Ftesë mësuesve të mi

January 14, 2020 13:21

Ftesë mësuesve të mi

Redaksia e gazetës Dita është në zotërim të një letre që Prof. Fatos Tarifa, ish-Ambasadori i Shqipërisë në Uashington—dhe aktualisht Profesor i Sociologjisë dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës—u ka dërguar 14 vite më parë, më 2006, nga Shtetet e Bashkuara, ish profesorëve të tij në Fakultetin e Shkencave Politike e Jurike të Universitetit të Tiranës kur ai studionte në atë universitet, në mesin e viteve 1970. Kjo letër e sociologut dhe diplomatit tonë të njohur për ish-mësuesit e tij Luan Omari, Alfred Uçi, Zija Xholi dhe Tefik Çaushi (prej të cilëve vetëm i pari jeton ende mes nesh), është tepër mbresëlënse. E shkruar për mësuesit e tij me shumë mall dhe respekt nga përtej Atlantikut, 30 vite pasi Tarifa kishte marrë leksione universitare prej tyre, kjo letër na kujton se respekti dhe mirënjohja për mësuesit tanë janë virtyte që ndoshta po humbasin pak e nga pak në shoqërinë e sotme shqiptare, një shoqëri kapitaliste e teknologjike. Tarifa na kujton se vlerësimi dhe mirënjohja e shëndoshin mendjen tonë dhe e lartësojnë shpirtin njerëzor. Për këtë arsye, si dhe për përmbajtjen e saj intelektuale, e botojmë të plotë këtë letër, të cilën vetë Tarifa e ka titulluar në atë kohë “Ftesë mësuesve të mi”.

Luan Omari, Alfred Uçi, Zija Xholi, Tefik Çaushi

Të dashur mësuesit dhe miqtë e mi, Prof. Omari, Prof. Uçi, Prof. Xholi, zoti Çaushi!

Ka kaluar një kohë e gjatë pa ju takuar dhe pa dëgjuar mendimet tuaja të urta. Unë vazhdoj të jem në Shtetet e Bashkuara, ku, qysh nga janari i këtij viti, jam ftuar, si një Distinguished Visiting Professor, të jap leksione në Universitetin e Miçiganit Lindor (Eastern Michigan University).

Shumë herë gjatë këtyre viteve të fundit, veçanërisht tani që jam kthyer përsëri në academe, që është vokacioni im i vërtetë, kam menduar dhe mendoj për ju, duke ju kujtuar gjithnjë me respektin me të madh dhe me shumë mirënjohje.

Tridhjetë vite më parë, më 1976, kur isha ende student i vitit të tretë në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike në Universitetin e Tiranës, ju ishit mësuesit e mi. Nga ju mësova teorinë e shtetit, filozofinë dhe estetikën. Njohuritë e marra nga ju në shkollë në atë kohë kanë qenë shumë të dobishme dhe më kanë ndihmuar në të gjitha përpjekjet e mia intelektuale të mëvonshme, veçanërisht në studimet e mia doktorale në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Por, më shumë sesa leksionet tuaja teorike në auditor, ato që kanë lënë tek unë mbresat më të thella kanë qenë veprimtaria juaj studimore, shembulli juaj i sjelljes së përkryer qytetare dhe përkrahja e vazhdueshme që iu keni dhënë studiuesve më të rinj.

Dy ditë më parë, pasi kisha lexuar një kumtesë në konferencën vjetore të një Shoqate Sociologjike në Amerikë, e cila u mbajt në Indianapolis, ndërsa prisja në lobin e hotelit Crown Plaza që të pushonte shiu, papritur më pushtoi një mall i papërballueshëm për Tiranën, për familjen time dhe për ju, mësuesit e mi të dashur e shumë të nderuar.

Ishte një mall njerëzor, por, ndoshta, më shumë akoma, një mall intelektual për ju, mësuesit e mi, ju të cilëve u kam ndër mend vazhdimisht dhe që atmosfera e një konference akademike në këtë vend të largët, përtej Atlantikut, ju bëri pjesë të meditimeve të mia dhe të mallit tim njerëzor.

Aty për aty, ndërsa meditoja për një varg çështjesh teorike, të cilat kishin—por edhe s’kishin—lidhje me konferencën e Indianapolisit, më ra ndër mend se këtë vit bëhen plot tridhjetë vite nga koha që unë merrja leksione nga ju në Universitetin e Tiranës. Viti 1976 ka qenë, në fakt, një vit përcaktues për formimin tim intelektual e profesional.

Unë gjithmonë kam thënë dhe s’do të rresht së thëni me krenari, se mësuesit e mi atë vit kanë qenë Luan Omari, Alfred Uçi, Zija Xholi dhe Tefik Çaushi. Një grup më i shkëlqyer profesorësh zor se mund të ketë dhënë ndonjëherë mësim në Universitetin e Tiranës. E konsideroj një nder të veçantë që kam pasur fatin të kem qenë një ndër ata studentë që ka dëgjuar leksionet tuaja të informuara e të mençura dhe ju jam mirënjohës për gjithçka që ju keni bërë për ne, studentët tuaj të atyre viteve.

I humbur në kujtime, ndërsa prisja në Crown Plaza dy ditë më parë, ndjeva të më pushtonte një dëshirë e çuditshme për të komunikuar me të gjithë ju, për të bashkëbiseduar me ju për çështje të filozofisë e të kulturës, të shoqërisë shqiptare e të demokracisë, për çështje të cilat ju më keni shpjeguar, kur isha studenti juaj tridhjetë vite më parë, si dhe për çështje të cilat nuk kemi biseduar ndonjëherë, sepse ato nuk “ekzistonin” për ne në atë kohë.

Realitetet e sotme globale dhe zhvillimet politike e shoqërore në Shqipëri më sjellin ndër mend fragmente nga leksionet tuaja mbi Hobsin dhe Monteskjënë, mbi Kantin dhe Hegelin, mbi tipat e shtetit dhe format e organizimit shtetëror në shoqëri të caktuara, mbi shoqërinë, kulturën dhe artin, mbi të bukurën në jetë dhe në sjelljen e njeriut.

I nxitur nga këto kujtime dhe nga dëshira për të komunikuar me ju, mësuesit e mi, mendova t’ju vij me një propozim konkret. Edhe pse jam shumë larg prej jush, mjetet e sotme të komunikimit e bëjnë shumë të lehtë komunikimin dhe “bashkëbisedimin” mes njerëzve. Unë kam dëshirë të bashkëbisedoj me ju, në formë të shkruar, për një varg çështjesh që kanë interes kryesisht teorik për studiuesit e rinj shqiptarë dhe studentët e shkencave shoqërore, të cilët nuk kanë fatin që kemi pasur unë dhe bashkëkohësit e mi që t’ju dëgjojnë në auditorët e Universitetit të Tiranës.

Do të ishte një nder i veçantë për mua dhe, njëkohësisht, një përgjegjësi e madhe morale e intelektuale nëse ju do t’i përgjigjeni pozitivisht ftesës sime për këtë bashkëbisedim. Disa nga çështjet për çdonjërin nga ju, rreth së cilave mendoj të “bashkëbisedojmë”, vijojnë me poshtë:

 

Bashkëbisedim me Prof. Luan Omarin

Shqipëria dhe demokracia.

A është realiteti shqiptar i favorshëm për zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë?

Çfarë e legjitimon një sistem politik?

Përvoja shqiptare e socializmit shtetëror dhe tranzicioni postkomunist në Shqipëri.

Eksperienca e derisotme me demokracinë.

Demosi shqiptar dhe kultura demokratike.

Cila formë e përfaqësimit politik është më e përshtatshme për vendin tonë?

Format dhe metodat autoritariste të drejtimit shtetëror.

Amnistia dhe amnezia në periudhën e tranzicionit.

Drejtësia tranzicionale.

Ndikimi i faktorëve globalë e rajonalë në zhvillimet politike në Shqipëri.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian: cili prej tyre është politikisht më pranë Shqipërisë?

Tomas Hobsi dhe sistemi i sotëm i marrëdhënieve ndërkombëtare.

A është sistemi i sotëm njëpolar më i qëndrueshëm e më paqësor sesa ai dy- apo shumëpolar?

 

Bashkëbisedim me Prof. Alfred Uçin

Shqipëria postkomuniste si një realitet ekonomiko-shoqëror.

Baza ekonomike e rendit të ri dhe struktura politike e tij.

Kultura demokratike; marrëdhëniet e saj me realitetin dhe nevoja e konsolidimit demokratik në Shqipëri.

Individi, komuniteti, shoqëria.

Shoqëria civile si një institucion demokratik.

Intelektualët shqiptarë: sa europianë, sa ballkanikë?

Kozmopolitizmi dhe provincializmi kulturor.

E ardhmja europiane e Shqipërisë: a mund të “bëhet” Shqipëria?

 

Bashkëbisedim me Prof. Zija Xholin

Politika dhe vlerat morale në Shqipërinë postkomuniste.

Shoqëria tradicionale, shoqëria konsumeriste, shoqëria moderne në Shqipëri.

Tradita humaniste dhe iluministe në Shqipëri dhe vlerat e tyre në kohën tonë.

Si duhen lexuar Rusoi dhe Kanti në Shqipërinë e sotme?

Teoritë e tyre morale mbi shoqërinë civile dhe “civilizimi” i shoqërisë së sotme shqiptare.

Ç’na mësojnë historia politike dhe ajo sociale e Shqipërisë për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë?

 

Bashkëbisedim me z. Tefik Çaushi

Ndryshimet sociale e kulturore në shoqërinë e sotme shqiptare.

Çfarë ka ndodhur, ç’pritet të ndryshojë më tej dhe si?

E bukura dhe e shëmtuara në realitetin e sotëm shqiptar.

Arti dhe artistët shqiptarë: brezat e djeshëm, të sotëm dhe ata të nesërm të artistëve tanë.

Ndikimi i globalizimit në kulturën e sotme shqiptare: kombëtarja dhe “e huaja”.

Mjetet e komunikimit e të informimit në kulturën e sotme: televizioni, libri, shtypi, filmi, interneti.

Fenomeni Kadare dje dhe sot në Shqipërinë post-komuniste.

Të dashur mësuesit e mi. Një formë e tillë “bashkëbisedimi” në distancë nuk është diçka e re. Disa vite më parë, një bashkëbisedim të tillë kanë zhvilluar filozofi i shquar gjerman Jürgen Habermas dhe publicisti i njohur polak Adam Michnik. “Bashkëbisedimi” i tyre u botua më 1993 në revistën New Left Review. Më së fundmi, një tjetër “bashkëbisedim” i tillë ishte ai mes intelektualit amerikan Francis Fukuyama dhe filozofit francez Bernard-Hendi Levy, i cili u botua javën e kaluar në revistën The American Interest.

Nëse ju bini dakord, unë marr përsipër që, modestisht, ta nis i pari “bashkëbisedimin” me secilin nga ju, duke bërë komentin e parë dhe duke ju drejtuar juve pyetjen time të parë, për të cilën mund të komentoni si të dëshironi. “Bashkëbisedimi” ynë mund të mos i përmbahet tërësisht strukturës së propozuar nga unë. Ju vetë mund të komentoni mbi çështje të tjera, për të cilat unë do të përpiqem të shfaq mendimet e mia. Nëse komentet tona përmbajnë pyetje për njëri-tjetrin, kjo do ta bënte “bashkëbisedimin” mes nesh edhe me të lehtë. Pa dyshim që, në përfundim të projektit, secili nga ju do të ketë mundësinë ta redaktojë tekstin e shkruar para se ai të botohet.

Unë besoj se do të gjej mirëkuptimin tuaj për t’u bërë pjesë e këtij projekti, qëllimi i të cilit është që t’u japë studentëve të shkencave shoqërore dhe publikut të interesuar shqiptar mundësinë që të lexojnë trajtime teorike për shumë çështje që kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale e ato të pritshme në vendin tonë, si dhe me zhvillimet e sotme në botën që jetojmë.

Të dashur mësuesit e mi!

Dëshiroj t’ju shpreh edhe një herë respektin tim të thellë dhe mirënjohjen time të sinqertë për gjithçka që ju keni bërë për edukimin e brezit tim dhe të brezave të tjerë të studiuesve shqiptarë, si dhe për miqësinë që më keni ofruar mua personalisht gjatë gjithë këtyre viteve.

Juaji me shumë respekt,

Fatos Tarifa

 

Ann Arbor, Michigan, 27 mars 2006

 

 

January 14, 2020 13:21
Komento

2 Komente

  1. Dhimiter Xhoga (Guri Naimit D) January 14, 16:55

    Kur NXËNËSI- Relaizon ENDËRËN e MËSUESIT .
    Fatos Tarifa- faleminderit..

    Faleminderit Redaksisë së gazetës *DITA),që na sjell këtë korespodencë të rrallë të Pr.Dipllomat-Fatos Tarifa, me Profesorët nga më të nderuarit të vëndit tonë,që me nisien e *Universitetit *në Tiranë,te Ndierët Pr.Alfred Uci, Zija Colli e Tofik Caushi, sa të mirënjohurin Luan Omari,fatlumësi e kemi mes nesh..
    ,-Ditët Njëmijë Pr. Luanit-LUAN..
    Eshte një material i rrallë, sidomos për studiuesit e këtij profili dhe jo vetëm për ta,,që u hapet horizont studimi me vëmëndie, për atë sërë problemesh.
    Ju falemindrit Pr. i nderuar DJALË po të quaj,Fatos TARIFA,vërtet FATOS në fushën e sotme të pregatities se Studiusve tonë, të rinj e te vjetër.
    Këto tema të bashkëbisedimi të të nderuari F.Tarifa, më këta KOLLOSË, të mendimit shqiptar,në fushat që Fatosi ngre,janë një RISI e Re në përsosien e njohurive dhe eksperiencës pozitive,për kohën. Më falni nderuar Pr.Sevo Tarifa,mua një ish mësues i thjeshte një jetë,po me rrespekt të jashtëyakonshëm per te nderuarit ju përmendur….(në mëndie e zëmër, të nderuari Sevo Tarifa, idhulli im një jetë,jetoj dhe sot sot, 83 vjecar tej oqeanit,shpënë koha që jetojmë..patur fatin,deri direk marrë leksione direkt nga Pr. I ndeuar ,(me në dorë nga do shkoj mes Toronos -ESE- e tij*NDERI i VETERANËVE dhe PASUESVE.* botuar 3 vjet para) . Unë 83 vjecari,partur fatin deri Direkt marë leksione nga pr. I nderuar Zija Xholi,ndiesë pastë. Respekte e Mirënjohie si thotë i nderuari Fatos Tarifa.
    Ditët ju bëfshin NJËMIJË Atij, me në krah atë BABA të nderua Pr. Dr Sevo Tarifa,IDHULL jo vetëm për mua.
    Nga tej oqeanit,lexuar këtë mëngjes Janari,në Toronto si një TRINITRINË,unë 84 vjecari,me mëndie e zëmër ne Atdhe. (Prerë biletën të më prehen eshtërat në ATDHE,në *DANGELLINE NAIMJANË*të *Vëllezërve Frashëri*,sa të koregjoj një,- faj të RËNDË…-lënë pa -Var MONUMENT,gjyshin Tim Kapedanit-Jano P.Xhoga ,Rëne më 1913-të,në mbrojtie të PV sa shpallur i Madhi Ismail Qelamil me shokë,sulmuar shteti fqinji i kohës… Faleminderit Qarkut Girokastër Nderuar me Titull *MIRËNJOHIE*sa rrethi Përmetit vendosur Portretin e tij të gdhëndur ne DRU,skluptoi atdhetar Nebi Matia nga Tirana në Muzeun e QYTETIT të *24 Majit* të TRËNDAFILAVE..(Keq më vjen që propozimin për *DËSHMOR të Atdheut* atë Kapedan te Dangëllise ,bërë KOMITETI Përgjithshëm i veteranëve në Tirane ne 105 vjetorin e rënies,nuk e ka miratuar organi përkates i Ministrisë…qoftë lapsus…)
    Ju faleminderit.
    Pasuesi Veteran 83 Vjecari.
    Dhimitër M.Xhoga,
    Toronto 14 -01-2020

    VO.(Ju të gazetës *DITA.*më falni për *dalien nga tema..si gjysh- 83- vite,që mos vdeksha,pa shkuar e koregjuar atë FAJ të rrëndë, si pasues të atij GJYSHi…)

    Reply to this comment
  2. paskuale January 15, 04:23

    Respekt per Tarifen dhe mesuesit e tij, njerez me kapacitet intelektual dhe integritet moral.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim