FRYMËZIME BIBLIKE DHE VARGJE TË TJERA…

Arben Duka March 28, 2016 10:25

FRYMËZIME BIBLIKE DHE VARGJE TË TJERA…

1. Kur fëmija yt…

Kur fëmija yt,
që bën dritë si nur,
të kërkon ushqim,
o njeri i varfër,
ti në vend të bukës,
nuk i jep një gur,
dhe në vend të peshkut,
nuk i jep një gjarpër!

1997

 

2. Fale prostitutën

Fale prostitutën,
zemrën e lënduar,
lotët e pendimit,
me puthje ia thaj,
po mos e fal mbretin,
mbretin e rrëzuar,
që shkoi në plumb,
njerëz të pafaj!

1997

 

3. Mos…

Atij që ka etje,
mos i kujto verën,
në dimrin e thellë,
mos kujto pranverën,
para fukarait,
mos ha mish të pjekur,
atij që do paqe,
mos ja kthe me hekur!

1997

 

4. Kur shkon kaluar

Kur revan ecën përpara,
me kalin shaluar,
atyre që vijnë mbrapa,
mos u qëndro rëndë,
se dhe për ty vjen një ditë,
fare pa kuptuar,
të tjerë në kuaj hipin,
dhe ti shkon në këmbë!

 

5. Me njeriun që s’ka mend

Me njeriun që s’ka mënd,
kur bën llafe kot së koti,
qaje-qaje fatin tënd,
në çdo rast fiton idioti!

1997

 

6. Ka pesë shekuj

Ka pesë shekujt Shqipëria,
që lëngon në fund të gropës,
ne të gjithë e mbajmë veten,
më të mençurit e botës.

Për gjithë brezat papushuar,
si për bijtë dhe për etërit,
çorba më e preferuar,
veç kokat e njëri-tjetrit.

1998

 

7. Thaju-moj dafinë

Në Gjirokastër-në majë,
e kisha shtëpinë,
penxheren ç’ma kishte zënë,
një degë dafinë.

Thaju-moj dega dafinë,
thaju-bëju gjëmb,
s’më lë të shoh Lunxhërinë,
shpirtin që më dhëmb!

Thaju-moj dega dafinë,
bëju kripë deti,
thaju-se mos shoh Labovën,
mallin që më treti!

1998

 

8. M’i ndiz ëndrrat…

Ma ndiz ëndrrën,
të shpresoj për jetën,
dhe pastaj nga ëndrra prapë zgjomë.

Miku im,
po më vrave shpresën,
më ke lënë kufomë.

1998

Arben Duka March 28, 2016 10:25
Komento

2 Komente

  1. arber March 28, 21:04

    Shume te bukara….

    Reply to this comment
  2. Iliri March 29, 10:14

    …e paska lexuar mire poezine persiane ky oficeri i ushtrise popullore….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*