Gara për studimet e larta: Si duhet të veproni për të ndërruar degën e studimeve

September 11, 2018 09:44

Gara për studimet e larta: Si duhet të veproni për të ndërruar degën e studimeve

 

Maturantët dhe kandidatët e tjerë që janë shpallur fitues të fazës së parë në programet e studimeve të larta të fakulteteve publike kanë të drejtë që të ndërrojnë degën e studimit në të cilën kanë kryer regjistrimin përkatës gjatë kësaj faze. Edhe për garën e këtij viti, në udhëzimin zyrtar të pranimeve për fituesit e vitit të ri akademik, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka përfshirë edhe të drejtën e ndërrimit të degës së studimit nëpërmjet procesit të çregjistrimeve.

Procesi i çregjistrimit

“Aplikanti pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër, ka të drejtë të çregjistrohet për të ndryshuar degën e studimit. Këtë procedurë mund ta bëni vetëm në datën 13 shtator, një ditë pas mbylljes së regjistrimeve përfundimtare të fituesve të fazës së parë”, bëjnë me dije ekspertët e arsimit. Po sipas tyre, për të konfirmuar këtë hap, kandidati duhet të paraqesë një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku është regjistruar, duke tërhequr dokumentet e dorëzuara. “Nëse nuk e kryeni këtë veprim brenda kësaj datë, nuk keni të drejtë ta ndryshoni më pas programin e studimit për vitin akademik 2018-2019. Çregjistrimi kruhet në portalin U-Albania nga sekretaria mësimore e fakultetit pas çregjistrimit të aplikantëve dhe dorëzimit të dokumentacionit, i dërgojnë QSHA-së dhe RASH brenda datës 14 shtator listën e aplikantëve të çregjistruar. Aktualisht po vijon procesi i regjistrimit të fituesve të fundit të fazës së parë. Sipas afateve të përcaktuara, studentët e kësaj faze kanë afat deri ditën e nesërme për të kryer procesin e regjistrimit në degën e fituar. Kush nuk regjistrohet në këtë fazë humbet degën e fituar, por mund të aplikojë sërish për kuotat e lira të paplotësuara, për të cilat do të garohet përgjatë raundit të dytë të pranimeve.

Gara për fituesit e raundit të dytë

Pas datës 14 shtator, të gjithë kandidatët që nuk kanë siguruar një të drejtë studimi, kanë të drejtë që të rikthehen në garë për kuotat e lira që do të raportojnë fakultetet sipas programeve të studimit që ofrojnë. Aplikimi për kuotat e paplotësuara të raundit të dytë do të zhvillohet në data 15-20 shtator. Edhe në këtë raund maturantët do të mund të përzgjedhin nga e para 10 preferenca se ku duan të vijojnë studimet e larta. Në këtë raund konkurojnë të gjithë kandidatë që nuk fituan dot në fazën e parë, ata që nuk arritën dot të garonin në afatet e përcaktuara të raundit të parë, maturantët e vjeshtës, si dhe kandidatët që ishin fitues, por që kryen procedurat e çregjistrimit për të garuar në një tjetër degë më të preferuar. Kandidatët që që garojnë për herë të parë në këtë raund duhet të shlyejnë edhe tarifën prej 2 mijë lekësh të konkurimit.

Zgjedhja e preferencave në formularin A3

Zgjedhja e degëve të studimit do të bëhet online në portalin www.ualbania.arsimi.gov.al. Regjistrimi i preferencave do të bëhet në të njëjtën kohë, si për kandidatët që duan të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet në një nga degët e universiteteve publike, ashtu edhe për strukturat private të arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë. Kanë të drejtë që të regjistrohen në këtë sistem online vetëm kandidatët që janë pajisur me dokumentacionin ligjor që fakton përfundimin e shkollës së mesme, që kanë mesataren e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për çdo program studimi, si dhe që plotësojnë kriteret e tjera shtesë që mund të kenë vendosur vetë universitetet për programet që ofrojnë.  Ndërsa kandidatët që do të aplikojnë për t’u pranuar në një nga programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria. “Përpara aplikimit në portalin e maturës për zgjedhjen e degëve çdo kandidat duhet të shlyejë edhe tarifën prej 2000 lekësh pranë Postës, apo bankave të nivelit të dytë. Kjo faturë duhet dorëzuar në shkollën ku kandidati ka bërë plotësimin e formularit A1 dhe A1Z, si kusht për hedhjen në sistem të notës mesatare të shkollës së mesme, që është edhe një ndër kriteret mbi bazën e të cilës fakultetet do të përzgjedhin fituesit e rinj të këtij viti. Kandidatët kanë të drejtë që të përzgjedhin deri në 10 preferenca me të cilat do të konkurrojnë për të fituar studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik, qofshin këto degë të universiteteve publike, apo private”, saktësohet në udhëzimin e MASR.

Shpallja e fituesve të raundit të dytë

Lista e fituesve të raundit të dytë do të bëhet në datën 25 shtator. Ndërsa regjistrimet do të kryhen në datat 27 shtator-6 tetor. Kësaj here regjistrimet do të jenë të ndara po në faza 48 orëshe, por që do jenë vetëm 5 të tilla. Çka do të thotë se çdo vend i mbetur bosh nga mbyllja e një faze do të plotësohet me kandidatët e tjerë që ndodhen poshtë vijës së fituesve për çdo program studimi.

Gara për kuotat e paplotësuara të raundit të tretë

Në rast se edhe nga mbyllja e regjistrimeve në raundin e dytë do të rezultojnë serish kuota të paplotësuara do të zhvillohet edhe një raund tjetër pranimesh. Konkretisht, gjatë periudhës 9 deri në 13 tetor universitetet do të vijojnë me regjistrimin e kandidatëve sipas kushteve të aplikimit të bëra në raundin e dytë. Në këtë raund mund të regjistrohen të gjithë maturantët që nuk janë shpallur fitues apo që nuk janë regjistruar në asnjë nga raundet e mëparshme.

Afatet dhe kushtet e aplikimit në raundin e dytë

  • Në periudhën 15-20 shtator 2018 do të zhvillohet procesi i aplikimit online për raundin e dytë në portalin U-Albania. Kanë të drejtë që të aplikojnë duke zgjedhur sërish deri në 10 preferenca, të gjithë maturantët dhe kandidatët që kanë plotësuar në afatet e caktuara formularin A1 dhe A1Z dhe që rezultojnë kalues në provimet e maturës, dhe që plotësojnë kushtet e detajuara në vijim.
  • Nuk kanë arritur që të aplikojnë në raundin e parë.
  • Kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk janë shpallur fitues.
  • Kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen në afatet e caktuara.
  • Janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë, për të vijuar më tej garën për një degë më të preferuar.
  • Si dhe ata që kanë kaluar në provimet e mbetura të vjeshtës.
  • Maturantët që aplikojnë për herë të parë ë raundin e dytë, para zgjedhjes së 10 preferencave ku duan të vijojnë studimet e larta duhet që të shlyejnë edhe tarifën e regjistrimit prej 2,000 lekësh në një nga bankat e nivelit të dytë, ose në pikat e postës shqiptare.
  • Ndërsa maturantët që kanë aplikuar në raundin e parë dhe do të rikthehen në garë për kuotat e raundit të dytë nuk duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit.

 

September 11, 2018 09:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*