Gazetarja shqiptare me emër në Amerikë… por, pak e njohur në Shqipëri

October 25, 2015 13:24

Gazetarja shqiptare me emër në Amerikë… por, pak e njohur në Shqipëri

Jeta dhe veprimtaria e gazetares Nexhmie Zaimi, më së shumti, veç arkivave amerikane, njihet edhe nga intervistat që ka dhënë i biri i saj pas viteve ’90 në “Zërin e Amerikës” dhe në shtypin shqiptar. Në këto intervista ai flet për karakterin fortë të nënës së tij.

“Ajo ishte një personalitet jashtëzakonisht i fortë. Edhe pse vetëm me një trup të pakët, ajo kishte shpirtin dhe zemrën e maleve shqiptare. Ishte gjithmonë e gatshme për të luftuar, e shpejtë për të vepruar dhe për të ndjerë dhimbjen e popujve të persekutuar.

Një femër që e urrente gënjeshtrën dhe propagandën, aq sa urrente edhe njerëzit, që nuk flisnin hapur dhe që nuk thoshin atë që mendonin.

Në Nju Jork ajo ishte një personalitet i njohur dhe shumë i admiruar. Një femër shumë e kërkuar në shoqëri, për sharmin dhe mënyrën tërheqëse të bisedës. Shtëpia jonë ka qenë gjithmonë e mbushur me intelektualë shqiptarë, shkrimtarë, poetë, diplomatë dhe studentë. Unë u rrita në një atmosferë të tillë kulturore, duke kaluar pjesën më të madhe të kohës në bisedat për politikën dhe historinë, se sa në bisedat për sportin”.

Më tej ai vazhdon: “Nëna ime e deshi Shqipërinë dhe shqiptarët si rrallë kush, por kohët e fundit u ndje e zhgënjyer me ngjarjet politike dhe egon e madhe të shqiptarëve, me të cilat u përball te “Vatra” në SHBA, për të cilën punoi për vite me radhë. “Egoja është kursi i Shqipërisë”, thoshte shpesh.

Nexhmije Zaimi

Nexhmije Zaimi

Ndërkaq, në atë periudhë u ndje keq me ndonjë nga të afërmit e saj në Shqipëri. Shpesh ajo çonte lekë, veshje dhe ushqime, por ata gjithmonë kërkonin më shumë, ndoshta duke menduar se çdo njeri që jeton në Amerikë duhet të jetë shumë i pasur.

Sigurisht që ajo nuk ishte e tillë, por kishte një apartament shumë elegant në Nju Jork, ishte shumë e kulturuar, dashuronte muzikën klasike, operën dhe teatrin…Ajo mbeti luftarake. Ishte e dëshpëruar që shqiptarët nuk punuan së bashku për kombin e tyre. Ajo mbrojti Shqipërinë, Kosovën dhe vendet arabe deri ditën që vdiq”, mbyll bisedën Erik.

Komandante e Kryqit të Kuq në Itali

Jeta aktive e Nexhmies nisi në Itali, kur në Kalabri studioi historinë e shqiptarëve arbëreshë dhe dialektin e tyre të shqipes mesjetare. Pikërisht për punën me refugjatët dhe kontributet e jashtëzakonshme që ofroi në ndihmë të tyre, Nexhmia u bë “Comandatoressa della Coronna d’Italia”, që do të thotë “Komandante e Kryqit të Kuq të Italisë” dhe iu dha një nga medaljet italiane më të larta.

Në Amerikë, në mbrojtje të emigrantëve

Nga viti 1950 deri në vitin 1980, Nexhmia luajti një rol drejtues në një sërë organizatash shqiptaro-amerikane. Më e rëndësishmja ndër to ishte federata panshqiptare “Vatra”. Ndërkaq, ajo përfaqësonte Shqipërinë në Ligën e Kombeve të Evropës Juglindore me qendër në SHBA dhe në Kongresin Amerikan për çështjet shqiptare dhe për të kthyer vëmendjen e tyre tek gjendja e mjeruar e shqiptarëve të shtypur në ish-federatën jugosllave.

Ajo ishte e përfshirë tërësisht në veprimtaritë atdhetare që ndihmonin komunitetin shqiptar në Nju Jork apo Nju Xhersi, veçanërisht të ardhurit rishtaz, të cilët kalonin një moment shumë të vështirë për t’u integruar në jetën amerikane, pasi kishin jetuar në Shqipëri, apo në kampet e refugjatëve. Në vazhdim ajo vijoi me përkthimet në gjykatat e Nju Jorkut për shqiptarët e akuzuar për vepra të ndryshme dhe përpiqej t’i ndihmonte ata dhe familjet e tyre për t’u zbutur sa të ishte e mundur krizat e ndryshme…

Shqiptarja, gazetarja e shquar e Amerikës.

Nexhmia, me Nolin dhe Konicën

Në shkrimet e saj, Nexhmia ka shkruar për takimet me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Me Fan Nolin është takuar për herë të parë në qytetin e Vlorës, ndërsa me Konicën në Vvashington. Në kujtimet e saj kanë mbetur emocionet nga takimi i parë me Fan Nolin…“Ishte prill i vitit 1924, kur u takova për herë të parë me Nolin në qytetin e Vlorës.

|hardcopy|2007/11/21 17:35:56 Shefqet cakiqi Console / ACER-59DE6FF88D

Ai kishte ardhur aty për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Avni Rustemit. Në karrocën me të cilën shkonim në funeral bashkë me mua dhe prindërit e mi, ishte edhe nëna e Avni Rustemit, që herë pas here lotonte dhe qante me dënesë. Ky çast mortor u bë shkak të njihesha me Fan Nolin, i cili ndjehej shumë i dëshpëruar për humbjen e papritur të Avniut, që siç thoshte ai, kishte qenë një patriot i rrallë. Mbaj mend që nëna ime Sherifja, gjatë atyre ditëve vuri në dritaret e shtëpisë pëlhurë të zezë. Ndërkaq, nëna e Avniut për ditë të tëra pas kësaj ndenji në shtëpinë tonë”. Nexhmia do të takohej vetëm për vetëm me Konicën në Uashington, disa kohë më vonë në Nju Jork me të dy korifenjtë e kulturës shqiptare bashkë, ku kanë biseduar për problemet e “Vatrës”.

Gazetarja Nexhmije Zajmi, ish kryetare e degës së Vatrës për New York-un, ishte ndër të paktët prej racës shqiptare, që mbante lidhje me mjeshtrin e madh, Gjon Mili, dhe po ajo qe ndër të paktët shqiptarë,që shkoi e i hodhi një dorë dhé kur ndërroi jetë Gjon Mili më 14 shkurt 1984 në Stamford, CT.    

Në Lindjen e Mesme për shtypin amerikan

Pas udhëtimit të saj në Egjipt në vitin 1949, Nexhmia tregoi shumë interes për zonën dhe në mënyrë të veçantë për shtetin e ri të Izraelit, që sapo ishte krijuar. Në vitet 1950-1951, ajo u kthye në Lindjen e Mesme si gazetare përfaqësuese e “Neëark News”, një prej gazetave kryesore të asaj kohe në pjesën e Nju Jorkut. Ajo udhëtoi më pas në Amman, Jordani, ku nisi të takohet me palestinezët dhe të mësonte për fatkeqësitë që kishin prekur këtë popull.

Nexhmia ishte e para gazetare amerikane që “zbuloi” kampe me refugjatë palestinezë. Në atë udhëtim dhe në një tjetër, dy vjet më pas, ajo kaloi në Egjipt, Jordani, Siri Irak dhe Liban, ku krijoi një tablo të plotë të asaj që ndodhte në rajonin e përfshirë në konfliktin e ashpër. Nexhmia ishte e para gazetare amerikane që kuptoi thellë atë që ndodhte në këtë zonë dhe problemet që ekzistonin aty. Ajo njohu ndërkaq edhe rolin e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe në këtë situatë.

Në Jordani ajo u takua me kryeministrin dhe madje arriti të siguronte një intervistë me mbretin Hussein. Në Egjipt, Nexhmija mori takim fillimisht me Anvar El Sadat, një nga njerëzit më të afërt të kreut të shtetit, Abdel Naser, me funksionin e ministrit të shtetit për Informacionin, që njihej ndryshe edhe numri dy i regjimit egjiptian. Ajo shkoi në zyrën e tij dhe nuk u largua derisa Sadati e priti. Qëndroi atje 9 orë, derisa më në fund Sadat doli duke qeshur dhe i dha një intervistë.

Filozofia “Palestina, një vend pa njerëz, për njerëz pa tokë’, është antinjerëzore!

Nexhmije Zaimi ka qenë ndër gazetaret e para që ka tërhequr vëmendjen e qarqeve amerikane për një qëndrim më objektiv ndaj vendeve të Lindjes së Mesme. Studimi i saj “Madhësia e inatit arab”, i bërë publik qysh në vitin 1952, depërton te thelbi i konfliktit arabo-izraelit, pas një investigimi disavjeçar të saj në terren. Është nga zërat e rrallë në median amerikane të kohës, që ngrihet kundër filozofisë genocidiste të sinoistëve dhe mbështetësve të tyre në SHBA.

Ajo në fillimin e viteve ‘50 ka goditur me guxim në opinionin amerikan qëndrimin në mbështetje të sinoistëve, të cilët zbatonin strategjinë “Palestina një vend pa njerëz, për njerëz pa tokë”. Në studimin e vitit 1952, Nexhmije Zaimi paralajmëron efektet negative të mbështetjes amerikane ndaj sinoistëve. “Mbështetja pa limit e Izraelit nga Amerika, paralajmëron ajo, në të ardhmen do të mund të ndryshojë në interes të arabëve”.

15 vjet më vonë parashikimet e saj u kthyen në të vërteta. Këtë guxim të jashtëzakonshëm për kohën, terroristët sinoistë nuk do t’ia falnin dhe një ditë do të hakmerreshin, duke i hedhur acid në sy dhe duke e kërcënuar me jetën e djalit të saj të vetëm. Po edhe pas këtij atentati, Nexhmije Zaimi mbeti e angazhuar në përpjekjet e saj në luftën pa kompromis kundër padrejtësive dhe dhunës ndaj shtresave të pambrojtura…

October 25, 2015 13:24
Komento

2 Komente

  1. Bregu October 25, 15:44

    Respekt per të dhe të birin e saj.

    Reply to this comment
  2. Roland October 25, 18:22

    Respekt i vecante per punen dhe karakterin e saje te forte.Nje madheshti qe ka emerin Nexhmie.Edhe kur nderroje jete ne zvicer i telefonoi Ericut nje jave perpara mbi gjendjen dhe i la amanet jo ti telefononte njeriu por pas nje jave te varrimit te njoftonte miqte dhe te shtronte nje darke .C fisnikeri e vyer dhe caracter.Iperjeteshem kujtimi i saje qe edhe pse dy here i hodhen acid kesaj gruaje me bukuri fisnikerore pse mbronte popullin Palestinez Ajo kurre su terhoq nga te drejtat e njeriut per te jetuar i lire.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*