Fshehu armët dhe ndihmoi në arratisje, kapet i 13-i i grupit të zjarrit

July 5, 2015 09:46

Fshehu armët dhe ndihmoi në arratisje, kapet i 13-i i grupit të zjarrit

Ndihmoi “grupin e zjarrit” të fshihte armatimin pas sulmit të forcave speciale RENEA më 24 qershor, ku mbeti i vrarë efektivi Ibrahim Basha dhe u plagosën dy të tjerë, arrestohet edhe i dyshuari i 13-të.

Policia e Gjirokastrës njoftoi dje se ka bërë të mundur arrestimin e Baki Gjinit, 21 vjeç, i cili akuzohet se ka përkrahur autorët e sulmit në Lazarat.

Por nga ana tjetër ka qenë pikërisht Gjini që pas shoqërimit në komisariat, u ka treguar hetuesve se ku ishin fshehur një pjesë e armatimeve të rënda dhe municionit.

Në një puset pas shkollës së mesme të fshatit, 50 metra nga vendi ku u qëllua furgoni i policisë, u gjetën 2 mitralozë, 2 automatikë “Kallashnikovë”, një bazuka, disa predha antitank, qindra fishekë dhe materiale të tjera, që janë përdorur në sulmin e 24 qershorit.

Gjithashtu sipas policisë, Baki Gjini, akuzohet se ka ndihmuar të kërkuarin Bajram Boçia, 22 vjeç, që të fshihej pas krimit dhe më tej të arratisej, duke mos treguar. Bajram Boçia dyshohet se është një nga autorët e vrasjes së policit, së bashku me kreun e grupit, Arbion Alikon. Boçia është ende në kërkim, kurse vëllai i tij Elvisi qëndron i arrestuar në “arrest në burg”, bashkë me Arbion dhe Alban Alikon dhe 9 të tjerët. Në kërkim janë ende Bervin Basho dhe Ani Hiri, pjesë e grupit të zjarrit.

Burime zyrtare të policisë thanë se Gjini ka tentuar të fshehë në një vend më të sigurt armët e krimit të përdorura nga autorët. Këta të fundit i kishin futur armët në një puset uji në Lazarat.

Por nga ana tjetër, ekspertët po punojnë për të kryer ekspertizat balistike të të gjitha armëve të sekuestruara me të cilat dyshohet se është qëlluar policia, me qëllim identifikimin e atyre armëve që kanë qëlluar furgonin. Bëhet fjalë për dy armë, që dyshohet se janë pushkë snajpera, por nuk përjashtohet që të jenë edhe predha të mitralozit.

Ekspertiza e armëve dhe gëzhojave të gjetura, të krahasuara me plumbat që vranë efektivin dhe plagosën dy të tjerët, do përcaktojnë dhe rolin në sulmin e armatosur dhe autorët.

Baki Gjini është treguar bashkëpunues kur ka parë se hetuesit e kanë zbuluar si person të përfshirë indirekt në ngjarje, duke treguar se ku kishte fshehur armët dhe municionet dhe se si kiishte fshehur Bajram Boçian që më pas është arratisur.

Dosja për Baki Gjinin i ka kaluar po Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, pasi ai dyshohet si pjesë e grupit të zjarrit dhe aktiv në ngjarjen e rëndë.

July 5, 2015 09:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*