Gjakmarrja, atentat vëllezërve Shkreta, një i vdekur

Arlinda Gjypi November 5, 2012 08:04

Gjakmarrja, atentat vëllezërve Shkreta, një i vdekur

Fatmir Llani

 

Arlinda Gjypi

MAMURRAS – Vazhdojnë humbjet e jetës në familjen Shkreta, ndërsa dje në Fushë-Mamurras është vrarë edhe Gentian Shkreta, teksa ka mbetur i plagosur i vëllai Leli Shkreta, i cili është shtruar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë. Nga ana e policisë bëhet e ditur vetëm se të dyshuar janë vëllezërit Llani, mes të cilëve edhe Jetmir Llani, babai i 9-vjeçarit të vrarë aksidentalisht nga vëllezërit Shkreta në muajin qershor.

Mësohet se dy djemtë po ktheheshin nga jashtë vendit dhe janë kapur në pritë, në befasi, duke mbetur njëri i vdekur dhe tjetri i plagosur rëndë. Duke qenë se çdo lëvizje e tyre është ndjekur me vëmendje deri në vrasje, nga ana e policisë dyshohet se bëhet fjalë pikërisht për gjakmarrjen dhe rezulton se familja Llani është e vetmja me të cilën familja Shkreta ka hasmëri. Kështu që si autor të dyshuar janë shtetasit Jetmir Llani dhe vëllai i tij.

Vrasja e djeshme e çon në dy numrin e të vrarëve nga familja Shkreta, ndërkohë që është i treti atentat që u bëhet në harkun kohor të pesë muajve. Vetëm një muaj pas vrasjes së 9-vjeçarit, mbeti i vrarë babai i autorëve të cilët janë në burg, Mark Shkreta. Disa ditë më pas një shpërthim shkaktoi shkatërrimin e banesës së Mark Shkretës së Mamurrës, ndërsa dje u bë atentati ndaj dy vëllezërve, ku njëri mbeti i vdekur.

Jetmir Llani dhe vrasësit e djalit të tij që tashmë ndodhen në burg mësohet se kanë qenë miq, por më pas kanë pasur konflikte. Vrasja e 9-vjeçarit dyshohet që të jetë bërë gabimisht, ndërkohë që është qëlluar ndaj xhaxhait të tij. Megjithatë “gabimi’ nuk ka kursyer jetën së pari të Mark Shkretës dhe më pas të të birit Gentian Shkreta.

Kronologjia e ngjarjes tashmë ka filluar të bëhet e dhimbshme. Në shtator policia e Rinasit ndalon Jetmir Llanin ndërsa kthehej nga Italia si person në kërkim, i akuzuar për “armëmbajtje pa leje”, si dhe i dyshuar si autor i shkatërrimit me eksploziv të banesës së Mark Shkretës në Mamurras, disa ditë pas vrasjes këtij të fundit në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë. Pas arrestimit, ai u transferua pikërisht në Komisariatin e Policisë së Krujës, ndërsa në Gjykatën e Rrethit Krujë Llanit iu komunikua edhe masa e sigurisë, si dhe vendimi i dënimit të dhënë ndaj tij me akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Ndërkohë specialistët e Krimeve të Rënda dyshonin se ai ishte autor i vrasjes së Mark Shkretës. Burimet e policisë së Rinasit thanë se Llani mbërriti nga Italia me një avion të një prej linjave të këtij vendi, ndërsa policia tha se ai ishte kthyer me dëshirën e tij nga Italia. Ai ka pohuar se nuk ka lidhje me vrasjen, ndërsa ka pretenduar se nuk ishte ai autori e as nuk ishte përfshirë në këtë krim. Afërsisht një muaj e gjysmë më parë, policia e Rinasit arrestoi gjithashtu edhe vëllanë e tij, i cili kthehej në Shqipëri po nga Italia. Por të dy vëllezërit janë liruar për mungesë provash për shkak se në kohën e krimit rezultonin të ishin jashtë vendit.

Vrasja e Mark Shkretës

Më 19 korrik, në rrugën “Hoxha Tahsim”, Mark Shkreta, 71 vjeç, u qëllua me armë zjarri pistoletë në trup dhe në kokë. Ai ndërroi jetë menjëherë për shkak të plagëve të rënda. Dëshmitarët i thanë policisë se kishin dëgjuar dy të shtëna dhe kishin parë një person që e ndiqte nga pas Shkretën në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë. Pas hetimeve të kryera, policia tha zyrtarisht se autori i vrasjes ishte Jetmir Llani, babai i Indritit, 9-vjeçari i vrarë në Mamurras një muaj përpara vrasjes së Shkretës. Llani duket se u shfaq në kryeqytet për të marrë hakun e të birit, i cili dyshohej se ishte vrarë nga djemtë e Shkretës gjatë një shkëmbimi zjarri në qytetin e Mamurrasit mes palëve. Policia mundi të gjejë vetëm gëzhojat, të cilat i përkasin një pistolete të kalibrit 9 mm. Burime të policisë sqaruan se kishin të dhëna që autori lëvizte me një makinë fuoristradë të zezë nga Tirana në drejtim të Laçit, por pavarësisht postblloqeve të ngritura dhe kontrolleve në terren, nuk u kap dot. Hetimet u përqendruan më pas te Mark Shkreta, viktima 71-vjeçare që u detyrua të linte Mamurrasin e të gjente një shtëpi me qira në Tiranë për t’i shpëtuar hasmit në Tiranë. Nga dëshmitë e mbledhura u mësua se i moshuari kishte zbritur nga shtëpia rreth orës 05:45 për të pirë kafen e mëngjesit.

Alibia

Famitr Llani pretendimin e tij se nuk ishte autori i krimit ndaj Shkretës e ka mbështetur në faktin se ai bashkë me të vëllanë ndodheshin jashtë vendit, së paku pesë ditë para se të ndodhte ngjarja. Një fakt të tillë ata e kanë mbështetur edhe në sistemin e policisë kufitare TIMS, që tregonte se të dy vëllezërit ishin larguar nga Shqipëria më 14 korrik, ndërsa vrasja ndodhi më 19 korrik. Ndërkaq, pak ditë pas vrasjes së Shkretës në Tiranë, në banesën e familjes së tij në Mamurras ndodhi një shpërthim që shkatërroi pjesërisht këtë të fundit. Po ashtu dëmtime serioze mori edhe një banesë tjetër ngjitur me atë të familjes Shkreta. Policia, nga hetimet e kryera ngriti dyshime se autor i krimit edhe në vrasjen e djeshme ishte Jetmir Llani. Por deri më tani blutë shprehen se dëshmitarët e paraqitur në fillim në dyja raste janë tërhequr.

Arlinda Gjypi November 5, 2012 08:04
Komento

1 Koment

  1. Gjon Neçaj November 8, 16:49

    ISHTE E DOMOSDOSHME RIKTHIMI I JUAJ NE PUBLICISTIKE,ARLINDA. TE KERKONIN LEXUESIT E SHUMTE PREJ SHUME VITESH NE GAZETEN ‘SHEKULLI’.BESOJME SE EDHE GAZETA ‘DITA’ DO JETE PASUESE E SHEKULLIT KUR DREJTOHEJ NGA ADRIAN THANO KRYEREDAKTOTR DHE ARLINDA GJYPI REDAKTORE.
    ATO QE THASHE ME LART,VERTETOHEN ME SE MIRI NGA KYR SHKRIM I JUAJ.
    SUKSESE DHE PUNE TE MBARE,

    GJON NECAJ,KRIJUES DHE PUBLICIST ,TROPOJE

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*