Fundi i Namazgjasë

Nga Elton Hatibi * August 3, 2013 00:28

Fundi i Namazgjasë

Pas nisjes së punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Tiranës, Namazgjaja si objekt publik me funksion të caktuar social dhe kulturor do të mbetet dhe për disa kohë në memorien kolektive të këtij qyteti. “Tiranasit babaxhanë të marrin hasrat nën krahë e të dalin për falje”, siç thoshte A. Klosi në një artikull i shqetësuar mbi fatin e saj, nuk do t’i përfytyrojmë dot më, pasi atje tiranasit dhe të tjerë do të falen në tapetë të gjerë dhe nën kubenë e lartë. Megjithëse ka një zgjim qytetar somnambulik për atë se çfarë vlerash përfaqëson dhe përmban ky vend, ditët e saj të bukura me histori duket se kanë mbaruar shumë më herët nga sa na shiten. E kam fjalën për ndalimin në fillimet e diktaturës komuniste të funksionit të saj parësor, atë të celebrimit publik të ngjarjeve festive të kalendarit islamik. Ndërkohë, në këtë këndvështrim, goditjen më të fortë, më tepër se nga ndalimi i dhunshëm nga komunistët, Namazgjaja e mori nga braktisja në liri e hapësirës së saj; qytetarët me hasra u panë aty vetëm në pak raste sporadike. Ringjallja e traditës fetare nga bashkësia e gjerë e besimtarëve u kërkua kudo nëpër detaje, por rrallë në frymë.

 

Namzgjanë e mbaj mend si një park publik jo të ngjashëm me të  tjerët në Tiranë. Dy gjëra e bënin të çuditshëm; relievi i pjerrët veri-jug, i lënë ashtu në formë të çrregullt, që nënkupton se ky park ekzistonte më herët se sa  Tirana të urbanizohej maksimalisht, dhe së dyti prania e dendur aty e selvive shekullore, vegjetacion që mungonte, fjala bie, tek “Parku Rinia” dhe gjetkë. Nuk dëshmohet ende nëse janë prekur selvitë gjatë ndonjë sistemimi të hershëm në Namazgja, por ato që ndodheshin në anën lindore te saj u prenë gjatë zgjerimit të fundit të Rrugës së Elbasanit, para gati një dekade. Siç duket kjo pemë, relike shekullore, e zorshme për transplantim në trupin e ngrehinës urbane moderne me beton dhe pluhur, është dënuar në heshtje me linçim publik. Kështu mori fund selvia madhështore, ndoshta më e vjetra në Tiranë, ajo pranë truallit të ish xhamisë së Sulejman Pashës, djegur plotësisht gjatë disa seancave afshi mesnate nga fshesarët që dremitnin mbi shqopa. Ndërkohë, selvia me yllin e dikurshëm në majë, ajo që ndodhet ende tek vendi më të njëjtin toponim, ashtu e sakatuar, është barrikaduar dhunshëm pas disa ngrehinash mjerane.

 

Namazgjaja tashmë e shkatërruar e Elbasanit ka pasur fatin të ketë një historik të sajin në artet figurative, disi të rrallë për një monument natyror në Shqipëri. Ferid Hudhri na sjell një artikull të vlefshëm mbi këtë temë titulluar “Selvitë e Elbasanit”, në të cilin na rendit një galeri interesante tabllosh me subjekt pikërisht selvitë e saj. Piktorë të ndryshëm, disa prej të cilëve të njohur botërisht, e të ndodhur në këtë cep të Ballkanit kanë realizuar tablo apo skica, ku selvitë janë sjellë në kënde, prespektiva dhe dritëhije të ndryshme. Artikulli i Hudhrit përmend si ndër më impresionueset tablonë e austriakut Ludvig Hesshaimer, ku majat e selvive shfaqen në formë ovale, dhe yjet e një nate vere qëndrojnë të shpërndarë mes tyre. Ky imazh i sjellë në vëmendjen tonë përngjet me një nga kompozimet me të famshme me këtë subjekt: “Nata me yje” e Van Gogut. Piktori hollandez ka një numër të shumtë tablosh realizuar në Francën mesdhetare ku qëndror mbetet motivi i selvisë, por kompozimi në fjalë konsiderohet si një nga më madhështorët e krijuar nga ai. Bëhet fjalë për një qiell apokaliptik me shpërthime të fuqishme yjesh, ku paralelisht qëndrojnë selvitë e errëta mbizotëruese dhe qyteza rrëzë malesh me këmbanaren që shquhet. Të gjitha këta elementë me simbolikat përkatëse kozmologjike thurin një barazpeshë mes peizazhit dhe qellores, format e pazakonta rrethore të trupave qellorë të mbërthejnë me çudi, dhe vitaliteti  harbues i selvive është gjithashtu tronditës. Sugjeruar nga kritika si një imazh i hyjnores dhe i përjetësisë, ky vizion i shigjetimit të selvisë drejt qellit flakëritës këmbëngul se vdekja nuk është fundi, por shtegu drejt jetës së pafundme në univers.

 

Van Gogu në letrat e tij drejtuar të vëllait e konsideron imazhin e selvisë sipas rethanave të kompozimeve të tij, herë si simbol të funeralit e të melankolise, herë si simbol të fuqishëm natyror, si simbol të natës, por shpesh e përmend atë si simbol të vdekjes. Duke e lënë artistin e turbulluar në ngërthimin e realiteteve ekzistenciale, selvinë si një pemë të qëndrueshme shumëshekullore e gjejmë të kudondodhur në peizazhet e nxehta mesdhetare. Jo rastësisht në këtë klimë që bashkëndahet brigjeve të detit legjendar, por edhe më tej, pavarësisht nuancave kulturore lokale, selvia ndodhet rëndom pranë varrezave, tyrbeve, manastireve dhe faltoreve të ndryshme, si një shëmbëllim konkret i përjetësisë dhe si një simbol që natyrshëm të orienton lart drejt saj. Në traditën islame, traditë që inkurajon vështrimin e shenjave të Zotit në natyrë, motivin e selvisë si  kategori simbolike e hasim tek poetët e mëdhenj mistikë. Xhamiut, me një imagjinatë të fuqishme mbi bukurinë e përhershme hyjnore, bukuri e cila qëndron në zemër të natyrës të së bukurës si e tillë, përmes së cilës ndizet dashuria (ashk), selvia i shëmbëllen kështu:

 

Selvia dha një aluzion të trupit të Tij të hijshëm/ dhe trëndafili lajmëron mbi bukurinë e fytyrës së Tij.

 

Çuditërisht selvinë dhe trëndafilin i gjejmë dhe tek Rumi, në këtë rast si manifestime befasuese, që bindin për fuqinë e fjalës hyjnore si shkak i krijimit. Në këto vargje pasi renditen cilësitë që dallojnë disa elementë simbolikë të krijimit, poeti i shkrirë në njohjen mistike, aludon se e gjithë ajo që ndodhet e veçantë në thelbin e tyre, gjithashtu është brendashkruar në qenien e tij prej vullnetit hyjnor.

 

Fjalët që bënë trëndafilin të çelë, m’u thanë gjithashtu dhe mua/ fjalët e thëna selvisë të rritet e fortë dhe e drejtë.

 

Selvia dhe trëndafili, të palëvizshëm tek Xhamiu, përgatisin zemrën e mistikut për të depërtuar përtej së dukshmes, për të gjetur në krijim simbolet e atributeve hyjnore, ndërsa te Rumi, fjala është ajo që lëviz dhe gjallon krijimin në veçoritë e tij, manifestim i prekshëm i fuqisë hyjnore të pakufi.  Eshtë e tepërt të gjurmojmë se si në të dy rastet në fjalë, tek poetët e mëdhenj, gjejmë në të njëjtin varg bimët krahasimisht  të kundërta në formë dhe në simbolikë, por për t’u rikthyer tek “Nata me yje”, yjet flakaritës në një natë si ajo e tablosë, mbase zëvendësojnë në harmoninë kozmike trendafilin tokësor, simbolin aq të fortë të bukurisë hyjnore.

 

Namazgjaja jonë nuk ka pasur fatin e njëjtë më atë të Elbasanit, të jetë subjekt i penelatave të artistëve, qoftë vendas a kalimtarë, por një dëshmi e një momenti të shkuar, afër imagjinarit për një vend të veçantë që mbledh besimtarët, e gjejmë tek një foto e realizuar me gjasë në dekadën e dytë ose të tretë të shekullit që kaloi. E rrallë për llojin e saj, për ngjarjen që përcjell, fotoja  dëshmon një ceremoni fetare në Namazgja, ceremoni larg të pëngjasuarit me një të tillë bashkohore. Fotografia, “gramatikë dhe etikë e vështrimit”, siç thotë Sontag, ngrin në një çast të dhënë një shumësi informacioni dhe ndjesish, të cilave u kthehesh shpesh për t’i riparë dhe rifituar këto të dhëna. Fotoja në fjalë është në kufinjtë e mitikes, gati e pakohë, sepse për atë që na përcjell, mund ta vendosim në cilëndo datë duke fillur nga përhapja e fotografisë si teknikë dokumentimi, deri në dhjetvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë. Sigurisht që largësia në kohë e fotos së shkrehur i jep edhe një fotografie amatore dimensione të forta artistike, por me rastin në fjalë nuk ndodh kështu. Njerëzit janë mbledhur për të përkujtuar ritualisht Zotin në një ditë feste; solemniteti dhe dramaciteti i këtij kremtimi është e gjitha ajo që përmbledh dhe përcjell ndodhinë e dokumentuar aty. Me shpinën e kthyer nga aparati fotografik, masa është drejtuar për lutje, ose në parapërgatitje për të, dhe dendësia e qelesheve të bardha me këndet e çrregullta sipas vendosjes së tyre në krye, si kompozim, është i papërsëritshëm. Nga mijëra koka me dritë që shquhen në një dinamikë zvogëluese në perspektivë, gati si yjet e panumërt në qiell, vetëm njëra kureshtare është e kthyer për të parë nga shkrepësi i fotos. Në atë harmoni mistike që përçohet prej aty, ndoshta kjo “çrregullsi” dëshmon qëllimisht mosperfeksionin e natyrës njerëzore, sado që përulësia, përpjekja dhe rregulli imponojnë tjetër sjellje. Ndërkohë, në krye të rradhëve duken dinjitaret e fesë që udhëheqin ceremoninë, një grup ky prej më pak se dhjetë burrash me turbanë karakteristikë dhe në një vend më të ngritur nga të tjerët. Përballë masës së madhe të njerëzve, qëndrojnë muret e gurta dhe në dy rreshta të kithët një tog selvish të moçme, jo të plota në fokusin e objektivit. Njeriu, këtu si shembulli më i lartë i krijimit hyjnor, në anonimatin madhështor që na serviret, drejtuar me modesti ndaj së vërtetës, është dëshmia më e fortë e bukurisë së krijimit mbetur në negativin e fotos. Kontrasti i fortë dhe harmonik në foto mes të bardhës dhe të zezës, si një shkartisje ritmike huazuar konceptualisht nga jin-jangu oriental, fton të njohim dimensonin e jetës dhe të vdekjes, thelbit të së vërtetës absolute që bashkëndahen në vendin ku periodikisht madhërohet  Ai, krijuesi dhe zotëruesi i tyre.

 

Selvitë dhe muret rrethues ka kohë që nuk ndodhen aty, gjithashtu masa e njerëzve që popullon foton është një brez i të kaluarës tashmë. Qeleshet dhe çallmat e tyre të bardha, thjesht si imazhe, mund të na shëmbëllejnë dhe si gurët e bardhë të varrezave myslimane që do të duan patjetër në sfond hijeshinë e selvive trupdrejta, peizazh përherë e më i rrallë në hapësirat tona. Përkundrejt njerëzve, të cilëve ua dëshmojmë jetët dhe vdekjet e tyre, është e paqartë se si vdesin selvitë shekullore të patrazuara, mbase shpesh janë viktima të rrufeve që e kanë të lehtë për t’i mbërritur. Në rastin e Namazgjasë së Tiranës, me shuarjen e brezave që e gjallëronin me hare atë hapësirë, dhe me fshirjen e selvive shekullore, aktorë të palëvizshëm aty, Namazgjaja e mbetur vetëm si emërtim do të flejë tashmë në fjalorët që shënojnë etimologjitë e vjetra, etimologji gjithnjë e më të pakuptimta për bashkohësit tanë.

 *E-zani i Naltë

Nga Elton Hatibi * August 3, 2013 00:28
Komento

4 Komente

  1. Sajmir August 3, 16:21

    Asgje nuk kuptova nga ky shkrim o shoku Hatibi. Hem ke nostalgji per kete vend dhe hem nuk bashkohesh ne ato protestat e atyre patrioteve, njerezve me te nderuar per mendimin tim qe ka ky vend, per te ndaluar kete krim urban. Keta personalitete qe po mbrojne ne grup kete park dhe keto Selvi nga shkaterimi dhe betonizmimi qe as rregjimi i kaluar nuk i preu, por po i presin drejtuesit e Komunitetit Mysliman me mjetet e Lul Bashes, kryetarit te Bashkise, nuk jane zgjuar nga gjumi (somnabulik) ashtu sic shkruan ti, por per hir te se vertetes nga ajo qe i kam ndjekur ne media po luftojne te vetem perballe nje perandorie te tere qe ne emer te perqindjeve financiare te fituara nga ky megaprojekt demode, dominon gjithe hierarkine e shtetit shqiptar. Po vjen dita t’i puthim doren si shoqeri Kastriot Frasherit apo Sazan Gurit, Artan Shkrelit apo Artan Lames, Qerim Ismerit apo … per keto perpjekje te vetme ne nje shoqeri te traumatizuar dhe indiferente jo vetem per te parandaluar betonizimin dhe zenien e hapesirave publike ne kryeqytet, por edhe per t’i thene Stop ndertimit te nje objekti kulti fetar qe simbolizon hijen e Otomanizmit ne Tirane.

    Reply to this comment
    • Iliri August 4, 09:21

      Gjithcka qe behet per mosprishjen e parkut ne Tirane, behet vetem ngaqe sduan te shohin ndertimin e nje xhamie te madhe ne qender te tiranes, sepse u vret syte dhe zemrat qe ne qender te kryeqytetit te kete xhami dhe mijera besimtare.
      te gjithe te tjerat jene fjale dhe mashtrime.
      sikur gjithe keta intelektuhale te ishin me te njejten vendosmeri kunder trafikimit te motrave tona jashte, kunder konsumimit te droges, kunder ndertimeve oa leje kudo ne tirane dhe ne shqiperi, kunder korrupsionit ne shendetesi ku po vdesin cdo dite njerez pse skane leke, atehere ky vend do rregullohej..po keta e ngrene zerin e tyre vetem kur ndertohet nje objekt kulti per adhurimin e Zotit..
      turp turp turp.. sa te pafytyre qe jane

      Reply to this comment
    • Skender Frasheri August 5, 01:50

      O ambjentalizmi, o neootomanizmi. Vete e keni fajin qe i perzieni punet dhe kerkoni ambientalizem nga besimtaret pastaj.

      . Xhamite kur i bente Komuniteti Musliman pa kupole, thoshit ‘jane stil arab’, tani qe i ben me kupole ‘jane stil osman’. Po mbeti pa u provuar vetem stili bretkose qe te kenaqeni.

      Po ju nuk kenaqeni se thjesht nuk doni te ndertohet xhami fare. Prandaj permendni neootomanizmin. Njerezit qe falen rrugeve e kerkone xhami jane shqiptare, jo osmane.

      Kur u be katedralja ne toke te lulishtes se Ministrirse, nuk tha njeri eshte hija e Vorio Epirit, Megaloidhea ne mes te Tiranes, me ngjyrat e flamurit grek, bardhe e blu po e deshe

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*