Gara për Universitetin e Sporteve, datat për konkurset e pranimit

June 28, 2018 18:36

Gara për Universitetin e Sporteve, datat për konkurset e pranimit

 

Pranvera Kola-DITA 

Ndryshe nga sa ndodh me institucionet e tjera të arsimit të lartë publik në vend, maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që duan të garojnë për të fituar studimet e larta në një nga programet e Universitetit të Sporteve të Tiranës, krahas kriterit të mesatares së gjimnazit, duhet të kalojnë me sukses edhe konkurset individuale që do të zhvillohen përgjatë muajit gusht.

Pas shpalljes së udhëzimit zyrtar të MASR mbi procedurën e aplikimeve për studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik 2018-2019, drejtuesit e këtij universiteti kanë zbardhur datat se kur do të zhvillohen konkurset e pranimit, si dhe procedurat që do të duhet të ndjekin të gjithë kandidatët që duan të fitojnë studimet e larta në degët e sporteve.

Regjistrimi për konkurset e pranimit

Maturantët duhet të jenë të kujdesshëm që gjatë plotësimit të formularit të 10 preferencave përgjatë muajit korrik të vënë në renditje degët e sporteve. Vetëm më pas do mund të kryejnë procedurat e tjera të regjistrimit për të hyrë në konkurset përkatëse që do të zhvillohen në muajin gusht. Nëse nuk regjistroni degët e sporteve në formularin e preferencave nuk do mund të hyni në konkurset e pranimit.

Sipas afateve të përcaktuara, që të dyja fakultetet që janë pjesë e këtij Universiteti në datën 10 gusht do të afishojnë në mjediset e tyre dhe në faqen zyrtare elektronike listën e aplikantëve që kanë kërkuar të konkurojnë për degët e sporteve (gjatë plotësimit të formularit të preferencave për studimet e larta). Që të gjithë kandidatët që do jenë pjesë e kësaj liste duhet të kryejnë më pas procedurat e regjistrimit për konkurset e pranimit.

“Datat e regjistrimit të aplikantëve për konkursin e pranimeve për vitin akademik 2018-2019 do jenë 13-16 gusht nga ora 9.00-16.00. Aplikantët para se të bëjnë pagesën për konkurset duhet të verifikojnë emrin në listat e afishuara. Kjo pasi nëse nuk janë në listë nuk mund të marrin pjesë në konkurse”, bëjnë me dije autoritetet e këtij universiteti. Më tej sqarohet se shpallja e listave të aplikantëve të regjistruar për konkurim në degët e të dy fakulteteve që janë pjesë e këtij universiteti do bëhet në datën 18 gusht.

Për të konfirmuar regjistrimin duhet që të paraqisni në sekretaritë mësimore të secilit fakultet dosjen përkatëse të dokumenteve të kërkuara, sipas afateve të vendosura. Në këtë dosje duhet që të përfshini: “2 fotografi dokumenti, fotokopje e kartës së identitetit, mandat pagesa e tarifës së konkurimit, si dhe kartelën mjekësore”.

Duhet të dini se plotësimi i kartelës mjekësore është një ndër dokumentet bazë, në të cilën kandidati duhet të reflektojë vizitat e kryera tek secili mjek specialist, në mënyrë që të mund të vijojë lirisht testimet praktike në ditën e konkurimit.

Datat e konkursit

Tashmë është vendosur që testimet individuale për secilin kandidat do të zhvillohen në dhjetëditëshin e fundit të muajit gusht. Konkretisht është vendosur që datat e konkursit praktik për programet e studimit në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes do të jenë 20-23 gusht. Në këto datat secili kandidat do të kalojë provat përkatëse të përcaktuara nga komisioni i ekspertëve të këtij fakulteti.

Ndërsa për programin e studimeve në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit është vendosur që konkurset e pranimit të zhvillohen në datat 24-26 gusht 2018. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve me fazën përgatitore, autoritetet e këtij universiteti bëjnë me dije se të dhënat për rregulloren e konkursit, testeve praktike, kartelës mjekësore dhe fatura e tarifës konkurimit gjenden në faqen zyrtare të këtij institucioni të arsimit të lartë publik.

Dy testet që duhet të kaloni

Dy janë testet praktike (fizike) që duhet të kalojë secili kandidat për të vijuar studimet në një nga programet e Fakultetit të Shkencave të Lëvizjes, si dhe Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit.

Maturantët tashmë duhet të fillojnë përgatitjet për konkursin, ku duhet të kalojnë dy teste praktike që kanë të bëjnë me kërcim për së gjati, ku kandidatit i lejohet që të kryejë dy prova dhe nga këto dy prova mund të zgjedhë rezultatin më të mirë. Ndërsa testi i llojit të dytë është testi cirkuit, ku kandidatit i lejohet të kryejë vetëm një provë, çka do të thotë se është pa të drejtë përsëritjeje.

Ndikimi i konkursit në shpalljen e fituesve

Sipas ekspertëve të arsimit, kandidatët i nënshtrohen konkurimit të testimit praktik konform testeve të miratuara nga Senati i Universitetit të Sporteve të Tiranës, të shpallura tashmë. Secili kandidat vlerësohet me pikë të grumbulluara bazuar në rezultatet e konkursit në testimin praktik dhe të notës mesatare të shkollës së mesme.

Sipas vendimit të marrë, edhe për garën e këtij viti, raporti ndërmjet konkurimit praktik dhe notës mesatare të kandidatit do të jetë në kufijtë 60 për qind me 40 për qind. Çka do të thotë se 60 për qind të vlerësimit final kandidati e siguron nga pikët e fituara gjatë konkursit, ndërsa 40 për qind të pikëve nga mesatarja e gjimnazit, përfshirë edhe provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore.

Klasifikimi i kandidatëve bëhet bazuar në sasinë e pikëve totale të grumbulluara, të vendosur në rendin zbritës. Fitojnë kandidatët me numrin më të madh të pikëve të grumbulluara.

 

 

p.k/dita 

June 28, 2018 18:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*