“Fushëbeteja” e SHBA, 8 mld $ për krijimin e forcës ushtarake hapësinore

August 9, 2018 22:16

“Fushëbeteja” e SHBA, 8 mld $ për krijimin e forcës ushtarake hapësinore

Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence, thotë se forca hapësinore e propozuar nga Presidenti Donald Trump është e nevojshme për të përballuar kërcënimet në këtë “fushëbetejë”.

“Tani ka ardhur koha për të shkruar kapitullin tjetër të madh në historinë e forcave tona të armatosura, për t’u përgatitur për fushëbetejën tjetër. Ka ardhur koha për të ngritur Forcën Hapësinore të Shteteve të Bashkuara,” tha Pence gjatë një fjalimi në Pentagon.

Ai theksoi se administrata synon që forca e re ushtarake hapësinore, e cila do të kushtojë 8 miliardë dollarë, të jetë funksionale para vitit 2020.

Presidenti Donald Trump bëri thirrje për krijimin e Forcës Hapësinore në muajin qershor. Ai tha se është i nevojshëm një shërbim i ri ushtarak, për të siguruar dominimin amerikan në hapësirë.

Sekretari i Mbrojtjes James Mattis shprehu vitin e kaluar skepticizëm ndaj Forcës Hapësinore, duke përmendur si arsye shtimin e burokracisë dhe të kostove që do të sillte kjo.

Por të enjten, Mattis tha se e mbështet krijimin e një komande të re që do të shfrytëzonte degët ekzistuese të forcave të armatosura të vendit.

Pentagoni do të paraqesë së shpejti në Kongres një raport ku do të trajtohen në hollësi planet për krijimin e Forcës Hapësinore, pasi Kongresi është dega e vetme e qeverisjes që ka autoritetin për të miratuar krijimin e një shërbimi të ri ushtarak.

Në rast se miratohet krijimi i saj, kjo do të jetë hera e parë që një forcë e re e armatosur do të themelohet në SHBA që nga viti 1947.

s.a/dita

 

August 9, 2018 22:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*