Tregtonin eksploziv, pranga vëllait të ish-deputetit Ndriçim Babasi

March 28, 2014 09:00

Tregtonin eksploziv, pranga vëllait të ish-deputetit Ndriçim Babasi

Tregtimi pa licencë i eksplozivit çon në pranga administratorin, magazinierin dhe shoferin e firmës “Babasi COO”. Mes të arrestuarve edhe Pëllumb Babasi, vëllai i ish-deputetit të PD-së, Ndriçim Babasi, në cilësinë e administratorit të kompanisë. Policia bëri me dije se të ndaluarit për shkak të eksplozivit të sekuestruar në Shkodër, 24 kilogramë tritol dhe 100 detonatorë, janë administratori Pëllumb Babasi, magazinierin Liman Babasi dhe shoferin Martin Marvataj.

 

Operacioni

Shkak është bërë kapja e furgonit “Benz”, me targa AA523AR, në “Kryebushat” të qytetit të Shkodrës, brenda të cilit u gjetën 24 kg tritoli dhe 100 detonatorë, që po transportoheshin drejt Pukës për llogari të firmës tjetër minerare “Oskeola sh.p.k”, në Fushë-Arrëz. Në pranga ra shoferi Martin Marvataj, 32 vjeç, ndërkohë që nga hetimet rezultoi se eksplozivi ishte siguruar nga firma “Babasi”, me vendndodhje aktiviteti në Fushë-Krujë. Dokumentacioni rezultoi i pasaktë, pasi policia e Shkodrës dhe e Durrësit konfirmuan nga autoritetet se kompanisë i kishte mbaruar afati i licencës prej 25 janarit të këtij viti dhe nuk mund të bënte më tregti eksplozivi për miniera, gurore apo hapje rrugësh. Nën akuzën e “tregtimit të paligjshëm të lëndëve plasëse, djegëse dhe radioaktive”, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje ditën e djeshme administratori i firmës Pëllumb Babasi, 34 vjeç, njëkohësisht vëllai i ish-deputetit dhe magazinieri Liman Babasi, 62 vjeç. Por për shkak të veprimeve paraprake, janë lënë për hetim në gjendje të lirë. Kurse në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia ka siguruar urdhrin e ndalimit nga prokuroria për administratorin dhe për magazinierin, sapo materialet janë verifikuar plotësisht dhe u sigurua dëshmia e shoferit të ndaluar dhe firmave të tjera që kishin pasur aktivitet me kompaninë “Babasi” pas 25 janarit. “Kompania e dyshuar ka pasur aktivitet edhe me firma të tjera, ndërsa transporti bëhej jashtë kushteve të sigurisë”, thanë burime zyrtare policore.

 

Licenca

Sipas hetimeve, mësohet se firma “Babasi” ka patur më parë licencë për shit-blerje të lëndëve plasëse për qëllime industriale, mirëpo kjo licencë iu hoq më 25 janar 2014. “Edhe pas heqjes së licencës kjo firmë ka ushtruar aktivitetin normalisht në kundërshtim me ligjin. Licenca është hequr për shkak të shkeljes së rregullave të sigurisë dhe mungesës së kushteve”, tha policia.

 

Të arrestuarit e Policisë:

Pëllumb Babasi, 34 vjeç, administrator i “BABASI COO”
Liman Babasi, 62 vjeç, magazinier i kompanisë

Martin Marvataj, 32 vjeç, shofer i kompanisë

 

Dyshimet e policisë, tritol për kriminelët?

Policia e Shtetit deklaroi mbrëmë se po verifikon dyshimet nëse eksplozivi shkonte dhe për qëllime kriminale. Sasi të mëdha tritoli për miniera, gurore apo hapje rrugësh, shpesh bien edhe në duart e kontigjentëve të krimit. Madje gjatë muajve të fundit ka pasur sulme edhe me pasojë vdekjen ku janë përdorur bomba me eksploziv të telekomanduara apo me fitil zjarrpërcjellës. Policia do kryejë hetime nëse lloji i eksplozivit që shiste firma është përdorur edhe në atentatet e fundit në vend.

 

Akuzat për shitjen me tender abuziv të 500 tonë eksploziv nga Imami, për firmën “Babasi”   

Një tjetër padi është bërë ndaj ish-ministri të Mbrojtjes Arben Imami, pasi akuzohet se i ka shitur 500 tonë tritol shoqërisë “BABASI COO shpk”, që është nën pronësinë e ish-deputeti të PD-së, Ndriçim Babasi, duke bërë disa shkelje. Pjesë e kallëzimit është edhe ish-drejtori i Uzinës së Mjekësit, Daniel Karanxha. Dëmi financiar i tenderëve sipas dosjes së depozituar dhjetorin e vitit të kaluar, arrin deri në 1,2 milion euro. Uzina e Mjekësit, me urdhër të ish-ministrit Imami, ka realizuar shitjen e një sasie prej 500 tonë TNT, bazuar në kontratën e shitjes nr. 182 datë 21 maj 2013, me blerës shoqërinë “BABASI COO shpk”. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë konstatuar shkeljet dhe mangësitë të ndryshme, nga procedurat e paligjshme, tenderi i drejtpërdrejtë, mungesa e konkurrencës, delegimi i kompetencave për tender te Mjekësi, ndërsa duhet të kryhej nga MEICO dhe të tjera abuzime dhe veprime të paligjshme që po verifikohen nga prokuroria.

 

“Firma e vëllait tim dhe e ligjshme, shpresoj të mos ketë prapavijë politike”

BabasiiiiiIsh-deputeti Ndriçim Babasi, aktualisht president edhe i klubit “Tirana”, u shpreh mbrëmë për mediat se firma “Babasi COO”, është në pronësi të vëllait të tij dhe se aktiviteti është i ligjshëm. “Kompania është në rregull me dokumentacionin dhe zotëron në bazë të ligjit dhe vendimit 209 të Këshillit të Ministrave, datë 26 janar 2011, licencë për magazinim dhe tregtim të lëndëve plasëse për përdorim civil. Këto lëndë janë përdorur dhe do përdoren gjithmonë në disa sektorë të ekonomisë si ndërtimi, në miniera dhe në vepra të tjera. Lënda plasëse është blerë brenda vendit për përdorim civil, me një kontratë të rregullt në uzinën e Mjekësit dhe i është shitur po brenda rregullave një kompanie që operon në fushën e minierave dhe të licencuar nga Ministria e Energjetikës dhe Industrisë dhe sërish për përdorim civil. Po krijohet një çështje që nuk ekziston, ndoshta për shkak edhe të rrethanave që përkojnë me situatën e rendit dhe shpërthimet me tritol. Pres që çështja të sqarohet shumë shpejt. Shpresoj që ky aksion të mos ketë prapavijë politike, pasi vëllai im nuk e ka lidhur asnjëherë biznesin e tij me politikën”, deklaroi Babasi. Policia thotë zyrtarisht se firmës i ka përfunduar licenca më 25 janar 2014 dhe nuk është rinovuar.

 

 

March 28, 2014 09:00
Komento

4 Komente

  1. Tani March 27, 20:08

    Ketu eshte burimi dhe furnizimi i krimit te tritolit.Eshte prapavija politike, lufte e fshehte per te bere sa me shume te pakenaqur me qeverine.

    Reply to this comment
  2. nastradinhoxha March 28, 10:07

    Shikojeni ne foto kete LOPCAR me kravate PD-jene qe te kuptoni kush e ve tritolin e Mafies ne Shqypni. Edi Rama duhet te kishte reaguar me pare me firmat e tritolit te Saliut dhe jo te priste dersa situata te agravonte ne permasa Kandahari.

    Ne asnje vend te Botes shitja dhe biznesi me Lendet Plasese nuk eshte lene ne duart e biznesit privat, por kontrollohet rreptesisht nga shteti me Agjensite dhe Ligjet perkatese. Ne Shqypni edhe nje LOPCAR debil dhe dallkauk mund te regjistroje firme qe eshte afer me pushtetin dhe te tregetoje tritol edhe per pune civile edhe per pune te PISTA te BOSIT qe e ka emeruar dhe caktuar. Prandaj nuk ka pse te zoritet edhe ministri Tahiri qe te “zbuloje” kriminelet e vertete te tritolit ne vendin tone. Per kete mjafton te shikoje LOPCARET e Saliut qe i kishte emeruar si Mbreta te Tritolit.

    Reply to this comment
  3. hosteni March 28, 11:53

    o vellai i tregtarit te vdekjes artikulli thote qe i ka mbaruar licensa…ti thua eshte firme e rregullt ,,,,,kur ska license nuk firme se eshte abuzive,,,,po cfar them edhe une kur nuk i din ligjet ky plehramentari do ti dime ne injorantet,,,,,,,,,,,!!!!!!!!!!!!!

    Reply to this comment
  4. kujjtimi itali March 28, 13:25

    ku i kane gjetur keto dyfyrsa kaq te shemtuar sa edhe lopet do tu trembnin prej tij. edhe president i klubit tirona nuk bej me tifozllik as per tironen ….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim