Gëzoje tri-ditëshin tënd, or mik!

 Nga Ilir Metaj July 15, 2014 10:14

Gëzoje tri-ditëshin tënd, or mik!

Të jesh me fat apo jo, është çështje këndvështrimi. Nuk është e thënë që fati se s’bën të jetë kombinimi klasik personi i duhur-koha e duhur-vendi i duhur. Mund të ndodhë që të jesh me fat edhe po të jesh në vendin e duhur-në kohën e duhur-por personi i gabuar. Ose, të jesh personi i duhur, por në vendin dhe kohën e gabuar dhe përsëri të rezultosh me fat.

E thash pra, është thjesht çështje këndvështrimi: çfarë kupton me fjalën “fat”. Për disa njerëz fjala fat është sinonim i fjalës “famë.” Nuk ka rëndësi ç’lloj, ku, si… Rëndësi ka të jetë famë, domethënë diçka që të bën “jo-anonim”. Raste ka plot. P.sh, Susane Hupner, vërtetë nuk e realizoi dot ëndrrën e saj për t’u bërë piktore e njohur, edhe pse pikturonte pafund që e vogël, por, sidoqoftë, u bë e famshme kur në të 40-at, hodhi në internet një video ku e dehur bënte sex me një kal pony. Është nga më të famshmet në botë tashmë për video-sex me kafshë të ndryshme. Domethënë, Susane “ja doli”. Ajo nuk është më një piktore anonime. Është aktore porno e famshme.

Ndodh që shumë njerëz kanë “talent” në një fushë të caktuar, por nuk e dinë derisa vjen një moment fatlum që e zbulojnë. Dhe kur ky moment vjen, të dehur ose jo, jeta e tyre ndryshon. Mbarojnë sfilitjet në netët pa gjumë për të gjetur rrugën e duhur. Merr fund stresi dhe mllefi i të qenit të parealizuar, shterin lotët e mospërfilljes, sëmbimi pse gazetarët nuk i vënë re, ankthi që nuk shohin veten në TV, gazeta e revista… Të gjitha këto stopojnë! Sepse vjen momenti magjik i kthesës që i nxjerr nga anonimati për t’i hedhur në krahët e artë të famës vezulluese. Ndonëse në tjetër drejtim, tjetër plan, po ç’rëndësi ka tek e fundit! Ata nuk janë më anonimë, nuk janë më në hije. Janë në spot!

Ndaj, të kuptoj Gent Strazimiri, si s’të kuptoj. Je djersirë kushedi sa herë duke monologuar nga foltorja e Parlamentit, duke bërë “të fortin” nëpër studio, duke u përpjekur sa e sa herë t’i dalësh zot partisë. Në fakt, tani që e mendoj, ke vërtetë shumë kohë aty. Po kush ta kishte ditur, o Gent?! Kush të kishte vënë ndonjëherë në “spot”, të ndjeheshe njëherë si ylli i mbrëmjes?! Askush! Të gjithë të kalonin pranë ndërsa nxitonin për të arritur atë tjetrin dhe nuk të vinin re. Askush nuk ndalte tek ty, o burrë! A thua nuk ishe përpjekur kurrë për t’u bërë protagonist i debatit?! A thua nuk kishe vënë shpirtin në themelet e asaj pune, madje edhe do ishe thinjur aty (nëse do mundeshe)?! Deri këto ditët e fundit ama!

Tashmë po bëhet kohë që je star-i i faqeve të para, scoop-i i edicioneve të Prime-Time-s. Tani telefoni yt nuk pushon nga thirrjet e gazetarëve. Por tani ti ke kënaqësinë të shijosh mospërgjigjen. Qindra miss calls, si asnjëherë në jetë. Tashmë nuk je më në hije. Tashmë ti “bën hije”. Ç’rëndësi ka o Gent, se nuk të nxori nga hija as puna e deputetit, as ndonjë nga ato fjalimet plot patos, edhe pse ndonjërit i dukej sikur bëje “replay” të njëjtën kasetë (jo CD, kasetë) të zhurmuar prej përdorimit të tallava-style.

Tani ti je “Ai”! Je deputeti që e rrahën dy herë rresht në Parlament. Gent Strazimiri- the star!

Gëzoje famën, o burrë! Është e jotja! Ah sa e ke merituar! Por… Ah, por. Sikurse e thashë, po bëhet kohë… Kohë? Ah kjo fjalë që të irriton sërisht. Sepse, fillon prapë ankthi. Sa do zgjasë kjo famë? Tre ditëëë?! Jeni në vete?! Vetëm kaq?!

Po ç’të të them o Gent! Kaq thonë që zgjat çudia më e madhe… Hajde mor burrë, mendo për lëvizjen e radhës. Tani e kuptove sekretin. Mirë u dëgjofshim Gent, në lajmet Prime-Time të tre-ditëshit të radhës.

 

 

 

 

 Nga Ilir Metaj July 15, 2014 10:14
Komento

3 Komente

  1. alda selmani July 15, 10:24

    Ja ke qendisur 🙂

    Reply to this comment
  2. Hahaha July 15, 10:33

    Shkrim argetues!
    Tani qe e gjeti sekretin Genti do kerkoj nje te rrahur tjeter cdo tre dite !!!

    Reply to this comment
  3. Kris July 15, 15:07

    Jemi shume larg Europes.Rrihet deputeti me rryp pantallonash si ne mesjete?Po ku jane karriget e kuvendit qe nuk po perdoren fare?
    Sido qe te jete kete strasburgun qe u rrah me rryp pantallonash nga prosekutoret socialiste,kur te marrin pushtetin do ta veme ne listen e te persekutuarve politik,do ta shpallim martir te demokracise,do ti japim demshperblim dhe do ti caktojme nje parcele ne balle te varezave te kombit

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*