e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Gjendet i vrarë në Ministrinë e Mbrojtjes Shefi i Postës Sekrete të Arben Imamit

0
Kujtim Boriçi
Postuar më: 30 Nëntor, 2012 tek Lajmi i fundit
imami 6

Gëzim Tare, zyrtar kyç në sektorin e Ndërlidhjes dhe 3 muajt e fundit ishte emëruar shef i Ekspeditës (postës) në ministrinë e akuzuar për përgjimet e 21 janarit dhe afera me armët.

 

Versioni zyrtar: Vetëvrasje pasi shqeu kasafortën e zyrës dhe mori pistoletën TT të një kolegu. Ngjarja, gjatë momenteve të Paradës në Sheshin Skënderbej dhe fishekzjarreve.

 

Një ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes është gjendur i vdekur i qëlluar me pistoletë TT mesditën e së mërkurës në zyrën e tij të punës në Ministri. Versioni zyrtar është “vetëvrasje”.

 

Ngjarja e rëndë është mësuar vetëm një ditë më pas. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, viktima është 53-vjeçari Gëzim Tare, lindur në Lushje e me banim në Tiranë, me gradën kapter (dikur oficer aktiv, i riveshur pas nxjerrjes në rezervë) dhe me detyrë Përgjegjës i Ekspeditës (Postës) së këtij institucioni. Detyra e tij e mëparshme kishte të bënte me sektorin e Ndërlidhjes, ndërsa prej 3 muajsh ai ishte emëruar përgjegjës për sektorin e Ekspeditës (Postës) ku mbulonte edhe përcjelljen e urdhërave dhe dokumenteve sekretë. Të dyja postet e tij kanë qenë të rëndësishme për dokumentacionin e Ministrisë së Mbrojtjes, një ministri kjo e zhytur kohët e fundit në dyshime për afera dhe skandale që nisin që nga përgjimet për 21 janarin (sektori i ndërlidhjes) e deri te trafiqet e armëve. Viktima që sipas versionit zyrtar është vetëvrarë ishte një nga zyrtarët që kishte dijeni të shumta për dokumentacionet sekrete që dilnin e hynin në institucion.

 

Versioni zyrtar

Vetëvrasja e Kapter Gëzim Tares ka ndodhur pasditen së mërkurës në mjediset e godinës së Ekspeditës, në katin e parë të Ministrisë së Mbrojtjes. I pari që ka vajtur në vendin e ngjarjes, ka qenë Shefi i Krimeve, Pëllumb Hidri.Burimet paraprake nga grupi i hetimit thonë se Tare, kur ka qenë i vetëm në zyrë, ka shqyer kasafortën ku ka marr pistoletën e kolegut dhe është vetëvrarë.

 

Duket vërtet e habitshme pse një person që ka menduar të vrasë veten, duhet të shqyejë një kasafortë dhe të vetëvritet me një armë që e kërkon aty brenda. Por Nënkolonel Bajram Pjeshka, komandant i ASN (Agjencisë së Sistemit Ndërlidhës) në Ministrinë e Mbrojtjes, në një telefonatë dje në mbrëmje me gazetën DITA thotë se “arma me të cilin u vetëvra Tare, ishte e kolegut të tij të punës, pasi ai, për shkak të kohës së shkurtër në këtë detyrë( rreth 3 muaj), ende nuk ishte pajisur me armën personale”.

 

Fillimisht u pohua se vetëvrasja lidhet me probleme të biznesit të tij (një market në ‘Don Bosko’ në Tiranë), por burimet pranë familjes e kundërshtojnë këtë fakt. Ata pohuan se Tare nuk kishte borxhe apo probleme të tjera financiare. Përtej pohimit zyrtar të shkurtër dhe ‘të thatë’, burimet jo zyrtare nga ministria e Mbrojtjes konfirmojnë se ka dyshime të forta për pista të tjera, për probleme që lidhen me punën e tij, si përgjegjës i korespodencës sekrete mes drejtorive në ministri, me repartet e njësitë ushtarake.

 

Shumë orë heshtje

Ngjarja e rëndë, sipas burimeve të ‘Dita’ në Ministrinë e Mbrojtjes ka ndodhur në orën 16:30 të ditës së mërkurë, por çuditërisht, është konfirmuar një ditë më pas nga Ministria e Mbrojtjes.

 

Thuhet se 53-vjeçari Gëzim Tare ka qenë i vetëm në zyrën e tij të punës në katin e parë të godinës së Ministrisë së Mbrojtjes. Ai nuk punonte me turne (siç u konfirmua fillimisht nga ky institucion), pasi ishte përgjegjës i Ekspeditës së këtij institucioni dhe drejtonte vartësit në aktivitetin e shpërndarjes apo tërheqjes së korrespodencës të drejtorive, komandave, njësive, reparteve e hallkave të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes. Në këtë detyrë Tare kishte rreth 3 muaj që ishte emëruar, pasi më parë kishte punuar po në këtë institucion, me Radiot në Qendrën Operacionale të Ndërlidhjes.

 

Burime nga Ministria e Mbrojtjes shtojnë se pas krismës së armës, dikush nga shokët e tij ka parë nga dritarja (pasi dera, sipas burimit të njëjtë, ka qenë e mbyllur nga brenda) e zyrës Gëzim Taren të mbështetur mbi tavolinën e punës.

 

Pas alarmit të dhënë, në vendin e ngjarjes kanë ardhur specialistët e sektorit të Hetimit e Krimeve në Ministrinë e Mbrojtjes. Konfirmohet se pasi është shqyer dera, i pari që është futur në mjediset ku kishte ndodhur krimi, ishte Pëllumb Hidri, me detyrë Shef i Krimeve.

 

Në këtë moment kanë filluar hetimet ku janë thirrur për administrimin ligjor dhe specialistë të tjerë.

 

Krisma, gjatë paradës dhe fishekzjarreve

Ora e ngjarjes së ditës së mërkurë, përkon me momentin që në sheshin ‘Skënderbej’ sapo kishte nisur Parada Ushtarake. Zhurmat kanë qenë të shumta edhe për shkak të fishekzjarreve dhe në ministri kishte shumë pak të pranishëm.

 

“Në ato momente kur pohohet se është vetëvrarë me armë të tipit pistoletë, drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe efektiva të tjerë ishin të angazhuar me paradën. Personat që ndodheshin atë moment në godinën e Ministrisë së Mbrojtjes, numërohen me gishtat e dorës. Më saktë, në godinë ndodheshin vetëm personeli i shërbimit të ruajtjes. Nuk di pse ai ka zgjedhur këtë moment për vetëvrasjen, siç thuhet në versionin zyrtar”- – pohon një burim në Ministrinë e Mbrojtjes, që nuk pranon të identifikohet.

 

Disa mospërputhje

Ngjarja e rëndë ka alarmuar strukturat dhe drejtuesit e kësaj ministrie. Por çuditërisht, jo vetëm gjatë orëve të pasdites së 28 nëntorit, por dhe në orët në vazhdim, deri afër mesditës së ditës së enjte, Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë asnjë komunikatë zyrtare. As nga Ministria e Brendshme nuk ka pasur gjatë kësaj kohe asnjë informacion për ngjarjen e rëndë të ndodhur në institucionin e drejtuar nga Arben Imami.

 

Burime konfidenciale nga ky dikaster konfirmojë se jo vetëm nuk është dhënë informacion zyrtar në kohë për atë që ndodhi, por ‘ka pasur përkujdesje që kjo ngjarje të mos bëhej publike, deri dhe tek efektivë të kësaj ministrie’.

 

“Unë punoj në të njëjtin sektor, në ASN, por për ngjarjen e rëndë kam mësuar vetëm ditën e enjte rreth mesditës. Edhe pse përfliten shumë gjëra, edhe tani(ora 21:00 e ditës së enjte), jo vetëm unë, por dhe shokë të tjerë nuk dimë si dhe çfarë ka ndodhur realisht” – pohon një nga ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Të kontaktuar nga ‘Dita’, ndonëse në një afat më shumë se 30 orë nga ngjarja, eprorët e ushtarakut Gëzim Tare, nuk japin detaje të tjera përveç atyre pak radhëve të konfirmuar në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Kolegët dhe familjarët

Për kolegët, vetëvrasja e Tares ishte një akt i pa pritur, pasi ai ishte njeri korrekt, i respektuar, i shoqërueshëm dhe i matur e i përgjegjshëm në çdo hap që hidhte.

 

“Ai ishte një njeri korrekt, i shoqërueshëm, dinte të respektonte veten, shokët dhe eprorët. Ishte i përgjegjshëm për detyrën funksionale dhe detyra të tjera që i ngarkoheshin. Ishte strikt në zbatimin e  rregulloreve, pasi kishte një karrierë të gjatë si ushtarak, fillimisht si oficer në garnizonin e Beratit, më pas në sektorët e shërbimit të Ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes. Megjithëse tek ne ai kishte më pak se tre muaj që erdhi, reflektoi një karakter e përgjegjshmëri në kryerjen e detyrave. Nuk na besohet që ai të vriste veten. Gjithsesi, të vërtetën e thonë organet e drejtësisë”- shton një nga kolegët e Tares.

 

Për familjarët, ngjarja që u mori njeriun e shtrenjtë, qe e papritur dhe shokuese. Burime pranë tyre konfirmojnë se Gëzim Tare ishte ‘njeri korrekt, familjar i rregullt, nuk kishte borxhe apo probleme të tjera financiare’.

 

MISTERET

Ndonëse zyrtarisht përjashtohet mundësia e vrasjes së 53-vjeçarit(ende nuk ka një version zyrtar nga ekspertët, qoftë dhe paraprak), burime të rezervuara nga Ministria e Mbrojtjes, nuk përjashtojnë dhe mundësinë e një vrasje të mundshme, që mund të ketë lidhje me dijenitë e 53-vjeçarit me përfoljen e disa skandaleve në media e opinion në Ministrinë e Mbrojtjes.

 

“Unë nuk mund të akuzoj askënd, pasi nuk kam prova. Atë ditë kur ndodhi ngjarja unë nuk isha në Ministrinë e Mbrojtjes. Por dhe dyshoj, jo vetëm për faktin e kohës kur ndodhi vetëvrasja që thuhet(kohë kur në ministri kishte pak njerëz pasi ishte Parada Ushtarake), shqyerja e kasafortës e vrasja me pistoletën e shokut (kur kishte shumë mundësi të tjera për vetëvrasje), etj… Di të them se gjatë kohës që punoi në Qendrën Operacionale të Ndërlidhjes, së fundi përgjegjës i Ekspeditës, ai ka parë e di shumë. Ka përcjellë urdhra të rëndësishëm nga krerët e ministrisë në repartet vartëse, në drejtori e institucione të rëndësishme të vendit, e anasjelltas. Nuk di çfarë të them, thjeshtë dyshoj dhe se e njihja Gëzimin e mendojmë se kurrë ai nuk mund të kryente një akt të tillë. Thash dyshoj e nuk akuzoj… Janë organet kompetente që e thonë të vërtetën”- shton kolegu i Gëzim Tares.

 

SOM 1

“Ngjarja e rëndë në Ministrinë e Mbrojtjes, sipas burimeve të ‘Dita’ ka ndodhur në orën 16:30 të ditës së mërkurë, por çuditërisht, është konfirmuar një ditë më pas. Nga burime të sigurta të ‘Dita’ në këtë ministri mësohet se 53-vjeçari Gëzim Tare ka qenë i vetëm në zyrën e tij të punës në katin e parë të godinës së Ministrisë së Mbrojtjes. Vdekja ka ardhur nga plumbi i pistoletës së shokut të tij”

 

SOM 2

“Burimet për ‘Dita’ në Ministrinë e Mbrojtjes, konfirmuan se ngjarja e rëndë ka alarmuar strukturat dhe drejtuesit e kësaj ministrie. Por çuditërisht, jo vetëm gjatë orëve të pasdites së 28 nëntorit, por dhe në orët në vazhdim, Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë asnjë komunikatë zyrtare për ngjarjen e rëndë. Njëkohësisht, as nga Ministria e Brendshme nuk ka pasur gjatë kësaj kohe asnjë informacion për ngjarjen e rëndë të ndodhur në institucionin e drejtuar nga Arben Imami”

 

SOM 3

“Di të them se gjatë kohës që punoi në Qendrën Operacionale të Ndërlidhjes e përgjegjës i Ekspeditës, ai ka parë e di shumë. Ka përcjellë urdhra të rëndësishëm nga krerët e ministrisë në repartet vartëse, në drejtori e institucione të rëndësishme, e anasjelltas. Mua më duket si rasti ‘Trebicka’. Thjeshtë dyshoj dhe se e njihja Gëzimin e mendojmë se kurrë ai nuk mund të kryente një akt të tillë. Thash dyshoj e nuk akuzoj… Janë organet kompetente që e thonë të vërtetën”-

 

KUSH ISHTE GËZIM TARE

 

Gëzim Tare, 53-vjeç, lindur në Lushnje e me banim në Tiranë, ka një karrierë të gjatë si ushtarak aktiv në Forcat e Armatosura. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai ka kryer Shkollën e Oficerëve Rezervistë në Zall-Herr të Tiranës dhe më pas, me urdhër të veçantë të Ministrit të Mbrojtjes, është titulluar oficer aktiv. Për shumë vite ai ka punuar në detyra të ndryshme në reparte e njësi të garnizonit ushtarak të Beratit.

 

Me ardhjen e proceseve demokratike pas vitit 1990, si mijëra ushtarakë aktiv, Gëzim Tare doli në rezervë. Pas daljes në rezervë, ai u transferua familjarisht e jetonte në Tiranë. Ishte i martuar dhe ka dy fëmijë. Kohë më parë, me kërkesën e tij, ai u inkuadrua përsëri në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, tashmë si Kapter. Pasi punoi disa kohë në Qendrën Operacionale të Ndërlidhjes (me radiondërlidhjen), para afro 3 muajsh, u emërua përgjegjës i Ekspeditës në Ministrinë e Mbrojtjes.

 

Gjatë gjithë karierës së gjatë ushtarake, ai është shquar për aftësi profesionale, përgjegjshmëri për detyrat dhe marrëdhënie korrekte me shokët, eprorët dhe vartësit. Për këtë ai ka mar dhe shumë vlerësime zyrtare. Njëkohësisht, ai(familjarisht) administronte dhe një biznes (market) tek ‘Don Bosko” në Tiranë. Në orën 16:30 të ditës së mërkurë, ai u gjet i pajetë(nga arma e zjarrit) në zyrën e tij të punës në Ministrinë e Mbrojtjes.


0 Komente



Ji i pari te lesh nje koment!


Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)