Gjakmarrja/ 700 persona nga veriu e kanë të pamundur votimin ditën e diel

June 21, 2017 17:44

Gjakmarrja/ 700 persona nga veriu e kanë të pamundur votimin ditën e diel

Afro 700 persona në veriun e Shqipërisë, kryesisht në Shkodër nuk mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Këta qytetarë nuk mund të shkojnë tek kutia e votimit nga frika se hasmi mund t’i vrasë. Ata janë të privuar nga e drejta e tyre për shkak të fenomenit të gjakmarrjes që vijon të jetë prezent”.

Kështu deklaron kreu i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve, Nikollë Shullani. Sipas tij, personat që privohen nga e drejta e votës janë nga Tropoja, Puka, Lezha, Mirdita, Malësi e Madhe dhe më së shumti nga Shkodra. “Këta persona kanë frikë që të kalojnë pragun e derës nga frika se gjaksi mund t’i vrasë, ndaj në këtë mënyrë nuk mund të dalin për të ushtruar të drejtën e tyre. Normalisht që ata kanë dëshirë që të votojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të lirë të Shqipërisë, por nuk mund ta plotësojnë dëshirën e tyre, sepse rrezikojnë të vriten. Unë jam në komunikim të vazhdueshëm dhe thuajse të përditshëm me këto familje”, tha kreu i Pajtimit të Gjaqeve. Ndërkohë, ai pohoi se më përpara të ngujuarit kanë mundur të votojnë, ndonëse me frikë, ndërsa kësaj here strukturat shtetërore nuk kanë ndërhyrë për të mundësuar që 700 personat në gjakmarrje të votojnë.

GJAKMARRJA

“Më përpara familjet që janë në gjak kanë arritur që të votojnë, ndonëse jo të gjitha. Pjesa më e madhe e tyre janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga forcat e policisë dhe kanë mundur që të votojnë. Ata janë shoqëruar në momentin kur kanë dalë nga shtëpia dhe deri tek qendrat e votimit, por edhe në kthim në banesat e tyre.

Kësaj here nuk ka asnjë angazhim nga Policia e Shtetit për familjet në gjakmarrje që ata të ushtrojnë të drejtën e votës. Si duket, fushata elektorale ka përfshirë në vrullin e punës dhe ngarkesës edhe Policinë, duke mos menduar për të ngujuarit që të votojnë si të gjithë të tjerët. Në këtë rast strukturat shtetërore duhet të ndërhyjnë dhe duhet që të mundësojnë që familjet në gjakmarrje, atyre që janë në moshë madhore të mund t’u sigurohet e drejta për të zgjedhur.

Më përpara të sëmurëve apo shtresave të tjera u janë dërguar kutitë e votimit në shtëpi dhe kjo mund të aplikohet edhe me të ngujuarit ose të shoqërohen nga policia”, u shpreh Nikollë Shullani. Sakaq, Shullani kujtoi një rast të vitit 1997, kur janë vrarë 2 persona dhe janë plagosur dy të tjerë tek qendra e votimit në Dukagjin për shkak të fenomenit të gjakmarrjes.

“Kujtojmë një rast të ndodhur në vitin 1997. Një familje në gjakmarrje shkoi për të votuar, por aty në qendrën e votimit u qëlluan dhe dy mbetën të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur. Në këtë ngjarje të asaj kohe (mesa kujtoj) u përfshinë edhe komisionerë, ndonëse nuk më kujtohen emrat, sepse u bënë shumë vite.

Kështu, rreziku për ata që janë në gjak është i madh, në rast se të vetëm guxojnë të dalin nga shtëpitë dhe t’u drejtohen kutive të votimit. Këtë mund ta mundësojnë vetëm strukturat shtetërore, ndaj bëj thirrje që ta realizojnë një gjë të tillë, sepse nuk mendoj se ka ndonjë person në Shqipëri që nuk ka dëshirë për të votuar”, – përfundoi Nikollë Shullani. /GSH/

June 21, 2017 17:44
Komento

2 Komente

  1. XXXL June 21, 18:44

    Mos u merrni fare me keta killerat ngujuar, keto pune i rregullon kodoshi Gjekmarkaj, nje pasardhes po nga nje familje krinelesh (keshtu ka deklaruar Kryetari i PD Basha, qe verioret jane KRIMINELE, duke treguar nje realitet.)

    Reply to this comment
  2. anticensurë25642654 June 22, 09:30

    duke lënë mënjanë këtë zakon primitiv,por a nuk funksionon më ajo fjalë që na ka bërë të njohur në botë??
    BESË nuk ka për rraste të veçanta??

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*