“Fuqia e Butë” e Turqisë në Ballkan rrezikon të kthehet në bumerang

February 28, 2016 19:34

“Fuqia e Butë” e Turqisë në Ballkan rrezikon të kthehet në bumerang

Një delegacion turk i nivelit të lartë, me gjasa i udhëhequr nga kryeministri Ahmet Davutoglu, pritet të vizitojë Bosnjën në maj për të marrë pjesë në rihapjen e xhamisë Ferhadija të Banja Lukës.

Xhamia e shekullit të 16 qe një nga viktikat kulturore më të rënda të luftës së viteve 1992-5 në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Më 1993, forcat serbe të Bosnjës e rrafshuan xhaminë, e cila, falë arkitekturës së saj marramendëse, qe bërë objekti i parë në ish-Jugosllavi që u vendos në listën e UNECSO-s për Trashëgimi Botërore.

Agjencia turke për zhvillim, TIKA dhe donatorë të tjerë, mbështetën rindërtimin e saj të kujdesshëm, rindërtim që kërkoi shumë vite punë.

Disa e shohin këtë sipërmarrje bamirëse të Turqisë si pjesë e një plani shumë më të gjerë të Ankarasë për të rritur ndikimin e saj politik, ekonomik dhe kulturor në Ballkan.

Në një shembull tjetër të kohëve të fundit, Davutoglu inauguroi Institutin Yunis Emre në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Ceremonia qe pjesë e një vizite historike në qytet, ku qeveritë serbe dhe turke ranë dakord të shumëfishojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Instituti Yunus Emre në Beograd u bë dega e 12 e një rrjeti institucionesh kulturore turke në Ballkan, duke reflektuar përpjekje të Turqisë për të eksportuar kulturën, artin dhe letërsinë e vet në Serbi – një vend me histori të gjatë marrëdhëniesh të vështira me Turqinë.

Turqia tashmë shihet si një vend që po ndjek një politikë të jashtme mutlidimensionale në Ballkan dhe që është përqendruar në veçanti në përdorimin e “fuqisë së butë”.

Ballkani ka qenë gjithmonë një rajon i rëndësishëm për Turqinë, për shkak të lidhjeve të krijuara përgjatë qindra viteve të sundimit turk, i cili përfundoi vetëm në vitet 1912-13.

Gjatësia e sundimit dhe forca e këtyre lidhjeve ndryshojnë shumë nga një vend i Ballkanit në tjetrin, por janë më të fuqishme në zona si Bosnja, ku ka popullata myslimane.

Pasi Osmanët humbën kontrollin e Ballkanit, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë etnike turke apo e myslimanëve të tjerë migruan për të Azinë e Vogël.

Falë mbërritjes së kaq shumë njerëzve me origjinë nga Ballkani, udhëheqësit e Turqisë vijuan ta shohin Ballkanin si pjesë e hinterlandit të Turqisë, së paku në termat e politikës së jashtme.

Pas themelimit të Republikës së Turqisë më 1922, kjoi lidhje nuk qe tërësisht e realizuar përmes aktiviteteve konkrete për shkak se Turqia kushte kapacitete shumë të kufizuara.

Gjithsesi, rajoni i Ballkanit ka zënë gjithmonë një vend të rëndësishëm në diskursin dhe në zemrat e udhëheqësve turq.

Turqia zbulon fuqinë e saj të burë:

Turqia filloi të lëvizë në mënyrë më aktivive në një politikë të jashtme shumëdimensionale në Ballkan në vitin 2002, kur Partia Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, mori pushtetin.

Kjo politikë në përgjithësi e orkestruar drejtpërsëdrejti nga vetë Davutoğlu, fillimisht si Ministër i Jashtëm dhe aktualisht si Kryeministër.

Pushteti i butë, sipas përkufizimit të babait të njohur të këtij koncepti, Joseph Nye, në thelb do të thotë, aftësi për t’i dhënë formë veprimeve dhe preferencave të të tjerëve përmes joshjes dhe bindjes dhe jo përmes forcës.

Përgjatë dekadës së fundit, qeveria e Turqisë i ka ndjekur këto qëllime përmes krijimit të institucioneve të ndryshme, të tilla si Agjencia Turke për Zhvillim, TIKA, Institutet Yunus Emre, universitetet turke dhe mediat e mbështetura nga shteti turk që kanë publikime në gjuhët e rajonit.

Ballkani është objektivi kryesor për këto institucione dhe kapacitetet e buxhetet për projektet në Ballkan janë proporcionalisht më të lartat.

Udhëhequr nga strategjia e “pushtetit të butë” dhe mbështetur nga fonde të bollshme, TIKA ka restauruar qindra monumente historike në rajon, ka financiar projekte vendore e ka organizuar aktivitete të mëdha me synimin e përforcimit apo rigjallërimit të lidhjeve me Turqinë.

Sipas gazetës Zëri në Kosovë, TIKA ka investuar në restaurimin e 30 objekteve fetare dhe ka financuar ndërtimin e 20 xhamive të reja.

Ajo po ndërton gjithashtu xhami në Bukuresht, Prishtinë dhe Tiranë, të cilat pritet të jenë më të mëdhatë në secilin prej këtyre qyteteve.

Instituti Yunus Emre ka hapur 12 degë në qytete të ndryshme të Ballkanit.

Mbështetur nga popullariteti i telenovelave turke nëpër rajon, ata mbështesin gjuhën turke, artin dhe kulturën, duke ofruar kurse dhe duke financuar departamente të gjuhës turke nëpër universitetet vendore.

Në frontin e medias, agjencia e udhëhequr nga shteti turk Anadolu, ka hapur një degë në Ballkan në Sarajevë dhe po publikon në gjuhën Boshnjake, si dhe Shqip e Maqedonisht për të promovuar Turqinë në Ballkan.

Universitetet turke në Ballkan përbëjnë një kolonë tjetër të rëndësishme të strategjisë së “fuqisë së butë”.

Universiteti Ndërkombëtar i Sarajevës dhe Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, që të dyja të financiare nga qeveria e Turqisë, tërheqin mijëra studentë dhe akademikë dhe përbëjnë një mundësi për studentët vendës që të aplikojnë për studime në Turqi. Një universitet tjetër turk do të hapet në Tiranë së shpejti.

Presidenca e Çështjeve Fetare të Turqisë, Diyanet, është një instrument tjetër fuqisë së butë të Turqisë. Ajo ofron arsim fetar, udhëheqësi teologjike dhe ndihmë të drejtpërdrejtë financiare e madje edhe ndërmjetëson në raste mosmarrëveshjes mes qeverive të rajonit dhe bashkësive vendëse të myslimanëve.

Në Malin e Zi, thotë organizata kërkimore turke SETA, Diyanet është ndërmjetësi i njohur në mosmarrëveshjet e mundshme mes myslimanëve dhe qeverisë.

Në një veprim reminishent të praktikave osmane, Diyanet në mënyrë ceremoniale inauguron udhëheqësit e rinj të Bashkësisë Myslimane të Bosnjës kur ata zgjidhen.

Zgjerimi kulturor i Turqisë në Ballkan mbështetet nga veprimet ekonomike. Përgjatë viteve të fundit, Turqia ka bërë investime të mëdha, veçanërisht në fusha të rëndësisë strategjike të tilla si infrastruktura, energjia, telekomunikacionet dhe bankat.

Calik Holding nga Turqia ka nën pronësi operatorin celular Eagle Mobile në Shqipëri, ndërsa banka nën pronësi shtetërore turke Halkbank, mori kontrollin e Bankës Cacanska të Serbisë në mars 2015. Ajo ka sakaq 33 degë në Maqedoni.

Kompania ndërtimore turke Enka në konsorcium me Bechtel ndërtoi rrugë në Shqipëri dhe Kosovë.

Enka-Bechtel filloi së fundmi ndërtimin e një autostrade tjetër të re, mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ndërsa numri i investimeve turke në Ballkan nuk është aq i madh sa do të pëlqenin të ishte vendimmarrësit turq, ato janë të dukshëm dhe funksionojnë si një agjent tjetër i fuqisë së butë të Turqisë në rajon.

Ana tjetër e medaljes:

Por jo të gjithë zyrtarët e Turqisë apo ato të rajonit e shohin përdorimin e “fuqisë së butë” nga ana e Turqisë si tërësisht pozitive.

Disa akuzojnë Turqinë se po ndjek një politikë të jashtme të rrezikshme dhe polarizuese ndaj Ballkanit. TIKA është akuzuar se ka dhënë financime para së gjithash për bashkësitë e myslimanëve apo grupimeve të tjera që kanë marrëdhënie të mira me partinë APK në pushtet.

Disa ekspertë thonë se përpjekjet për rikonstruksione nga TIKA janë përqendruar në mënyrë pothuajse ekskluzive mbi monumentet Islamike apo Osmane, duke injoruar kërkesat për rikonstruksionin e monumenteve të tjera jo-myslimane.

Eksperti amerikan mbi Ballkanin, David Phillips, e akuzoi Turqinë se po ndjek një axhendë të fshehtë Islamike në Ballkan në një përshkrim jashtëzakonisht kritik të politikës së jashtme të Turqisë, publikuar në Huffington Post në dhjetor 2015. Ai shkoi deri aty sa pretendoi se, ndoshta në mënyrë të ekzagjeruar, se përmes fuqisë së saj të butë, Turqia po nxiste Islamizmin dhe radikalizmin fetar në Kosovë. Përveç kësaj, udhëheqësit turq janë kritikuar gjithashtu se po punojnë vetëm me disa udhëheqës të përzgjedhur në Ballkan.

Për shembull, Erdogan përgjatë viteve të fundit ka fuqizuar lidhjet me Bakir Izetbegovic, udhëheqësin boshnjak të presidencës treanëtarëshe të Bosnjës dhe udhëheqës i partisë kryesore boshnjake, Partia për Veprim Demokratik, duke i injoruar pothuajse tërësisht politikanët e tjerë të Bosnjës.

AKP dhe vetë Erdogan hodhën të gjithë mbështetjen e tyre politike dhe madje edhe financiare në përpjekjen e vitit 2014 nga ana e Izetbegovic për t’u bërë kryetar i partisë së tij dhe po atë vit, kur u bë anëtari boshnjak i presidencës.

Në të dyja fushatar, Izetbegovic shijoi mbështetje të plotë të shërbimeve në Ballkan të agjencisë Anadolu.

Kundërshtarë të ndryshëm, akademikë dhe kërkues në Turqi dhe në Bosnjë e kanë dënuar atë që e shohin si favoritizim i hapur i Ankarasë dhe AKP-së për Izetbegovic.

Sipas këtyre kritikëve, shfaqja e një mbështetjeje kaq të hapur është e rrezikshme për të dyja vendet për shkak se nëse njëra nga të dy partitë humbet pushtetin, pasojat mund të rëndojnë menjëherë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kritikët thonë se Turqia po aplikon favoritizmin politik edhe në pjesë të tjera të Ballkanit. Për shembull, ajo i ka dhënë mbështetje të plotë Hashim Thaçit në Kosovë.

Për rrjedhojë, Thaçi shihet shpesh në Ankara, duke marrë pjesë në vizita të ndryshme zyrtare dhe jozyrtare dhe duke u pritur nga udhëheqësit më të lartë të Turqisë.

Ndikimi politik i Turqisë merr ndërkohë edhe forma të tjera, veçanërisht në rastet e minoriteteve myslimane në Ballkan, të tilla si turqit etnikë në Bullgari, myslimanët shqiptarë në Maqedoni apo Boshnjakët në rajonin e Sanxhakut në Serbi.

Pasi një krizë shpërtheu mes Rusisë dhe Turqisë, kur Turqia rrëzoi një avion ushtarak rus, Ankaraja bëri presin në partinë e turqve të Bullgarisë, Lëvizja për të Drejta dhe Liri, MRF, partia e tretë më e madhe në parlament, që të mbështesë Turqinë.

Udhëheqësi i MRF, Lutvi Mestan, udhëhoqi këtë kërkesë dhe lëshoi një deklaratë në mbështetje të Turqisë, duke shkaktuar kritika të ashpra nga shoqëria bullgare, përfshirë kritika nga vetë anëtarët e partisë së tij.

Mestan dhe mbështetësit e tij u përzunë nga MRF nga udhëheqësia e vjetër e partisë dhe kanë njoftuar krijimin e një partie të re.

Ndërkohë, Turqia ka ndaluar paraardhësin e tij rusofil, Ahmet Dogan, dhe udhëheqës të tjerë të MRF-së që të vizitojnë Turqinë.

Ndërhyrja e Turqisë në politikën e brendshme të Bullgarisë në këtë mënyrë e ndau MRF-në, duke dëmtuar shanset e turqve dhe myslimanëve të Bullgarisë në zgjedhjet e ardhëshme, ndërsa marrëdhëniet mes Turqisë dhe turqve të Bullgarisë – si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve – janë tronditur.

Fuqia e butë e Turqisë në Ballkan ka ndezur gjithashtu debatet rajonale dhe ndërkombëtare mbi ngritjen e “neo-otomanizmit” në Ballkan.

Disa argumentojnë se fuqizimi i pranisë së Turqisë në këto zona synon të rikrijojë një formë të hegjemonisë osmane – një koncept aspak popullor, veçanërisht në ish-tokat osmane që sot e kësaj dite dominohen nga shumica kristiane si Serbia dhe Mali i Zi.

Imazhi pozitiv i Turqisë është goditur gjithashtu si pasojë e autoritarizmit të qeverisë Erdogan dhe përdorimit të dhunës në shkallë të gjerë kundër protestuesve gjatë të ashtuquajturave Protesta për Gezi Park në vitin 2013.

Demokracia turke duket gjithnjë e më shumë e kufizuar nga rregullat autoritariste, siç është ilustruar nga konfiskimi i mediave opozitare nga ana e qeverisë turke më 2015. Freedom House e hoqi Turqinë nga lista e vendeve me media pjesërisht të lirë dhe e klasifikoi atë si jo të lirë më 2014.

Një ekonomi dikur e fuqishme, baza kryesore e strategjisë së fuqisë së butë të Turqisë, ka filluar sakaq të tregojë shenja dobësimi.

Norma e rritjes ekonomike është përgjysmuar nga 7 për qind në vitet 2002-2007, në 3.2 për qind në periudhën 2008-2014. Monedha turke, Lira, ka humbur 40 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit që nga janari i vitit 2013. Këto tendenca kanë ulur aftësinë e Turqisë për të investuar jashtë vendit.

Ekspertët thonë se manovrat më të fundit të politikës së jashme turke kanë minuar strategjinë e saj të fuqisë së butë. Sipas tyre kjo nuk do të thotë se politika e jashtme turke në Ballkan është aktualisht tërësisht e gabuar. Politika e AKP-së në Ballkan është më aktivja në historinë e Republikës së Turqisë. Gjithsesi, disa argumentojnë se kjo politikë e jashtme dhe fuqia e butë tërheq vetëm disa grupe të caktuara brenda rajonit dhe jo rajonin si të tërë.

Ndërsa pozicioni i Turqisë në Ballkan, veçanërisht mes myslimanëve, vijon të mbetet i fortë, dobësitë e brendshme ekonomike dhe demokratike si dhe politikat e jashtme të gabuara duket se po kufizojnë aftësinë e saj për të ushtruar kapacitetet që ka në masë të plotë.

Nëse ajo dëshiron që të përdorë potencialin e plotë sërish, Turqia duhet t’i mjekojë plagët që i ka shkaktuar demokracisë dhe ekonomisë së vet – dhe të rishikojë politikën e saj të jashtme në rajon. / BIRN

February 28, 2016 19:34
Komento

1 Koment

  1. Arben February 28, 20:14

    PERANDORIA E LINDJES ME QENDER NE STAMBOLL DO TE RINDERTOHET.

    OFRON SIGURI, STABILITET DHE ZHVILLIM.

    HISTORIA PERSERITET, SITUATA SOT NE EVROPE ESHTE NJESOJ SI NE 1200-1300, QE KRIJOI KUSHTET PER ZHVILLIM TE SUKSESSHEM TE PERANDORISE OSMANE.

    ALLAHU EKBER.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*