“Fushat e bashkëpunimit Shqipëri-Meksikë”

June 28, 2014 13:02

“Fushat e bashkëpunimit Shqipëri-Meksikë”

Edhe pse me distancë të largët gjeografike, Shqipëria dhe Meksika mund të kenë një bashkëpunim shembullor në disa fusha. Gjatë një interviste me konsullin e nderit të Meksikës në vendin tonë, Ylli Ndroqi, mësojmë se shteti nga Amerika Veriore, ka interes të shtojë bashkëpunimin dypalësh me vendin tonë, në turizëm, biznes, trashëgimi kulturore etj. Ndroqi thotë se “vendi ynë mund të jetë një atraksion special për meksikanët, për vetë faktin se trashëgimia shekullore është e veçantë në llojin e saj”. Ai tregon dhe vizitat e pritshme të politikanëve të nivelit të lartë të vendeve respektive.

 

Që nga emërimi juaj si konsull i nderit i Meksikës në Shqipëri, sa ju duket se po përmbushen ambiciet tuaja për gjallërimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Meksikës?

Që nga momenti që mua më është besuar përfaqësimi i Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, jam përkushtuar të forcoj sa më shumë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Meksikës. Vitin e kaluar kam organizuar në Tiranë takime të nivelit ekonomik, forume të rëndësishme që kanë nxjerrë në pah interesin e biznesit meksikan në Shqipëri dhe anasjelltas. Madje përfaqësues meksikanë zhvilluan vitin e kaluar takime me ministrin e Ekonomisë të asaj kohe, por edhe me Dhomën e Tregtisë në Shqipëri. Mendoj se shumë shpejt dy vendet tona do të shtrijnë marrëdhëniet ekonomike edhe më shumë, duke ngritur ura të forta mes dy vendeve në fushën e biznesit.

Meksika njihet rëndom në Shqipëri për telenovelat dhe disi edhe për futbollin. Në ç’fusha mendoni se biznesi shqiptar mund të gjejë pika bashkëpunimi me atë meksikan? Përveç turizmit, a mund të ketë nisma të tjera nga qeveria shqiptare, që ndoshta edhe përfaqësues të industrisë meksikane, të ndërtojnë filiale të tyret në Shqipëri?

Meksika ka potenciale dhe eksperiencë të madhe në turizëm, në kulturë, gjithashtu ata kanë një traditë sidomos në gastronomi, një eksperiencë shumë vjeçare. Gjatë takimit që pata me ministren e Kulturës, i fola për resurset që ka Shqipëria, veçanërisht trashëgiminë kulturore, si kalatë shekullore, vendbanimet e hershme, të cilat mund të jenë një arsye më shumë që turistët meksikanë të vizitojnë Shqipërinë. Vendi ynë mund të jetë një atraksion special për meksikanët, për vetë faktin se trashëgimia shekullore është e veçantë në llojin e saj. Gjithashtu gjatë takimit që pata me ministrin e Ekonomisë dhe guvernatorin e Kampeçes, ata më shprehën dëshirën e bashkëpunimit, sidomos në fushën e energjisë dhe të naftës. Madje ministri i Ekonomisë më garantoi se së shpejti, do të dërgojë një përfaqësi të ministrisë se tij, për t’u takuar me homologët shqiptarë në Tiranë. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për të zyrtarizuar një sërë projektesh që mund të jetësohen në këto fusha mes dy vendeve.

Sivjet për herë të parë u takuat me presidentin meksikan, si konsulli i parë i nderit nga Shqipëria që ka pasur Meksika. Na thoni ndonjë përshtypje nga takimi… Ç’interesa specifike shfaqi presidenti meksikan, apo edhe ministri i Jashtëm i Meksikës, për Shqipërinë dhe botën shqiptare në përgjithësi?

Presidenti i Meksikës, gjatë takimit, theksoi se ishte i impresionuar për punën dhe imazhin e Meksikës që unë kam bërë si konsull në Shqipëri. “Falë jush, u shpreh presidenti, Meksika sot njihet dhe promovohet gjerësisht në Shqipëri, por jo vetëm”. Presidenti Nieto vlerësoi atë që është bërë gjatë vitit të parë të funksionimit të Konsullatës në Tiranë, duke shprehur interes të veçantë për Shqipërinë, pasi ishte hera e parë që në një takim të tillë me konsuj nga e gjithë bota kishte dhe një përfaqësues shqiptar.

Meqë jemi tek diplomacia panshqiptare, sa njihet Kosova në atë rajon? A ka shpresë që së afërmi, Meksika ta njohë pavarësinë e Kosovës?

Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të SHB të Meksikës, i prezantova dhe korrespondencat e mia me Kosovën, duke i kërkuar që shteti i Meksikës të përshpejtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm më shprehu përkushtimin e tij se Meksika do të shohë qëndrimin e saj në të ardhmen, për të njohur së afërmi Kosovën si shtet të pavarur.

Zoti Ndroqi, ju jeni edhe dekan i konsujve të nderit në Shqipëri. Si e shihni bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Jashtme? A mund të fitojnë konsujt e nderit një rol më të madh pranë këtij dikasteri? Për të hyrë pak më në hollësi, si funksionon komuniteti i konsujve të nderit në Shqipëri, që ju drejtoni prej më shumë se një viti?

Që nga krijimi i shoqatës së konsujve në Shqipëri, roli i kësaj shoqate është mjaft i rëndësishëm për krijimin e urave lidhëse mes Shqipërisë dhe vendeve që të gjithë konsujt përfaqësojnë. Marrëdhëniet tona me Ministrinë e Jashtme janë të një niveli të shkëlqyer dhe për këtë dua të falënderoj ministrin e Jashtëm, z.Bushati. Roli i konsujve është i rëndësishëm për promovimin ekonomik, kulturor dhe sidomos në fushën e turizmit.

Së fundmi, a po ndërmjetësoni për ndonjë vizitë të nivelit të lartë të politikanëve shqiptarë në Meksikë dhe anasjelltas?

Unë ftova ministrin e Jashtëm të vizitojë Shqipërinë. Ai u shpreh i gatshëm që në një kohë të afërt me kënaqësi do të shohë mundësinë e realizimit të një vizite në vendin tonë, që do ishte një moment i rëndësishëm në rikthimin e marrëdhënieve zyrtare e diplomatike mes dy vendeve. Po kështu ftova edhe ministren e Kulturës, e cila pranoi me kënaqësi ftesën që të vizitojë Shqipërinë.

June 28, 2014 13:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*