë me karakter të mirëfilltë popullor, e cila rrjedh nga thellësia e identitetit të jetës sonë ilire, studiuesit e fushave etnokulturore, e jo vetëm ata, nëpërmjet hulumtimeve kanë sjellë të dhëna interesante, duke na paraqitur festimet, origjinën e saj me ritet pagane, si një thesar të paçmuar të kulturës. “Është dita në të cilën ilirët stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e lashtë, perënditë e luleve” do të shkruante ideologu i shquar shqiptar, Faik Konica. Ndërsa sipas akademikut Mark Tirta: “Ritet pagane kanë lidhje me ripërtëritjen e natyrës me krahasimin, afritë dhe pikëtakimet në terminologji, po ashtu praktikimi i tyre pa folur, me fatin për pjellori e prodhimtari të mbarë”.

Origjina e kremtimeve të“Ditës së Verës”, me rite pagane te ne, më së shumti, është Çermenika (Kandavia), një krahinë afër Elbasanit, e cila është banuar qysh në kohët e lashta parahistorike. Këtu qëniet mitike të indentifikuara dhe me kultin e perëndive gjatë periudhave parahistorike kanë lënë gjurmë në kujtesën e popullit. Duke hyjnizuar dukuritë që njerëzit e asaj kohe nuk dinin t’i shpjegonin, krijuan besime tek idhujt paganë, të lidhur ngushtë me rite. Një nga figurat e mitologjisë ishte Zana apo Diana, që jetonte pyjeve, ujëvarave, shpellave e lëndinave. Ajo ishte perëndia e pyjeve, e gjuetisë, dhe e gjithë Natyrës.

Zana sikurse perëndia ilire më e njohur si simbol bukurie, e kalonte kohën me festa, me muzikë, duke kënduar e hedhur valle mes luleve, shelgjeve e burimeve. Ajo ndjehej e pranohej si fatsjellëse e engjëllmbrojtës për banorët, sa ata i organizonin asaj festa, duke i blatuar dhurata. Kështu, duke buruar nga kulti i figurës mitologjike të Dianës, ritet pagane për nder të saj morën karakterin e mirëfilltë të një feste me pije, ushqime, lojëra, etj. Arkeologu Hasan Ceka do të shkruante: “Dita e Verës’’i kushtohej Dianës së Kandavëve, bukurisë së saj ku dëshmohet karakteri pagan i festimit që lidhet me natyrën, me ndërrimin e stinës dhe ardhjen e pranverës, fillimin e punëve bujqësore” etj. Figura e saj në këtë trevë, dhe jo vetëm këtu, është pasqyruar në legjenda, përralla, ninulla, apo gjetje arkeologjike. Një shekull më parë arkeologët austriakë, Prashniker dhe Shober gjatë një ekspedite kërkimore në trevat e Shqipërisë dhe Malit të Zi, pikërisht në rrënojat e një ure romake pranë lumit të Moraçës zbuluan një altar mermeri me një mbishkrim interesant. Ky mbishkrim i ishte përkushtuar perëndeshës Diana të Kandavëve. Në Elbasan, Dibër, Strugë, Tetovë, Gostivar, Prespë, Berat, Përmet, Pogradec, Korçë, Gjirokastër , Himarë, Krujë, Burrel, Mirditë, Lezhë, Malësinë ë Shkodrës, Ulqin, Çamëri e Kosovë, edhe tek arbëreshët e Kalabrisë ka nuanca festimesh të ndryshme të ‘’Ditës së Verës’’, por shtratet e riteve kryesore janë të njëllojta.

Elbasani qysh në kohët e hershme, i shtrirë si pëllëmbë e hapur buzë Shkumbinit plak e rreth kodrave me gjelbërim të Ullishteve dhe Krastës së Madhe, mezanafillë në shekullin II para erës sonë, si një stacion i rrugës Egnatia, dhe ecurinë në kohëra kësisoj, duke u kthyer në një qendër të zhvilluar në vazhdimësi, këtë festë pagane e mbështolli, e trashëgoi duke e festuar më bukur për të shprehur shpirtin bujar të gëzimit. Ndaj them që në ballin e elbasanasve lexohet tradita, pasi ‘’Dita e Verës’’ është kthyer tashmë atje në një manifestim të madh, si një stafetë e bukur, që njëri brez ia dorëzon tjetrit. Elbasani ka jo vetëm “tapitë” e kësaj feste kaq të bukur, me “vulë të thatë prej noteri”, por dhe”hipotekën” e saj. Ndaj epitetet më të zgjedhura për të janë të pamjaftueshme dhe jo aq metaforike.Dhe aq e kanë bërë të tyren elbasanasit, sa, ditën jo vetëm ta ruajnë këtë festë pagane, por dhe ta festojnë.

Është mbresëlënëse se si kjo festë ka përshkuar shekujt dhe asnjëherë nuk e humbi bukurinë e saj. Ajo u mbijetoi pushtimeve, fetarëve, dhe partiakëve. Ka përballuar mugëtirat e kohëve të vështira, sisteme shoqërore me fe e religjone të ndryshme, luftëra e pushtime të të huajve dhe kulturat e tyre. Sidoqoftë, pushtuesit kurrë nuk arritën ta shprishin, ç’ishte arrritur tradicionalisht. As dhe në kohën e diktaturës kjo festë nuk është ndëprerë, edhe pse partiakët e monizmit donin ta tjetërsonin. Kur erdhi demokracia, gëzimi qe në kulmin e saj. Sa herë që vjen “Dita e Verës”, shpërthen hareja, duke u shpërfaqur ashtu si festat fetare dhe kombëtare, me një madhështi për t’u admiruar. Ajo sot i është përshtatur kohës dhe vazhdon të festohet, duke treguar vlerën dhe tagrin që mbart, si festa më e vjetër e trojeve tona dhe unikale në shtrirjen europiane. Elbasanasit, kanë meritën e madhe se e ruajtën atë nga goditja e kohëve. Edhe pse tani, është kthyer në festë mbarëkombëtare, të gjithë bëhen sy e veshë, se si festohet në Elbasan. Ana tjetër e medaljes ështëse festa e ditëve të sotme,e ka zbehur kuptimin dhe shkëlqimin e saj, duke fituar terren komercialiteti, që ka humbur vlerën e origjinës, nga zhurmat e restoranteve dhe tregtarët e psudoballokumeve.

Festë e trokitur në rite

‘’Dita e Verës’’ka rite të bukura pagane, të rrënjosura në vetëdijen e kohëve, që rrallë i gjen në ndonjë vend tjetër kaq të vyera. Ajo festohet në Elbasan, duke thithur një angazhim moral e material dhe në thelb ruan traditën aq këndshëm, me një repertor të pasur në familje, në shoqëri, me një begati ushqimesh e më shumë rite pagane, blatime, shëtitje, këngë, duke i pushtuar të gjithë me gëzimin e veçantë.

Në mbrëmje, majë kodrave ndizen zjarre për të dëbuar errësirën e dimrit. Djemtë i kapërcejnë flakët, duke besuar se kështu marrin shëndet e fuqi dhe ky rit tregon zhdukjen e të këqijave, që kishte mbartur viti i kaluar. U bien zileve e këmborëve, trembin zhapikët, gjarpërinjtë e tërë të këqijat e tokës. Vajzat përreth zjarrit këndojnë e hedhin valle për ardhjen e stinës së re. Vendosin verore në qafat e duarve. Veroret janë një ndërthurje penjësh të kuq, të bardhë dhe të gjelbër, që simbolizojnë gjakun e brezave, pastërtinë e shpirtit dhe gjelbërimin e natyrës. Shkrimtari elbasanas, Hyjni Ceka e konsideron veroren një distiktiv që elbasanasit e vendosin gjatë festimit të ‘’Ditës së Verës’’. Ato hiqen nga dora, kur vijnë dallëndyshet pas shtegtimit. Verorja ka fuqi mbrojtëse nga e liga.

Çdo familje përgatit ushqimet më të mira për këtë festë. Etnologu Thanas Meksi do të shkruante: “ Hiroshja Ditë Vere futet shtëpi më shtëpi e sofër më sofër, tek pasaniku, por edhe tek i vobekti. Sepse edhe ky i fundit me kursimet e mbledhura gjithë vitin, shpenzon pak gjë, ndaj nuk mund të festohet ardhja e festës së“Ditës së Verës” pa gjelin e detit, gëzimin e fëmijëve, apo pa ballokumet me sheqer”.

Nënat dhe gjyshet e prisnin mëngjesin me gatime për ditën e nesërme, në heshtje e me një solemnitet për t’u përgëzuar e të ndërthurura me urime si: “T’u bëftë jeta behar”!, “Kështu të gjetë behari!”, etj. Ziejnë misra, vezë, gatuajnë gjelin e detit, tavat me pistil, nxjerrin nga arkëzat: arrat, lajthitë, palat e fikut, shegët, mollët e ruajtura pikërisht për këtë ditë, e gjithçka për një ditë të tillë, por më shumë ballokumet, që është ëmbëlsira më e veçantë e kësaj feste dhe karakteristike e Elbasanit, me gatimin nazik të saj. (Ballokumet kanë formën e Diellit). I referohemi një fakti domethënës për ballokumet, që prodhohen gjithandej, por janë larg, shumë larg nga ballokumet e Elbasanit.

Po ashtu, përgatiten dhuratat për fëmijët, që njihen si shpërndarja e hiseve për ata, që të nesërmen në mëngjes kur trokasin në derën e shtëpisë për të uruar Ditën e Verës u dhurohen ato ëmbëlsisht. Të moshuarit, me përpikmërinë e riteve, në mëngjesin e 14- marsit shpejtojnë të hapin derën për të sjellë bujari e mirësi. Bëhet stolisja e pragut të derës me degë bimësh, sytha e lule të çelura, por edhe një plis me bar. Gratë mbushin ujë të freskët, ku hedhin në enët lule e degë të gjelbërta. Fëmijët spërkaten me këtë ujë. Po ashtu me këtë ujë bëjnë zgjimin e fëmijëve e, më pas, lajnë fytyrën. Bëhet spërkatja e themeleve të shtëpisë dhe bagëtive, pasi besohet se do të jenë më të shëndosha.

Këto rite bëhen mes një morie formulash urimi si: “Unë dimërova, ti vero!”, “Lulëzo si këto lule!”, “Të shkoftë vera me shëndet!” etj. Vajzave u vendosem lule mbi jastëk. Në “Ditën e Verës” nuk punohej. As nuk pritej dru i njomë, apo filiz i ri, që do të thoshte se e reja e ka jetën e gjatë. Fëmijët ngjiteshin lart, nëpër sheshe, ku çel gjethi e avullon toka, ku cicërojnë zogjtë e lëvrijnë gjallesat e ku bari ka filluar të shpërthejë nga toka. Zënë e zhvillojnë lojërat e tyre popullore si: vrapime me kuaj, hedhje guri, mundje, ngjitje në pemë, etj; për të pasur shëndet e lumturi. Ata këndojnë e hedhin valle nën tingujt e fyejve, pipëzave, daulleve, nën shoqërinë e freskisë ripërtëritëse të natyrës. Vajzat përkëdhelin flokët e njëra-tjetrën e me këngë mbledhin lajmëtaret e pranverës, manushaqet dhe karakaftet, duke i stolisur me kurora lulesh.

Elbasani, kryeqendër e ‘’Ditës së Verës’’

Në 14 mars Elbasani zgjohet me ndjesinë e bukur të festës së shumëpritur. E ndjen këtë energji dhe dinamizëm, që nga shtëpitë e vjetra e deri tek pallatet shumëkatshe, poredhe ngado që hedh sytë, në rrugët, sheshet, parqet, bar- kafetë, që gëlojnë nga njerëzit. Fëmijëve u lexohen në fytyrë gëzimi e gjallëria të cilat i japin festës një amplitudë më të larmishme, me hapat e lehta e lëvizjet lozonjare, porsi zërat e tyre mes zhurmave në paradën e karnavaleve. Festojnë jo vetëm banorët e qytetit dhe zonave përreth tij, por edhe vizitorët nga të gjitha trevat shqiptare. Sa mirë, kur i ndajmë bashkë gëzimet e festave tradicionale! Ka nga ata që udhëtojnë qindra-mijëra kilometra për të ardhur. Elbasanasit, e larguar në emigracion, kthehen me mall dhe fytyrat u shkëlqejnë, të festojnë këtë ditë kaq të veçantë, siç është “Dita e Verës”. Cila është ajo forcë e çuditshme që i shtyn të marrin udhën?! Respekti dhe dashuria për festën rituale të të parëve, por edhe malli për tokën që i lindi për të gëzuar me të afërmit e tyre. Natyrisht, as largësia dhe as vështirësitë që kanë hasur, ku punojnë e jetojnë, nuk i pengon që të vijnë.

Kënaqësinë, bukurinë, virtytet e madhështinë e shpirtit të festës së ‘’Ditës së Verës’’ e lexon në bisedat plot dashamirësi, me bashkëndjenjën e traditës së lashtë. Elbasani jehon nëpërmjet këngëve të vjetra e të reja dhe kthehet në një skenë të madhe koncertesh të këngëtarëve popullorë. Tek dëgjon këngët e bukura popullore elbasanase, ringjallen njëri pas tjetrit, këngëtarët e vjetër dhe, mbi të gjithë, vjen i gjallë me qemanen e tij, usta Isufi e mandej, pas tij, Marie Dhama e Tahir Gurakuqi, vëllezërit Zena, Albert Tafani e të tjerë më të rinj. Edhe zogjtë në cicërima përjetojnë entuziazmin e festës, duke fluturuar ndër pemë e mbi ndërtesat e larta. Duke i pranuar Elbasanit autoktoninë e ‘’Ditës së Verës’’, festimet e saj vitet e fundit janë zgjeruar, sa pushteti lokal dhe ai qëndror, kanë inkuadruar investime kulturore, artistike e sportive, ku përfshihesh nga emocione të bukura, edhe kur sheh diçka të re, si panairi i librit. Kjo risi me vlera të rralla frymëzuese le të skalitet në murin e paharrueshëm të qytetit, në ‘’Ditën e Verës’’.

Vite më parë, klubi letrar “Kostandin Kristoforidhi“ në Elbasan, i identifikuar me emrin e poetit Milianov Kallupi, i shtonte shkëlqim festës së ‘’Ditës së Verës’’, me festivalin poetik “Trëndafilat e Elbasanit”. Emocionet mes bukurive të qytetit, si natyrshmëri, i shoqëronin vargjet e poetëve, të mbledhur bashkë me shpirtin e tyre plot lirizëm pranveror në “Lulishten e Poetëve”, ku mbillej pema simbolike me emrin e një poeti. Por sot këto takime me këtë domethënie janë harruar dhe klubi letrar është i amullt.

‘’Ska vend në qytet për ne atë ditë’’, të thonë elbasanasit dhe arratisen në natyrë për të festuar ‘’Ditën e Verës’’ me familjen, të afërmit; me miq e shokë në lëndina, në pyje dhe pranë gurgullimës së ujërave kristal të pranverës; atje te Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, Tepja, Ullini i Qejfit, Teferiçi, Shëngjoni i bekuar, Krastë, Çezma e Kasinës, Burimi i Bushekut, Çezma e Lepurit, etj. Kjo është edhe pjesa më e bukur e festës, si një forcë shpirtërore ripërtëritëse, jo vetëm në sytë e fëmijëve, mbushur me dritë gëzimi, por edhe në rrudhat e të moshuarve. Ndaj, dhe, veç origjinalitetit, duke shtuar pak romantizëm në të, e ndjejnë festën, me bisedat e ngrohta, humorin shpotitës që t’i shkul të qeshurat nga thellësia e kraharorit, por edhe me lojërat popullore, këngët e vallet. Nuk harrohet kënga e Isuf Myzyrit:

“Për gjithë shokët asht Ditë Vere

Dimni tem s’ka të mbaru

Ç’janë k’to lajme, k’to habere?

Ah, erdh koha me kalu…!.”

Si një festë që i ka rrënjët në lashtësi, ‘’Dita e Verës’’ mbart me vete tisin romantik të ritevepagane, që nuk është vetëm joshja e tyre, të cilat përbëjnë madhështinë e vërtetë të një folku të tërë shpirtëror; luhatja e zjarreve magjike, në kodrat e sheshet, as edhe buzëqeshja e vajzave, këmbimi i ballokumeve, etj, por është edhe vërshimi i një stine të tërë, me ngrohtësinë e diellit, limfën e thellësive të nëntokës dhe mbitokës, në trajtë gjethesh, gonxhes e lulesh shumëngjyrëshe, që e bëjnë kaq të bukur e simbolike festën e lashtë të ‘’Ditës së Verës’’.

Përmbylltasi në formatin e këtij parashtrimi përkëdhelëm e trajtuam ritet pagane, të “Ditës së Verës”, përqendrimin e saj në Elbasan, shtrirjen, por edhe ngarkesën emocionale, të përjetuar me efektet tepër ndikuese, të cilat duhen ruajtur, duke i dhënë një mesazh vazhdimësisë.

 

 

March 14, 2019 13:46
Komento

14 Komente

  1. Gezim Pera March 14, 13:58

    Shkrim me informacione dhe vlera që e bëjnë interesante festen e Dites se Veres dhe ballokumen e Elbasanit.

    Reply to this comment
  2. Hamdiu, Burrel March 14, 14:02

    Kënaqësi që lexoj për këtë festë të bukur nga një njeri kaq publik në krijimtari! Vite më parë, kur ishim në bankat e shkollës pedagogjike, e kemi pritur e festuar këtë ditë në mënyrën më të mirë tradicionale. Kujtoj shetitjet që bënim jashtë qytetit, pastaj pjesën tjetër brenda shkollës e konviktit. Faleminderit z. Pëllumb për atmosferën festive dhe nostalgjinë e krijuar!

    Reply to this comment
  3. Evelina Dhimitri March 14, 14:06

    Gezuar Diten e Veres! Para ca vitesh kam qene ne Elbasan ne diten e veres. Aty kam kuptuar qe festohej. Dhe me mbeti ne gjuhe shija e ballokumes me gjalp e finje nga Zonjat elbasanase!

    Reply to this comment
  4. Vjollca Sala March 14, 14:14

    Nje hulumtim per autoktoninë e festes te verës, me aroma e ngjyra pranverore, elegante historike, festive, tradicionale e treves se Elbasanit. Ndaj, autorin e falenderoj qe mesova dhe dicka te re se aspak njohuri per ritet nuk kisha.

    Reply to this comment
  5. vlonjati March 14, 17:11

    …..mah…. po lezoja diku per recetat e guzhines shekujsh me pare me doli qe varianti i ballokumes( shih emrin) eshte turke. eshte bere pis festa nga otomanizmi.

    Reply to this comment
  6. Dash March 14, 17:53

    Kemi nevoje per keto shkrime mbi traditat tona te lashta ,misterioze dhe te bukura ….se na hoqi trute e kokes politika e qelbur ….

    Reply to this comment
  7. Hajredini March 14, 18:26

    Urime studiues! Na e solle mjeshterisht historikun, ndjenjat dhe ritet e shpirtit tone te sterlashte pagan.Na zgjove kujtime. Me kujtohet kur nena, drite paste, na zgjonte heret, per te mledhur lule kodrinave me i stolis dyert e oborrit e te shtepise dhe na sperkaste me bar e hithra qe te ishim te shendshem.U festofte gjithmone Dita e Veres ne Elbasan e kudo ne trojet tona etnike!

    Reply to this comment
  8. demo March 14, 20:31

    Te gjithe keto komente i ka shkruar vete autori i shkrimit,sepse jane nofka te reja ne kete forum.Pergezime autorit!

    Reply to this comment
    • A GRAMSH March 14, 20:48

      Demo po e tregon veten qe je mi gjirizi,d.m. th 1200 leksh,qe zbulon sekrete. Nuk besoj ti kete bere autori, se puna e tij shkrimore flet vet e nuk ka kohe per komente te vetvetes. Nejse ti je mesuar te besh corap ipas interesit tend.

      Reply to this comment
    • mirel March 15, 08:14

      Demo u tha u ba lene mos e cyt ma gjeje gjelperen ne kashte te shkrimi. Kryetar forumi do te zgjedhim, se je aktiv dhe e ben shume mire punen e spiunit.

      Reply to this comment
    • FIDEL KASTRO March 17, 12:51

      Demo ketu ja ke futur kot me kete koment. Sa intrigant qe je. Po ka plot qe hyjne me emra te rinj dhe lexojne cfare serviret. Mbete karagjoz gjithmon.

      Reply to this comment
  9. gjermani i fundit March 15, 23:50

    Hyjnesha Diana eshte versioni romak i Artemides, qe ishte hyjnesha e gjahut e me vone figuron si hyjnesha e drites se Henes. Ishte motra binjake è Apolonit, qe simbolizonte driten e diellit. Gjahu ne antikitet ka qene aktiviteti me I rendesishem, pasi prej tij sigurohej ushqimi. Natyrisht qe ishin perendi pagane, por shikoni ne Jug, jo ne Elbasan. S’do te thote gje qe meqe behen ballokume te mira rrjedh qe Dita e Veres e ka aty origjinen. Shikoni ne Dimal, po edhe ne Tomorr. Zgjohen kafshet è egra nga letargjia, ose rifillojne gjallerine pyjet, dmth shtohen mundesite per gjah te mire.

    Reply to this comment
    • Candavia March 16, 13:52

      Gjerman i parafundit ashtu te duket, arixhofka asnjehere nuk e shan siten e vet dhe te pelqen ta çosh Dianen ne jug, por ajo i takon trojeve te gegerise e sotme.

      Reply to this comment
  10. demo March 17, 13:07

    Zana e ka origjinen ne Bjeshket e Namuna.Ne Ulqin eshte zbuluar edhe statuja e Diana Candaviensis.
    Festa e Elbasanit nuk ka lidhje me perendeshen pagane,por eshte feste bektashinjsh e importuar nga Irani.
    Fakti qe deri ne 90,familjet orthodhokse te Elbasanit nuk e festonin diten e veres dhe nuk dinin te gatuanin ballakumet dhe revanine,tregon me se miri qe nuk kemi te bejme me nje feste pagane te trasheguar nga lashtesia,por me nje feste bektashiane qe i ka fillimet ne shek e XIX.Edhe misri me te cilin gatuhen ballakumet ka hyre vone ne Evrope nga Amerika.
    Per me teper ndiqni studiuesin Kastriot Myftaraj,qe e shtjellon gjate kete ide.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*