Pse një çantë me kosto 800 dollarë, mund të shitet… 300 mijë?

August 21, 2016 09:34

Pse një çantë me kosto 800 dollarë, mund të shitet… 300 mijë?

Në një fluturim nga Parisi në Londër në vitin 1983, këngëtares dhe aktores anglo-franceze Jane Birkin, iu zbraz në tokë çka kishte çanta e saj e mbushur plot prej kashte, përfshirë dhe ditarin e saj Hermes.

Jean-Louis Bumas, drejtori ekzekutiv i Hermes-it në atë kohë, e ngriti me xhentilesë.

Ata biseduan në lidhje me çantat në përgjithësi dhe veçanërisht për çantën e saj të papërshtatshme të asaj fundjave.

Bumas, i cili nuk kishte vetëm sjellje të hollë, por edhe nuhatje të fortë për të kapur mundësitë e mira, stiloi një çantë sipas specifikave të nevojave të Jane Birkin dhe e pagezoi pikerisht me emrin e saj.

Sot “Birkin” është çanta më e shtrenjtë në botë.

Çmimet fillojnë nga 7000 dollarë.

Në qershor Christie e Hong Kong shiti një çantë Birkin me lëkurë krokodili, mat dhe me një diamant 10 karat, me dorezë me ngjyrë të bardhë dhe flori dhe një kyç për 300,168 dollarë.

Pjesë e shpjegimit të çmimit aq të tepruar të çantës, dhe që Hermes dëshiron ta theksojë, është “mjeshtëria e hollë e punimit”.

Çdo çantë Birkin është një punim dore e një mjeshtri të vetëm, që i duhen rreth 18 orë për ta përfunduar, pak më shumë nëse materiali është një lëkurë delikate krokodili – thotë Hermes që shton se “çmimet janë të bazuara në kosto, që janë mjaft të larta”.

Megjithatë, orët e punës dhe materialet e imta, që përdoren për të bërë çantën, nuk afrohen shumë me çmimin që shiten.

Luca Solca, një analist kapitali në Exane BNP Paribas, llogarit që kostot bazë të prodhimit të një çante Birkin janë rreth 800 dollarë.

Në këtë pikë, një ekonomist do ta shpjegojë me argumentin e bërë nga Thorstein Veblen, një sociolog dhe ekonomist amerikan, i cili në vitin 1899, vuri para idenë e “konsumit për t’u dukur” në analizën e tij klasike të kapitalizmit, “The Theory of the Leisure Class” (Teoria e konsumit të shtresës së lartë).

Të ashtuquajturat “mallra Veblen” ndryshojnë rrjedhën logjike të ekonomisë.

Për shumicën e mallrave, kërkesa bie kur çmimet rriten, ndërsa me mallrat Veblen, sa më i lartë të jetë çmimi, aq më e lartë është kërkesa, sa më të shtrenjta të jenë ato, aq më shumë tregojnë për statusin e atij që i zotëron.

Hendeku midis kostos së prodhimit të një çante Birkin dhe çmimit të shitjes, tregon që bën pjesë në këtë kategori.

Megjithatë, në dy mënyra, Birkin nuk ngjason me të mirat Veblen. Së pari, ato nuk janë të gjitha kaq të dallueshme. Pothuajse të gjithë mund të shquajnë një çantë Gucci, por të paktë janë ata që mund të dallojnë një çantë Birkin.

Pra, teoria e Veblen duhet të përshtatet për të shpjeguar fuqinë e mallrave “të padukshëm”, por gjithsesi të shtrenjtë.

Autori i “Shfaqja e statusit me mallrat e luksit, roli i rëndësisë së markave”, që u botua në vitin 2010 në “Journal of Marketing”, i ndan të pasurit me dy grupe:

1- “pasanikët e rinj” që duan të dallohen nga “masa” nga ato çka zotërojnë

2 – dhe “aristokratët” që nuk duan t’ia dëshmojnë atë që kanë, “masës”.

Ata hamendësojnë se “aristokratët” synojnë markat e shtrenjta me më pak dukje.

Me siguri, ata (aristokratët) kanë zbuluar se Gucci dhe Louis Vuitton faturojnë shtrenjtë për çanta modeste.

Njerëzit që nuk mund të përballojnë mallrat luksoze, por duan të tregojnë që i zotërojnë, shkojnë pas logove të mëdha, imituesit zakonisht kopjojnë mallrat vulgare.

Hermes përdor dhe marifete të tjera.

Nuk mund të hysh në një butik të Hermes-it, dhe thjesht të dalësh prej tij pas pak me çantën që dëshiron.

Fillimisht duhet të bësh porosinë, pastaj të presësh.

Hélène Le Blanc, iu refuzua shërbimi kur iu afrua një dyqani në qendrën tregtare të Faubourg Saint-Honoré disa vite më parë. Vetëm kur bindi shitësen se ajo e kishte seriozisht dhe ishte e gatshme të priste, ajo u prezantua me specialistët të cilët e njohën me llojet e lëkurave dhe detaje të tjera të punimit, si dhe e lejuan që të japë porosinë.

Vetëm pas dy muajsh ajo do të merrte një letër konfirmimi që çanta ishte gati.

Florence Paul, një konsulente e marrëdhënieve me publikun, tregoi se një mikeshë e saj porositi për të blerë një koleksion Birkin për 60-vjetorin e së ëmës. Porosia ishte gati… në përvjetorin e 61-të!

Në një episod të “Sex and the City” të vitit 2001, Samanta kapërcen një radhë 5-vjeçare duke thënë se e do çantën për aktoren Lucy Liu.

Po pse Hermes i mohon tregut çantat Birkin, kur ai mund të shesë më shumë dhe rrjedhimisht të fitojë më shumë?

Hermes thotë se kufizimi qëndron në mundësinë e sigurimit të lëkurës dhe njerëzve të kualifikuar që mund të punojnë me të. Departamenti i përpunimit të Hermes punëson 200 zanatçinj në vit, për të cilët i duhen minimalisht 2 vjet për t’i trajnuar. Pra limiti i numrit të çantave që mund të prodhojnë është i natyrshëm. Çantat Birkin jo thjesht prodhohen, ato janë të përsosura – thonë ata

Por, sipas Solca, Hermes ka thjesht arsye komerciale.

Qëllimi është për të mbajtur konsumatorët të “uritur” dhe profilin e markës të lartë.

Blerësit e sofistikuar nuk identifikohen me yjet si Kim Kardashian dhe Tamara Ecclestone, që kapardisen me koleksionet e tyre të çantave Birkin.

Kur shikon që yjet dalin nga makinat e tyre sportive me një çantë të tillë, largojnë të gjithë magjinë e kësaj çante, tha Le Blanc.

Ajo druhet se çantat Birkin po ekspozohen më shumë seç duhet. Të gjithë markat e mëdha të luksit i druhen këtij rreziku.

Monitor

August 21, 2016 09:34
Komento

1 Koment

  1. Plaku Xhuxhumaku August 21, 16:08

    Se ata qe e blejne kane aq shume para sa qe nuk dine si t’i harxhojne.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*