Gabimi i Gurakuqit

Bahri Myftari June 24, 2014 15:16

Gabimi i Gurakuqit

Imzot Noli përzgjodhi për vend pune ndërtesën që ngrihej në të djathtë të Sarajeve, diku në qendër të kryeqytetit të saposhpallur. Dikur aty punonin dy senatorët e nderuar Pashai i Ebasant dhe Imzot Bumçi përballë tij. Peshkopi i famshëm i sapo kthyer nga Amerika ishte ngarkuar të formonte qeverinë e re. Vendosi sendet e veta në një dollap të madh muri… Sendet e veta! Eh, ç’sende dhe mjete mund të kishte ai njeri, veçse një flaut të thjeshtë dhe dy valixhe, të gërvishtura nëpër anijet e të dy botëve; në njërën sendet e përditshme dhe të nevojshme, e në tjetrën libra të shumtë historie dhe letërsie prej Herodotit deri te Shekspiri e më tej, tek B. Ibanjezi, si dhe disa fletore mbushur me përkthime dhe me vargje të vetat dhe të miqve.

U çapit rëndë dhe lodhshëm nga kati i parë në katin e dytë. Në korridorin që përfundonte pranë daljes ngjitur me ballkonin, Gurakuqi, i dalluar për shijet e tij të holla, kishte stolisur anë e kënd ambjentin ku do të mbahej mbledhja e parë e Kabinetit të ri. Në murin përballë ishin vendosur portretet e Pirros, Aleksandrit dhe Gjergj Kastriotit. Përballë, një hartë e madhe e Ilirisë, dukej që përfshinte fiset dardane deri në kufi me Karpatet dhe në Veri, shkonte tek burimet e njohura të Danubit. “Jorgan që të mbështjell mirë e bukur, buzëqeshi ai, -jorgan që nuk t’i lë këmbët jashtë”. Mbi të, dalloheshin qartë dhe me shumicë vizatime të Raguzës së lashtë dhe të ishujve që hidheshin në detin e Adriatikut. Gravura e piktura të Kështjellës së Balshajve, Kalasë së Rozafës së Shkodrës, të Beratit, të Gjirokastrës dhe të Gjirit të mahnitshëm të Artës! Dukej qartë që Imzot Noli i kishte ngarkuar edhe një detyrë tjetër Gurakuqit. Detyrë të rëndë e më me përgjegjësi… Por cili veç atij mund ta kryente atë ashtu sikundër e kërkonte dhe e kuptonte një një njeri me shije të hollë dhe erudit? Kush tjetër mund të kishte një mendje të atillë, një urtësi që t’u shkonte  në zëmër të tjerëve? Askush nuk  kishte fjalën dhe besueshmërinë e tij! Për të, Gurakuqi qe i pakrahasueshmi. Patriot dhe atdhetar i sprovave të vështira. Një luftë e përpjekje e nisur prej tij që në krye të shekullit, deri sa mbërriti në krahë të Plakut të historisë. Miqësia dhe ndershmëria midis dy burrave, u vu në provë dhe së fundi, kur Gurakuqi, u akuzua për tradhti dhe shpërdorim të një shume të konsiderueshme fondesh, përgjatë një afere armësh, ku vetë Noli mori përsipër dhe u ngarkua për zbardhjen e kësaj, me gjasë vjedhjeje dhe tradhtie, kur në të vërtetë ishte thjesht jo vetëm armiqësi, por dhe një intrigë, që ai, imzot Noli, në prani të Kryeministrit të kohës, mundi të vërë me fuqinë e tij, të mendjes dhe të fjalës, pikën  mbi të vërtetën e madhe, duke e lartësuar edhe njëherë pastërtinë dhe ndershmërinë e Rilindasit të madh.

Ishin pikërisht këto parime që patën lindur, ushqyer dhe rritur marrëveshjen dhe angazhimin e përbashkët në krijimin e qeverisë së re, Kabinetit te ri. Përballë këtyre sprovave vetë Gurakuqi, i mirënjohur për njohje të madhe ndër intelektualë e më gjerë, do t’u drejtohej me Ftesë e me Kërkesë atyre, kudo që të ishin; në Evropë, a në Amerikë. Do të kishim qeverinë tonë. Do të ndërtohej një kabinet qeveritar i ri! Kabineti i ri, qeshi, Imzot Noli, se ç’fshihte me atë të qeshur, një si mëdyshje, si frikë, si mosbesim. Disa vargje të Faik Konitzës e bënë t’i dhembte koka;

Të rrini bashkë me ta në kabinet,

     që t’i jepni guvernës asiatike

     një frymë modern…

     dhe një hije evropiane.

Ai përsëri vuri buzën në gaz… Kështu i qe bërë zakon, kur qesënditë, ironitë vinin prej njerëzve të ditur, madje edhe kur e fyenin siç bënte S. Peci, që e thërriste pa droje “evgjiti i Edernesë”, nuk i merrte për të madhe, ndryshe ndaj shpotive të Konitzës, ndaj shigjetave të tij, nuk përjetonte vetëm shakanë, por përkundrazi, ngacmohej e shtyhej për veprim! Atë fletorkë, ku qenë renditur ato vargje, e kishte marrë me vete, edhe atëherë, në Gjenevë, kur luhej drama e fundit e atdheut. Dhe ç’dramë? Më e madhe se dramat e Eskilit dhe të Shekspirit të marrë së bashku! Vërtet dërgata e përfaqësuesve që shkoi në Europë si nga huqet, zakonet, kultura, madje dhe nga veshja nuk ishte e gjitha alla- Europiane, por për  nga  pesha  e detyrës, për nga paraqitja e saj, argumentet dhe nga eleganca në formë e përmbajtje, u tregua më europiane se gjithë delegatët e vendeve të tjerë, veçmas më e dalluar se ajo e fqinjëve!

“Shqiptari e dorëzon pushkën në zyrat e Lidhjes së Kombeve në qoftë se do t’i sigurohet paqja, se shqiptari mund të bëhet një artist me vlerë, një tregtar i ndershëm, një mjeshtër me shije, një poet i mirë”… Kurrë nuk do t’i harronte ato fjalë që kumbuan në 17 dhjetor të 1920 në atë sallë madhështore, kur Shqipëria e tij, mëmëdheu i tij, të cilit edhe pse nga shumë larg i ishte përkushtuar me gjithë fuqinë dhe energjinë e shpirtit të tij prej gjeniu, u pranua për herë të parë në historinë e botës së re, të qytetërimit të kombeve, në Lidhjen e Kombeve… Ndjeu vërtet një kënaqësi të madhe dhe si gjithmonë, kur mbushej me lumturi, i shkoi mendja dhe dëshira tek flauti i tij, instrumenti i shpirtit, siç e quante shpesh herë nëpër takimet me miqtë kur dikush ia përmendte.  Ishte ora 18 e pasdites, ndërsa të tjerët “kokat e ndritura të atdheut” – nofka qe e gjitha e tij, -ardhur të gjithë nga Lindja a Perëndimi, vërshonin zhurmshëm për te sallat e bixhozit a të kafeneve plot plane, intriga e thashetheme për ditët në vijim, ai merrej me fluatin e tij të dashur. Po dhe ky zakon, do të merrte fund një ditë. Disa zonja plaka të atyre shtëpive me stil oriental, përqark sarajeve ku ishte vendosur përkohësisht, do t’ia merrnin flautin e tij për fyell dhe do t’i hakërreheshin, duke thënë lart e poshtë se ai, prifti, i ardhur nga Amerika, mos kujtonte se qe rrethuar nga një tufë delesh…

Ishte duke pritur Gurakuqin. Ai do t’i sillte postën e, bashkë me të, edhe emrat e patriotëve që do të qenë treguar të gatshëm për të qenë pjese e qeverisë së re që pritej të lindte, që do ti kishin thënë “Po” dhe do të kishin nënshkruar kërkesën e ardhur nga Tirana zyrtare… Nuk kishte si ta vriste kohën, veçse duke dremitur dhe ashtu bëri. Flinte e zgjohej si me urdhër! Kur Grakuqi u dha te dera, ai u gjend në këmbë. Zotëri, nuk e zgjati Gurakuqi, veç Delvinës, Qafëzezit, Koculit, na mbërriti dhe firma e Shalës, po, ja dhe Bushati më duket? Po Vinjahu e ka firmos… E shoh që diku tjetër e ke një merak? Te Konitza! Atij ia kam nisur të parit kërkesën, madje plot me lutje. Nuk është bërë i gjallë, nuk ka…

Mos kini bërë ndonjë gabim zoti Gurakuqi? Mos… Përsëritja e të njëjtës pyetje e stepi tjetrin dhe mbasi peshoi kohën lart, tha;

Është e njëjta, e njëjta si dy pika ujë me ato të të tjerëve. Ndërkaq, i zgjati kopjen e kërkesës që mbante në dosje… Kryeministri Noli, e lexoi pa ndonjë vëmendje. Ai nuk dyshonte kurrë te saktësia dhe korrektësia e Gurakuqit. E vërtiti nëpër duar letrën dhe për çudinë e tjetrit, tha:

E gjeta, e gjeta gabimin!

Gabim! Bëri në mëdyshje Gurakuqi, gabim!?

Të madh. Të madh fort, madje! Duhet të kishe venë patjetër në letër se sa do të paguhej Faik beu, sa do të merrte në muaj, në gjashtë muaj, në një vit! Shpërtheu në gaz imzot Noli. Në sekondë, edhe Gurakuqi, u bashkua më gëzimin e tjetrit. Qeshnin apo nuk qeshnin! Më shumë se me Konitzën, qeshën me veten. Kishin firmosur dhjetëra e qindra telegrame, letra, fjalime, deklarata, por kurrë, asnjëherë për vete.

 

 

Bahri Myftari June 24, 2014 15:16
Komento

1 Koment

  1. Sergjio Mazreku, analist ne WCE June 25, 12:16

    Bahri Myftari eshte nje nga shkrimtaret me te spikatur te ketyre viteve. Fahri Balliu, Flutura Acka dhe Fatos Kongoli se Agron Tufen jane nje grusht pseudoshkrimtaresh qe u pelqen pena kur vetelavderohen dhe kane gjetur mekanizmin e arkimedit ne jurite e cmimeve ‘letrare’ qe u akordon trofete e pamerituara.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*