FUTBOLL / Edi Reja shpjegon pse e vuri Roshin mbrojtës dhe Strakoshën sulmues

September 10, 2019 15:47

FUTBOLL / Edi Reja shpjegon pse e vuri Roshin mbrojtës dhe Strakoshën sulmues

TIRANË – Pasi ishte shpërndarë disi reja e zymtë e dështimit përballë Francës, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit Edi Reja shpjegoi para mediave zhvendosjet ndërsektoriale të lojtarëve, që befasuan të gjithë, sportdashës e profesionistë të futbollit.

“E kuptoj që a voi albanesi, ju ka rënë si bombë kur patë Odise Roshin që në vend të bënte mesfushorin e djathtë shpërthyes në krah, rrinte në mbrojtje si rosak i shastisur. Besoj e patë edhe kur në vend që të markonte sulmuesin francez, tentonte t’i ikte, sepse instikti i thoshte t’i afrohej sa më shumë portës franceze…”, nisi shpjegimin Reja.

I kënaqur që mori vëmendjen e gazetarëve, eksperti italian vazhdoi:

“Gjithashtu, besoj keni mbetur a bocca aperta kur patë Thoma Strakoshën si pykë e vetme në sulm, duke i  kërkuar mesfushës sa më shumë pasime vertikale, por sa herë që i pasonin, ai instiktivisht i kapte pasat me dorë. Pse i bëra unë këto lëvizje në dukje të çoroditura, do thoni ju more shokë? Se kam lakra në kokë? Se vuaj nga shfaqje të huaja? Se jam infektuar nga televizionet italiane dhe kujtoj se jeta në kapitalizëm është fushë me lule? Apo se kam prirje mikroborgjeze dhe, në mendjen time, unë kam shoqëri me borgjezët?”

Dhe Edi (Reja) e shtoi suspansin duke marrë frymë thellë, derisa imponoi një heshtje të nderë në sallë:

“Jo more shokë, jo! Unë këto lëvizje i bëra sepse të rinjtë e sotëm duhet t’i bëjnë të gjitha. Duhet të dinë, të mësojnë, të çalltisin dhe të dalin nga situata. Se nesër-pasnesër do dalin në jetë, dhe do t’u duhet të gatuajnë, të lajnë ndonjë rrobë, të bëjnë pazar, të luajnë edhe në mbrojtje, edhe në portë, edhe në sulm! Po nuk mësuan tani që kanë moshën, kur do mësojnë, avete capito?”

Reja gjithashtu dha sqarime edhe për faktin se trajnerin e portierëve e kishte vënë masazhator, mjekun e ekipit e kishte vënë qendërmbrojtës, ndërsa shoferin e autobuzit të kombëtares e kishte vënë të kapte topat pas portës.

Në fund, Edi Reja i lodhur i hodhi një vështrim të dhimbsur të pranishmëve dhe tha me trishtim:

“Nuk do ta besoja kurrë se do më duhej të jepja sqarime për gjëra kaq të thjeshta. Ju, që keni për kryeministër un pittore, I dini kto gjona më mirë se unë!”

SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike e bindur se të rinjtë duhet të mësojnë sa më shumë gjëra sa janë në vërsë…

September 10, 2019 15:47
Komento

4 Komente

  1. edy September 10, 17:20

    hahahaha, e c’beri edy reya, c’beri edy ramja, nesoj eshte

    Reply to this comment
  2. ### September 12, 01:46

    gojet e liga risjell mallin e ish revistes hosteni humor i mire

    Reply to this comment
  3. Mark .UK September 13, 09:14

    Pse ka Starakosh sulmues

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*