Fuqizohen ekstremistët, krijohet grupi i ri në Parlamentin Evropian

June 19, 2015 09:20

Fuqizohen ekstremistët, krijohet grupi i ri në Parlamentin Evropian

Ekstremistët kanë arritur më në fund të bashkohen, duke krijuar grupimin e tyre në Parlamentin Evropian. I emërtuar Evropa e Kombeve dhe e Lirive (ENL), ky grupim ka arritur të përthithë 36 parlamentarë evropianë nga 7 kombe të ndryshëm. Por, kush bën pjesë në këtë grup, ç’influencë pritet të ushtrojë në PE dhe çfarë përfshin axhenda e tyre politike ?

Siç edhe dihet, zgjedhjet e  fundit evropiane të majit 2014, njohën një rritje të konsiderueshme të partive ekstremiste. Ndryshe nga zgjedhjet kombëtare legjislative, tashmë është shndërruar në një tendencë që përgjatë zgjedhjeve evropiane, partitë ekstremiste të thithin një votë të konsiderueshme të elektoratit evropian. Me një retorikë urrejtje të thjeshtëzuar, ndaj gjithçkaje që s’është pjesë e tyre dhe është e ndryshme nga to, ekstremistët kanë arritur të jenë të suksesshëm, duke i transferuar problematikat kombëtare, si kriza ekonomike, papunësia, imigracioni, etj. në një nivel evropian, duke kërkuar edhe shpërbërjen e tij.

Grupimi i sapo formuar përfshin Frontin Nacional francez, Partinë për Lirinë të holandezit Geert Wilders, Partinë e Lirisë austriake (FPO), Ligën e Veriut të Italisë, si edhe Interesin Flamand të Flandrës në Belgjikë. Këtij grupimi i është bashkuar edhe një deputete britanike e përjashtuar nga radhët e UKIP, pasi asistenti i saj ishte i dyshuar për mashtrim financiar, si edhe dy deputetë të Polonisë, që vijnë nga partia e Djathta e Re (KNP). Ky grup do të udhëhiqet nga një presidencë dyshe e përfaqësuar nga Marine Le Pen e FN-së, dhe Marcel de Graaff i PVV holandeze.

Ndonëse duket se përplasjet e forta ideologjike, mes partive të mësipërme, janë “sheshuar” për t’i hapur rrugën një bashkëpunimi të nevojshëm politik, kjo aleancë nuk është shtrirë tek Agimi i Artë i Greqisë, dhe ekstremistët e Jobbik në Hungari. Arsyeja sipas tyre, qëndron tek konceptimi ideologjik i këtyre partive me baza të pastra neo-naziste dhe fashiste. Ndërsa UKIP i Britanisë, nuk ka pranuar të jetë pjesë e një koalicioni me FN, pasi sipas UKIP, FN e ka antisemitizmin në ADN-në e saj.

Influenca politike 

Por, kush do të jetë fuqia dhe influenca e tyre në gjirin e Parlamentit Evropian?

Dihet që roli i grupeve politike është i lartë, duke ndikuar në jetën politike të Parlamentit Evropian. Formimi i këtij grupi, do të bëjë të mundur që idetë dhe platforma politike e ekstremistëve të bashkuar të zgjerojnë hapësirën për propagandim, ndikim dhe influencë. Pra, ky grup do të ketë një peshë më të madhe politike dhe përforcim në rritje të ideve politike.

Grupet politike gëzojnë përfitime procedurale, pra më shumë kohë në dispozicion për të folur dhe mbrojtur idetë përkatëse; mundësi për të amenduar tekste në seancë plenare; u ngarkohen përpilime raportesh, pra caktohen si raportues; kanë të drejtë për presidencë komisionesh apo nën komisionesh parlamentare; caktojnë anëtarë komisionesh dhe delegacionesh ndër-parlamentare; kanë të drejtë të kërkojnë mbylljen apo pezullimin e një seance; propozojnë amendime dhe rezoluta për shqyrtim në seancë plenare; kanë të drejtë për subvencione në nivele të larta, krahas rrogave dhe avantazheve qe siguron posti i deputetit në PE; kanë staf më të gjerë dhe hapësira zyrash të konsiderueshme, si edhe më shumë fonde për aktivitete publike (konferenca, debate, fushata, etj).

Pra, krijimi i një grupi mundëson përforcimin dhe fuqizimin e ideve politike, si nëpërmjet rolit më të madh politik që një grup ushtron, por edhe nëpërmjet shifrave të larta financiare që vihen në dispozicion të tyre.

Me 36 deputetë, grupimi ekstremist do të jetë grupimi më i vogël i PE-së. Por, në logjikën e mbrojtjes së interesave dhe çështjeve politike, ky grupim mund të bashkojë votat me dy grupimet e tjera anti-evropiane, duke i anashkaluar përkohësisht përplasjet ideologjike.

Nëse çështje të ndjeshme të axhendave të tyre, si zgjerimi apo imigracioni, që janë refren i këtij grupimi, do të arrijnë të bashkojnë votat me grupimin eurofob të Evropës së Lirë dhe të Demokracisë Direkte (EFD) të Nigel Farage të UKIP, (45 deputetë), apo edhe me grupin e Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë, ECR (72 deputetë),  ndikimi i tyre do të jetë më i lartë.

Kjo influencë aleancash, dhe pushtet në rritje do të penetrojë edhe në grupimet e tjera të mëdha (PPE, S&D, ALDE), që janë të detyruar të bien në kompromis për çështje të caktuara, në mënyrë që të mund të përballojnë grupimin e votës euroskeptike. Pasi në këtë kalkulim futen edhe vota e deputetëve të tjerë ekstremistë, që nuk janë bërë pjesë e këtij grupimi.

Përgjatë konferencës për shtyp, të zhvilluar këtë të martë, ku u deklarua edhe formimi i grupit më të ri, nuk u prezantua programi i tyre politik. Edhe faqja e internetit të grupit në sitin e Parlamentit Evropian, duket se është në përpunim e sipër. Por, gjatë konferencës, u shpalos përciptazi një pikë e axhendës, mbi domosdoshmërinë për shpërbërjen e zonës euro.

Gjithsesi duhet kujtuar se, ndaj çështjes së integrimit të Shqipërisë, eurodeputetët ekstremistë kanë qenë gjatë gjithë kohës aktivë, duke kundërshtuar në të gjithë format e mundshme mundësinë për një integrim të vendit në BE. Ato kanë qenë të pozicionuar vazhdimisht, jo vetëm kundër zgjerimit dhe kundër integrimit, por edhe kundër vetë ekzistencës së Bashkimit Evropian, ndonëse janë pjesë e tij, jo vetëm duke u financuar dhe përfituar në forma të konsiderueshme, por edhe të akuzuar për abuzime me fondet e Unionit (FN). Formësimi i një grupi, rrit pushtetin e përhapjes së ideve politike dhe imponimit ndaj grupimeve të mëdha politike. Por, prezantimi i platformës së tyre, që pritet të bëhet publik së shpejti, si edhe logjika e veprimit politik në vijim, ndaj çështjeve që ato mbrojnë, do të konfirmojë më saktë strategjinë, mënyrat e operimit si edhe fuqinë reale të influencës së tyre në Parlamentin Evropian./im.ta/

Shkrime të tjera: 

Agimi i Artë kundër integrimit evropian të Shqipërisë

Ekstremi i djathtë në bllok kundër Shqipërisë

Fronti Nacional nën akuzë

 

 

June 19, 2015 09:20